-‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela me premierë botërore në Montreal World Film Festival/
PRISHTINË, 16 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Filmi ‘Rooftop Story’ me skenar nga Gazmend Nela dhe Arian Krasniqi dhe regji nga Gazmend Nela do të ketë premierën botërore në edicionin e 41-të të festivalit të kategorisë ‘A’ – Montreal World Film Festival në Kanada, njoftoi sot Qendra Kinematografike e Kosovës.Njoftimi i derguar thekson se, Festivali fillon me 24 gusht dhe zgjat deri me 4 shtator 2017 dhe filmi do të shfaqet në kategorinë ‘Focus on World Cinema’.
‘Rooftop Story’ është dramë e cila flet për humbje dhe pendim. Shpesh kur humbim diçka në jetë, megjithëse në shumicën e rasteve mbajmë përgjegjësi, kemi tendence të mos e pranojmë atë dhe përpiqemi ta hedhim fajin diku tjetër, mbi të tjerët dhe jo mbi veten tonë.
Në rolet kryesore janë: Xhevdet Doda, Mona Mustafa dhe Art Lokaj.Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike ‘Frame Production’ me producent Arben Shala, “Ikone Studio” me producent Valon Bajgora dhe Yll Uka si dhe bashkëproducent Vanco Mirakovski me kompaninë ‘Pigmento Visual Studio’.Vitin e kaluar filmi i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës- ‘Eho’ me skenar dhe regji nga Dren Zherka pati premierën po në këtë festival ku edhe fitoi çmimin ‘Silver Zenith for the First Fiction Feature Film’./b.j/