Shefkije ISLAMAJ*/
Sivjet janë mbushur 120 vjet nga botimi i “Fjalorit shqip-greqisht” të Konstandin Kristoforidhit. Asokohe Fjalori u vlerësua si vepër e madhe gjuhësore për kohën dhe këto vlerësime i kanë qëndruar kohës gjatë. Fjalori I Kristoforidhit nuk ka vetëm vlerë historike e simbolike siç mund të kenë shumë fjalorë tashmë historikë, por ka edhe vlera gjuhësore e letrare, të cilat sot mund të rimerren, të rivështrohen e të rivlerësohen. Ai qe bërë bazë e mirë për shumë nga fjalorët që u hartuan gjatë disa dhjetëvjetëshave të shekullit 20. Fjalori i vështruar edhe nga kjo largesë kohe, i vlerësuar edhe nga kritere të vlefshme, sot, konsiderohet vepër serioze gjuhësore, ashtu siç ishte serioz edhe vetë autori i tij në gjithë veprimtarinë e tij shumë të çmueshme gjuhësore e letrare, në të vërtetë në veprimtarinë e tij largpamëse kombëtare.
Puna e Kristoforidhit në “Fjalorin shqip-greqisht” që përmban 12 mijë fjalë, një pasuri e vërtetë gjuhësore krahasuar edhe me fjalorët e hartuar pas tij, deri kur u botua Fjalori i ‘80-së, ishte vërtet shumë e madhe dhe shumë e mundimshme. E thotë edhe ai vetë.
Hartimi i fjalorëve shpjegues konsiderohet puna më e vështirë intelektuale në gjuhësinë e zbatuar. Kristoforidhi ka kryer punën e mbledhësit të fjalësit e të hartuesit të fjalëve, ka kryer punën e dialektologut, të leksikologut dhe të leksikografit. Vite me radhë gjurmim e hetim pas fjalës shqipe nëpër gjeografinë shqiptare, vetëm me një laps e një fletore, kush e di çfarë, të shkruara e të rishkruara sigurisht pa numërim, ai bëri punë sizifi, bëri punën e një institucioni kombëtar. Kristoforidhi e dëshmon këtë me bredhjen e tij pas lumit të fjalëve shqipe për t’i mbledhur në një libër që quhet fjalor, të cilin nuk arriti ta shihte të botuar. Me këtë fjalor a i çeli rrugë fjalorit të shqipes të vitit 1954, dhe u bë mbështetës i vlefshëm edhe për shumë fjalorë të tjerë dygjuhësorë e terminologjikë, që u hartuan e u botuan përgjatë shekullit të shkuar.
Për veprën dhe veprimtarinë e Kristoforidhit, sidomos për fjalorin e tij, kanë dhënë mendime të vlefshme të mëdhenjtë e gjuhësisë shqiptare prof. Aleksandër Xhuvani e profesor Eqrem Çabej, madje prof. Xhuvani ka bërë punë të madhe jo vetëm sudiuese, por edhe përpunuese, që ta kemi në dorë këtë fjalor, pastaj edhe gjuhëtarët tanë të zellshëm e punëmbarë si Androkli Kostallari, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, studiuesit e letërsisë Dhimitër Shuteriqi e Rexhep Qosja, por edhe studiues të tjerë, por ky fjalor provokon e nxit edhe më tej studiuesit e fushave albanologjike për ta lexuar, studiuar e analizuar.
Fjalori i Konstandin Kristoforidhit është thënë se është fjalori i parë shpjegues i shqipes, në të vërtetë nisës i fjalorit shpjegues të shqipes, me gjithë arritjet modeste në këtë krah. Mendoj se në këtë fjalor mund të gjejmë edhe fillet e një fjalori të mbarë shqipes.
Çdo fjalor shpjegues i gjuhës paraqet pasuri të madhe kombëtare, sidomos kur ai është i pari, kur ka cilësorin rrugëhapës dhe kur bëhet mbështetës për hartimin e fjalorëve të tillë. Fjalori i Konstandin Kristoforidhit, edhe pse fjalor dygjuhësh, është fjalori i parë shpjegues i gjuhës shqipe, jo vetëm pse e ka quajtur të tillë autori i tij, jo vetëm pse qëllimi i autorit ishte të hartonte një fjalor të tillë të përgjithshëm të gjuhës për shqiptarët, por pse ai me shumëçka nga përmbajtja dhe me shumçka nga struktura e tij, të përcaktuar qartë nga teoria e praktika leksikografike, mund të quhet i tillë.
