• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGRITJA DHE RËNIA E SHTETIT ISLAMIK

July 8, 2021 by dgreca

Ph.D Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, anëtar i Këshillit të Vatrës, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)”. Në një rrëfim për ‟Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Ph.D Dritan Demiraj deklaron se në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë. 

ZHVILLIMET DRAMATIKE TË PRANVERËS ARABE DHE KRIJIMI I ISIS-IT

Librin “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)” kam filluar ta përgatis që në vitin 2014 dhe ka përfunduar në vitin 2017. Ky libër është një nga studimet më profesionale dhe nga të parat në Europë dhe vlen të theksohet se në mbi 700 faqet e tij flitet për të gjitha detajet e origjinës së Shtetit Islamik në Irak dhe jo vetëm. Në vitet 1960-70 në Lindjen e Mesme ishte krijuar bindja se nuk ka luftë pa Egjiptin dhe paqe pa Sirinë, duke nënkuptuar këtu Izraelin dhe atë korrelacion gjeopolitik që mbajti stabilitetin e militarizuar të Lindjes së Mesme, që nga viti 1973 deri në fillimin e të ashtuquajturës “Pranverë Arabe”. Në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe kryesisht në Siri por dhe planet për zgjerim strategjik në Libi dhe Egjipt, duke na çuar në përfundimin se si rrjedhojë e zhvillimeve dramatike të pranverës arabe e deri tek krijimi i ISIS-it, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë. 

KALIFATI ISLAMIK NË MOSUL

Gjatë kapitujve të këtij libri, jam ndalur për të analizuar me kujdes krijimin e të ashtuquajturit Kalifati Islamik në Mosul në vërin e vitit 2014, përshkrimit të figurës të të ashtuquajturit Kalifi Abu Bakr al-Bagdati, edukimin e tij fetar, femijërisë, kontekstin social dhe familjar në të cilin ai u rrit, mbështetja për studimet dhe familjen e tij pas rënies në luftë të vëllait të madh si ushtarak në përkrahje të regjimit të Sadamit dhe konsiderimit të tij si dëshmor i Irakut. Përshkrimi i jetës së tij të mëvonshme deri në momentin që ai i prezantohet botës si drejtuesi i Kalifatit të Ri është i vëmendshëm deri në detaje të shpjegimit të aftësive dhe të dobësive të këtij subjekti sa enigmatik aq edhe interesant. Më pas kam përshkruar me detaje strukturën e Kalifatit, institucionet e tij piramidale, komandat e tij qëndrore, rajonale dhe shtrirjen e tyre horizontale nga Siria në Irak, si dhe natyrisht ngarkesën dogmatike ideologjike të individëve që përbëjnë Kalifatin, të liderit të tyre kalifit Ibrahim dhe ideologjisë së tyre unike, e cila në fakt është edhe kërcënim për vetë vendet arabe dhe ato Islame.Më pas kam bërë një analizë të gjerë gjeopolitike të kushteve dhe të parakushteve ku zhvillohen këto ngjarje epokale, të aktorëve shtete të orës së parë, atyre që kanë një rol mbështetës dhe të kundërshtarëve reciprokë, si dhe aleatëve të lëvizshëm në bazë të interesave të tyre tipike për luftërat e pista dhe të bazuara në interesa. 

KUR SADAM HYSEIN PËRPLASEJ ME AMERIKËN 

Në këtë libër ka shumë informacion, i cili fillon me përgatitjet e Sadam Hysein-it kundër pushtimit amerikan, fillimin e konfliktit në muajin prill 2003 e deri sot në fund të vitit 2017. Gjatë përgatitjes së këtij libri nuk është përdorur asnjë informacion sekret. Prej më shumë se tetë vitesh këto informacione i kam grumbulluar nga mediat më prestigjioze të botës, nga eksperienca e drejtimit të misioneve luftarake në këto zona, leximi i qindra librave dhe artikujve online, literaturë që më është mundësuar në shumë biblioteka të NATOs, seminaret ndërkombëtare, konferencat shkencore, leksionet dhe takimet jashtë shtetit veçanërisht në SHBA, Qëndrën e Studimeve të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani, Universitetin e Përbashkët të Forcave Speciale në Tampa, Florida në USA, Universitetet amerikane, “sitet” ndërkombëtare, kanalet televizive, lajmet e përditshme, nga shikimi dhe analiza e qindra orëve të filmave të publikuar në you tube, në televizionin Zaëra, Al-Jazzera, Turkish CNN, BBC, CNN, ABS Neës, etj rreth SHI, bashkëbisedimin dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe mësimeve të nxjera me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, me kolegë të forcave speciale që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri, etj të cilëve ju shpreh mirënjohjen më të lartë. 

