BEDRI ÇOKU: “Krijimtaria tek unë është nevojë e domosdoshme.”/
Nga Fadil SHEHU- Florida/
Me Bedri Çoku, ish gjimnazistin e “Janaq Kilica’’ në qytetin e Fierit, i cili ka përjetuar dy dekada vite burg në të ashtuquajturin “ferri i Spaçit”, jam njohur në vitet e para të demokracisë, në pranverën e vitit 1994, gjatë promovimit të librit “ Dy vëllezër në një prangë`´, shkruar nga vetë Ai dhe vëllai i tij, Çaush Çoku. Episodet emocionale që trajtoheshin në këtë libër me dy kapituj, Bedriu në prozë dhe Çaushi në poezi, më motivuan për zhvillimin e një interviste ekskluzive me Bedriun, e cila u botua ato ditë në një nga faqet e R.D-së. Ai njihet dhe si protagonist i grevës që shpërtheu në vitin 1973 në burgun e Spaçit, ku dhe u ridënua. Gjatë viteve të demokracisë ai mbetet i dashuruar pas letërsisë, paçka se emërimi i tij në disa poste të rëndësishme shtetërore i jepnin shansin e karrierës së tij në politikë. I pasionuar në veçanti pas Dostojevskit dhe Kutelit, krahas mjaft dorëshkrimeve të dy romaneve dhe novelave, si analist në disa gazeta, kohët e fundit paraqitet përpara lexuesit me librin e ri mjaft domethënës “Plaku i Kenetës“. Intervista e zhvilluar mbart realitetin e viteve të komunizmit, ngjarjet reale në burgjet e diktaturës dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Bedriu së bashku me të atin dhe dy vellezërit, Çaushin dhe Esatin u dënua me 67 vite burg.
F.Shehu:- Cili është Bedri Çoku?
B.Çoku:- U linda në fshatin Muçias, Lushnjë, në vitin 1949. Në vitin 1951 babai im u dënua 20 vjet me heqje të lirisë, si kundërshtar i regjimit komunist dhe, njëkohësisht, u shpallë kulak, me konfiskim të pasurisë së tundshme e të patundshme. Të mbetur mes katër rrugëve pa shtëpi, pa katandi, u endëm ditë të tërë nëpër rrugët e baltosura të Myzeqesë, deri sa më në fund gjetëm strehim tek tezja e jonë, në Fier, Ankushe Boriçi, e martuar me Ali Boriçin. Ndënjëm aty deri sa Këshilli i Lagjes i asaj kohe na strehoi tek një ahur i Taq Bozos, ish tregtar para regjimit komunist, por që djemtë e tij gëzonin mirëkuptim me regjimin e ri. Këtë ahur Taq Bozo e kishte përdorur për kuajt e biroçes së vet. Ishte vetëm me katër muret dhe çatinë. Megjithatë, ishim të detyruar që, gruaja dhe bijtë e një “Armiku” te regjimit të kalonim jo pak, por 9 vjet të jetës sonë në ato kushte çnjerëzore. Shyqyr që në vitin 1959 ajo ngrehinë u rrëzua nga tërmeti i fuqishëm i po atij viti që ne të kishim të drejtë të strehoheshim në një banesë tjetër.Me një dhomë e guzhinë në barakat e ndërtuar urgjentisht nga shteti i asaj kohe për të ndihmuar fatkeqit prej “zemërimit natyror”, në lagjen “1 Maj”, sikur vuri dorë zoti.
– A thua, me këtë rast, se mbaruan vuajtjet dhe peripecitë çnjerëzore për ju? – Jo. Sepse në vitin 1966, pikërisht sapo kisha hyrë në provimet e maturës, një vendim, sa absurd aq edhe kriminal, i Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, urdhëronte për të gjitha familjet me “biografi të keqe”, të cilat jetonin dhe punonin me dekada apo shekuj nëpër qytetet e Shqipërisë, të dëboheshin apo të internoheshin me forcë për në fshatrat e ndryshme, nga më të prapambetura të vëndit. Ndërsa neve na rikthyen në fshatin tonë pasi “gëzonim” titullin makabër, kulak, për të cilin bashkëfshatarët ishin të indoktrinuar tashmë për të na ndëshkuar me urrejtje dhe indiferencën e tyre, siç ua kërkonte ideologjia komuniste e luftës së klasës.
-A ju kujtohet se sa familje u internuan apo u dëbuan së bashku me ju nga qyteti i Fierit ?
-Vetëm natën e dëbimit tonë, më 11 Qershor të vitit 1966, mund të jenë internuar apo dëbuar nga qyteti i Fierit, pa e ditur se ku, rreth 37 familje. Por kjo “fushatë”, në se mund ta quajmë kështu me fjalorin e kohës, vazhdoi muajt e mëvonshëm, dhe vitet e mëtejme, pothuajse vazhdimisht. Internimi dhe dëbimi në atë regjim u shndërrua në sistem. Ishte një nga hallkat shtrënguese dhe terrorizuese më makabre të atij regjimi.
