Bisedë me artistin G.Kola të tablosë “Kiss” që u vlerësua nga juria ndërkombëtare në Louver –
Artet dhe kultura janë në vijën e parë sepse kanë në epiqendër dashurinë, respektin dhe ndjenjat e thella të tolorancës, pajtimit dhe solidarizimit pikërisht këto vlera për të cilat Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj me përkushtim të madh…
Fondacioni Ndërkombëtar Artistik këto ditë në Louvër ka vlerësuar tablotë tuaja artistike, si dhe të artistit të të ndjerit Atjon Zhitit, na flisni më konkretisht ju lutem për tablotë dhe si ishte e organizuar ekspozita?
-Më 20 tetor 2017 në Muzeun e Louvrit ne Paris u hap ekspozita e Arteve Contemporane me pjesëmarrjen e artistëve nga shumë vende të botës. Unë marr pjesë në këtë ekspozitë për të katërtën herë i ftuar nga Fondacioni Artcom Expo Internacional qe mbështet dhe promovon artistë në vende te ndryshme të botës. Meqënse ky fondacion administron zyrtarisht një pjesë të krijimtarisë sime artistike disponoj të drejtën e promovimit edhe të botimeve që bëhen dhe kanë lidhje me punën time.
Në këtë edicion prezantova albumin me vizatime dhe piktura të piktorit të ri Atjon Zhiti pasi unë jam pjesë e këtij albumi në kapitullin e fundit me 6 punime. Për koinçidencë në të njëjtën ditë isha i ftuar nga Hypatie Festival (art dhe shkencë që mbështetet nga UNESCO) në Itali ku sipas programit mundësuam komunikim virtual me presidenten e këtij festivali Dr.Tonia Losco.
-Cila tablo nga punimet tuaja artistike mori vlerësim?
Ne ishim lajmëruar më parë nga bordi drejtues i Fondacionit që tabloja “The Kiss” do të jetë në listën e vlerësimeve pas shqyrtimit nga ana e jurisë ndërkombëtare.
Cfare ju frymëzoi më shumë për këtë tablo që dhe u vleresua nga juria?
“Medalja e Krijimtarisë” që iu dha kësaj tabloje i përket Familjes time si dhe të gjithë miqve tanë që mbështesin dhe stimulojnë vijimin e vështirë të rrugës së mundimshme të artit. Natyrisht që jemi shumë mirënjohës nga kritikët dhe juritë, por kjo nuk do të thotë që një stimulim ndikon në vijimin e procesit të krijimtarisë artistike, por në një farë mënyre jep efekt në aspektin komercial. Tabloja “The Kiss” ose “Puthja ” në shqip për të cilën kemi nevojë të gjithë edhe pse aty ku ka injorancë bëjnë sikur kanë turp nga kjo është e trajtuar me teknikë të përzier në pëlhurë linit të papërgatitur me solucione kimike. Përveçse sensit erotik kam dashur të përcjell edhe te përgjithshmen e artit joshës të puthjes që në fakt shumë herë e kam interpretuar në mënyra të ndryshme.Për këtë temë esenciale mund të flitet shumë gjatë por mesazhi im është i qartë se pikërisht dashuria është ajo që bashkon njerëzit,që lind jetë të reja që asnjëherë nuk tepron,që vetëm nëpërmjet saj, dashurisë, bota është më e bukur.
Po albumi “Opera Atjon” çfarë tablosh artistike pasqyron?
Sikurse thashë më lart unë në aktivitete ku jam i ftuar kam te drejtën e promovimit te botimeve që lidhen me punën time. Kështu në Louver pata nderin e prezantimit të artit që krijoj gjatë jetës shumë të shkurtër artisti brilant Atjon Zhiti me buzëqeshje ëngjëllore sikurse me pëlqen ta konsideroj. Esetë,vizatimet dhe pikturat e tij që përmblidhen estetikisht shkëlqyer ne këtë Album lanë një emocion te veçantë tek presidenti i Fondacionit Hans Salbu dhe zonja e Tije Baronesha Jiselda Salbu administratore e Fondacionit të cilët vendosën dhënien “Medalje Kujtimi” për artistin Atjon Zhiti.