SHTET GANGSTERËSH, AVENTURIERËSH, TË ÇMENDUR DERI NË EKSTREM

Në këtë libër jepet një përshkrim i hollësishëm të natyrës së dhunës mbi të cilën bazohet Kalifati. Dhuna e cila ka ardhur si rrjedhojë e një sërë faktorësh që kanë çuar në ndryshime të pakthyeshme në jetët e qytetarëve të këtyre rajoneve, të luftrave që kanë prishur shtëpitë e pasuritë e tyre, të humbjes së pronave dhe të jetëve të qindra mijëra njerëzve, të fëmijëve që kanë lindur në luftë, të atyre që u rritën në luftë dhe atyre që humbën detrave apo rrugëve teksa përpiqeshin për t’u bërë refugjatë në Europë, aty ku i konsiderojnë për shkak të propagandës të gjithë terroristë sepse vinë nga territoret ku është krijuar i ashtuquajturi Shteti Islamik duke ngatërruar Islamin, një Besim të shtrirë në të gjithë njerëzimin, me një të ashtuquajtur shtet gangsterash, aventurierësh, të çmendur deri në ekstrem, me një ideologji tërësisht të çartur, e cila shkatërron gjithçka që gjen përpara.   

BURIME TË NATYRËS OPERATIVE DHE INTELIGJENCËS

Ky libër është pjesë e kolanës së çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe terrorizmit në Lindjen e Mesme, të vetmet të botuara deri tani në gjuhën shqipe, e cila është vlerësuar si njëpërpjekje kurajoze dhe serioze me referenca akademike dhe burime të natyrës operative dhe inteligjencës të fituara nga autori drejtpërdrejt në terren, i cili ia vlen ta lexosh dhe studiosh. Ky libër vlen jo vetëm për ata që merren në përditshmërinë e tyre me çështje të natyrës politiko-ushtarake-diplomatike-inteligjencës dhe të sigurisë, por dhe të atyre që kanë dëshirë të informohen nga një këndvështrim ndryshe nga ai mediatiko-propagandistik për këto ngjarje epokale të kohës që ne jetojmë. Ky libër ka vlera analitike dhe krahasimore historike në të ardhmen, kur brezave të ardhshëm do t’i duhet të studiojnë nëpër shkolla apo universitete, pas disa vitesh apo dhe dekadash, kur njerëzit do të jenë më të ftohtë në raport me ndryshimet e kësaj kohe dhe pasojat që këto luftra do të kenë pasur mbi njerëzimin.

NJË STRATEGJI TË QARTË KUNDËR SË KEQES

Të gjitha burimet e informacioneve janë shënuar me “fusnota” në fund të çdo faqeje dhe nuk ka asnjë burim anonim informacioni. Kryengritësit e SHI, al-Qaedës, al-Nusras, etj nuk kanë asnjë mundësi që të mësojnë nga ky libër, me përjashtim të asaj që duhet ta kuptojnë se janë çdo ditë të monitoruar, TTP-të e tyre po analizohen çdo ditë, ata duhet ta kuptojnë se jemi të gatshëm të përballemi seriozisht dhe fuqimisht me ta për t’i shkatërruar dhe se kemi një strategji të qartë se si duhet t’i mposhtim përfundimisht.

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan demiraj, Nderi i Kombit, Shteti Islamik

“NDERI I KOMBIT” PER MUHAMET MALON

May 24, 2017 by dgreca

URDHRI “NDERI I KOMBIT” NJË DEKORATË E MERITUAR PËR NJERIUN E MIRË E TË SHQUAR MUHAMET MALO/
1 Muhamet Malo dekorimi
NGA RAMIZ LUSHAJ/ 1.Këto ditë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Bujar Nishani,  e nderoi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) Njeriun e Mirë, atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo. Kjo dekoratë e lartë në hierarkinë e dekorimeve renditet e treta në Shqipëri, pas Urdhrit “Flamuri Kombëtar” dhe Urdhrit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në Presidencë u mbajt një ceremoni zyrtare solemne, me prani të bashkëshortes e fëmijëve dhe të afërmëve të Muhamet Malos, miqëve të tij, si dhe personalitete të politikës, botës akademike e diplomatike, të kulteve, të skenës e ekranit, të shoqërisë civile, etj.
Në fjalën e rastit dhe në motivacionin e dekoratës, Presidenti i Republikës e çmoi lartësisht emrin, jetën e veprën shumëdimensionale të dr. Muhamet Malos duke i vlerësuar veprimtaritë e tij të shumta e të vazhdueshme sipërmarrëse, kontributore e humanitare në sporte, në turizëm, në kulturë, arte e letërsi, në masmedia, në shëndetësi, në albanologji, tek njerëzit në nevoja jetike e shoqërore, për institucionet e kultit, jetimoret, azilet e pleqëve, për shoqërinë civile, etj.
Z. Enklajd Malo, biznesmen rinor e me të ardhme, duke e marrë këtë dekoratë meritore e të lartë,  shprehu falenderime për institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për këtë nderim e mirënjohje ndaj babait të tij të nderuar Muhamet Malo dhe premto për ecje dinjitare në rrugët e tij të traditës së mirë të biznesit, bamirësisë e atdhetarisë.
 
