



Klarita Selmanaj dhe Jerida Kulla, mësuese në kursin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare, “Frang Bardhi”, në Iraklio të Kretës, Greqi, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfejnë organizimin e mësimit shqip në Greqi, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative në Iraklio, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Greqisë.
MËSIMI PLOTËSUES I GJUHËS SHQIPE DHE KULTURËS SHQIPTARE, “FRANG BARDHI” NË IRAKLIO-GREQI
Fillimi për mësimin e gjuhës shqipe, në Iraklio, është që para 5 vitesh, kur ne, mësueset Klarita Selmanaj, Jerida Kulla, më 21 tetor 2017, filluam mësimin vullnetar. Pas një viti mësimor në klasë dhe mbylljes së tij me sukses, si mësuese vullnetare dhe të detyruara nga lock doën na erdhi ideja për krijimin e kursit on-line “Frang Bardhi”, si një domosdoshmëri e kohës dhe e situatës, në të cilën u përballëm, jo vetëm ne si mësuese, por i gjithë globi. Fillimisht lajmëruam për hapjen e kursit, në rrjetet sociale. Interesimi ishte i madh. Më 4.09.2020, morëm miratimin e Lidhjes së Mësueseve Shqiptarë në Greqi, për hapjen e kursit të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe. Më 1 nëntor 2020, pas një pune këmbëngulëse dhe planifikimi të gjatë, duke studiuar situatën dhe kushtet në Iraklio, hapëm kursin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare, “Frang Bardhi”, në Iraklio të Kretës, Greqi. Nxënësit janë kryesisht nga Iraklio, banues të Iraklios që janë larguar drejt Gjermanisë, Rodos, Athinë, nxënës shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Pikë referimi e prezantimit të kursit “Frang Bardhi”, para Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Ambasadës Shqiptare në Greqi dhe shumë organizatave të tjera, si në Greqi, ashtu edhe jashtë saj, ishte festimi i 28-29 Nëntorit. Ishte Nëntori ynë i parë, por jo i fundit. Pasi festa të tjera festuam dhe vazhdojmë të festojmë së bashku. Nxënësit mësojnë të shkruajnë, të lexojnë, gjuhën e bukur shqipe. Njëkohësisht, mësohet kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke brumosur ndjenjën e dashurisë për dheun e atit. Mësimet që ne bëjmë, konsiderohen mësime plotësuese të gjuhës shqipe, për arsye se orët janë të pakta, punojmë vetëm ditën e shtunë dhe të diel me nxënësit.
ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, KURRIKULA, TË VEÇANTAT E SHKOLLËS SHQIPE
Mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare bëhet sipas kurrikulave të miratuara nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Mësimi zhvillohet duke pasur parasysh nevojat e fëmijëve, për të komunikuar në gjuhën e mëmës. Tekstet e mësimit u siguruan nga Qendra e botimeve të Diasporës, ku gjejmë rastin dhe i falënderojmë për mundësinë që na kanë dhënë, duke na i dërguar librat në Ambasadën Shqiptare në Greqi dhe ne shkuam i tërhoqëm. Mësimi bëhet on-line, pasi nxënësit janë nga vende të ndryshme, ashtu siç e përmendëm edhe më lart. Kursi ynë është një familje, ku secili ka rolin e tij. Kursi i gjuhës shqipe “Frang Bardhi”, ka tri klasa. Klasa e parë është niveli fillestar i gjuhës. Në këtë klasë ka nxënës që kuptojnë gjuhën shqipe, po kanë vështirësi në të folur; e kuptojnë dhe e flasin gjuhën shqipe. Në këtë klasë bëhet lënda e Abetares dhe e Traditës dhe e Kulturës shqiptare. Nxënësit mësojnë të shkruajnë e të shqiptojnë pastër dhe qartë alfabetin, të ndërtojnë fjali të thjeshta, të ritregojnë histori të ndryshme nga jeta e tyre apo të ritregojnë ndonjë legjendë apo përrallë. Në klasën e dytë dhe të tretë, bëhet lënda e Gjuhës shqipe dhe e Traditës dhe e Kulturës shqiptare. Edhe në këto klasa nxënësit janë të niveleve të ndryshme. Duke u bazuar në synimet dhe specifikat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, mundohemi që orën e mësimit ta organizojmë duke pasur parasysh si kompetencat e fushës, ashtu edhe ato kyçe, duke bërë gërshetimin e tyre nëpërmjet metodave të ndryshme që përdorim gjatë orës së mësimit. Nxënësit dëgjojnë një përrallë, një histori, një këngë apo shikojnë një fragment filmi dhe diskutohet rreth saj, qoftë duke bërë pyetje nga mësueset, qoftë duke i bërë pyetje njëri-tjetrit. Më pas, u jepet detyrë shtëpie, që të shkruajnë rreth tematikës së dhënë në klasë, duke gjetur fjalë të urta, shprehje frazeologjike apo këngë të ndryshme popullore që këndohen në krahinën e tyre. Mbi të gjitha, pavarësisht se vijnë nga krahina të ndryshme, qëllimi kryesor është ta shkruajnë dhe ta flasin gjuhën letrare. Mundohemi që orën e mësimit ta bëjmë sa më tërheqëse, duke pasur parasysh edhe vështirësinë e dhënies së mësimit nëpërmjet internetit. Si rrjedhim, përdorim metoda interaktive, me në qendër nxënësin. Paraprakisht, nxënësit orientohen për materialet që do të punojnë në orën e ardhshme, duke u kërkuar të gjejnë informacione për tema të caktuara, qoftë nga interneti, qoftë duke pyetur prindërit e tyre.
Njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë e nxënësve në një gjuhë i ndihmojnë ata të mësojnë dhe të kuptojnë një gjuhë tjetër. Duke qenë nxënës dy apo trigjuhësh, njëkohësisht, gjatë orës së mësimit, bëhen krahasime me gjuhën e vendit ku jetojnë, p.sh, për mësimin e fjalëve të ndryshme, u thuhet t’i përkthejnë në gjuhën greke apo gjermane. Duke mësuar gjuhën shqipe dhe duke e krahasuar atë me gjuhët e tjera, ata fillojnë ta çmojnë dhe ta vlerësojnë më shumë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ata vihen në situata që u mundësojnë të kuptojnë se çfarë kanë të përbashkët gjuhët dhe çfarë i bën ato të veçanta. Njohuritë gjuhësore jepen duke i gërshetuar me njohuritë për letërsinë, historinë, traditën dhe zakonet e popullit shqiptar. Në çdo orë mësimi ata kanë dëgjuar këngë, kanë lexuar poezi për (në) gjuhën shqipe, për atdheun, Shqipërinë, Kosovën, flamurin.
GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE
Mënyra se si shtroni pyetjen, nuk bën dallim ndërmjet kushteve normale dhe kushteve detyrimisht mbizotëruese mbi mësimin e gjuhës shqipe nga mësues që punojnë vullnetarisht dhe akoma më shumë në një shtet, i cili nuk e konsideron të domosdoshme dhe të drejtë njerëzore ruajtjen e integritetit kombëtar të shqiptarëve. Për ne, mësueset që dhurojmë mësime të gjuhës shqipe, në kushtet që përmendëm më sipër, ruajtja e kësaj trashëgimie është bërë qëllim jete. Për ne, qasja e integruar në trashëgiminë kulturore, përfshirja e trashëgimisë kulturore në planin mësimor, promovimi i trashëgimisë kulturore te fëmijët, edukimi, aftësimi dhe pjesëmarrja aktive në njohjen dhe përgatitja e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore janë temë identifikimi dhe krenarie kombëtare. Për çastin, ndihma shtetërore është shumë e paktë, nga të dy shtetet, pra, ne mësuesit vullnetarë në Greqi mbajmë kryekëput peshën e detyrimit moral dhe material të kalimit të trashëgimisë sonë identifikuese. Kënaqësi e lumturi, kur nxënësit përshëndeten me njëri-tjetrin, me përshëndetjet e bukura: “Mirë se erdhe!”, “Mirë se ju gjeta!” “Gëzuar!”, “Mirupafshim!”, të mësuara në klasën e parë. Mbushesh plot kur dëgjon të tingëllojë gjuha shqipe në gojën e këtyre fëmijëve, te këta fëmijë, që flasin gjuhën greke, gjuhën gjermane. Të jetosh me këta fëmijë është kënaqësi, t’u mësosh këtyre fëmijëve gjuhën shqipe, nuk është thjesht detyrë, por mision për ruajtjen e identitetit kombëtar, që të mos brohoritet vetëm në stadium: “O sa mirë me qenë shqiptar!” Për ne, gjuha shqipe, është gërma e parë dhe e fundit e alfabetit identifikues të qenies sonë.
BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE
Po çfarë mund të bëjmë ne të vetëm, pa ndihmën dhe përkrahjen e prindërve? Asgjë. Gjatë punës sonë gjithmonë i kemi pasur në krah prindërit, pasi pa ta nuk mund të ecet përpara. Prindërit, nëna, babi, janë mësuesit e parë të fëmijës për gjuhën shqipe. Nëna, bashkë me qumështin e gjirit e ushqen me dashurinë për vendin e saj. Edhe pse mësimi jepet on-line, takimi me prindërit realizohet nëpërmjet internetit, duke diskutuar problematikat e ndryshme që dalin gjatë mësimdhënies. Prindërit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar, duke i zgjidhur së bashku problemet që dalin. Pavarësisht dëshirës së madhe që kemi ne si mësuese, fatkeqësisht, sot vihet re një rënie e numrit të nxënësve. E kemi ngritur disa herë zërin për mbështetje nga shteti ynë, që mësimi i gjuhës shqipe të mos mbetet më në kuadër të vullnetarizmit, por të organizohet në mënyrë të tillë, që prindërit dhe fëmijët ta gjejnë vetë derën e shkollës. Pasi deri më sot, është mësuesi ai që ragvon derë më derë për të siguruar klasën ku do të japë mësim.
SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË
Për periudhën që jetojmë, mendojmë se është mënyra më e mirë e komunikimit, pa ndërprerje me nxënësit dhe prindërit. Koha e përdorimit të platformës dhe ndërprerja e herëpashershme të rrjedhës normale të jetës dhe veprimtarive fizike, kudo në glob, na kanë treguar se mundemi të funksionojmë pothuajse njësoj, edhe kur jemi përpara ekranit. Koha në vazhdim na mësoi se cila është metoda më e saktë për realizimin e mësimit on_line, por edhe mundësinë të kemi komunikim të vazhdueshëm dhe të plotë me nxënësit tanë dhe prindërit e tyre në çdo çast që ndihet i domosdoshëm komunikimi. Sa për fëmijët dy gjuhësh, deri tani kemi vetëm librat që na ka siguruar Qendra e Botimeve të Diasporës. Në bazë të këtyre librave, planin, programin e krijojmë vetë, pasi këta libra janë hartuar për shkolla të cilat gjuhën shqipe e kanë pjesë të programit mësimor shkollor të vendit pritës. Herë pas here marrim pjesë në seminaret dhe trajnimet që organizon si Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, ashtu edhe Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës.
KUSH JANË MËSUESET JERIDA KULLA DHE KLARITA SELMANAJ?
Jetëshkrim i shkurtër, Jerida Kulla:
Linda në Gramsh. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreva në vendlindje. Studimet e larta i mbarova për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan. Mësuesia është profesioni dhe pasioni im. Kam punuar 11 vjet në arsim, ku kam dhënë mësim, si në shkollë publike, ashtu edhe private. Gjithashtu, u kam mësuar gjuhën shqipe, shtetasve të huaj që jetonin dhe punonin në Tiranë. Në vitin 2016 fitoj shkallën e II të kualifikimit për mësimdhënie, Mësues Specialist; Vlerësimi “Shumë mirë”. Dëshira për pastërtinë e gjuhës shqipe, më ka shtyrë të punoj si redaktore, prej 18 vjetësh, duke redaktuar libra dhe materiale të ndryshme, me karakter artistik, social, shkencor, kulturor e fetar, nga disa shtëpi botuese, si “Orfeu”, “Altera”, “Rumi”, shoqata kulturore “Gruaja”. Për dy vjet kam punuar redaktore gjuhësore te gazeta “Shqip”. Gjithashtu, kampunuar si gazetare dhe redaktore në revistën “Familja”. Në vitin 2008 botoj librin me poezi e prozë poetike, “Rrugëtim”. Vëllimi me poezi “Mite dhe Rite” botohet në vitin 2011, në mënyrë elektronike.
Jam duke përgatitur librin e tretë me poezi e prozë poetike. Shkrimet dhe poezitë e mia, janë botuar në antologji dhe organe të ndryshme të shtypit të shkruar, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj. Në vitin 2020, fitoj Çmimin e Botuesit në konkursin poetik të organizuar nga revista “Kuvendi”. Në vitin 2016 emigroj në Iraklio të Kretës, Greqi. Nga viti 2017 punoj si mësuese vullnetare e gjuhës shqipe dhe e kulturës shqiptare. Jam një ndër 2 mësueset, që në vitin 2017 hapëm për herë të parë në Iraklio klasën e gjuhës shqipe. Aktualisht, punoj mësuese vullnetare pranë kursit të gjuhës shqipe “Frang Bardhi”, në Iraklio. Kam marrë pjesë në seminare dhe konferenca të ndryshme me karakter pedagogjik, artistik, psikologjiko – filozofik, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Diasporës dhe institucione të ndryshme. Nga viti 2017 jam anëtare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Jam pjesë e Regjistrit të Mësuesve të Diasporës.