Shtrohet pyetja pse mund të themi se në Fjalorin e Kristoforidhit gjejmë fillet e një fjalori të mbarë shqipes? Me çka më konkretisht ai u paraprin fjalorëve të mëvonshëm gjuhësorë të shqipes?
Qëllimi i Kristoforidhit ishte të hartonte një fjalor për të gjithë shqiptarët, prandaj ky fjalor mund konsiderohet fjalor mbarëshqiptar e i mbarë shqipes; qëllimi i hartimit të këtij fjalori ishte që me të të bashkonte gjuhësisht shqiparët e të dëshmonte se afria e tyre gjuhësore është shumë më e madhe se ç’mund të mendohet, prandaj ky fjalor mund të konsiderohet fjalor programor.
Fjalori kishte për qëllim, po kështu, të dëshmonte se shqiptarët kanë pasuri të madhe gjuhësore dhe kjo pasuri fshihet në gjuhën e popullit, në gjuhën e kulturës e në veprat e pararendësve të tij, prandaj fjalori mund të quhet fjalor gjuhësor e fjalor historik. Qëllimi i Kristoforidhit ishte të dëshmonte edhe sistemësinë e shqipes dhe t’i jepte asaj përmasën letrare të kohës, prandaj fjalori mund të quhet edhe fjalor normativ.
Si tillë ky fjalor mund të dëshmojë se nuk paraqet vetëm fillet e një fjalori të përgjithshëm të gjuhës, një fjalori gjuhësor që i mungonte deri atëherë shqipes, por edhe fillet e një fjalori të gjuhës së përbashkët letrare, çfarë e dëshironte ai. Përpjekja për një gjuhë letrare të përbashkët materializohet më së miri me alfabet të përbashkët, me gramatikë të përbashkët, me letërsi të përbashkët, me përkthime të përbashkëta e me fjalor të përbashkët. Dhe Kristoforidhi ka hartuar alfabet të përbashkët, ka hartuar gramatikë të përbashkët, ka shkruar “Gjahun e malësorëve” në të dy dialektet tona, ashtu siç ka përkthyer edhe tekstet fetare në të dy dialektet dhe ka hartuar fjalor të përbashkët. Ai e ka ditur fare mirë çka i nevojitet një kombi për të ecur përpara, në të vërtetë ai e ka pasur fare të qartë, para gati 150 vjetëve, se gjuha bashkon më shumë se gjithçka në rrafshin kombëtar.
Për të gjitha këto që u thanë më lart, mund të thuhet se Konstandin Kristoforidhi ishte atdhetar i madh. Por, Konstandin Kristoforidhi nuk ishte vetëm atdhetar i madh, ai ishte edhe gjuhëtar i madh. Nga studiuesit është quajtur gjuhëtar i përgatitur mirë, ndër gjuhëtarët shqiptarë më të mëdhenj të shek.19. Lamberci, adhurues i madh i Kristoforidhit, do ta quajë “gjuhëtar i merituar”, “shtylla kryesore e jetës intelektuale shqiptare”. Se ishte i tillë dëshmon mirë fjalori i tij zëmadh. Fjalori i tij në të vërtet mund të quhet vepër e mirëfilltë shkencore leksikografike. Të tillë nuk e bën vetëm qëllimi i hartimit, nuk e bën vetëm fondi leksikor që përfshihet aty, pra jo vetëm vëllimi, jo vetëm përmbajtja, jo vetëm cilësia, por e bën edhe përpunimi leksikografik i kësaj pasurie gjuhësore. Dhe, pikërisht me këtë përpunim a i çeli rrugë fjalorit shpjegues të shqipes.
Leksikografia shqiptare kishte traditë fare modeste deri në kohën e hartimit të fjalorit të tij, ndonëse, fjalori i Bardhit tashmë kishte afro dyqind e pesëdhjetë vjet moshë. Për Kristoforidhin nuk do të mjaftonte trashëgimia e përvoja e leksikografisë shqiptare pararendëse. Duke qenë njohës i mirë i shqipes e i dialekteve të saj, duke qenë i pajisur me dije gjuhësore të kohës, duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, duke qenë ndihmës edhe në hartimin e fjalorit të Hanit, ai kishte krijuar bazën për t’i hyrë një pune të madhe leksikografike, së cilës do t’i dalë në krye në saje të shfrytëzimit të përvojave të mira të të tjerëve, të përvojave të leksikografive të huaja, prandaj sot mund të flitet për vlefshmërinë shkencore e leksikografike të Fjalori i tij.
Por, të shohim më konkretisht çka i sjell të vlefshme leksikografisë gjuhësore sot ky fjalor?