2.Dr. Muhamet Malo në kohën e tij të deri sivjetme vlerësohej si një ndër elitarët e biznesit panshqiptar, një nga punëdhënësit më të mëdhenj, me të ardhura të qëndrueshme e në rritje, por me një veçanësi të tij, pasi një pjesë të konsiderueshme të pasurisë të vet në këto dekadat e Tranzicionit të tejzgjatur shqiptar e ndante me humanizëm të pastër me të tjerët, e jepte atdhetarisht e shpirtërisht për sektorë e njerëz në nevojë, etj. Ishte filantrop shqiptar nga ma të shquarit ndër kohëra, përndryshe ma i veçanti për nga dimensionet e vlerave, hapësirat efektive, laryshia e fushave e sektorëve investues, shumat e fondeve, vazhdimësia e kontributeve të tij humanitare, etj. 
Ndaj, për shembëllim real, konkret, veçojmë një prej fushave të investimeve të tij edhe humanitare, sportin, ku Muhamet Malo ishte “Mjeshtër i Sportit”dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; kampion i Shqipërisë (1982-1990) në mundjen klasike (për peshën 82-90 kg); president i Federatës Shqiptare të Mundjes (1992-‘96 e 2013-’14), president i Shoqatës Kombëtare të Mundjes (prej v. 2005), President Nderi i FSHM (2008-2013); një nga sponsorët ma të fuqishëm të veprimtarive lokale, kombëtare e ndërkombëtare të mundjes e të disa mundësve kampion; president i shoqatës private të boksit “Klajdi-Klub” Sh.p.k.., etj.
Në vijim të shembëllimit, për të vlerësuar ma shumë e ma mirë kontributin financiar të madh të njeriut të madh Muhamet Malo po marrim vetëm një vit, disi ma të largët, vitin 2002, kur sponsorizoi peshëngritësit e rinj në Kampionatin Europian në Francë; ekipin shqiptar të peshëngritjes në Kampionatin Botëror në Poloni (nëntor), Kampionatin Kombëtar të Bilardos (korrik), Federatën Kombëtare të Notit (nëntor), për zhvillimin e futbollit të femrave (nëntor); klubin sportiv “Studenti” në volejboll, për Spektaklin “Sportisti më i mirë”(janar), për Kupën “Nana Mbretëreshë Geraldina” në basketboll për femra (nëntor), për Spektaklin “Yjet e Sportit” (janar), etj.
Njejtësisht mund të flasim edhe për sipërmarrjet, kontributet e humanizmin e tij në kulturë, për arsimin (prej kohësh ishte dhe antar i Fondacionit Amerikan për Edukimin e të rinjëve – FEER), për botimet e librave në të gjitha fushat, për sponsorizimin e telenovelës së parë shqiptare “Njerëz dhe Fate”; për emisionin“Ethet e së premtes mbrëma” në të gjitha edicionet e tij, që solli prurje kulturore, talente të shquara të skenës e ekranit, që kushtoi qindra mijë dollarë; etj. etj.
           
3.
Muhamet Malo mbetet njeriu i bizneseve unikale në Shqipëri.
I pari e hapi një kompani të basteve “Top-Star”, e njohur ndryshe edhe “Euro-Lloto”, që kryen aktivitet edhe jashtë vendit.
I pari ngriti një televizion privat për sportin,“TeleSport”, me ekip profesionistësh të shquar, me drejtor aktual ish gazetarin e njohur të BBC në Londër,  Ilir Kadia. Tek ky televizion, shqiptarët për herë të parë ndiqnin “live” veprimtari sportive ndërkombëtare të futbollit, tenisit, çiklizmit, volejbollit, etj.  Gjithashtu, ishte ndër të parët botues të gazetave sportive në Shqipëri.
I vetmi që ka investuar miliona dollarë amerikanë për të ndërtuar të parin teleferik në Shqipëri, “teleferikun e Dajtit” me kullën “Dajti Tower Belvedere Hotel” dhe bar-restorantin “Ballkoni i Dajtit”, që kanë ndihmuar fuqishëm turizmin në Parkun Kombëtar të Dajtit, etj.
I pari që investoi si aksioner në të paren bankë private me kapital tërësisht shqiptar.  Ishte ndër aksionerët  e “Hotel Tirana International”, përndryshe i thirrun “15 katëshi”, një nga hotelet ma të mëdha në historinë e ndërtimtarisë e turizmit shqiptar, që sot ka pronar të vetëm biznesmenin Ram Geci, një nga miqtë biznesmenë të Muhamet Malos.
 
