




Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, gazeta “Dielli”, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me nderim, respekt dhe vlerësim Dalip Grecën editorin epokal të gazetës Dielli 2009-2021.
Kontributi i Dalip Grecës në Federatën “Vatra”, gazetën “Dielli” dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte tejet i çmuar.
Për mbi dy dekada ai ishte zëri i fortë mediatik, arsyeja e fuqishme intelektuale dhe energjia e pashtershme atdhetare në shërbim të çështjes kombëtare.
Penë e mprehtë, sy kritik e analitik, patriot e veprimtar i shquar, vatran i përkushtuar, aktivist i flaktë i çështjes kombëtare e kauzave që mbrojti besnikërisht, e skalisin emrin e Dalip Grecës me gërma të arta në historinë e “Vatrës”, “Diellit” e shqiptarëve të Amerikës.
Z.Greca kultivoi një gazetari shumë cilësore dhe të veçantë, zhanrin mediatik të gazetarisë dokumentare, historike e reportazhet e gjata.
Z. Greca si kronikan u kthye në arkivin dhe memorien e paharruar të të gjitha ngjarjeve patriotike, komunitare dhe atdhetare të diasporës shqiptaro-amerikane.
Për kontributin e shquar në media dhe karrierën e gjatë në gazetari, Dalip Greca mori vlerësime e nderime të larta nga Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Këshilli Bashkiak i New York e shoqata të ndryshme shqiptaro-amerikane.
Dalip Greca la pas një trashëgimi të shkëlqyer patriotike, familjare, mediatike, komunitare e atdhetare.
Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e editorit Dalip Greca.
Mirënjohje dhe faleminderit për gjithçka.