INTERVISTË ME Z. MARJAN CUBI, ANËTAR I KRYESISË DHE ARKËTAR I SHOQATËS PANSHQIPTARE “VATRA” NË AMERIKË, DHENE GAZETARIT MIKEL GOJANI/
Federata Panshqiptare “Vatra” në Amerikë ka një traditë mbi njëshekullore. Gjatë këtij rrugëtimi historik të kësaj shoqate ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike, kulturore dhe shoqërore për komunitetin shqiptar të kësaj diaspore në Amerikë.
Kjo shoqatë këto ditë ka pasur kuvendin e saj zgjedhor dhe për t’u njoftuar për arritjet, ecuritë dhe prioritetet e kësaj shoqate për të përditshmen kombëtare “Bota sot” ne biseduam me njërin nga veprimtarët e hershëm të kësaj shoqate, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë dhe arkëtar i kësaj shoqate, z. Marjan Cubi.
“Vatra” gjatë këtij rrugëtimi historik 103-vjeçar zhvilloi edhe shumë veprimtari të tjerë gjithherë në shërbim të kulturës dhe të çështjes shqiptare përgjithësisht.
Mikel Gojani: Z. Cubi po fillojmë intervistën me një pyetje: Jeni një nga veprimtarët e shoqatës panshqiptare “Vatra” në Amerikë, çfarë mund të në thoni rreth rrugës historike mbi një shekull të kësaj shoqate bartëse e shumë veprimtarive të diasporës shqiptare në Amerikë. Pra, çfarë mund të shtoni për rolin historikë të “Vatrës”?
Marjan Cubi: Shoqata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” ka luajtur një rol të rëndësishëm historik- politik-kulturore e organizativ për 103 vjetët e kaluara. Po fillojmë që nga themelimi i “Vatrës” më 28 prill 1912 kur ende nuk kishim as shtet shqiptar dhe përfaqësuesit e “Vatrës” ishin të detyruar shpeshherë të përfaqësojnë dhe të flasin në emër të kombit për shpëtimin e tokave shqiptare se fqinjët tanë me çdo kusht dëshironin zhbërjen e kombit tonë se e kishin edhe përkrahjen e disa fuqive të mëdha, si Rusinë, Perandorinë Otomane, Francën dhe të tjera. Prandaj, ishte “Vatra” dhe themeluesit e saj, si Fan S. Noli, Faik Konica dhe të tjerë që u përpjekjen me miqtë amerikanë dhe në veçanti me Presidentin e asaj kohe të SHBA-ve, Wilson, që ju dha premtimin dhe mbajti premtimin që të themelohet Shteti Shqiptar dhe mos të zhduket e drejta për Shtetin. Ka shumëçka të thuhet për këtë periudhë deri më 28 Nëntor 1912, por edhe pas 28 Nëntorit ishin nevoja të ndryshme për Shtetin e ri Shqiptar, me varfëri, me mungesa të përvojës udhë heqëse së shtetit, prandaj “Vatra” ndihmoi me fushata, me këshilla, me dërgimin e përfaqësisë në Parlamentin e Shqipërisë etj. “Vatra” gjatë këtij rrugëtimi historik zhvilloi edhe shumë veprimtari të tjerë gjithherë në shërbim të kulturës dhe të çështjes shqiptare përgjithësisht. Qëllimi kryesor i veprimtarisë së kësaj shoqate ishte që t’i shërbejë kulturës sonë kombëtare dhe të sjellë në mes atij komuniteti të diasporës shqiptare më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi… Përpos shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare, kjo shoqatë organizoi shumë ngjarje dhe veprimtari të ndryshme kulturore, si përkujtime të ngjarjeve historike, të figurave kombëtare, koncerte, shfaqje të ndryshme për shqiptarët e Amerikës dhe e ngriti kultivimin e kulturës shqiptare. Këtu duhet të përmendim shumë pritje dhe përcjellje të politikanëve shqiptarë dhe kontakte me personalitete të shumta të SHBA-ve.Pastaj, vjen koha Luftës së Dytë Botërore dhe rrethanat e asaj kohe, por edhe më keq pas Luftës së Dytë Botërore dhe për një periudhe 1945 -1955 “Vatra” e hutuar nga Qeveria Komuniste Enveriste nuk pati sukses të kundërshtojë Qeverinë e atëhershme, por pas vitit 1955 me gjithë fuqinë e vet e kundërshtoi komunizmin në Shqipëri, por edhe sllavo-komunizmin në trojet shqiptare. Pas dhe para vitit 1981 “Vatra” u gjend në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës. Periudha e viteve 90 u mirëprit nga “Vatra” dhe komuniteti shqiptaro-amerikan. Për rrëzimin e Murit të Berlinit, shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, shkatërrimin e ish- Jugosllavisë dhe lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj shoqata panshqiptare “Vatra” historikisht ka luajtur dhe akoma po luan një rol të rëndësishëm për komunitetin e diasporës shqiptare në Amerikë.