            4.
            Urdhri “Nderi i Kombit” nuk është i pari dhe as i vetmi për dr, Muhamet Malon, pasi ai mban gjithato dekorata, tituj, çmime, çertifikata.
Presidenti Amerikan Barack Obama e ka nderuar me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” (vjet, 2016) me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të fortë nëpërmjet shërbimit vullnetar…”.
Dr. Muhamet Malo është vlerësuar edhe me Medalje Presidenciale “Për Merita të Vecanta Civile”, si dhe nga organizata e organizma ndërkombëtare është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes”; “Lidershipi më i mirë në biznez”, etj.
Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike) e nderoi në 60 vjetorin e lindjes me Çmimin e madh “Konica” (pas vdekjes), një çmim me të cilin janë vlerësuar edhe Presidenti Amerikan Bill Klinton, Kryeministri Britanik Tony Blair, Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova e të tjera personalitete të larta. Dr. Muhamet Malo edhe tani është e mbetet në vazhdimësi President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS).
Dr. Muhamet Malo  është vlerësuar me Çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare, etj. Ai, në jetën e pasjetën e tij, ka marrë gjithato medalje e çertifikata, ku po i cekim disa prej tyre, si: “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”; Mirënjohje nga Federata Evropiane e Peshëngritjes; Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër; Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë, Mirënjohje nga Shoqata e Jetimëve, Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, etj.
 Dr. Muhamet Malos i shkojnë për shtat të gjitha vlerësimet lartnore ndaj figurës e veprimtarive të tij si “Njeri i Mirë”, “Burrë i lartë”, “Misionar i shquar”, “Filantropist”, “Biznesmen i madh, atdhetar e humanist i madh”, etj. si dhe ato ma të fundit kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë e cilësoi “një hero modern…” dhe e vlerësoi me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Muhamet Malo, Nderi i Kombit, Ramiz Lushaj

Jusuf Azemi, ,,Nderi i Kombit,,

April 21, 2017 by dgreca

Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar në Çikago Jusuf Azemin me titullin ,,Nderi i Kombit,,/

2 Jusuf Azemi

Nga Skënder Karaçica/ Një nga personalitetet kombëtare ,i cili me gjithë qenien e tij shpirtërore,morale,politike dhe financiare në SHBA ia kushtoi kauzës shqiptare të Ballkan dhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,pa dyshim është edhe Hafëz Jusuf Azemi.Vendosja e atdhedashësve  shqiptarë nëpër vendet e ndryshme të botës dhe në SHBA,nuk ndikoi në ndryshimin e bindjeve politike  dhe kombëtare,ata në rrethanat e reja  dhe sipas konventave të aprovuara në organizatat ndërkombëtare,të bazuara  në të drejtat universale  të lirive  dhe të drejtave të njeriut,vazhduan aktivitetin e tyre kombëtar dhe politik në institucionet ndërkombëtare dhe në Senat dhe Kongres në Uashington,për afirmimin dhe sensibilizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës.

Hafëz Jusuf Azemi për gjashtëdhjetë vjet në mërgim në Çikago të SHBA-së,me mburrje dhe krenari punuan në bazë të Dekalogut të Mid,hat Frashërit për afirmimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare si në organizatat e ndryshme ndërkombëtare në Evropë dhe në administratën e shtetit amerikan të prirë nga Balli Kombëtare,Komiteti
,,Shqipëria e Lirë,, dhe Lidhja Kosovare,të cilat hidhnin
dritë nëpër botë përmes platformës politike të Mid,hat Frashërit të prirë nga shumë personalitete dhe veprimtar
të çështjes shqiptare në mërgim si Vasil Andoni,Abas Ermenji,Luan Gashi,Hafëz Jusuf Azemi,Zef Pali,Adem Gllavica,Ajet Rushiti,Mustafë Henci,Ismail Koshtanjeva
dhe shumë të tjerë në këtë udhë të madhe kombëtare.
Mërgimtari nga Dobroshti i Tetovës,qysh në moshën e rinisë kishte parë padrejtësitë ndaj popullit shqiptar,të cilat pareshtur i kurdisnin regjimi mbretëror në Jugosllavi dhe regjimi vrastar komunist në Beograd,në fushën e arsimit,kulturës,punësimit,burgosjet,torturat,presionet  për shpërngulje me dhunë në Turqi.Të gjithë skenarët për shfarosjen e shqiptarëve i dhanë kahjen e duhur Jusuf Azemit që për gjashtëdhjetë vjetë nuk e ndali udhën e tij se si të çlirohej populli i tij nga politika kolonizuese dhe asimiluese sllave
Për jetën e veprimtarit Jusuf Azemi në Amerikë,dr.Riza Sadiku në Prishtinë botoi monografinë me 784 faqe në të cilën hidhët dritë për veprimtarinë kombëtare,politike të njeriut të pa lodhur për kauzën e Atdheut dhe me synimet burrnisë e të trimërisë që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur nga Serbia dhe në përgjithësi çështja shqiptare të zgjidhet drejtë në frymën e vlerave univesale të demokracisë për bashkimin kombëtar në Shqipërinë Etnike.
Për veprimtarin më të vjetër në Amerikë,TV ,,Ilirët,,në Çikago kohë më parë doli me propozimin që Jusuf Azemi të nderohet me Dekoratën për merita të veçante kombëtare që e akordon Presidenti i Shqipërisë në parim me ligjet kushtetuese.Në mbështetje veprimtarisë kombëtare në mërgim të Jusuf Azemit dhe për aktivitetin e tij gjashtëdhjetëvjeqar, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin,,Nderi i Kombit,,Në të vërtetë ky dekorim është nder për tërë diasporën shqiptare në Amerikë,thuhet në reagimet e veprimtarëve shqiptaro-amerikan dhe të shoqatave në Çikago.
 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jusuf Azemi, Nderi i Kombit, Skender Karacica