Së pari, ai i sjell pasuri të madhe leksikore e frazeologjike, i sjell lëndë gjuhësore në rrafshin kronologjik-historik dhe gjeografik të shqipes. Pasuria e fondit leksikor varet nga pasuria e e lëndës së mbledhur dhe nga mundësitë praktike për plotësimin e tij. Të dyja këto kushte i ka plotësuar ky fjalor: autori i tij ka gjurmuar për shumë kohë nëpër krahina të Shqipërisë, dhe e dyta, duke qenë se nuk kishte pasur mundësi ta botonte, ai vazhdoi punën njëzet vjet rresht duke e plotësuar e duke e ripunuar fjalorin.
Siç dihet fjalori i mbarë shqipes duhet të përfshijë të gjitha shtresat e fjalësit të shqipes. Duke ndjekur këtë parim, Kristoforidhi, do të përfshijë fjalë të mbledhura drejtpërdrejt nga terreni, fjalët të nxjerra nga literatura e kohës dhe nga burimet e shkruara të njohura deri atëherë, fjalë shumë të njohura e fjalë të panjohura, fjalëterma profesionale e fjalë të ligjërimit bisedor, fjalë të reja e fjalë të vjetra, fjalë të krijuara, fjalë asnjanëse e fjalë të ngjyrosura silistikisht, frazeologji e shprehje të ndryshme, zhargone e të tjera, me një fjalë lëndë gjuhësore për një fjalor të mbarë shqipes. Në fjalor hetojmë përpjekjen për “një shtresim të brendshëm leksikor” (Jani Thomai, “Leksikologjia e gjuhës shqipe”, Tiranë, 1999, f.277). Kristoforidhi, në fjalor, shënon edhe tregues për shtresa të caktuara fjalësh; fjalët shoqërohen me tregues vendi a krahine ose me burime nga cilët shkrimtarë janë vjelë fjalët; fjalori sjell shumë etimologji fjalësh (sipas Xhuvanit, vetë Çabej ka identifikuar, në fjalorin e Kristoforidhit, mbi një mijë etimologji, nga ato mbi tetëdhjetë shkencërisht të pakundërshtueshme (shih parathënien e A.Xhuvanit në Fjalorin e K. Kristoforidhit).
Me fondin e fjalëve, me përmbajtjen tematike të fjalësit, me shtresat leksikore, me shtresimin e leksikut, me treguesit gjeografikë e me ata burimorë, me treguesit etimologjikë, ky fjalor mund ta ketë përcaktuesin fjalor i mbarë shqipes. Fjalorët dygjuhësorë, çfarë është edhe fjalori i Kristoforidhit, sepse në fjalor e kemi edhe greqishten, nuk i përmbajnë shumicën e këtyre treguesve. Dhënia e të gjithë atyre treguesve që i gjejmë në fjalorin në vështrim është karakteristikë e fjalorëve gjuhësorë modernë, e fjalorëve të mëdhenj shpjegues dhe i atyre të mbarë gjuhës, sepse ata janë pjesë përbërëse e informacioneve të përgjithshme për zërat leksikorë në fjalorë të këtij tipi. Kjo dëshmon se qëllimi parësor i tij ishte hartimi i një fjalori gjuhësor për mbarë shqiptarët e jo e një fjalori praktik dygjuhësor.
Së dyti, kësaj lënde gjuhësore, Konstandin Kristoforidhi u përpoq t’i bëjë përshkrim shkencor. Edhe me këtë përpjekje ai çeli rrugë për një fjalor shpjegues të shqipes. Sigurisht me mundësi mjaft të kufizuara, të kuptueshme për veprat prijëse në fusha të paçelura.
Elementet e një fjalori shpjegues të mirëfilltë nuk janë të pakta dhe ne do të bëjmë përpjekje t’i japim disa nga ato:
Në fjalorët shpjegues përkufizimet janë puna më e vështirë, sepse ato duhet të jenë shumë të sakta e shumë të qarta me sa më pak fjalë të gjuhës së njëjtë e të mos përsëritet fjala që përkufizohet. Kjo është pjesa më kreative e më vështirë e punës, është ushtrim i tmerrshëm i trurit, që kërkon gjuhëtar të përgatitur e me dije shumë të gjera, enciklopedike. Kristoforidhi i kishte të gjitha këto për kohën kur jetoi, prandaj ia ka dalë mbanë në këtë përmasë të rëndësishme të fjalorit, jo vetëm për fjalët e ligjërimit të rëndomtë, por edhe për njësitë gjuhësore të dijeve të ndryshme shkencore. Në praktikën leksikografike, ata që kanë punuar në fjalor, e dinë se më vështirë është të përkufizohen fjalët e përdorimit të përditshëm sesa fjalët e panjohura. Shumë përkufizime të tij janë bërë gjedhe për fjalorin e shpjegues të vitit 1954, prandaj edhe për fjalorët e mëvonshëm gjuhësorë dhe për ata që do të hartohen.