Jetëshkrim i shkurtër, Klarita Selmanaj:
Kam lindur e rritur në Tiranë. Nga shkolla tetëvjeçare e në vazhdim, kam qenë anëtare e klubit sportiv “Dinamo”. Si shkolla e mesme, ashtu edhe studimet, erdhën si vazhdimësi e këtij aktiviteti. Gjatë kësaj periudhe kam qenë atlete e hedhjes së diskut, duke u nderuar me një sërë vlerësimesh në nivel kombëtar. Kam studiuar pranë Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në vitet 1982-1985. Pas mbarimit të studimeve dhe deri në 30 prill 1991, punova si përgjegjëse e sektorit të fizkulturës pranë Shtëpisë së Pionierit nr 8, në Tiranë, si edhe trajnere pranë klubit “17 Nëntori”. Më 1 maj të viti 1991 u largova drejt Greqisë. Fillimisht në Thiva të Viotias dhe nga viti 1997 në kryeqytetin e ishullit më të madh të Greqisë, Iraklio të Kretës. Aktiviteti shoqëror-atdhetar, ka filluar diku në vitet 2004-2005. Përkatësisht me grupe fëmijësh të brezit të dytë në Greqi, me pjesëmarrje në festivale me tema emigracionin, kulturën kombëtare të sjellë nga vendlindjet, dhunën dhe luftën etj. Paralelisht, jam anëtare e Federatës së Gruas Greke dhe anëtare e Sindikatës së Punëtorëve të Hotelerisë për zonën e Iraklios. Për një periudhë tetëvjeçare, anëtare e Këshillit të Integrimit të Emigrantëve në shoqërinë vendase. Në shkurt të vitit 2013, mora pjesë në punimet e konferencës “Relais”, me temë “Duke bërë të mirën më të mundur për emigrantin”, në Parlamentin Evropian në Bruksel, anëtare e delegacionit grek, me titullin e Përfaqësuesit të Emigracionit në Greqi.
Kam marrë pjesë në shumë konferenca, seminare dhe aktivitete me qendër referimi dhe diskutimi të drejtat njerëzore, emigracioni, dhuna ndaj gruas dhe në familje, lufta, fëmijët dhe të drejtat e tyre etj. Jam poete, vlerësuar me çmim në Shqipëri dhe në Greqi; pjesëmarrëse në antologji të ndryshme. Përfaqësuese e lëvizjes ndërkombëtare “100 mijë Poetë dhe Artistë për Planetin” në Iraklio. Pjesëmarrëse në festivalin ndërkombëtar poetik, organizuar në Iraklio të Kretës 2019. Anëtare e klubit të shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë; anëtare e klubit të shkrimtarëve “Petropolis”, Athinë. Titullare e shoqatës së shkrimtarëve dhe poetëve “Atunis”, përkatësisht me titullimin e organizatës “Atunis” dhe titullimin “Frang Bardhi”.
Shkruaj dhe përkthej në të dy gjuhët. Në fillim të vitit 2021, në Shqipëri u botua përkthimi im, nga greqishtja në shqip, e veprës së Grigor Parliçev Stavridhit “Epopeja e Skënderbeut”, që përfshin 3.798 vargje jambike, pesëmbëdhjetërrokëshe. Kam përkthyer nga shqipja në greqisht, filmin “Delegacioni”, të regjisorit të shumëvlerësuar shqiptar Bujar Alimani.
Nga greqishtja në shqip, filmin me tirazh të shkurtër “Holy Boom” të regjisores greke Maria Lafi. Jam përkthyese aktive pranë Gjykatës së qytetit të Iraklios. Jam pjesë e dokumentarit grek “Mos më thërrit “i Huaj’’. Krijuese e dokumentarit grek me tirazh të shkurtër “Shqiptarët në Kretë – Këtu dhe atje’’. Kam marrë pjesë në dy seminare të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë. Nga viti 2017 e deri më sot, jam mësuese vullnetare pranë kursit të gjuhës shqipe “Frang Bardhi”, në Iraklio dhe anëtare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi (LMSHG). Nga viti 2018 anëtare e Këshillit Drejtues të kësaj organizate. Në shtator të vitit 2021, u zgjodha nënkryetare e LMSHG-së, koordinatore për Kretën dhe ishujt e Greqisë.