Dr.Federik Shiroka, NDERI I KOMBIT…

March 5, 2017 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci/Vjenë/

9 Shiroka vitet e fundit te jetes

Dr.Federik Shiroka, NDERI I KOMBIT, …edhe pse pa këtë titull/

2 vitet e shkolles

Në Foto: Në vitet e shkollës/1 Shiroka femije

Në Foto:Kur ishte fëmijë/
3 Shiroka Gjimnazist ne Austri

Në Foto: Shiroka Gjimnazist në Austri/

4 Shiroka student ne Austri

Në Foto:Shiroka, student në Vjenë/

Megjithë traumat e mëdha historike kombëtare ndër vite, e sidomos në periudhën e errët dhe shkatërruese të diktaturës komuniste, familjet e mëdha e patriotike të elitës shqiptare, me shumë sakrificë, u munduan të ruanin e të trashëgonin vlera të kulturës, të traditës apo dokumentacione e dëshmi historike të rëndësishme.

5 Shiroka me nenen dhe motrat

Në Foto: Dr. Shiroka me nënën dhe motrat/

Një nga këto familje elitare është dhe familja shkodrane SHIROKA, nga gjiu i së cilës dolën përsonalitete e patriot të shquar. Një ndër to ishte dhe mjeku me duar të arta, mbreti i kirurgjisë shqiptare, Dr. Federik Shiroka.6 Shiroka ne konsulte

Në Foto: Dr. Shiroka gjatë një konsulte/

Gjatë një vizite që bëra në familjen Shiroka në Shkoder, u takova me Marijen, me mbesen e Dr. Federikut, me të cilën kujtuam kirurgun e famshëm. Unë pata shkruar më parë për Dr. Shiroken duke ju referuar korespondencës dokumentare që ai dhe bashkëshortja e tij kishte pasë me familjen time, por nga biseda me mbesen e tij, mësova shumë gjëra të reja si dhe pashë dokumentacion e foto që nuk e njihja më parë.

8 Me 1 Maj ne Moske

Në Foto: I ftuar në Moskë/

Shumë kuptimplotë dhe mbresëlenëse është dëshmia e vlerësimi i bashkëmoshatarit të Federikut, Z. Kel Zojzit, i cili në një letër dërguar familjes, ka përshkruar shoqërinë me Shiroken, vitet e fëmijërisë, të shkollës fillore e deri sa Federiku u largua për studime në Austri.

Kel Zojzi / bashkëmoshatar

“…Unë Kel Zojzi, Dr. Shiroken e kam njoftë qysh në vjetin 1912, kur ishte 4-5 vjec, në konviktin parashkollore (atherë Servitet). Ai ishte një fëmijë i gezuar, i gjallë, i qeshur, shkonte mirë me të gjithë shokët. …Ishte femijë i edukuem i disiplinuem, kishte dashuri për shkollën, mësonte shumë mirë. Megjithëse rrjedhte nga nji familje me gjendje të mirë ekonomike, ai nuk bante dallim me shokët, aq ma tepër ishte i dashur me ato që ishin ma të vorfën. Luante me to dhe i ndihmonte ndër mësime. Federiku merrte pjesë në aktivitete artistike e sportive (luante mire futboll). Në vjetin 1920, kur u shfaq melodrama “Ora e Shqipnisë”, ku merrshe pjesë edhe unë, publiku mbet shumë i knaqun me pjesën që ai luajti me shumë shkathtësi. Ai bante pjesë edhe në grupin e valleve. Ka marrë pjesë edhe në melodrama të tjera, si psh. “Hijet e Zeza”, në vjetin 1922, luejtë nga Shoqnia Bogdani, ku ka luejtë rolin e shqiptarit të vogël i veshur me kostum kombëtar, rol që i pelqente shumë e ishte krenar e shumë i gzuem, dhe e luejti me shumë art…”

Në mes të dhjetra dokumentave mbi punën dhe jetën e Dr Federik Shirokes, të mbledhura me shumë dashuri e perkushtim nga Lekë Shiroka, vëllau i Marijes, gjinden edhe shenimet e shumë personaliteteve të njohur,  personazhesh popullore, letra falenderimi të pacienteve të shëruar, të kolegëve, të bashkëpunëtorëve shkencore, gazetarësh apo vlerësime të autoriteteve shtetërore. Nga ky arkiv, i krijuar dhe i sistemuar me shumë kujdes, që i shtohej dokumentave dhe fotografive të trashëguara nga familja, po vecoj disa kujtime të Dr. Maksut Drasës i cili duke punuar pranë Dr. Shirokes, mësoj shumë nga metodat e reja shkencore prej tij.