-A e menduat, se qysh nga ajo ditë rrjedha e jetës për ju do të ishte ndryshe?
-Në të vërtetë unë, personalisht, kisha iluzione se, të paktën mua si Bedri, do të më toleronin, pasi isha gjimnast i kategorisë së parë, volejbollist, atlet, sporte me të cilat përfaqësoja edhe ngjyrat sportive të klubit “Apolonia”, axhamillëk, natyrisht. Por në atë moshë, 18 vjeçare, aq mund të gjykonte një njeri në pozitat e mia. Unë mendoja se do t’u vinte keq njerëzve të partisë e të pushtetit për talentin tim, por…
-Ju thatë, sapo kishit hyrë në provimet e maturës, por arritët vallë t’i jepnit të gjitha provimet?
-Jo vetëm që i mbarova të gjitha provimet e shtetit, por shkova edhe një muaj në aksionin e rinisë, në ndihmë të kooperativave bujqësore, siç organizoheshin atëherë, nga Komiteti i Rinisë së Rrethit, me nxënësit e shkollave të mesme. Këtë mundësi ma dhanë shokët e shoqet e mia, veçanërisht shoku im i ngushtë i të gjitha viteve shkollore, aktori, “Artisti i Merituar’’, Ahmet Pasha. Fjeta një muaj në shtëpinë e tij.
-A ju kujtohet dita, kur u ndatë nga shokët e shoqet e shkollës për të shkuar përfundimisht në internim?
-Edhe pse mësuesit e mësueset e shkollës më mbanin afër, më ngushëllonin për largimin tim nga qyteti dhe për pamundësinë time, me këtë rast për të vazhduar studimet e larta, gjithsesi unë isha i vrarë shpirtërisht. Veçanërisht i prekur për mua ishte mësuesi i matematikës, njëkohësisht dhe kujdestar klase, Sulejman Mehmeti, i cili jo vetëm që më ndihmoi për provimet e shtetit, por ishte i vetmi që erdhi së bashku me shokët e shoqet e klasës për të më përcjellë deri tek Ura e Sheqit. Me lot në sy u ndamë dhe me shpresë se një ditë do të bashkoheshim përsëri me njeri-tjetrin, po aq të dashur e të sinqertë.
-Ju keni qenë tre vëllezër në burg, me gjithë babanë katër, duke vuajtur gati 70 vite burg. Me Çaushin, vëllain e vogël keni botuar një libër, me titull “ Dy vëllezër në një prangë” , ai me poezi dhe ju me prozë, cila është e veçanta dhe e përbashkëta për ju të dy ?
-Me Çaushin kemi kaluar së bashku ditë e netë të tmerrshme në qelitë dhe burgjet komuniste. Them kështu se me të më bashkoi fati me dekada nën terrorin e paparë të regjimit. Na morën ushtar së bashku, na arrestuan, na dënuan dhe na ridënuan në burg po së bashku. Prandaj edhe sot në jetën e lirë ne jemi përsëri së bashku. Ndaj poeti Visar Zhiti, i cili i ka bërë parathënien librit tonë, është i mendimit se titulli që i është vënë, mund të jetë më i qëlluari për rastin tonë. Ne jemi arrestuar për agjitacion e propagandë, por edhe për poezitë e Çaushit dhe romanin tim me titull ‘Të dënuarit e pafajshëm” që Sigurimi i Shtetit i gjeti në shtëpi në dorëshkrime. Ne u ridënuam në kryengritjen e famëshme të burgosurve politikë të Spaçit që u zhvillua në vitin 1973, si ndër pjesëmarrësit më aktiv të asaj kryengritje historike.
-Çfarë trajtonit në shkrimet tuaj të konfiskuara nga Sigurimi i Shtetit?
-Në poezitë e tij Çaushi i këndonte rinisë, dashurisë, fshatit myzeqar, nënës tonë të shumëvuajtur, vuajtjeve tona, izolimit të Shqipërisë etj. Ndërsa unë trajtoja në roman jetën e njerëzve që diktatura i ndëshkonte si nacionalistë, apo si bijtë e nipërit e tyre.
-Këto ditë ju keni nxjerrë nga shtypi një libër me titull “Plaku i Kënetës”, çfarë përfaqëson rrëfimi i plakut në librin tuaj ?
-Në parathënien e bërë nga zoti Novruz. R. Shehu thuhet me të drejtë se “Plaku i Kënetës” është një personazh gati i harruar në letërsinë shqiptare. I lënë pasdore apo i “internuar” qëllimisht në një ishull, pa nam e nishan. Si e si që në letërsinë e socrealizmit komunist të mbizotëronte personazhi i porositur nga partia , ai i besnikut të Partisë dhe armikut të të gjithëve që nuk e donin Partinë dhe diktaturën e saj të proletariatit ! “Plaku i kënetës” është një njeri i vërtetë i atyre viteve me cilësitë e fshatarit të trashëguara denbabaden, jashtë klisheve dhe mentalitetit komunist. Sa është i realizuar artistikisht dhe në përmbajtje këtë do ta thotë lexuesi.
