opinion nga Majlinda BUSHJA/
Të jesh fitimtar i një beteje nuk duhet vetëm ta fitosh atë, por edhe të meritosh fitoren. Të kuptosh se pas fitores vijnë ditë më të vështira, apo ditët e bindjes dhe krijimit të besimit që rikonfirmojnë edhe njëherë meritën e fitores. Pasi çdo fitore afatshkurtër tregon dobësinë e fitimtarit dhe paaftësinë për të zotëruar fitoren përmes faktesh të mëvonshme që e forcojë atë. Koha nuk duhet ta zbeh fitoren, nëse ndodh kjo vihen në dyshim meritat e fitores. Çdo betejë ka humbësit dhe fituesit e vet, por në një lojë të padrejtë fituesi duhet të ketë frikë nga fitorja e tij. Nëse ka një fitore të përkohshme është pikërisht, kjo fitore. Përse e them këtë?!
Në skenën politike shqiptare prej gati një muaji po luhet një betejë, e cila nuk mund të quhet më e heshtur, që prej 18 shkurtit të këtij viti, ku nisi dhe protesta pa limit e opozitës. Opozita kërkon me ngulm qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, por në kujtesën qytetare janë ende të forta, zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, trazirat e vitit 1997, Gërdeci, 21 Janari etj. Kurse pozita insiston në procesin e vettingut, dhe ajo nga ana e saj është përfolur jo pak herë për futjen e kriminelëve në parlament, se shfarosi Lazaratin, por droga u përhap në të gjithë Shqipërinë etj. Por, vettingu për të cilën pozita duket se ngul këmbë nuk ju shërben të gjithëve, sepse zullumqarët i merr përpara (pavarsisht ngjyrave) dhe ata mund t’i gjesh jashtë partive politike, por që shkakton më shumë frikë brenda tyre. Gjithsesi, ngërçi artificial dhe vonesat nuk do ta shmangin dot atë që do të ndodh më pas, pavarsisht vonesave. Do vijë një kohë që gjuha nuk do mundet të mbulojë më veprat, dhe mëkatarët nuk do munden të shpëtojnë më prej gjuhës së tyre. Dhe është pikërisht kjo situatë që ka sjellë pështjellime politike dhe tension në vend.
Situata e krijuar ka sjellë ndryshime dhe në qeveri, ku katër ministra të rëndësishëm të kabinetit Rama zëvendësohen me katër të tjerë. ndryshe nga më parë raporti është 50 me 50 (dy gra dhe dy burra). Çka bën që numri i grave ministre të shtohen në kabinet dhe kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri pas viteve ’90, por edhe e djathta ka patur, në mos gabojë një ministre. Gjithsesi, lëvizjet e fundit në kabinetin qeveritar nuk e bindën opozitën të mbyll çadrën, ajo kërkon “kokën e padrinos” madje ironizoi së fundi me shkarkimin e ministrave, por dhe shefi i pozitës që ka marrë mandat për të qeverisur 4 vjet, nuk pranon qeveri teknike dhe deklaron se, shkarkimet nuk kanë ndodhur për shkak të opozitës, por se jemi tre muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit. Pavarsisht se fjalët e z. Rama nuk bindin, nuk bind as qeveria teknike se do të nxjerr opozitën në krye në zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Vota është e qytetarëve që tashmë janë kthyer në spektator në teatrin e radhës të luajtur nga politika shqiptare. Ata kanë në dorë të hedhin votën në kutinë e votimit, apo ta “zhubrosin” atë duke mos qenë dakort me asnjë.
Ndërkohë që, beteja politike vazhdon, mes aktorëve të vjetër të politikës që presin zgjidhje të reja dhe vendosin kushte, politika ka futur veten në krizë me këtë formë të vepruari. Opozita nuk shkon në parlament prej disa ditësh, duke u ngujuar në “Cadrën e Lirisë”, në të njëjtën kohë së bashku me 23 partitë aleate nuk është rregjistruar në zgjedhje duke kërcënuar se s’do të ketë zgjedhje pa qeveri teknike. Por, ndërkohë opozita nuk është në gjendje të masi vullnetin e qytetarve opozitar nëse atë kanë dëshirë të shkojnë në zgjedhje me këtë qeveri, apo jo, (sa janë pro dhe kundra këtij vendimi). Meqenëse janë mijëra qytetarë opozitarë në të gjithë vendin, duhet të jenë po aq në protestë për ta faktuar vullnetin e përfaqësuesëve, ose të paktën gjysma. Kjo e bën vendimin e përfaqësuesëve të opozitës të njëanshëm brenda saj dhe nuk i jep zërin e duhur betejës për qeveri teknike. Nga ana tjetër, lëvizjet në qeveri nuk e kanë çtensionuar situatën politike mes tyre dhe i kanë bërë përfaqësuesit e opozitës më të vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës së nisur. Por edhe nëse ka fitore të saj, ajo është e përkohshme, sepse në fund janë qytetarët që zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira. Fatin e çdo partie e përcaktojnë votuesit tashmë më të kthjellët për vendimin e tyre pas më shumë se çerekshekulli demokraci. Çdo lëvizje e gabuar e partive politike votuesi nuk është i prirur ta fal nisur nga përvoja e zgjedhjeve të mëparshme.
Kështu partitë politike nuk duhet të humbasin kohë, por duhet të riorganizohen për të matur forcat përmes programeve të tyre. Koha e humbur nuk kthehet pas, por më vonë të ndjehesh i humbur për shkak të kohës që ke shpërdoruar, kupton rëndësinë e kohës që iku dhe çmimin e saj.