Dr. sc. Muharrem Qafleshi
Valent Qafleshi-historian/
Nëpërmjet këtij punimi synojmë t’i japim disa dromca kulturore të trashëgimisë në krahinën e Opojës. Kultura, doket dhe zakonet tradicionale të cilat kanë qenë të pranishme në jetën e opojanëve që nga lashtësi deri në ditët tona, duke u transmetuar brez pas brezit në një vazhdimësi e që ka kontribuar në identifikimin e kulturës origjinale opojane.
Duke filluar nga vallet e burrave, femrave dhe garës së pehlivanëve dhe vrapimit të kuajve, të përcjella nga instrumentet karakteristike, lodra dhe cyrla. Këngët e zhanreve të ndryshme, kanë inspiruar grupet dhe shoqëritë kulturore e artistike për të marrë pjesë në festivalet kombëtare e ndërkombëtare si me valle e këngë lirike, të dasmave, kurbetit, punës, dashurisë etj.
Disa studiues, vendas e të huaj, me shkrimet e tyre kanë kontribuar që krahina e Opojës të ndriçohet në fushën e kulturës së trashëgimisë e në veçanti folklorit dhe instrumenteve folklorike si, koreografi Xhemali Berisha, kompozitori Lorenc Antoni, Agron Xhagolli, Valent Qafleshi, Bedri Halimi, Muharrem Qafleshi, studiuesja daneze, Brithe Traerup dhe antropologia amerikane, Jane Susan Reineck.
Krahas folklorit, instrumenteve karakteristike, këngëve lirike, të punës, të kurbetit etj., në jetën e opojanëve zënë vend të rëndësishëm edhe veshja e burrave dhe femrave të kësaj krahine.
Krahina e Opojës dhe veçoritë karakteristike në folklorin shqiptar
Opoja është njëra nga tërësitë territoriale të Kosovës në krahinën e Dukagjinit, depërton thellë në brigjet e Koretnikut dhe Sharrit dhe shtrihet përreth tërë ujëmbledhësit të Lumit të Opojës. Opoja është ndërmjet Gorës, Prizrenit dhe Malësisë së Tetovës. Nëntëmbëdhjetë fshatrat e Opojës, në të kaluarën, i kishte mundur fukarallëku, ngase nuk mundeshin që ta siguronin ekzistencën nga bujqësia dhe blegtoria, por, me gjithë hallet dhe problemet, fshatari i asaj kohe kishte shpirt e zemër të madhe. Ata ruanin traditat e bukura shekullore si doket dhe zakonet nga lashtësia deri në ditët tona, pastërtia, mikpritja, dinjiteti, idenë për të bërë më të bukurën jetën. Për ta bërë këtë ata ia mësyn kurbetit dhe, sot, kjo, krahinë njihen si treva kurbetçare, por ata i shkolluan dhe arsimuan fëmijët e tyre dhe sot Opoja është njëra ndër krahinat më të arsimuara të Kosovës. Pra, sot ata kanë krijuar një begati shpirtërore e ekonomike dhe kudo që futesh në shtëpitë e banorëve opojanë do të gjesh një bukuri të mahnitshme që në hyrjen e shtëpive me arkitektura evropiane, me oborr të bukur, ndjen aromën e trëndafilit e të luleve shumëngjyrëshe të vendosur bukur në shkallë, në sallon e në oborr. Ajri i Opojës është i pastër që t’i mbush mushkëritë me oksigjen të lartësive të bjeshkëve të Sharrit. Po ashtu në këtë krahinë gjen njerëz të qeshur e mikpritës, fjalia e parë që del nga zemra e tyre është: “Urdhëroni, kënaqësi për ne”. Me këta njerëz të mrekullueshëm të bëhet zemra mal, ata të bëjnë që të ndihesh si në shtëpinë tënde e sikur ke një kohë të gjatë që jeton me ta, ata të hapin zemrën, flasin çiltër, pa