Kuvendin e këtyre ditëve e përshkoi një frymë tepër e ngrohtë dhe bashkëpunuese
Mikel Gojani: Z. Cubi, kjo shoqatë këto ditë ka mbajtur kuvendin zgjedhor, cila frymë e përshkoi këtë kuvend zgjedhor?
Marjan Cubi: Për Kuvendin e “Vatrës”, të mbajtur më 2 maj 2015 mund të them se punimet e këtij Kuvendi u zhvilluan në frymën Demokratike dhe me debate të vlefshme dhe frytdhënëse. Për kryetar të kësaj shoqate u rizgjodh Dr. Gjon Buçaj dhe shpresojmë se dy vitet e ardhshme ‘Vatra” do të realizojë me sukses planin e punës dhe të aktiviteteve.
Mikel Gojani: Cilat janë disa nga objektivat që ka programuar Kryesia e kësaj shoqate për veprimtari të mëtutjeshme?
Marjan Cubi: Vatra për vitet në vijim ka shumë synime dhe objektiva. Për shoqatën “Vatra” çështja e kombit tonë akoma mbetet në prioritet, sepse kombi ynë edhe përkundër mbërritjes së frymës së lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës ende nuk i ka realizuar qëllimet e saja dhe se dy Shtetet Shqiptare ende nuk kanë krijuar bazamente të qëndrueshme qeverisëse, sepse akoma janë të korruptuara dhe janë vende ku nuk dominon ligji, si faktori më i rëndësishëm për funksionimin e një shtetit të lirë dhe demokratik. Por, ne duhet të punojmë për një riorganizim, përkatësisht një riforcim të shoqatës “Vatra”. Ende nuk kemi të mjaftueshëm nga radhët e rinise, nga radhët e grave dhe na duhet përfaqësimi edhe I një numri më të madh të intelektualëve.
Edhe ky brez yni po bëjmë përpjekje që “Vatrës” t’ia ruajmë namin dhe dinjitetin që ka për një shekull të tërë.
Mikel Gojani: Kjo plejadë udhëheqëse e “Vatrës”, sa është në gjendje të vazhdojë frymën e traditës njëshekullore që ka mbizotëruar në këtë shoqatë?
Marjan Cubi: E vërteta është se është vështirë të bëjmë një udhëheqje si ajo e Fan S. Nolit dhe Faik Konicës, por edhe i disa figurave të shquara të letërsisë, kulturës dhe të kombit që kanë udhëhequr më vonë, megjithatë edhe ne kemi një udhëheqje mjaft të ngritur dhe të aftë për ta udhëhequr “Vatrën”, por patriotizmi dhe nacionalizmi dhe orientimi demokratik-amerikan e dallon këtë udhëheqësi nga ato të mëhershmet. Megjithatë, edhe ky brez yni po bëjmë përpjekje që “Vatrës” t’ia ruajmë namin dhe dinjitetin që ka për një shekull të tërë.
Mikel Gojani: Cilat janë disa nga aktivitetet dhe veprimtaritë të kohëve të fundit që ka zhvilluar shoqata?
