*KA ARDHUR KOHA QË SHQIPËRIA DHE KOSOVA T’ IA KTHEJNË MUNDIN DHE SAKRIFICËN KOMUNITETIT TONË
* Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, nderoi javën e fundit të muajit shtator në një darkë me Vatrën dhe lokalin e njohur Russian Tea Room në Nju Jork, me medalje dhe urdhra Federatën PanShqiptare VATRA, një organizatë KKSHA dhe 8 personalitete të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë/
Intervistoi Beqir SINA/
Në këto ceremoni të organizuar nga Misioni i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, zoti Nishani falenderoi dhe vlerësoi lart kontributin e shqiptarëve të Amerikës, në dobi të çështjes kombëtare si dhe nderoi me këtë rast figurat e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe sidomos disa personalitete të dalluara në diasporë, për kontributin e tyre në çështjen kombëtare.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me këtë rast u shprehu mirënjohjen shqiptaro-amerikanëve për ndihmesën e tyre në krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës, për lirinë dhe demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Maqedoni dhe në afrimin më të madh mes shqiptarëve dhe popullit amerikan.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në New York, presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, dekoroi me urdhërin ” Nderi i Kombit” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin e çështjes shqiptare në Washington, veprimtarin e njohur në komunitet zotin Harry Bajraktari. Titull me të cilin u dekoruan edhe Anthony Athanas (post mortum), Nikolla Pano, Richard Lukaj, Jim Xhema, Agim Karaxhozi dhe Dr. Gjon Buçaj. Kurse, Federatën Panshqiptare “Vatra” Presidenti Nishani i nderoi me me titullin ” Urdhëri i Flamurit”, ndërsa Këshillin Shqiptaro-Amerikan me urdhërin “Gjergj Kastrioti”.
Zoti Bajraktari :A keni pritur një nderim kaq të lartë?
H.Bajraktari: Për 100 vjet Komunitetit Shqiptaro-Amerikan ka qenë dinamik, i gjallë dhe angazhues në jetën amerikane dhe në çështjen kombëtare. I gjallë dhe dinamik ky komunitet është edhe sot. Falë këtij angazhimi mund të them se Komuniteti ynë në SHBA është më i organizuar, më i shkolluar brenda jetës amerikane sesa komunitet e tjetra që jetojnë e veprojnë në këtë hapësirë. Ndihma e këtij komunitetiti nuk ka munguar në asnjë periudhë dhe në asnjë rast të vetëm për mbrojtjen e shqiptarëve në Ballkan. Historia është më e vjetër se një shekull, po aq edhe ndihma e afruar nga ne. Në këtë kontekst po përmendi Konicën, Nolin dhe mikun tim personal Anthony Athanas, i cili, njëherësh, ka qenë edhe mentor i imi si për biznes, ashtu edhe për aktivitetin tim politik. Ne, më të rinjët, kemi trashëguar nga ata më të vjetrit dhe ky zinxhir i aktivitetit tonë kombëtar nuk është shkëputur kurrë.
Të gjithë ne, edhe shokët e mi, për çështjen kombëtare ishim bashkë. Unë jam njëri nga themeluesit e Këshillit Shqiptaro- Amerikan( NAAC). Kam pasur disa pozita në këtë këshill dhe veproj palodhshëm edhe sot brenda tij. Këtu nuk pretendoj të flas për punën dhe aktivitetin tim për 25 vjet të shkuara. Për këtë flasin faktet dhe do të flasë më vonë historia.
E imja është të punoj dhe të kontribuoj për çështjen e atdheut. Kjo është e rëndësishme për mua dhe familjen time. Tërë angazhimin im ka qenë i drejtuar për të bërë diferencën tek populli im në Ballkan.
Çfarë do të thotë për ju personalisht dhe familjen tuaj ” Nderi i Kombit”?
H. Bajraktari: Natyrisht, kam qenë shumë i emocionuar për këtë mirënjohje. Është një respekt për punën time që kam bërë bashkë me shokët e mi për Shqipërinë, Kosovën dhe viset tjera shqiptare në Ballkan. Këtë e konsideroj si motiv për të punuar në kontinuitet për çështjen kombëtare. Ky çmim që m’ u nda mua nga Presidenti i Shqipërisë z. Nishani është një nder i madh për mua dhe punën time, për familjen time dhe për të gjitha ata që kemi punuar së bashku për këtë çështje madhore.
Ju keni marrë shumë vlerësime, dekorata, mirënjohje dhe falënderime nga SHBA Kosova dhe Shqipëria. Cila nga to u ka gëzuar më shumë, përkatësisht cilën e konsideroni më të veçantë?
H. Bajraktari: S’ mund të them se njëra është mbi tjetrën, më e veçantë se tjetra, në fakt se cila e ka vlerën dhe rëndësinë e vet për kohën e veprimit dhe për punën time. Megjithkëtë, do të veçoja tri nga to: atë të Presidentit të SHBA George Bush në vitin 2006, të Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në vitin 2012 dhe këtë që m’ u nda para pak ditësh nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Të gjitha këto kanë qenë një gëzim për mua dhe një shtytje për të punuar edhe më shumë për Amerikën dhe atdheun tim.
Zoti Bajraktari Nëse do t’ u jipej rasti, kujt do t’ ia dedikoshi këtë mirënjohje?
H. Bajraktari: Popullit dhe shtetit amerikan për miqësinë 100 vjeçare, Shtëpisë së Bardhë, Senatit dhe Kongresit Amerikan që mbështetën sinqerisht shqiptarët në të gjitha periudhat historike, kur ne ishim të rrezikuar zeriozisht nga hegjemonia e fqinjve tanë në Ballkan.
A mund të përmendni edhe emra tjerë në komunitetin tonë?