ndrojtje. Por mos të harrojmë që opojanët kanë jetuar dhe mbijetuar me tradita e tyre kulturore që nga lashtësia, disa nga to edhe sot i zbatojnë me fanatizëm siç janë festat e motmotit si Vërza, Shëngjergji, Shënmitri dhe në veçanti folklori me 11 vallet e burrave që quhej “Kollçoja”, kurse shumë sish edhe janë moderuar ose harruar krejtësisht. Pra, në këtë punim do të trajtohet folklori i trevës së Opojës, që lindi në gjirinë e natyrës dhe banorëve që jetonin në këtë krahinë, ata kryesisht ishin bujq dhe blegtor, andaj folklori i kësaj krahine do të lidhet me punimin e tokës bujqësore apo mbarështimin bagëtisë nga të cilat veprimtari siguroni jetën e familjeve të tyre duke tregtuar prodhime bujqësore e blegtorale si mishin, qumështin, djathin e njohur të Sharrit, gjizë, tëlyen etj., pra lindi e u zhvillua në mes të fshatarëve opojanë. Folklori në Opojë është jashtëzakonisht i pasur, çka dhe shprehet në ekzistencën e këngëve të kurbetit, të festave të motmotit, të nusërisë, të punës, të dashurisë, të rinisë, të humorit ose humoristike, të vallëzimit, të historisë etj, të përcjella me veglat muzikore si: lodra (tupani), Cyrla (Curla), dahirja (defi), çiftelia, sharkia, fyelli dhe fejtë. Veglat muzikore më karakteristike në Opojë janë lodratë (tupanët) dhe cyrlat (Curlat) për shoqërimin e valleve popullore si: vallet e burrave dhe femrave gjatë dasmave, synetive, garës së pehlivanëve, vrapimit të kuajve etj. Manifestime të mëdha kulturore e sportive të mbajtura prore në këtë trevë, pos periudhës që është karakterizuar me represionin më të ashpër serb, në dekadën e paraluftës, kur ato janë ndërprerë, janë edhe garat e njohura të pehlivanëve (mundësve) dhe vrapimi i kuajve. Fatmirësisht edhe këto manifestime në formë spektaklesh, kulturore e sportive, prapë janë ripërtërirë dhe tubojnë për çdo vit vizitorë të shumtë, jo vetëm nga kjo trevë, por edhe nga e tërë Kosova. Edhe këto ngjarje të mëdha që kanë tubuar mijëra qytetarë, janë përcjellë gjithmonë në terren të hapur me kumbimin karakteristik të daulleve dhe cyrleve mjaft melodike, ku paraprakisht defilojnë shumë valltarë dhe këngëtarë, me programe të larmishme të folklorit të kësaj ane. Për këto instrumente muzikore karakteristike opojane por edhe të krahinës tjetër të komunës së Sharrit (ish-Dragashit) Gorës, një studim të detajuar e ka bërë danezja Brithe Traerup, e cila në punimin e saj shkencor, “Muzikantët e dasmave në Gorë të Prizrenit”, flet për instrumentistet e folklorit tradicional të Gorës, për cyrlexhinjtë dhe lodraxhinjtë. Studiuesja daneze qëndroi në fshatin Vranisht të Gorës, gjatë muajit gusht të vitit 1959, pastaj në verën e vitit 1975 dhe 1976, ku hulumtoi dhe studioi folklorin e kësaj trevë, në dasmat, siç thotë ajo, të sllavo-gorno-myslimanëve. “Gjatë qëndrimit tim në fshatin Vranishte në gusht të vitit 1959, për herë të parë e shijoja këtë lloj muzike në formatin e saj të duhur, në dasmën e Sllavo–Goranëve mysliman. Me këtë u njoha me instrumentistë të mirëfilltë. Vëmendjen e kam koncentruar në muzikën më tupana (lodra) e curle.
