
Të dashur bashkombas të besimit Islam/
Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, begati, dashuri dhe gëzim uroj për çdo besimtar e çdo shqiptar.
Zoti ju shpërbleftë sakrificën, besimin e mirësinë. Kjo festë hyjnore çmon veprat e mira dhe sakrificën që çdo besimtar i dedikon Zotit të gjithësisë në shenjë respekti, mirënjohje e falenderimi për kalimin me lutje e sakrificë të muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj nga zemra që këtë festë të bekuar ta kaloni gëzuar dhe me lumturi e harmoni me familjen dhe njerëzit tuaj të zemrës e të shpirtit.
Kjo festë e shenjtë na fton për lutje, vepra të mira, reflektim, bamirësi, përkujdesje ndaj të varfërve, të moshuarve, të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve e çdo njeriu në vështirësi Kjo festë e madhe le të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin, të na zgjojë dëshirën për të sakrifikuar, për të falur, për të dashur dhe për të dhënë më të mirën nga vetja jonë si besimtarë të devotshëm e shqiptarë të mirë.
Gëzuar nga zemra.
Me respekt e gëzim
Kryetari i VATRËS
Dr. Elmi Berisha