Marjan Cubi: “Vatra” ka shtuar anëtarësinë; ka hapur degë të shumta në disa shtete të SHBA-ve; ka pritur shumë liderë shqiptarë; ka kontaktuar shumë zyrtarë amerikanë; ka kremtuar shume festa kombëtare, përkujtuar shumë figura të rëndësishme të historisë, letërsisë dhe kulturës kombëtare; ka organizuar shumë promovime të librave me rëndësi kombëtare dhe bashkë – organizuar aktivitete të shumta në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Mikel Gojani: Sa bashkëpunon shoqata “Vatra” me shoqatat të tjera që veprojnë në Amerikë?
Marjan Cubi: “Vatra” ka bashkëpunim dhe bashkorganizim me shumë shoqata dhe organizata në ShBA, ose mund të themi më mirë se kohë më parë nuk kemi mundur të jemi kaq afër me shoqata të tjera qe nuk kanë dashur të ofrohen, sepse platforma e tyre politike dhe filozofike ndryshonte nga ajo që kishte “Vatra’, sepse ato në programet e veta kishin ngërthyer një platformë me ideologji siç kishte mësuar Partia Komuniste nga Atdheu nga kishin ardhur.
Të rinjtë intelektualë duhet të rrethohen më tepër rreth “Vatrës”
Mikel Gojani: Sa janë të interesuar të rinjtë e komunitetit shqiptar që jetojnë në Amerikë, kuadro të dëshmuara me bagazh intelektual nga fusha të ndryshme për t’iu bashkëngjitur programit të kësaj shoqate. Pra, sa është interesimi i të rinjve të diasporës shqiptare për t’u aderuar në këtë shoqatë?
Marjan Cubi: T’ju themi sinqerisht se ky fakt, edhe pse do të kishte qenë mirë të qëndronte e kundërta, ky interesim i kësaj kategorie nuk është aq sa duhet dhe aq sa ju takon të rinjve të aktivizohen dhe t’i bashkëngjiten Vatrës së Vjetër dhe me përvojë të shkëlqyeshme për veprimtari të shumta. Është interesante se gjithnjë kanë dëshirë të formojnë organizata të reja dhe jo me jetëgjatësi ashtu si shumë e shumë organizata dhe shoqata që gjatë 100 viteve nuk patën jetë të gjatë. Por, në këto vitet e fundit është një ndryshim në këtë pikëpamje, sepse gjithnjë e më shumë janë ofruar të rinjtë dhe zyrtarë të ndryshëm me profesione të ndryshme. Shpresojmë që në të ardhshmen do të ofrohen dhe do ta përkrahin “Vatrën”, që e meriton të përkrahet.
Mikel Gojani: Cila është pozita e shoqërive dhe shoqatave të tjera shqiptare që veprojnë në Amerikë?
Marjan Cubi: Këtu ka shumë shoqata dhe organizata, por janë të vogla dhe shoqata lokale, por edhe këto bëjnë përpjekje dhe veprojnë në shumë për rajonet që ata mendojnë se janë më rëndësi, por “Vatra” është Qendrore- Kombëtare-Demokratike.Disa nga këto shoqata kërkojnë nga “Vatra” që të organizojnë apo të bashkorganizojnë aktivitete të ndryshme.
Kishim për borxh për ta ndihmuar “Vatrën”
Mikel Gojani: Ju zoti Cubi qysh nga fillimvitet e 70-ta kur keni mbërritur në Amerikë keni aderuar në shoqatën Panshqiptare “vatra”, dhe programit të kësaj shoqate i keni mbetur besnik që nga atëherë dhe deri me sot. Madje, para disa dekadave më qëllim që shoqata “Vatra” të vazhdojë suksesshëm veprimtaritë e saj me interes shumëdimensionalë, ju keni qenë në gjendje që të siguroni lokalet e nevojshme në New Jork, përkatësisht në Manhattan dhe t’i kompensoni të gjitha shpenzimet të kësaj shoqate, derisa shoqata ka siguruar objektin e vet, ku gjendet edhe tash si pronë e saj.