Tupani (lodra) ka formë të një cilindri të madh me dy lëkura të pozicionuara kundrejt njëra tjetrës, të përforcuara me lidhjet e konopëve në formën të shkronjës “V”. Është e varur zakonisht në shpatullën e majtë të tupangjiut dhe goditët me dy shkopinjtë të madhësive e formave të ndryshme. Shumica e tupangjinjve, cilindrin apo rrethin e këtij instrumenti e blejnë nga tregtarë të specializuar, për ta përfunduar pjesën tjetër të punës për kompletimin e tupanit vetë.
Cyrlja ka dimensionet dhe specifikat e veta, është e gjatë 53 cm., në pjesën e gojës ka pipëzën, e cila është e fiksuar në instrument, pipëza përbëhet nga kallami i dyfishtë dhe me diskun e buzëve, nga ku toni depërton i plotë, ka edhe shtatë (7) vrima gishtërinjesh.
Studiuesja daneze, Traerup, punimit e saj shkencor e ka ndarë në 5 kapituj: Instrumentalistet (lodraraxhintë dhe cyrlexhintë); Repërtuari i valleve që do të kërcehen; Muzikantët ose siç quhej nga vetë ata “Tajfa”, e cila përbëhej nga 6 pjesëtar (3 lodraxhinjë dhe 3 cyrlexhinjë), të cilët ose janë të gjithë mjeshtër por ka raste që në “tajfë” kanë edhe nxënës (çirak): dhe Trajnimi, tupangjintë dhe cyrlegjintë merrnin me vete djemtë e tyre të vegjël nëpër gosti në mënyrë që ata të familjarizohen me muzikën që përformojnë. Zakonisht instrumentalistët e rinj, karrierën e tyre e fillonin me tupan dhe e përfundonin me instrumentin e cyles. Të gjitha këto shpjegojnë, jetëgjatësinë e folklorit, ruajtjen e tij deri në ditët tona, madje dhe gjallërinë e tij në mjaft aspekte kulturore, e cila gjë tërhoqi edhe vëmendjen hulumtuesve të folklorit të krahinës së Opojës si të, Xhemali Berishës, Janet SusanReineckit, Lorenc Antonit, Agron Xhagollit, Ramazan Bogdanit, Bedri Halimit, Nexhat Ajdini, Muharrem Qafleshi, Valent Qafleshi, Ismet Lecaj, etj.
Folklori dhe pasurit folkloristike opojane
Krahina e Opojës gjithmonë ka qenë dhe është e banuar veç me popullsi shqiptare, duke mbetur e kursyer nga ndikimet e kulturave të popujve tjerë, siç ka ndodhur dhe ndodhë edhe tani me shumë popuj tjerë në botë. Në këtë mënyrë çdo gjë e krijuar këtu, në fushën e kulturës paraqet një gurrë tejet të kulluar, autoktone shqiptare me të gjitha vlerat e mirëfillta që i ka ruajtur gjatë shekujve, dhe që i kultivon edhe sot e kësaj dite. Kështu, vallet opojane, në krahasim me zonat tjera të vendit, dallohen me karakteristikat e veta, për nga mënyra e rëndë, e qetë, burrërore, gjatë ekzekutimit të tyre. Struktura e kërcimit është mjaft e larmishme dhe në harmoni të plotë të trupit me lëvizjet e këmbëve dhe të duarve. Prandaj, Opoja konsiderohet si ndër zonat më të pasura të valleve të burrave, si dhe të këngëve lirike të femrave. Nëse do të karakterizonim me dy fjalë folklorin e Opojës, mund të thoshim se, përveç prozës popullore, ai përgjithësisht është lirik. Lirika në Opojë është mjaft e pasur. Llojet e saj janë të ndryshme dhe bëjnë një jetë të gjallë dhe aktive, kuptohet në intensitete që kushtëzohen, në radhë të parë, nga interesat e mjedisit folklorik. Pra, Opoja shquhet për origjinalitetin krahinor, që duket veçanërisht në fushën e ndërtimit morfologjik të kërcimeve. Vallet e burrave të kësaj krahine janë pjesë përbërëse të një sistemi të madh vallesh, që praktikojnë cyrlen e lodrën. Veçorit dalluese të valleve të burrave të kësaj krahine është se luhen radhazi njëra pas tjetrës.