-Në parathënien e “Plakut të Kënetës” thuhet se keni gati për botim tregime, novela dhe romane, kur do të shohin ato dritën e botimeve?
-Me siguri, sapo të gjendet sponsorizimi.
-Çfarë përjetuat kur nxorrët nga botimi këtë libër?
–Të them të vërtetën ky është libri i dytë që botoj, sepse artikuj nëpër gazeta kam me qindra, gjithësesi është lumturi për mua kur mendoj se njerëzit do të kenë nëpër duar një“ krijesë” nga mendja dhe shpirti im.
-A mundet, të na tregoni se si ka ardhur krijimtaria artistike tek ju?
-Nuk besoj që dikush me dy pare mend në kokë të përpiqet të thotë se si i lindi atij dëshira për të pikturuar, për të shkruar poezi , romane, apo për të kompozuar këngë. Krijimtaria për mua erdhi si një nevojë e domosdoshme, në fillim për të thënë ato gjera që mendoja se ishte lumturi t’ia tregoja edhe të tjerëve. Me kalimin e kohës dëshira për të shkruar u bë një domosdoshmëri për t’u treguar të tjerëve padrejtësitë tokësore.
-Ju kujtoheni nga bashkohësit tuaj, si sportist i klasit të parë, muzikant virtuoz, por edhe si shkrimtar? Cilën mund të veçoni nga këto tre pasione?
-Të tre këto pasione i kam dashur dhe i dua tërë jetën. Sepse duke jetuar brenda meje ato kanë zënë rrënjë. Me këtë rast dua të them diçka që më rëndon në ndërgjegje. Nuk mund të rri pa e thënë një ditë. Fakti që unë në qytetin e Fierit kam qenë një sportist i shquar, i kategorisë së parë. Madje isha kandidat për Mjeshtër Sporti në gjimnastikë, këtë e dinë të gjithë. Përveç kësaj, mund të jem i vetmi sportist i klubit “Apolonia’ që u ndëshkova aq rëndë nga diktatura. Nuk më kanë thirrur as në një rast në përkujtimet festive të klubit “Apolonia’”, qoftë edhe si një sportist që kontribuova me sukses për disa vjet për ngjyrat e “Apolonisë”.
– A ka sekret mosha juaj, pasi tregoni më i ri nga ç’jeni?
-Po. Lëvizja, energjia,optimizmi.
-Cili është momenti më i gëzuar i jetës tuaj?
-22 Marsi. Fitorja e popullit shqiptar kundër komunizmit.
-Po më i hidhuri? (Në çast vështron tutje diku në horizont.)
-Ka shumë çaste, por unë mund të konsideroj atë kur mësova lajmin se përveç ne të dyve, mua dhe Çaushin që kishim vite e vite të prangosur, tani në pranga kishin vënë edhe vëllain e tretë, Esatin.Në shtëpinë tonë, me këtë rast, dy prindërve të moshuar, të lodhur e raskapitur nga lufta e stërzgjatur klasore, u kishte ardhur mandati i vdekjes.
-Ç’ishte nëna për ju, e cila tregohej me gisht në diktaturë, si “ gruaja e burrit dhe nëna e djemve “armiq të popullit dhe të partisë?”
-Nëna ime, përveç se ishte nëna ime e shtrenjtë, por ajo ishte dhe mbeti një simbol i rezistencës antikomuniste të nënave shqiptare.
-Cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar më shumë në formimin tuaj artistik në letërsi?
-Çdo vepër artistike më jep lumturi dhe më lartëson shpirtërisht, por për mjeshtërinë e të shkruarit, veçanërisht më ka tërhequr Dostojevski dhe Kuteli ynë.
-Si ndjeheni tani, pas 24 vite nga dita e lirimit si i burgosur, a janë arritur ato ideale që ju keni pasur e keni në mendjen dhe shpirtin tuaj ?
-Për këtë temë do të kisha dashur të isha i angazhuar tërësisht në një intervistë tjetër sepse është temë e gjerë dhe serioze.
-Ju faleminderit, zoti Bedri .
-Kënaqësia ishte e imja .
Intervistoi: Fadil Shehu
shena vladimir says
I nderuar Bedri!
Me kujtohesh nje djale i ri plot energji,shkathtesi etj.
Po pa kacurea,them keshtu se Traktori i berberit na i bente floket zero cdo fund muaji.
Kjo eshte dhe aresyeja qe ne smun ta dallonim njeri tjetrin se cfare flokesh kishim te drejta apo te dredhuar.
Sa per iteligjence dhe perberjen Tuaj sbehej fjale,kjo tregon tani se ju i keni kaluar kufite e kesaj pamje.
Sa per vujtjet tuaja tre vellezer dhe tonat ketu ngec smud
te shkruaj.
Ne qofte se me lejonte drejtesia njerezore,do tu quaja familia e heronjve.Dhe deshmore te Demokracise se vetete.
Ju uroj nje jete te lumtuar!
Me nderime e respekt !