Maksut Drasa / Mjek

“…Shiroka ishte mjeshtri im, sepse më ka mësuar të kem gjithnjë parasysh detyrat e kirurgut. I SEMURI QE ME DASHJE VEN JETEN E TIJ NE DUART TONA, thoshte ai , MERITON TERE RESPEKTIN DHE DASHURINE TONE. Ai donte që bashkëpunëtorët e tij të ishin në lartësinë e duhur. “Padituria është nata e errët e mendjes, pa hënë, pa yje… ­ – ….i thoshte gjithmonë kolegeve të rinj, nuk na lejohet të kurojmë të sëmurët pa studiuar e pa kërkuar vazhdimisht, që të dhënat shkencore bashkëkohore ti vëmë në shërbim të tyre….” Ai kërkonte vazhdimisht mendimin tonë….. Kam nevojë të mësoj edhe unë – thoshte – nuk është kurr e mjaftueshme. Kur të tjerët e lavdëronin për gjeninë e tij në punë, ai na kujtonte një shprehje të Edisonit: SEKRETI I GJENIUT ESHTE PUNA KEMBENGULESE DUKE “PERDORUR” MIRE MENDJEN….

Shiroka na nxiste të donim librat: …Libri, thoshte, është mik i vërtetë e i sinqertë që bëhet këshilltar “intim”. Unë dhe librat e mij, shkojmë në harmoni e së bashku kurojmë të sëmurët…

Njëherë, kur rastësisht lexova raportin mjekësor ku thuhej se vuante nga Miokarditi, e shikova i shqetësuar dhe me keqardhje. Ai duke më buzëqeshur më tha:…Nuk është gjë, unë prap do të punoj… Dhe punoj ashtu me miokardit pa e ulur ritmin e punës, deri sa vdiq papritmas. Ai na mësonte që të mos vetëkënaqemi me suksese të vogla dhe kur në përvetësonim ndonjë teknike të re, gëzohej si ta kishte arritur vetë.  Dr. Shiroka vinte cdo ditë, dimër e verë, në orën gjashtë të mëngjezit, në spital. Me përpikmëri të cuditëshme, me fanatizëm ndiqte programin ditor e javor. Këtu përfshiheshin: puna në sallën e operacionit, vizitat tek të sëmurët, konsultat për të sëmurët rëndë, diskutimet për rastet e operacioneve të vecanta, konsultat ambulatore. Personaliteti i tij rritej cdo ditë në sytë tonë. Dr. Shiroka ishte një gjinekolog e obsteter i mirë, ftiziater i mirë. Ai njihte mirë patologjinë, neurologjinë, patfiziologjinë, historinë e mjeksisë e mbi të gjitha ishte kirurg i mrekullueshëm, i kalibrit të madh.

Ai u bë për mua një mik i vertetë, atëherë kur u transferova në Berat. Këshillat e mira prej një miku të sinqertë, qenë freskuese të mendjes e inkurajuese për të punuar dhe jetuar… Tiranë, dhjetor 1985”

Pasi arrita të lexoj të gjithë materialin e gjetur për DR. Federikun, vërejta se në disa letra të miqve dhe të njohurve të tij, flitej për një përndjekje të ashpër ideologjike që Federiku vuante në jetën e përditëshme, si në punë nga disa kolegë, por edhe jetën e tij shoqërore dhe private, nga rrethanat që atij ja krijonin të tjerët. Lakmia e ndoshta xhelozia e disa kolegëve, të cilëve tesera partisë komuniste i krijonte siguri në vendin e punës edhe pse të paaftë, apo i jepte të drejtën e kritikës parimore marksiste për “të pa pjekurit politikisht”, ishin stressi i vërtetë i ditës. Ndjeva keqardhje të thellë dhe u cudita shumë, kur pata në dorë deshminë e shoferit të tij Ranko Thanasi, i cili edhe pse vetë komunist e guerilas, ishte befasuar kur kishte degjuar nga goja e Federikut që ….Erdhi e më takoj një shok në emër të qarkorit të partisë dhe me kërcënoj, prandaj mbaj një armë… Me poshtë Ranko tregon që … u desht ndërhyrja te Veliu (pseudonimi i sllavokomunistit Vasil Shanto), që Federiku të jetonte dhe të punonte “i qetë”.

Dëshiroj të sjell këtu edhe një fragment që tregon për përndjekjen e Federikut nga kujtimet e Zonjës Roza Buda e cila shkruan:

Dr. Roza Buda / mjeke

“…Dr. Federik Shiroka ishte një nga shokët e mi më të ngushtë. Ai ishte tepër i dashur dhe i thjeshtë, shumë inteligjent dhe me një vullnet të madh. Që kurse bënte specializimin në klinikën universitare të kirurgjisë në Vjenë, drejtuar nga Prof. Denk, ai ishte dalluar për talentin dhe aftësitë e tija.