Marjan Cubi: Nuk është modesti të flas për vetveten, mirëpo gjatë gjithë kohës sa kam qenë i angazhuar në shoqatën “Vatra” kam bërë përpjekje të jam kontributin tim ta jap në shërbim të kauzës dhe veprimtarive që ka zhvilluar kjo shoqatë gjatë kësaj rruge historike.
Sa i përket çështjes së shtruar rreth lokaleve që kam lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të shoqatës janë lansuar disa keqinterpretime, meqenëse për mua nuk çojnë peshë, mirëpo realiteti duhet të jetë i saktë dhe i qëndrueshëm. Sa për sqarim unë jap argumentet dhe dëshiroj që edhe një herë të ritheksoj (kam sqaruar edhe më herët), se profesor Naum Prifti nuk është informuar mirë dhe në historikun e shoqatës që ka shkruar e ka shënuar gabimimisht këtë fakt lidhur me transferimin e zyrës së “Vatrës” nga Bostoni në New York. Prandaj e vërteta e kësaj çështjeje qëndron ndryshe nga ato konstatime.
Në vitin 1989 kur Profesor Arshi Pipa u zgjodh kryetar dhe Vatranët e Bostonit e pranuan që tani mund të kalojë zyra e “Vatrës “ në New York, sepse New Yorku ishte shumë më aktivë, përkatësisht ekzistojnë mundësi reale më të qëndrueshme dhe më të mundshme për ta ringjallur “Vatrën”. Kryetari Pipa më ka pyetur mua, por besoj se edhe të tjerët vatranë se na duhet një zyrë mundësisht të jetë në qendër të Manhatanit të New Yorkut. Unë e kam pasut rastin që ta gjej një zyrë mu në qendër të Manhatanit dhe me një qira nga 300 dollarë ne muaj dhe kam menduar që do ta paguaj unë për një kohë të shkurtër, sepse do të paguajnë vatranët deri në transferimin në zyrën apo shtëpinë e “Vatrës” që u gjend me vonë pas gati pas tre viteve dhe unë kam paguar më se 13 mijë dollarë pa ndonjë përkrahje nga anëtarët të tjerë të “Vatrës”. Kjo zyrë kishte tavolinën, telefonin, fotokopjen, faxin dhe gjerat të tjera përcjellëse të nevojshme për një zyrë. Në këtë zyrë janë mbajtur mbledhjet e Kryesisë dhe kanë qëndruar kryetari i shoqatës, prof. Arshi Pipa, editori i “Diellit” Anton Qefa dhe po ashtu zyrën e kanë përdorur edhe për fjetje kurdo që kanë pasur nevojë. “Vatra” edhe tash në këto rrethana duhet të ndihmohet, dhe për mua janë 36 vite që e kam ndihmuar dhe që jam i pari shqiptar nga Kosova që jam aktivizuar, ndërsa tash kemi mjaft shqiptar të angazhuar në “Vatër” nga të gjitha trojet etnike tona. Kishim me borxh për ta ndihmuar “Vatrën”, prandaj duhet të ndihmohet edhe sot.
Mikel Gojani: Ju merreni edhe me publicistikë, çfarë keni punuar deri me tash në këtë fushë të letërsisë?
Marjan Cubi: Edhe në këtë fushë kam bërë përpjekje për dhënë kontributin tim. Herë pas here shkruaj ndonjë opinion lidhur me disa tema nga aktualiteti ynë në diasporë. Në vitin 2003 kam botuar librin publicistin “Në emër të lirisë dhe pavarësisë”, që është pritur mjaft mirë, si në Kosovë, po ashtu edhe në Amerikë. Prandaj, edhe sot bëj përpjekje të jem aktiv në aktivitete të shumta, prandaj për shkak të angazhimeve të shumta, nuk kam mundur të bëj mjaft për letërsinë dhe publicistikën tonë. Mendoj që ky angazhim imi që zhvilloj akoma në kuadër të “Vatrës” do të më pengojë edhe për pak kohë. Të shohim.
• Ju faleminderit!
• Qofshi me nder!
Intervistoi: Mikel GOJANI