Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Duke e parë reagimin në kor të diplomatëve perëndimorë dhe të qendrave ndërkombëtare të vendosjes është e qartë kundër çdo veprimi qeveritar në veri, madje edhe ndaj mbylljes së strukturave ilegale të Serbisë së operojnë në territorin e Kosovës, është e qartë se ka një zotim ndërkombëtar dhe një vendosmëri që veriu i vendit të mos kontrollohet nga autoritetet vendore shqiptare të Kosovës. Ndoshta nuk është ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, por shumë gjëra lënë me kuptua se një linjë e tillë e ndarjes nga brenda është përcaktuar në Marrëveshjen e Helsinkit të 18 qershorit 1999. Nëse është kështu, atëherë është e qartë se mbyllja e strukturave ilegale të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës ka këto pasoja:
– Dëmton relacionet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare;
– Legjitimon vetviktimizimi e serbëve;
– Dëmton investimet e shtetit serb për minimin e shtetësisë së Kosovës nga brenda;
– Dëmton kredibilitetin e ndërkombëtarëve të cilët për dy dekada na ligjëruan për rrezikun dhe pamundësinë e zhbërjes së strukturave paralele;
– Pamundëson ndarjen e brendshme të Kosovës dhe e bënë i relevante peshën e asociacionit;
– Dëmton strategjisë serbe për ndërtimin e një konflikti permanent në Kosovë;
– Zhbënë strategjinë serbe për instalimin e mendësisë së përkohshmërisë së çdo gjeje në Kosovë;
– E dëmton idenë se një ditë, duke u thirrur në klauzolat e Rezolutës 1244, mund të realizohet kërkesat serbe dhe ndërkombëtare për rikthimin e disa njësiteve policore serbe në lokalitet dhe manastiret serbe, ashtu siç u kërkua rikthimi i dinarit serb;
Kjo situatë tregon qartë se diplomacia dhe politikanë nuk nisen nga premisat morale, por gjeopolitike kur e trajtojnë një problem të caktuar. Nëse është kështu, dhe është kështu, në rend të parë duhet shmangur një diskurs konfrontuese nga i cili mund të dalim humbës dhe në shenjë ndëshkimi të legjitimohen kërkesat e Serbisë dhe miqve të saj për krijimin e një autonomie të serbëve në Kosovë, si hap kalimtar për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, për t’u pasur pastaj me një status të ri të privilegjuar për Kishën Ortodokse Serbe, që kalon përtej aranzhmaneve që i garanton Plani Gjithpërfshirës i Ahtisaarit.
Për më tepër, në këtë situatë delikate klasa jonë politike në pozitë dhe opozitë duhet të demonstrojë një qasje me rezonë shtetëror, që nuk ndërlidhet me asnjë përfitim partiak të momentit, aq më pak zgjedhjet e ardhme nacionale.
Prandaj, kemi të drejtë të kërkojmë edhe qartësi nga qendrat e vendosjes, çfarë dëshirojnë deri fund nga ne, edhe sa kompromisi kërkohen nga ne? Ose ata që komunikojnë me partnerët ndërkombëtarë le le të na e thonë të vërtetën, çfarë po duan nga ne, ngase dikush, njëra palë, ose po fsheh të vërtetën ose ne nuk po e lexojmë si duhet zhvillimet gjeopolitike. Më mirë një fund i keq sesa një e keqe pambarim!
Mbeten shumë pyetje të hapura të cilat kërkojnë qartësi!
– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na jap një afat kohor, 1, 2, 3 apo më shumë vjet për hapjen finale të urës në Ujëbardhë(Ibër);
– A duhet bashkësia të ofrojë një perspektivë dhe një plan se si duhet t’i qasemi veriut apo ajo po kërkon alibi për etablimin e autonomisë sa më të madhe për serbët;
– A duhet të qartësohet pse me Aneksin e Ohrit kërkohet hapja e Pakos së Ahtisaarit për çështjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe;
– A duhet Kosova ta ketë të qartë çfarë nënkupton kërkesa e ndërkombëtareve për kompromise të reja nga pala kosovare;
– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na thotë nëse asociacioni e funksionalizon shtetin e Kosovës apo e minon;
– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na tregoj nëse asociacioni nuk e respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, a duhet të zhbëhet apo duhet negociuar në Bruksel;
– A duhet të na qartësoj çfarë duhet bërë Kosova nëse asociacioni provon të legalizoj struktura policore si zgjatje e Serbisë;
– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare pse ekziston kjo vendosmëri për ndarje të brendshme të Kosovës sipas modelit të Bosnjës;
– A duhet të na e qartësojë BE-ja përse njohu pasaportat ilegale të Serbisë ku qytetet e Kosovës paraqiten si territor serb;
– A duhet të na e qartësoj bashkësia ndërkombëtare nëse edhe Kosova mund të lëshojë pasaporte ku Preshevë, Shkupi, apo Ulqini mund të paraqiten si territor i Republikës së Kosovës;
– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare pse duhet të ketë Tribunal një-etnik vetëm për shqiptarët e Kosovës në kohën kur në Serbi qeverisë komplet një strukturë e politikanëve që dikur ishte në shërbim të aparatit represiv dhe të ideologjisë serbomadhe të Milosheviqit;
– A mund të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare si mund të armatoset pa kushte një shtet që ka bërë luftëra dhe krime të luftës të papara që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe kur për çdo ditë bënë përpjekje për ta revizionuar të kaluarën;
– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare përse ajo që kërkohet për serbët në Kosovë nuk vlen edhe për shqiptarët e Luginës apo Maqedonisë;
– A duhet të na tregoj bashkësia ndërkombëtare a na konsideron shtet evropian apo na sheh vetëm si mbetje kulturore dhe fetare e Lindjes?
Kosova ka vite që është lodhur dhe nuk ka këllqe të përballet pafundësisht me kurthe të tilla për defaktorizimin e elitave politike sa herë që ndërkombëtarët shtrojnë nevojën për kompromise të reja në dialogun Kosovë-Serbi. Vështirë të besojmë se ka qenë koincidencë e rast që bashkë me vendimin për rifillimin e dialogut të Brukselit na shfaqet si rrufe teoria konspirative e shekullit, ajo e “trafifikimit të organeve”, e cila me kalimin e kohës u zhbë, por pasojat e saj mbetën, u krijua një Tribunal për dënimin vetëm të shqiptarëve. Po thuajse, të gjithë duartrokitën se drejtësia duhej bërë se “reja e zezë” mbi Kosovën duhet hequr, edhe pse Kosova, si asnjë vend tjetër në ish-Jugosllavi, ishte gjykuar në vazhdimësi nga gjykata e UNMIK-ut (OKB), EULEX-it (BE), Serbisë. Edhe sot, si dikur në vitet 1980-të, kur në pushtet erdhi Milosheviqi, ka filluar teoria të afishohet teoria e viktimizimit të serbëve, si strategji për të na bindur se ky komunitet i privilegjuar historikisht, ka arsye për të jetuar të veçuar dhe jashtë sistemit shtetëror të Kosovës. Dhe beteja për këtë nuk ka filluar as sot dhe as dje, por nga 12 qershori i vitit 1999, kur Serbia bashkë me miqtë e saj kishin nisur një fushatë për të kthye përmbys të vërtetën e asaj që kishte ndodhur në Kosovë në harkun kohor 1989-1999. Nga ky moment filloi revizionimi i të vërtetës dhe shumë organizata ndërkombëtare, në sinkroni me propagandën serbe, filluan të flasin për dëbimin e 250 mijë serbëve nga Kosova, në kohën që asnjëherë në Kosovë nuk kishte patur një shifër kaq të lartë të serbëve. Dhe paralelisht, siç thoshte Ismail Kadare (“Le Mond,” dhjetor 1999), filloi të përhapej me këmbëngulje narracioni “se një pjesë të shqiptarëve i paska varrë UÇK-ja”. Dhe qëllimi ishte që opinioni publik ndërkombëtar të lodhej me Kosovën, me fjalë të tjera të relativizohej ajo çfarë kishin bërë serbët në Kosovë. Fatkeqësisht Kosova nuk është në modë!