

Rafaela Prifti/
Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!
Festimi i Pashkës, i mishëruar tek ringjallja e Krishtit, është mesazhi i përjetëshëm i fitores së jetës mbi vdekjen. Këmbanat e kishave, lutjet dhe hymnet fetare përcjellin urimet për Pashkët për besimtarët ortodokosë dhe gjithë komunitetin shqiptar.
Në kishën ortodokose të Shën Gjergjit në Trumbull, Connecticut, pjesë e dioqezës shqiptare të Kishës Ortodokose në Amerikë, arkëtari i Vatrës Besim Malota ka çuar flamuj shqiptarë dhe amerikanë për nder të festës si edhe disa kopje të gazetës Dielli.
Z. Malota i dërgoi fotot në redaksinë e Diellit bashkë me urimet për shqiptarët ortodokosë në Amerikë dhe në mbarë botën. Është rast i mirë për të nderuar punën dhe sakrificat e paraardhësve dhe vatranëve që iu përkushtuan aksionit të madh, duke filluar nga shërbesa e parë në gjuhën shqipe për të Dielën e Madhe në vitin 1925 për ta hapur kishën për besimtarët ortodokosë të komunitetit të shqiptarëve këtu.
E zbukuar me flamuj shqiptarë dhe amerikanë, kisha e Shën Gjergjit në Trumbull mban gjallë trashëgiminë ortodokse shqiptare të Fan Nolit, i cili i dha bekimin në ditën e inagurimit, dhe vazhdon historinë e saj 99 vjeçare, me të cilën krenohen shqiptarët e të gjitha brezave.