Kërkime në fushën e folklorit në krahinën e opojës bëri edhe kompozitori Lorenc Antoni, i cili për këtë krahinë kishte ardhur në këto përfundime: “Kjo anë është shumë e pasur me folklor muzikor, sa që mund ta quajmë me të drejtë vend kënge. Kushtet e jetës, sidomos mërgimi i popullatës së vendit kanë lindur dhe këngët dhe folklorin tipik të kësaj ane. Me përmbajtjen e tyre, këngët e mërgimit paraqesin vuajtjet e mundimet e vendaseve dhe jetën e zymtë të tyre gjatë së kaluarës. Këngët e mërgimit “Oj lum e lum po na vjen Shën Gjergji” është e njohur në tërë Kosovën edhe përtej saj. Në këtë këngë shprehin gëzimin e vet në stina të ndryshme, si për shembull për Shën-Gjergj, ShënMitër ose ShënKollë, kur kthehen burrat nga mërgimi prej Stambollit ose Selanikut”. Për të vazhduar se: në Opojë po ashtu është i theksuar edhe folklori muzikor i femrave të Opojës është shumë më i zhvilluar e ndoshta edhe më tepër se sa i meshkujve. Këtë do ta këtë shkaktuar sigurisht mërgimi. Duke mbetur pa mbrojtjen e burrit gruaja e ka ndije vetën më pak të sigurt, i janë shtua detyrat dhe shumë dëshira i kanë mbet pa iu plotësua. Jeta e brendshme e zhvilluar i ka bë që, me anë këngësh, të shprehin të gjitha ndjenjat dhe vuajtjet e tyre. Që një këngë e mërgimit:
More do ta shes – o bofçen n’bajrak,
More s’të lo dada nu Beligrad-o
Tarane nenaj-no jovo,
Tarane nenaj-no!
More do ta shes –o bofçen me vija,
More s’të lo dada pa t’pru të shpija.
Tarane nenaj-no jove,
Tarane nenaj-no!
Kënga, si dihet, nuk është kurrgjë tjetër përpos shprehjes së jetës së njeriut, ndjenjave shpirtërore të tij. Lorenc Antoni kompozoi disa këngë të shkëputura nga lirika popullore opojane.
Edhe studiuesja amerikane Reineck Janet Susan, e cila kishte fituar një Bachelor të Arteve në Artet Etnike dhe një Master në Etnologjinë e Vallëzimit nga Universiteti i Kalifornisë (Los Anxhelos), dhe një Ph.D. në fushën e Antropologjisë nga ana e Universitetit të Kalifornisë (Berkeley). Ajo filloi një program në etnologjinë e vallëzimit në UCLA, i cili bëri që ajo të udhëtonte në Evropë dhe veçanërisht në Evropën Lindore. Në vitet 1970, ajo u përfshi më shumë në vallëzimet e Jugosllavisë dhe filloi të vallëzonte gjatë verave në të gjithë Ballkanin, por në veçanti në Kosovë, ku qëndrojë për disa vite në Opojë, duke bërë kërkime në terren e sidomos duke përcjell dasmat në të gjitha fshatrat opojane, ajo banojë për disa vite në fshati opojan Bellobrad. Kjo studiuese ia kushtoi kapitull e V-të migracionit dhe etnografisë opojane në desirtacionin e doktoratës, mbrojtur në Universitetin e Californisë me 1991. Ajo e studioi në hollësi vallëzimin 11-të valleshit opojan.