Pas disa vjetësh, unë si studente bëja praktikën po në atë klinikë. Sapo morën vesht që isha shqiptare, docentët, asistentët, kryeinfermierët, më flisnin me shumë respekt për Dr. Shiroken dhe më thonin, që me siguri do të bëhej një kirurg i famshëm.

Nga mesi i vitit 1946-të, kur unë u ktheva nga Vjena, Frici (Federiku) punonte si kirurg në Spitalin Civil të Tiranës. Me gjithë konditat jashtzakonisht të vështira të asaj kohe, ai bënte një punë shumë të madhe, jo vetëm në sallën e operacionit, por edhe në ndjekjen e vazhdueshme të të operuarve, deri në shërimin e plotë të tyre. Fatkeqësisht për vite të tëra, ai u luftua nga kolegë të ndryshëm, deri sa arritën ta akuzojnë dhe si antisovjetik, për të cilën u bë dhe një mbledhje e vecantë për të. Nuk mund të harroj kurrë atë ditë, kur erdhi dhe më tregoj të gjitha. Ishte jashtëzakonisht i merzitur. Sapo unë doja ti flisja, ai më tha:…mos ki frikë ti Rozë, se unë nuk do të thyhem prej kësaj …”

Pak muaj para se të vdiste, për shkak të lodhjes, përndjekjes e stressit, që i rënduan zemrën e tij të sëmurë, ai u dërgua me një delegacion të Shoqërisë të Miqësisë, në Bashkimin Sovjetik, për të asistuar në manifestimin e 1 Majit, ditës ndërkombëtare të punëtorëve. Në një njoftim në faqen e parë të Zërit të Popullit, të datës 28 Prill 1955, shkruhet nder të tjera: “…Delegacioni kryesohet nga shoku Gaqo Nesho, sekretar i parë i komitetit të partisë për qarkun e Vlorës dhe kryetar i degës së Shoqërisë së miqësisë për këtë qark dhe përbëhet nga Zija Këllici, Dr. Federik Shiroka, Andrea Varfi, Prenk Jakova e Ollga Qano.”

Këtë vizitë, përvec qëllimit të udhëtimit, Shiroka e shfrytëzoj që të vizitonte klinikën dhe spitalin ku operonte Prof. Kuprianov, një nga kirurgët më në zë rus. Me tu kthyer në atdhe, ai i paraqiti emocionet dhe entuziazmin e tij në një artikull të botuar në numrin 7 të Revistës Kulturore Shoqërore  MIQESIA, të korrikut 1955-së, në faqet 8 dhe 9-të. Aty ai shpreh kënaqësinë që u njoh me metodat e reja të ndërhyrjeve operative në zemër e mushkri dhe përshkruan vizitën e tij në klinikën e Profesorit Kuprianov me këto fjalë: “…përshkrimi i im është shumë, shumë ma i varfër nga realiteti…, po përpiqem të tregoj mbi një ndërhyrje operative në zemër dhe mushkri, e cila bëhet me një lloj narkoze të pashembëllt në praktikën mjeksore. Kjo narkozë quhet “letargji artificiale” ose po të përdorim një shprehje më shkencore “hipotermi artificiale me bllokadë vegjitative”… Me anën e kësaj narkoze, Prof. Kuprianov operoi me sukses një fëmijë 5 vjecar, që vuante nga anomali kongjenitale të vazove, nga e ashtuquajtura “maladie blue”… Gjatë kësaj vizite, unë krijova bindjen se atje tashma pothuajse nuk ka sëmundje që nuk shërohet. Me të tilla përshtypje del njeriu jo vetëm nga klinika e Prof. Kuprianov ose ndonjë institucion qëndror të shëndetësisë, por edhe nga vizita në cdo spital e ambulancë…”

Jo vetëm Dr. Shiroka, ishte mahnitur me mjekët rusë, por edhe kirurgët rusë, shprehnin fjalët më të mira e të vlefshme për Shiroken dhe dijet e tija në kirurgji. Në shumë biseda, artikuj, ato lavdëronin metodat dhe aftësinë e  tij. Në shenjë nderimi për figurën e tij ato kishin vendosur bustin e Dr Shirokes në pavionet e muzeumit në Moskë. Ja dëshmia e kompozitorit të njohur Tonin Harapi për këtë:

Tonin Harapi / kompozitor

Të shumtë, janë rastet kur njeriu emocionohet papritmas para një fakti, para një personi, mbas ndojë fjale etj…. Si sot më kujtohet, në një  vend të huaj në vitin 1959, së bashku me kompozitorin e dashur dhe të paharruar Prenk Jakova, po vizitonim një ekspozitë të arteve figurative të disa vendeve e cila fillonte me Shqipërinë, mbasi soditëm në mesin e një salle një maket allcie të monumentit të Skenderbeut, na shkuan sytë të një bust i bardhë në anën tjetër të sallës, ishte ai i Dr. Federik Shirokes që buzëqeshte plot përzemërsi. Ne u emocionuam shumë dhe nuk u shkëputëm dot nga ai. Ecnim dhe sillnim kokën nga ai vazhdimisht…

Ai, Dr. Shiroka përmblidhte dy cilësi, aq të domosdoshme për një njeri të vërtetë: aftësinë profesionale në shërbim të njerzve dhe buzëqeshjen që i buronte nga një humanizëm i madh. Të tillë e kujtoj Dr. Shiroken…

Dëshëroj të falenderoj nga zemra, pjestaren e familjes të Dr. Shirokes, Elsa Shiroken, e cila më ka vënë në dispozicion këtë dokumentacion që ajo ruan me fanatizëm.

VIJON në numrat e ardhshëm

Vjenë, me 2 mars 2017

Filed Under: Histori Tagged With: Dr.Federik Shiroka, Nderi i Kombit, Pjeter Logoreci

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’ SOT, “I PUSHKATUAR” NGA KOMUNISTËT SHQIPTAR, DJE

July 20, 2015 by dgreca

Bahri Omari para pushkatimit: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët, vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”./
Nga Luan Çipi/
Mendimi i dyzuar për Bahri Omarin më ka shoqëruar edhe mua qysh nga fëmijëria: Isha 11 vjeç kur kam dëgjuar për herë të parë emrin e Bahri Omarit, sepse me dhimbje të thellë, thuajse është qarë për të me ngashërim nga prindrit e mi gjirokastritë, të cilët e njihnin personalisht dhe e kishin ndjerë shpesh dorën e tij të ngrohtë. Keqardhja dhe indinjimi për këtë dënim ekstrem, që shprehte deri mosmirënjohje e pabesi (siç u quajt asokohe nga shumëkush), tejkalonte lidhjet e afërta fisnore të babës tim me Fahrijen (gruan e Bahriut) dhe bashkëpunimin e njohjen direkte të bababit tim me viktimën, bashkëmoshatar dhe ish emigrant të njëkohshëm në Amerikë.
Ishte muaji prill i vitit 1945, kur Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Kjo, thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) si më “të mirin” veprim për vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre, nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, se mendonin mbase njëanshmërisht, që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët do rrezikonte coptimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar. (Kur për komunistët, aso kohe, as që përfillej “Kombi”, se kishte përparësi “Internacionalizmi Proletar”)
Bahri Omari u lind në vitin 1888 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.
U shkollua në vendlindje dhe më tej në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” në Stamboll për Shkencat Politike-Administrative.
Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion gjat viteve 1913-14 pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut gjatë Luftës së Parë Botërore.
Më 1915 Bahri Omari shkoi në ShBA, ku shpejt doli në krye te emigracionit shqiptar përparimtar dhe u bë Editor i gazetës Dielli të Federates Pan-Shqiptare “Vatra”.
Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës duke i qëndruar përballë partisë së Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij dinjitoze, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmërën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjve të saj lakmonjës.”
Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari lëvizi nëpër Europë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. Në Bari u vendos për një kohë të gjatë dhe qëndroi deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë, i ndjekur dhe i survejuar nga italianët.
Me mjaft interes dhe kuriozitet shikohen marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar bursë dhe studimi i kunatit në Toulouse të Francës.
Në 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht gjatë kesaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve të tija në perëndim.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës për periudhën shkurt – qershor 1944. Në këtë pozicion, pa i vërtetuar ndonjë krim e ndëshkim, ai u arrestua dhe u burgos fill mbas Çlirimit dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special, në prill të vitit 1945.
Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë.
Duhet të theksohen virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve:
“Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët, vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.
Dhe në këto momente madhështie kulmore, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:
Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjes, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjes” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.” dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të deputetit që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.
Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike koseguente. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.
Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillimviteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në dilemnë shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt “aleatët”, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.
Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi dhe dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!
Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim si i implikuar me kundërshtarin politik po, por jo kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si Vatran, si politikan i ndershëm e demokrat, të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e i zgjedhur.
Kaluan mbi 70 vjetë nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij trimërore: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burr i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga Presidenti i Republikës, (që është edhe jurist në arsimim dhe aktualisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) dhe u shpall “Nderi i Kombit”, çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, na gëzoi të gjithëve!Ishte Federata “Vatar” e Amerikes ajo qe i propozoi Presidentit dekorimin e Bahri Omarit.

Vlorë, më 20.07.2015

Filed Under: Histori Tagged With: Bahri Omari, i pushkatuar, Nderi i Kombit, nga komunsitet

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
  • Vatra Chicago, shans historik në përpjekjet për çështjen kombëtare
  • U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO
  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT