
Katër net shqiptarie në mes fishekzjarresh
Nga Rafael Floqi
Në mjediset e jashtme të Kishës Katolike të Shën Palit në Rochester Hills në Michigan u organizua festivali i 33-të tradicional i cili grumbulloi mbi mijëra pjesëmarrës në katërt netët e tij me shoqërimin e muzikës kombëtare që frymoi shqip, gëzoi shqip e këndoi kuq e zi deri në orët e vona të natës, shoqëruar nga një background fishekzjarrësh të festimeve patriotike të 4 Korrikut.
Shqiptarët e duan Shqipërinë, e duan dhe Amerikën, por e duan sipas mënyrës së tyre, kuq e zi gjë që reflekton qysh ne mjediset e jashtme të Festivalit të 33-të të zbukuruar si asnjëherë tjetër me punën voluminoze të vullnetarëve të heshtur si Mark Gjokaj me shokë, që vijëzuan të gjithë parkinglotin e Kishës, i cili s’kishte vend për të strehuar makinat e shumta të pjesëmarrësve, të cilat u detyruan të parkoheshin edhe në brigjet e ngritura në pyllin pas kishës.
“Ky festival tashmë tradicional, thotë famullitari i kësaj kishe, Dom Fred Kalaj, po e kryen më së miri funksionin e tij, duke grumbulluar në këtë ditë, jo vetëm besimtarët e famullisë, por edhe të gjithë bashkatdhetarët. Ky festival lidh gjatë këtyre ditëve Festën e Shën Palit më 29 Qershor, me ditën e Pavarësisë Amerikane 4 Korrikun. Festivali i Kishës shërben ai një mundësi jo vetëm për ruajtjen e traditës, por mbledh rreth kishës edhe të rinj shqiptarë edhe të besimeve të tjera, duke na ruajtur kështu sa të mundemi nga asimilimi.”
Në mjediset e jashtme të festivalit shquheshin tendat e ndryshme të shitësve ambulantë, të cilët shesin relikte dhe objekte me vlera kombëtare, e gjer tek biskotat ( cookies) që një vajzë e re e cila ka krijuar në shtëpi një biznes për to dhe i shet në Instagram ato, gjer tek firma e mirënjohur e tregtimit të ushqimeve Zadrima, që importon nga Shqipëria ushqime bio dhe unikale të krahinës së Zadrimës, e gjer tek firma Iskander Gear me djemoshat e rinj nga New Yorku që kanë krijuar dhe prodhojnë në kompaninë e tyre veshje të rinjsh si T-shirts dhe Hoodies me simbole kombëtare.
“Kemi disa vite që vijmë këtu thotë, Artani, drejtues i kësaj firme, produktet tona parapëlqehen nga të rinjtë, ndaj vijmë në Miçigan pasi grumbullohen shumë të rinj shqiptarë në këtë festival.
Nata e parë ku interpretoi grupi lokal, Liridona, Marjan Micakaj e Anton Ulaj i mbodhi të gjithë bashkatdhetarët në ditën që përkonte me 4 korrikun ditën Pavarësisë së Amerikës, me një sfond fantastik, ku po t’i shikoje me dron pamjet e festivalit do të kuptoje që ishte një sukses i mirëfilltë, sukses që do të vazhdonte edhe në netët në vijim.
Vlerat e një pune të mirë artistike për të gjithë drejtuesit e artistikë të Festivalit, drejtoren artistike të eventit Joli Agolli Paparisto, që ishte e kudogjendur dhe e angazhuar me drejtimin e gjithë eventit, sa e kishim te pamundur ta intervistonim, si dhe koodinatorin Ervin Hoti, i kudogjendur që nga drejtimi në skenë, nga manaxhimi i karrikeve të të ftuarve e gjer tek furnizimi me qebapë të shijshëm për guzhinën. si dhe drejtorin artistik Anton Junçaj, drejtuesi i një grupi të mirënjohur “ Rrapsha në mërgim” , i cili ka në shtëpinë e tij një muze të vërtetë etnografik, një nga xhubletat e këtij muzeu u vesh nga një nga vajzat në këtë event. Është e qartë një lavdërim për ta, se pa punën e përkushtimin e tyre vështirë se arrihej ky event.
Dita e dytë me 5 korrik iu kushtua festivalit të grupeve artistike dhe titullohej Festa e Xhubletës, kushtuar kësaj veshje madhështore të lashtë Malësisë së Madhe që është një trashëgimi e qartë e kulturës sonë ilire. Kjo veshje ka arritur deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj historike dhe kulturore. Ajo përfaqëson një institucion të lashtë kulture matriarkale, ku emblema më e dukshme për të gjitha është forma e kambanës së xhubletës. Shenjat simbol në ekzemplarët e tyre janë trashëguar me mijëvjeçarë, por ende rreth 80% të zbukurimeve të kësaj veshjeje të bërë prej pëlhure të leshtë vazhdojnë që të jenë të pashpjeguara edhe pas 4000 vitesh. Xhubleta është një pasuri e jashtëzakonshme me rrënjë që nga lashtësia, dhe është simbol i nënës Shqipëri edhe në balada e personazhe historikë.
Programi Artistik Folklorik filloi me parakalimin e grupeve të veshura me veshjet karakteristike kombëtare që i mbushi mjediset e jashtme me ngjyra të vërteta kombëtare si një Festival i vogël i Gjirokastrës, në skenën e posaçme të ngritur me mjeshtëri ku shquheshin në led wall bizneset donatore, të kompanive të ndryshme shqiptare.
Festivali u hap me intonimin e hymneve kombëtare a kapela, mrekullisht nga Kristina Bzhetaj një soprano e vërtetë e vazhdoi me programin me pjesëmarrjen e grupeve të valleve, si : Grupi “Gjergj Kastrioti” i Kishë së Shën Palit, “Illyrianët” i Kishës Zoja Pajtore -Grupi i valles “Shqiponjat e Vogla” nga Toronto -Grupi i valleve “Rapsha në Mërgim”, Grupi i valleve Rozafati nga New Yorku, Ansambli Folklorik Autokton Rrugova, që sollën një det i tërë kostumesh, një larmi interpretimi dhe një laryshi vallesh që nga veriu në jug, si : Vallja e Rugovës, Vallja Arbëreshe, Vallja Çame, vallja e Tiranës dhe vallja Kosovare, të interpretuara me pasion nga grupet e ndryshme të së gjitha moshave. Një meritë dhe vlerësim për punën e palodhur të koreografes, Joli Agolli Paparisto si në përgatitjen e numrave të vallëzimit në përgatitjen e fëmijëve të gjithë grupmoshave dhe si në drejtimin e festivalit. A jo drejton vetë si grupin Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe grupin e Valleve Ilyrianët. Ky nuk ishte një festival me çmime për interpretimet e valltarëve apo grupeve, por një promovim i vlerave kombëtare artistike edhe tek të rinjtë dhe fëmijët. Ndoshta nuk kishte aq disiplinë artistike gjë që është e vështirë me improvizim regjisorial pa prova paraprake, por vallet më të arritura të grupit Gjergj Kastrioti, të grupit Rapsha në mërgim dhe disa të grupit Rozafa dhe interpretimet e fëmijëve të vegjël të binin gjithnjë në sy.
Festivalet dhe grupet folklorike portretizohen si ikona të gjalla në fytyrat e këtyre fëmijëve që gëzojnë. Pastaj në këtë festival fëmijësh e të rinjsh, duket se një dorë e çuditshme i bashkon interpretimet me ato buzëqeshje mirënjohje prindërish që me celularët e tyre marrin mbresat nga interpretimi i fëmijëve të vet dhe ja shpërndajnë gjithë botës me mediat sociale.
Për profesionizmin e treguar u shqua edhe Grupi Shqiponjat e vogla” që solli para shikuesve dhe fansave të tyre ( Prindërve të ardhur nga Toronto), valle motive arbëreshe sikur të ishin në Jugun e Italisë dhe vallen çame të Osman Takës. Vajza si yje dhe djem mjaft të shkathët krijuan nja tablo mjaft interesante me veshjet e tyre. Qysh në fillim më ranë në sy veshjet e tyre dhe veçova një vajzë me veshje tiranase me dimiq. A ky është “fuston Tirone” i thashë Ramazan Këllezi drejtuesit të grupit, i cili ma pohoi gabimin duke e quajtur fustan : “dimiqet” .
Është e vështirë të drejtosh një event të tillë dhe drejtuesja artistike, siç e quajnë të gjithë fëmijët me dashuri Joli me pasionin përkujdesjen stilin e saj e veçantë drejtues e cila ka jo vetëm dashurinë e respektin e artistëve të vegjël të gjitha moshave por dhe të prindërve të tyre.
Ta dini se nuk ka grupe artistike të fëmijëve pa përkushtimin, entuziazmin dhe pasionin e nënave të tyre. Ka në sytë e nënave të tyre shumë gëzim, ka dhe një si farë shpagim-pendese që vjen pikërisht nga interpretimi i shpenguar dhe i arrirë i atyre vogëlushëve, dhe një si farë pendese të prindërve që janë larguar nga Atdheu dhe kështu vallet e fëmijëve e shpaguajnë atdhedashurinë e tyre. Por edhe grupi i New Jorkut solli profesionalizëm në interpretim, u shqua edhe këngëtarja e re dhe valltarja e re Mikaela Nonaj si edhe vogëlushet nga Michigani Albana Gojçaj dhe Misi Gojçaj.
Vlera të mirëfillta artistike , me vlerë autoktone sa edhe entnografike solli grupi Rrugova me vallet e tij patriotike të trimërisë që paraqisnin vale trimërie, të njëjtin karakter kishin edhe vallet e grupit ‘Rrapsha në Mërgim ” drejtuar nga Anton Junçaj. Ky grup vallesh ka krijuar traditë tashmë në interpretimet e tij me një repertor stabël me vlera të mirëfillta sa etnografike dhe artistike.
Programi u drejtua nga Mark Paparisto dhe Anxhela Corri, por qershia mbi tortë e këtij eventi ishte paraqitja e një dyzinë xhubletash historike që nga 200 vjeçare gjer tek më e reja 30 vjeçare, xhubleta të gjysheve dhe stërgjysheve, të veshura nga mbesat e tyre me një hijeshi karakteristike malësore, xhubleta që ato mund t’i vishnin edhe në dasmat e tyre.
Xhubleta e Malësisë së Madhe është një trashëgimi e qartë e kulturës sonë të lashtë. Për vlerat etnologjike të Xhubletës, pronë kulturore e UNESKO-s foli studiuesi, Visar Rafuna, që theksoi rëndësinë e kësaj veshje dhe përzgjedhjen e saj në pasuritë e UNESKO-s. Ai tha se ndërsa në shekujt e mëparshëm, xhubleta ishte shumë më e pasur nga pikëpamja kromatike, por tani sundon ngjyra e zezë.”
Të gjithë vajzat në fjalët e tyre theksuan sesi ishte ruajtur xhubletat dhe sa krenare ishin ato që vishnin xhubletat e gjysheve të tyre, pasi siç thotë legjenda “Një ditë, një princ i huaj iu afrua vajzës dhe i kërkoi t’ia shiste xhubletën e saj. Por vajza refuzoi, sepse e kishte trashëguar nga gjyshja e saj dhe e konsideronte një pasuri të çmuar. Princi u zemërua dhe i hodhi një mallkim: “Nëse nuk më jep xhubletën, do të bëhesh një zanë e mallkuar!”
Vajza nuk e besoi mallkimin, por pas disa ditësh, ndodhi një gjë e çuditshme. Ajo u kthye në një zanë të zezë, e dënuar të fluturojë përjetësisht në errësirë. Megjithatë, xhubleta e saj mbeti në tokë, e fshehur në një shpellë të thellë. Kjo legjendë është një pjesë e trashëgimisë kulturore të Malësisë së Madhe dhe tregon për rëndësinë e pasurisë së trashëguar dhe respektin ndaj traditave.
Pas kësaj u ndanë mirënjohje Këshilli drejtues të kishës për mbështetësit e Festivalit nga dom Fred Kalaj dhe Ervin Hoti. Natyrisht një punë e tillë me mjaft improvizim ka dhe vend për kritika, siç u shprehën të pranishmit, se kishte më shumë protagonizëm të ndonjë grupi dhe pakënaqësi në ndarjen e mirënjohjeve. Por kryesorja është e gjitha pozitive pasi vlerat kombëtare cilësohen dhe vlerësohen dhe ruhen dhe kjo ka rëndësi. Ishte e vështirë të intervistoje atë ditë drejtuesen koreografen e mirënjohur gjithnjë të palodhur Joli Agolli Paparisto gjithnjë e kudo gjendur dhe natyrisht ishte mjaft mbresëlënës edhe vallëzimi i saj tok me grupin në fund të koncertit.
Drejtori i Festivalit Gjergj Kola Lajcaj duke vlerësuar donatorët tha se masat, që shihni kanë filluar qysh me mbarimin e festivalit të kaluar dhe veçoi përkushtimin e jashtëzakonshëm të vullnetarëve, si atë atyre të shërbimeve ushqimore dhe të atyre që merreshin me rregullin dhe sigurinë, madje pa praninë e asnjë punonjësi policie.
Dita e shtunë ishte dita e gëzimit të të rinjve nën muzikën e Dj Bertit (Albert Abedini ) dhe Dj Don D dhe të ngjethej trupi. kur shihje mbi 500 të rinj që kërcenin nën tinguj e himnit rinor kombëtar, Kuq e Zi.
Nata përmbyllëse ishte me zërat kumbues të dy këngëtarëve nga Kosova Valon Biba dhe Gjon Lleshi vazhdoi po këtë atmosferë. Ishte interesant se kishte më shumë vajza se djem, madje dhe disa gra edhe pse të shëndosha kërcenin shumë bukur, gjë që tregon se rrembi dhe shpirti shqiptar jeton e do të jetojë i pashuar në zemrat e shqiptarëve këtu në diasporë edhe pse ka disa të rinj që flasin shqip me vështirësi ata frymojnë shqip e kjo duhet të vazhdojë, ndaj duhen më shumë aktivitete të tilla kuq e zi.