Për Opojën, antropologia Elife Krasniqi në një studim në të cilin përfshihet zhvillimi i strukturave familjare qytetare në Kosovën e jugut, ajo flet për të rinjtë e arsimuar të cilët zgjedhin vetë se cilën traditë duhet ta ndjekin, madje edhe para presionit të fort për tu përshtatur. Shumë pa barazi të kohërave të vjetra mbesin ende të ngulitura: prona dhe pasuria e familjes u jepet djalit, dhe është ende e turpshme për femrën të ketë marrëdhënie intime ose ndonjë lidhje romantike, e cila nuk çon në martesë. Mbetet të shpresohet se, për kundër sistemit të keq edukativo-arsimor të Kosove, të rinjtë të vendosin ti sfidojnë këto zakone të cilat nuk kanë kuptim me në ditët e sodit. Ndërsa, për fejesën dhe martesë në Opojë, Elifi shkruan, është ende një vendim i paramenduar, kush me ke do të martohet dhe se si ai do të organizon familjen e tij, është një çështje e zgjedhjes personale. Fejesa, si akt paraprijës i martesës, në të kaluarën janë bërë vetëm sipas dëshirës së prindërve e pa pyetur djalin apo vajzën. Kjo bëhej duke e zgjedhur mikun e ardhshëm duke e parë që ai të jetë i sojit. Përzgjedhja bëhej edhe sipas niveleve ekonomike të dy palëve. Sot, fejesa dhe dita e martesës me ceremoninë e dasmës kanë pësuar ndryshim rrënjësor si rrjedhojë e zhvillimit shoqëror, pra, me kalimin e kohës të rinjtë por edhe prindërit gradualisht filluan të emancipohem, të kuptohen se në krijimin e familjes një rol parësor duhet luaj pëlqimi i partnerëve. Ndërsa sot, të rinjtë vendosin vetë për fejesë, natyrisht duke e marrë edhe pëlqimin e prindërve. Edhe nusja tani nuk merrej me kalë ose me kerr (çerdheje) me qe (kije në dialektin opojan) të mbuluara me qilima me ngjyrë të kuqe dhe ornamente tradicionale shqiptare, sikur në vitet e ’70 e ‘80 por me makina luksoze. Tani dasmat opojane bëhen nëpër restorante dasmash ose edhe të përzierë të tradicionales dhe modernes ngase lodrat dhe cyrlat përdorën edhe nëpër restorante, por jo me intensitet të dikurshëm. Në dasmat e viteve ’70 krushqit vendoseshin në Tondë (lamë), të cilët vallëzoni njëmbëdhjetë vallet “Kallçojen” në tingujt e instrumenteve karakteristik lodrave dhe cyrlave. Për të cilën një studim shumë profesional për 11vallëshin opojan e ka bërë, Xhemali Berisha, këngëtar dhe koreografi i njohur në shkallë kombëtare, i cili si udhëheqës profesional të këngëve dhe valleve “Shota”, pikërisht me Dasmën e Opojës, bëri jehonë, jo vetëm në hapësirën e atëhershme të Kosovës, por edhe në arën ndërkombëtare. Pra, ky koreograf opojan, me Ansamblin Kombëtar Shota”, me dasmën opojane, në Festivalin Folklorik Evropian në Dizhon të Francës, ka zënë vendin e dytë me ç’rast dashamirët e shumtë të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës, janë njohur dhe njëherit janë mahnitur me tërë koloritin e valleve dhe këngëve popullore, si dhe me veshjen subtile, sidomos të femrave opojane, të cilat të gjitha finesat e veshjes së tyre të mirënjohur i kanë bërë si punëdore, me duart e vyeshme, derisa meshkujt kanë qenë tradicionalisht me veshje kombëtar, plis të bardhë, tirq me gajtan, këmishë me zyref, xhamadan, koporone dhe opinga. Në dasmën opojane kërcehet 11 vallëshi, që sipas