
DEKLARATË PËR OPINIONIN PUBLIK LIDHUR ME ZGJEDHJET PARLAMENTARE DHE PRESIDENCIALE NË MAQEDONINË E VERIUT
Federata Pan-Shqiptare “VATRA” e Amerikës përcjell me vëmendje secilin zhvillim politik, socio-ekonomik, kulturor dhe ngjarje të tjera me rëndësi në tërë etnikumin shqiptar.
Kemi përcjellur me vëmendje procesin elektoral, fushatën, qasjet politike dhe programore të spektrit politik në Republikën e Maqedonisë Veriore, veçanërisht atij shqiptar.
Në respektim absolut të pluralizmit dhe vullnetit politik të vëllezërve tanë në Maqedoninë e Veriut, vlerësojmë se është tani momenti i duhur, më i nevojshmi dhe imperativ i kohës që faktori politik shqiptar të unifikohet, të bashkërëndojnë veprimet politike dhe të forcojnë pozitën e tyre politike në jetën institucionale dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Trendet politike, të sigurisë dhe gjeopolitike sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e të ardhmes politike të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut kërkojnë vullnet politik, urtësi, mendje të ftohta dhe maturi politike në mënyrë që faktori politik shqiptar atje të jetë partner i pakalueshëm në vendimarrje, në proceset politike, ekonomike por edhe afirmimin dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përçarjet politike, ndarja e votës shqiptare, pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale është treguesi më i mirë se po të ishte vota e shqiptarëve unike për një kandidat koncensual, në raundin e dytë do të ishte një shqiptarë në garë për president të shtetit. Duke dëgjuar deklarimet publike dhe fjalorin e disa liderëve politik maqedonas me tone nacionaliste që flasin për “Tribunale për krime lufte” dhe kërcnime të natyrave të ndryshme, që bien ndesh me rregullimin kushtetues, Marrëveshjen e Ohrit dhe orientimin euro-atlantik të vëndit, unifikimi i faktorit politik shqiptar është domosdoshmëri e kohës dhe interes strategjik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Si organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, në cilësinë e kryetarit të “VATRËS”, ju bëj apel publik z. Ali Ahmeti, z. Bilall Kasami dhe z. Arben Taravari që të jeni në nivelin e përgjegjësisë politike dhe kombëtare për rolin, pozitën por edhe proceset e avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “VATRA” është në gadishmëri të plotë, në konsultim edhe me miq të kombit tonë në Vashington që të ndihmojmë në këtë proces me qëllimin më fisnik, avansimin dhe forcimin e rolit dhe pozitës së shqiptarëve ne Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Unë jam i gatshëm që tani, të jem bashkë me juve në këtë proces unifikimi të domosdoshëm dhe tepër të rëndësishëm për një të ardhme prosperuese të bashkëkombasve tanë në Maqedoninë e Veriut.
Vëllazërisht,
Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës,
“VATRA”
Dr. Elmi Berisha