Kur e keni filluar bashkëpunimin me Fondacionin Ndërkombëtar dhe çfarë planesh keni në të ardhmen?
Kam qenë i ekspozuar në Louver ne vitin 2013 nëpërmjet një galerie te njohur italiane kur na u ofrua kërkesa për bashkëpunim nga Fondacioni dhe që e pranuam me shumë kënaqësi.
Ne kemi një sërë ekspozimesh,promovime ku edhe do të vazhdojë të botohet puna ime ne disa vende në Europë, Amerikë, Dubai dhe Taipei etj. Ekspozimi dhe aktiviteti im vazhdon paralelisht edhe me galeri e fondacione të tjera.
Si artist emigrant cilat janë disa nga vështirësitë tuaja për të ushtruar profesionin ku jetoni në krahasim me artistët që jetojnë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur?
Nëse do të shohim vështirësitë dhe momentet e dëshpërimit janë aq të shumta dhe të ndryshme saqë zhgënjimi të çon në tërheqje. Duhet nje insistim dhe këmbëngulje e madhe te cilën unë e kam te garantuar nëpërmjet mbështetjes së madhe të familjes time, bashkëshortes Vjollca, dy fëmijët tanë Iliriana e Sebastian që ndikojnë terësisht në vijimin e artit dhe pikturës sime.
Në lehtësimin e këtijë vijimi favorizon ndihma dhe solidarizimi i disa njerëzve që janë shumë pranë nesh, që kontribojnë me pasion dhe dashuri për të përçuar më tej te bukurën në realitet dhe art. Gjatë kësaje periudhe 27-vjeçare të ikur rrugëve të botës nuk pushojmë së menduari me nostalgji për Shqipërinë. Sigurisht me keqardhje të madhe për zollomahinë dhe tymtajen që i ka krijuar vendit tonë politika e korruptuar shqiptare. Në këtë imazh të bërë pis nga politika e pandershme klane dhe struktura kriminale që si metastaza gjenden në të gjitha instancat duke përfshirë edhe mediat krijojnë vakum te madh sidomos në arte e kulture si pjesa më delikate e shoqerisë që duhej t’i paraprijë zhvillimit dhe prosperitetit të gjithanshëm. Gjithësesi vendi ynë dëshmon përherë se do të ringjallet pasi ka prodhimtari arti e kulture që merret parasysh ne hapsirën ndërkombëtare.
Si po ndihmojnë artistët që janë shpërndarë dhimbshëm nëpër botë për imazhin e Shqipërisë?
Vitet 90-të krijuan hemorragjinë e madhe intelektuale-artistike ne vendin tonë dhe kështu dominoi nje alalum i jashtëzakonshëm i klaneve qe bie ndesh me avancimin dhe zhvillimin sigurisht në kundërshtim me aspiratat e popullit liridashës dhe artdashës shqiptar me vlera të mëdha dhe te jashtëzakonshme që trashëgojmë po edhe që transmetojmë në raport me vendet e tjera të zhvilluara. Në këtë sens janë në vijën e parë artet dhe kultura si përçues të dritës dhe prosperitetit, emancipimit kulturor dhe shpirtëror duke pasur në epiqendër dashurinë, respektin dhe ndjenjat e thella të tolorancës, pajtimit dhe solidarizimit pikërisht këta vlera për të cilat Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj me përkushtim të madh.
Faleminderit z.Kola dhe shumë urime!
Ju faleminderit për intervistën zn.Zylo si dhe për misionin kulturor që vazhdoni me insistim në favor të ngritjes së moralit dhe dinjitetit shqiptar në botë.
Fund tetori, 2017
Manhattan, New York