Xhemali Berishës, janë valle tradicionale të burrave të Opojës, të gërshetuara në mënyrë të vazhdueshme njëra me tjetrën me forma të përcaktuara dhe me motive të kristalizuara. Vallja e parë, nga vendasit quhet “Kollçoja” për nga përmbajtja, stili karakteri dhe mënyra e interpretimit, prezanton motivet epike dhe valleve luftarake. Këto valle sipas këtij autori mund të ndahen edhe sipas mënyrës së të kapurit, për shembull, vallja e tretë dhe e dhjetë, janë të tipit rreth të mbyllur, ku valltarët vallëzojnë veç e veç, e këto valle quhen “të lëshueme”. Ndërsa, vallja e katërt, e gjashtë dhe e njëmbëdhjetë quhen “Dorë për dore” ngase valltarët kapën dorë për dorë gjatë vallëzimit. Vallja e pestë është krah për krah, kurse vallja e shtatë fillimisht vallëzohet gisht për gisht (gishtërinjtë e vegjël ose të mesmit) në formacion gjysmërrethit të hapur gjatë vallëzimit, më pas lëshojnë gishtat dhe çdo njëri vallëzon veç e veç. Vallja e nëntë e cila quhet “Kajde e grave” nga vetë ndërtimi plastiko-ritmik përputhet me kërcimin e grave edhe pse burrat janë me trup pak të kërrusur dhe këmbët e thyera në gjunjë. Motivet e valleve janë variante të njëra-tjetrës, që në të njëjtën kohë, lozin edhe rolin e figurave koreografike.
Krahina e Opojës po ashtu është e pasur edhe me këngët e motmotit që sipas studiuesit opojan Bedri Halimi janë 61 sish, pastaj 11 këngë të përgimit (përgëzimit); Ninula 46; Këngë synetie 28; Këngë fejese 195; Këngë martese 187; Këngë nusnie-nusërie 12; Këngë pune 32; Këngë dashnie-dashurie 101; Këngë erotike 18; Këngë rinie 201; Këngë kapuçash dhe humoristike 20; këngë vallëzimi 16; Dromca për fëmijë 65; Këngë kurbeti 48; Këngë epiko-historike 16. Po ashtu ky autor përmes studiuesve opojan, ka arritur që të përmbledh në këtë libër edhe 12 përralla; 8 përrallëza; 3 kallëzime; 96 anekdotat; 58 legjenda; Fjalë të urta 3584: Urime 72; Mallkime 291; Përshëndetje 19; Kashë e lashë 24; Betime 20; Ngushëllime 13; Enigma popullore3; Lutje 10; Kërcënime 15 dhe pyetjegjegjie 2.
Po ashtu në ruajtjen e traditave folklorike të Opojës kanë luajtur edhe Grupet dhe Shoqëritë Kulturo Artistike, kështu me themelimin e Trupës Artistike “Opoja” të këngëve dhe valleve opojane, iu kthye imazhi artistik e muzikor i trevës së kësaj ane, që e kishte dikur, nga disa shoqëri siç ishte ajo e shkollës së mesme “Emin Duraku” që prezantojë vlerat e mirëfillta të etnosit të kësaj treve në Zagreb, Strugë dhe shumë vende të tjera të Kosovës dhe ish Jugosllavisë, duke korrur suksese të mëdha e që sot frymon në saje të sukseseve të viteve të shkuara. Po përmendim vetëm disa prezantime të kësaj Trupe Artistike, në vitin 2005 Trupa Artistike “Opoja” prezantoi Kosovën në Festivalin Folklorik në “Eshme“ të Turqisë dhe mori vendin e dytë, në festivalin e Prizrenit; në festivalin folklorik Kaçaniku 2005; në festivalin ndërkombëtar multi disiplinar në Përmet të Shqipërisë; në festivalet folklorike “Anadrinia Jehon”; “Hasi Jehon”; në festivalin folklorik të Klinës që organizohet për nder të komandant Kapuçit, “Drenasi 2006”, ku mori vendin e dytë dhe në vitin 2008 prapë prezantoi Kosovën në festivalin folklorik “Tarsusi” 2008, në Turqi.