Fjalët në këtë fjalor janë identifikuar nga pikëpamja semantike drejt dhe janë identifikuar në disa realizime semantike, me disa kuptime, që është plotësisht e kuptueshme për identifikimin e sistemin nocionor në një fjalor me karakter shpjegues, sepse fjalët, të veçuara si elemente të sistemit leksikor, kanë strukturë të zhvilluar semantike, bie fjala: “degdis fol.vepr….1.vete degë mbi degë, 2. i jap dorë mbë dorë deri në vend…”.
Sikur edhe në një fjalor shpjegues të gjuhës, edhe në këtë fjalor, përkufizimet leksikografike shpesh përmbajnë edhe identifikimin e përdorimit kontekstual të fjalës, e cili përcaktohet në rastet kur kjo konsiderohet e domosdoshme, bie fjala: “kollandisem (Gjir.)…= lëkundem: më kollandiset dhëmbi = më lëkundet dhëmbi = më tundet dhëmbi”), si dhe shënime të tjera plotësuese, të cilat jepen të radhitura, për shembull: “gardhec–i… em. … grazhdare e rrumbullakët e mbulueme me kashtë, edhe korromec –i, gashdare-ja, grazhdare-ja” etj. Edhe sinonimet ose grupet sinonimike në funksion të përkufizimit leksikografik ose të shpjegimit, përbëjnë zakonisht struktura semantike të përafërta ose plotësisht identike, sidomos në rastet kur paraqiten sinonimet dialektore, dhe ato nuk janë pak, për shembull: ”kuth-dhi em. … = 1. kudhërë, 2. qyp = …: kuth gjalpi, kuth kosi …”. Në fjalor jepen shumë variante sinonimike e shumë variante dialektore. Edhe këto janë në funksion të pjesës shpjeguese dhe janë tipike për fjalorët e mbarë gjuhës. Në funksion të shpjegimit dalin edhe shembujt e shumtë tekstorë, shprehjet frazeologjike dhe frazeologjizmat e thjeshtë.
Pranë varianteve ose leksemave sinonimike jepet referimi për njësinë me përdorim më të gjerë, p.sh.: ”egërsirë,-a…shif bishë…”. Antonimet dhe fjalët e huaja jepen për të plotësuar shpjegimet si në çdo fjalor shpjegues, p.sh.: “ egërsoj dhe egrësoj fol. vepr. … k. zbus”, ”elbarozë,-a (Shk.) … (turq. idërshah)”. Numri i turqizmave është shumë i vogël në këtë fjalor dhe njihet edhe përpjekja e tij e sforcuar për të krijuar fjalë me brumë të shqipes. Shumë fjalë të tij të reja, fjalëformime me burim e me mjete të shqipes sot janë njësi leksikore aktive të fjalorit të shqipes së sotme, prandaj edhe e fjalorit të mbarë shqipes që duhet të hartohet.
Njësitë leksikore përfaqësuese në fjalor, në të shumtën e rasteve, janë format me përdorim më të shtrirë ndër shqipfolësit dhe më të përgjithësuarat edhe nga pikëpamja drejtshkrimore. Hetohet përpjekja e ndërgjegjshme për një ortografi të mirëfilltë.
Në fjalorin e Kristoforidhit vërehet një përpjekje e vogël për një konvencion drejtshkrimor edhe në përdorimin e theksit. Vështirësitë që i kanë dalë në vënien e theksit, sikurisht kanë qenë të mëdha, po ai arrin të na japë pamjen prozodike të disa fjalëve. Në fjalorët e mbarë shqipes edhe ana prozodike duhet të përfshihet.
Treguesit gramatikorë, të dhënat për etimologjinë dhe burimin, shenjuesit për vlerat e përdorimit dhe vlerat stilistike të fjalës, informacionet për pozicionin sintaksor të fjalës, nëse ajo ka ndonjë përdorim të veçantë në topikën e fjalisë, identifikimi semantik i dhënë në formën e përkufizimit leksikografik (struktura semantike e dhënë në formë të përkufizimeve leksikografike përfshin pjesën përshkruese dhe sinonimet ose grupin sinonimik) dhe në fund treguesit me funksion verifikues (nga letërsia e shkrimtarëve të vjetër, bie fjala të Budit, të Bogdanit, pastaj emrat e qyteteve dhe vendbanimeve ku janë regjistruar ato fjalë bashkë me përdorimin e tyre në kontekst), këtij fjalori ia përcaktojnë cilësorin e një fjalorit nismëtar mbarëkombëtar, prandaj mund të thuhet se në Fjalorin e Konstandin Kristoforidhit gjejmë fillet e një fjalori të mbarë shqipes, sado, të gjitha këto veçori kanë pamje modeste vështruar nga leksikografia e sotme. E kuptueshme. Leksikografia është ndër shkencat gjuhësore që ka ecur me shpejtësinë më të madhe.
