Zija Vukaj/
Simbologji
Në simbologji është një zog i rëndësishëm në formën e çafkës; simbolika e tij shpreh një koncept që lidhet me pavdekësinë dhe me ringjalljen. Emri i tij rrjedh nga një fjalë greke që ka kuptimin “i kuq”, (flakë), i kthyer në legjendën e rilindjes së tij nga flakët purifikuese. Në origjinë imazhi i Feniksit është zogu i shenjtë Benu (Bennu, Benhu), i nderuar në Egjiptin e lashtë, një çafkë që është e para krijesë në botë që është ulur mbi kodrën zanafillore të baltës, duke u personifikuar pastaj në pamjen e perëndisë Diell. Ishte i nderuar në Heliopolis dhe thuhet se shfaqet vetëm një herë në pesëqind vjet. Mitografët e lashtë e zbukuruan më pas këtë motiv me detaje të shumta. Tregojnë se Feniksi ushqehet vetëm me vesë (zogu i parajsës), fluturon në tokë të huaj, ku mbledh barëra erëmira, i vendos mbi altarin e Heliopolisi-it, rri pastaj mbi flakë, duke u djegur deri sa bëhet hi. Por pas tri ditësh ngrihet sërish. Mitet e lashta i atribuojnë zogut edhe pupla të arta apo të larme. Në Romën e lashtë Feniksi bëhet simboli i përtëritjes së energjisë së jetës së Perandorisë dhe me këtë domethënie e gjejmë mbi monedhat perandorake dhe mbi mozaikët e epokës. Etërit e kishës e trajtojnë atë si simbol i shpirtit të pavdekshëm dhe i ringjalljes së Jezuit tri ditë pas varrimit. Tek “Physiologus”, tekst i shekullit II pas Krishtit, lexohet: “ Po nëse një kafshë e paarsyeshme që nuk e njeh Zotin në gjithçka, ngrihet nga vdekja ku ishte, në një jetë të re dhe mund të marrë pjesë edhe ajo në ringjallje, siç nuk do të na ndodhë njëlloj as neve që nderojmë Zotin dhe pranojmë vullnetin e tij?” Në ikonografinë e krishterë Feniksi i kundërvihet shpesh për antonomazi pelikanit. Në simbologjinë alkimike paraqet asgjësimin dhe prodhimin e substancave të reja, përmes shndërrimit të “lëndës së parë”, për të arritur së fundi gurin filozofik.
Në përfytyrimin e Kinës së lashtë, feniksit i përgjigjet zogu magjik Feng huang, me të cilin harmonizohen si tek njëbrirëshi. Ky- lin, dy cilësitë e origjinës, ying e yang, kuptohen si një tërësi ku konsiston dualizmi i origjinës. Edhe në lidhje me një domethënie të tillë ky zog simbolik ka treguar pastaj harmoninë martesore. Mjaft problematik është ballafaqimi që shpesh është bërë mes Feniksit dhe Quetzal-it, i pranishëm në simbolikën e qytetërimeve të Perusë.
Në sagat e popujve hebrenj Feniksi është quajtur Milcham (J. Bin Gorion 1980, Bibla, 24) dhe ringjallja e tij interpretohet kështu: kur nëna e parë Eva, u bë fajtore se kishte këputur frutin e pemës së njohjes, qe përfshirë nga lakmia për krijesat që kishin mbetur të pastra dhe i shtyu kështu të hanin frutin e ndaluar. Vetëm zogu Milcham i rezistoi tundimit, duke marrë si shpërblim nga Engjëlli i Vdekjes vetinë që të mos vdiste kurrë. Atëherë Milcham u mbyll në një qytet të sigurt ku jetoi për një mijë vjet pa frikën e vdekjes: “Një mijë vjet është e gjatë jeta e tij dhe kur një mijë vjet kalojnë, çerdhja e tij digjet. Shpëton vetëm një vezë, nga e cila del një zog që pastaj jeton një mijë vjet.” Disa të tjerë thonë se me të kaluar një mijë vjet, trupi i tij vyshket dhe zogu humbet pendët dhe krahët. Pastaj përtërihen krejt puplat e tij dhe fluturon lart si shqiponjë, duke u bërë i pavdekshëm.