Sh.K.A. “Bresana” nga Bresana u themelua në vitet e ’80 dhe gjatë këtyre tri dekadave të punës u bë bartëse e emancipimit kulturor e të gjithmbarshëm të qytetarëve të kësaj komune. Sukseset e SH.K.A.“Bresana” nga Bresana janë shumë të mëdha edhe me pjesëmarrjen e saj në të gjitha festivalet kombëtare, duke zënë gjithmonë vendet e para. Me dasmën opojane, në kanalin televiziv shqiptar Top–Chanel, mahniti spektatorët e shumtë të këtij kanali televiziv, andaj edhe u reprizua disa herë, me një narracion bravuroz të Nexhati Shaipit. Trashëgimia e riteve dhe zakoneve opojane kanë qenë pikat me të pëlqyera në skenat e festivaleve kombëtare e ndërkombëtare të kësaj shoqërie, e cila është shpërblyer shumë herë me çmime të para.
Veshjet autoktone të krahinës së Opojës një thesar i njëmendët
Kultura për nga vetë natyra e saj, është elementi më i prekshëm i një komunikim dhe i një prezantimi, aq më tepër kur behët fjalë për etnografinë e një trevë, si Opoja, e cila është një njësi gjeografike autoktone shqiptare.
Kostumet dhe veshja kombëtare shqiptare si i meshkujve po ashtu edhe ajo femëror janë padyshim më të bukurat dhe me elegantet në Ballkan. Me kostumet shqiptare janë frymëzuar edhe disa autorë të huaj për të krijuar veprat e tyre artistike, si R. Bonington, E. Delakrua, etj. Po ashtu edhe artistit anglez, Tomas Filips ka realizuar tablonë e Bajronit, me veshje kombëtare shqiptare, i cili vlerësohet si portreti më i bukur i këtij poeti. Lord Bajroni në një letër që i kishte shkruar nënës së vet, kishte konstatuar se “Veshja shqiptare është më madhështorja në botë”. Ky konstatim i Bajronit zë vend edhe në Opojë. Veshja kombëtare shqiptare opojane e, sidomos ajo e femrave, është fantastike. Kostumet e vjetra që janë ruajtur me xhelozi nga femra opojare kanë zgjuar gjithmonë interesim të jashtëzakonshëm tek të gjithë vizitorët nga viset tjera. Veshjet autoktone kombëtare të opojanëve, në veçanti ato të femrave gjithmonë janë veçuar me një kolorit të posaçëm, me zbukurime të panumërta, të punuara nga vetë femrat opojare. Ndonëse këto veshje, me nuancat e tyre janë dalluar nga fshati në fshat, vëzhguar në përgjithësi, veshja e opojanes është dalluar me karakteristikat dhe origjinalitetin e saj nga veshjet e femrave të rajoneve tjera shqiptare.
Veshja e burrave ishte, si më poshtë:
Një kapuç i bardhë (plis), shpesh i mbështjellë me shami, këmishë pëlhure me qafëz të qëndisur e me mangë të gjera, xhamadan leshi me sumbulla dhe shokë (brez) për mesi. Një palë tirqi leshi me dy ose katër fije gajtani të zi. Çorapë leshi të punuar bukur me dorë, si edhe opinga prej lëkurës së lopës. Herët janë përdorur edhe rregëzina, pështjellur rreth pulpës së këmbës. Pjesa e veshjes ka qenë edhe ferexhja prej leshi, e cila e shoqëronte atë gjatë kohës së dimrit kudo që ishte.
Me kalimin e kohës, përdorimi i këtyre rrobave filloi të zëvendësohet me kapele, xhaketë e pantallona si më të lehta e më pak të kushtueshme.