Nga kjo që u tha më lart mund të konsiderohet se Konstandin Kristoforidhi është jo vetëm nisësi ideator, krijuesi shpirtëror, por edhe hartuesi i konceptit për fjalorin e parë të gjuhës shqipe, hartuesi i parë i një fjalori shpjegues të shqipes, në të cilin gjejmë fillet edhe të një fjalori të mbarë shqipes që duhet të hartohet shpejt në leksikografinë shqiptare. Kristoforidhi po të ishte gjallë, po të ishte bashkohës yni tashmë do ta kishte nisur një pune të tillë.
Janë të shumta arsyet pse nuk hartohet e nuk botohet sot një fjalor shumë më i madh i gjuhës letrare shqipe dhe një fjalor i mbarë shqipes. Ndër to janë trajtimi jo i duhur i gjuhësisë në politikën kulturore e shkencore të shoqërisë shqiptare, mungesa e fondeve për krijimin e kuadrit dhe për realizimin e punëve në këtë fushë. Nesër shqiptarët mund të jenë më të pasur e më të fuqishëm, por të tillë nuk mund të jenë pa këta fjalorë, nëse ata i mungojnë kulturës shqiptare. Pa ta do të jemi të varfër, ashtu siç do të ishim të varfër edhe pa fjalorin e Kristoforidhit sot. Atë e kanë pas botuar, sado me shumë vonesë, për fat të mirë e për fat të keq grekët. Ata i ndërruan edhe titullin.
Nëse gjuha është pasqyra e historisë kulturore të një populli, atëherë fjalori është pasqyrë e asaj gjuhe. Është e qartë, prandaj pse fjalorët shpjegues konsiderohen shumë të rëndësishëm, pse konsiderohen projektet më të rëndësishme kulturore, pse puna e Kristoforidhit çmohet në historinë e gjuhës shqipes. Sot kur lapsin, gomën e makinën mekanike i ka zëvendësuar teknika e lartë kompjuterike, në të vërtetë e ka “zëvendësuar” njeriun, puna e madhe dhe e vështirë e Kristoforidhit edhe mund të mos kuptohet aq lehtë.
Mund ta përfundojmë, prandaj, këtë vështrim rikujtues kështu: Fjalori i gjuhës shqipe ose Fjalori shqip-greqisht i Konstandin Kristoforidhit sot duket i vjetruar sigurisht. Me të duhet të merret leksikologjia e leksikografia historike, sepse në të ruhet pasuria e popullit shqiptar dhe e një kohe shqiptare, nga ai shihet historia dhe zhvillimi i gjuhës, kultura dhe qytetërimi kombëtar. Megjithatë, do t’i mbetnim borxh po ta përfundonim me kaq. Këtij mendimi përmbyllës duhet t’ia shtojmë edhe këto pak fjalë: fjalori i Kristoforidhit nuk është vjetruar: atë e kemi në fjalorin e shqipes së sotme. Ai do të udhëtojë me shqipen nëpër kohë përmes fjalorëve që do të hartohen edhe sot e tutje, sepse ai nuk vjetrohet, ai është hise e tyre.
Fjalorët shpjegues na duhen siç na duhen pasuritë kombëtare. Kristoforidhi e ka ditur mirë këtë, prandaj, ai i gjurmonte fjalët kudo e kurdo, sepse e dinte mirëfilli se ato janë baza e kodeve gjuhësore. Ai i mblidhte fjalët e gjalla e i gjurmonte fjalët e fshehura në arkat e kohëve të shkuara dhe jo vetëm kaq, ai krijonte fjalë të reja e ringjallte fjalë të vjetra e të harruara, për të kuptuar më mirë kodet gjuhësore të shqipes, në të vërtetë për t’i ruajtur, për t’i zhvilluar e për t’i pasuruar ato.
*Në 120 vjetorin e botimit të “Fjalorit shqip-greqisht” (Athinë 1904) të gjuhëtarit, leksikografit, shkrimtarit, përkthyesit dhe atdhetarit Konstandin Kristoforidhi. Shkrim i botuar më 2004 në librin “Gjuha, ligjërimi dhe fjala”.