H. Bajraktari: Komuniteti ynë, siç theksova më parë, qe një shekull punon për të mirën e atdheut, për Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera etnike në Ballkan. Mendoj se ka ardhur koha që këta njerëz për punën dhe sakrificën e tyre, më herët dhe më vonë, nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi, të nderohen. Të tillë ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhshmen.
Ju keni shoqëruar shumë liderë e delegacione nga Kosova dhe Shqipëria në Washinkton: në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë. Cili ishte lideri apo delegacioni i parë?
H. Bajraktari: Delegacionin e parë që unë e shoqërova në Shtëpinë e Bardhë , në hyrje të West Wing, ishte ai i Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 1993, ku u prit nga Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Clinton, Samuel Richard Berger. Dr. Rugovën e shoqërove edhe kur u prit nga Sekretari i Shtetit Warren Cristopher në vitin 1996, që ishte pritja në nivelin më e lartë në Shtëpinë e Bardh deri në atë kohë. Një delegacion të Këshillt Kombëtar Shqiptaro- Amerikn, ku isha edhe unë, e priti Presidenti i SHBA Bill Clinton në vitin 1999 para fillimit të fushatës së bombardimeve në Serbi. Unë kam shoqëruar edhe delegacione të tjera shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve, në Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Sot dëgjon edhe shprehjen se ajo ç’ ka ndodhur me shqiptarët në Ballkan është mrrekulli. Sa keni qenë optimist në vitet e 90-ta për këtë që ka ndodhur?
H. Bajraktari: Nga natyra jam optimist, sepse këtë e mbështeti me punë. Mund të them se edhe në vitet e 90-ta kam qenë i tillë, gjithnjë optimist se në Kosovë dhe Shqipëri dhe në të gjitha trevat tjera shqiptare do të ndodhin ndryshime pozitive. Kur i vështron sot pas kaq vjetësh, mund të vish në një përfundim fatlum. Kanë ndodhur më shumë ndryshime pozitive sesa që kemi pritur. Këto ndryshime janë historike, sidomos për Kosovën, që fitoi pavarësinë.
Si i mendoni shqiptarët në të ardhshmen?
H. Bajraktari: Duke u nisur nga e sotmja, duke marrë para sysh rezultatet, mendoj se shqiptarët asnjëherë gjatë së kalurës nuk kanë qenë në pozitë më të volitshme. Kjo ecje drejt Evropiës garanton një të ardhshme shumë më stabile të shqiptarëve. S’ ka dyshim se Shqipëria, e cila ka nisur negociatat me Bashimin Evropian, do të jetë pjesë e saj, ndërkaq Kosova pjesë e NATO-s dhe gjithashtu e integruar në Evropë. Jam thellësisht i bindur se në të ardhshmën nuk do të ketë kufij mes tokave shqiptare. Në rretha tjera ndërkombëtare, ashtu siç po e shohim në ç’ drejtim po lëviz bota sot, Amerika dhe Evropa, do të pajtohen që nga dy shtete, të jetë një shtet shqiptar.
A mendoni se ka ardhur koha që shqiptarët e Amerikës të marrin mandat që kanë nga dy shtetet tona- Shqipëria dhe Kosova?
H. Bajraktari: Kur kam ardhur në Amerikë e kam gjetur një komunitet mjaft dinamik që luftonte kundër politikës së dhunshme të Jugosllavis ndaj shqiptarëve dhe politikës diktatoriale të Enver Hoxhës në Shqipëri. Atëherë ka qenë një situatë, nëse mund ta them, e status quos, gjërat nuk lëviznin ashtu si mendonim për shkak të Luftës së Ftoftë mes dy blloqeve, perëndimit dhe lindjes, por kumuniteti shqiptar në SHBA kurrë nuk është ndalur së vepruari për rrëzimin e regjimit të E. Hoxhës dhe lirinë e pavarësinë e Kosovës. Nëse do të llogaritej matematikisht i tërë kontributi i këtij komuniteti, jam i sigurt se Shqipëria dhe Kosova s’ do ta kenë lehtë të shpërblejnë këtë mund. Ndërkaq, sa i përket mandatit duhet të vlerësojnë ata vetë.
Ju jeni pjesë e diasporës të cilën regjimi i Enver Hoxhës e quante “Mërgata e Qyqeve”. Çfarë mendimi ken ju për figurat e tjera me të cilat keni bashkëpunuar për vite me radhë për rrëzimin e komunizmit, të drejtat politike e kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës?
H. Bajraktari: Nuk ishim qyqe të mërgatës, por zë i fortë i atdheut, zë që i drejtonim diktatorit Hoxha nga vendet demokratike, nga Amerika dhe Evropa Perëndimore se ajo që po bënte ai ishte një mizori mbi shqiptarët që e mendonin një Shqipëri të lirë, demokratike e qytetare. Sintagma “Mërgata e Qyqve” ishte vetëm një prpogandë e tij e brendshme, siç kishte edhe shumë të tjera për Parinë Punës.
Zoti Bajraktari Së fundi a keni një falënderim për Presidentin e Republikës së Shqipërisë zotin Bujar Nishani!
H. Bajraktari: Po! Përzemërsisht, unë e përgëzoj me gjithë zemër kryetarin Nishani për punën e tij të jashtëzakonshme, që po bën për Shqipërinë. Presidenti Nishani ka një vlerësim të lartë edhe këtu në Amerikë.
Ne Foto: Nga e majta: Richard Lukaj, Nikolla Pano, Martin Shkreli, kongresmeni Engel, presidenti Nishani, Harry Bajraktari, Avni Mustafaj. Anthony Athanas-JR, Michael Granoff, CEO of Pomona Capital, dhe ambasadori Ferit Hoxha./