Sipas traditës, veshja e femrave ishte një shami në kokë. Një këmishë me mangë të gjera dhe të qëndisura, një jelek i zbukuruar. Çitjanet për vajzat ishin të bardha kurse për të moshuarat, të kuqe.
Shamia e verdhë me theke, këmisha e punuar me dorë e me kreativitet, në vek (vegël primitive për përpunimin e pëlhurës) e qëndisur me zyref, xhamadani i zi, po ashtu i punuar me dorë nga duart e vyera të femrave opojane.
Bofqja e bardhë me vija-vija dhe me ornamente autoktone, është përparësja që e mbajnë vajzat e pamartuara dhe qitjani i bardhë!
Përmbledhje
Opoja një krahinë e përbërë nga nëntëmbëdhjetë fshatra tërësisht shqiptare, dallohet me një traditë të gjatë e të pasur folklorike e etnografike. Folklori opojan dallohet me karakteristikat e saj autoktone pa ndikime të jashtme, sidomos me instrumentet karakteristike të saj si, lodra dhe cyrla, që i japin shije dhe hijeshi dasmave, garave tradicionale të sportit popullor si pehlivanëve dhe vrapimit të kuajve. Vallet e Opojës që njihet si njëmbëdhjetë vallesh ose Kollçoja, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve kombëtar e ndërkombëtar. Këngët folklorike opojane karakterizohen në përgjithësi nga lirika e botës së brendshme shpirtërore, i ndjenjave e i mendimeve që e kanë tërhequr, shqetësuar, gëzuar e bashkëshoqëruar opojanët kudo, në kurbet, në punë, në gazmendet familjare etj.
Bibliografia:
– Antoni, Lorenc, Këngët popullore të Opojës, Revistë kulturore, Përparimi nr. 2-3, Prishtinë, 1958.
– Berisha, Xhemal, Vallet tradicionale të Opojës gjatë ceremonialit të dasmës, Opoja në aspektin folklorik, Sharr. 2017; Shtëpia botuese, “Shoqata Ymer Prizreni”, Sharr.
– Halimi, Bedri, Opoja aspekte folklorike, Sharr, 2017; Shtëpia botuese Shoqata “Ymer Prizreni”, Sharr.
– Halimi, Bedri, Opoja, aspekti folklorik, Sharr, 2017, f. 974; Shtëpia botuese, Shoqata “Ymer Prizreni”, Sharr.
– Halimi, Bedri, Ruajtja dhe kultivimi i kulturës tradicionale muzikore në trevën e Opojës, revista kulturore “Sharri”, nr. 73-74, Dhjetor 2014-Janar 2015, Sharr.
– Qafleshi, Muahrrem, Qafleshi, Valent, Trashëgimia kulturore e Sharrit, Sharr, 2019; Shtëpia botuese, Shoqata “Ymer Prizreni”, Sharr.
– Qafleshi, Muharrem, Opoja dhe Gora gjatë shekujve XIV-XX-të, Ph. D. Desortacioni i doktoraturës, Prishtinë: Universiteti i Prishtinës, 2018.
– Qafleshi, Muharrem, Opoja dhe Gora ndër shekuj, Prishtinë, 2011; Shtëpia botuese, Instituti Albanologjik Prishtinë.
– Susan, Reineck, Janet, The Past as Refuge: Gender, Migration, and Ideology Among the Kosova Albanians, Ph. D. Disertation. Berkeley: University of California, 1991.
– Traerup, Brithe, Wedding musicians in Prezrenska Gora, Jugoslavia, Kongresi i XVI i RFSJ, mbajtur në Prizren, 1967.
– Xhagolli, Agron, Bogdani, Ramazan, kërkime folklorike në Opojë, Opoja në aspektin folklorik, Sharr, 2017; Shtëpia botuese, Shoqata “Ymer Prizreni” Sharr.