


Sokol Paja/
Fondacioni “Dom Simon Filipaj” në një darkë të organizuar në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York bashkoi rreth 35 mijë dollarë në ndihmë të shqiptarëve në Ulqin. Bujaria dhe fisnikëria e shqiptarëve të Amerikës do të jetë një shpresë dhe mundësi për vëllezërit e motrat tona që gjenden në vështirësi e pamundësi në Ulqin. Pas fjalës falenderuese e bekimit të darkës nga udhëheqësi shpirtëror famullitari e misionari Dom Pjetër Popaj, fjalën kryesore e mbajti patrioti i shquar i mërgatës shqiptare të Amerikës, veprimtari Gjon Gjokaj në emër të aktivistëve të Fondit Humanitar Trieshi në SHBA. Ai renditi ndër të tjera punët e shkëlqyera të Fondacionit “Dom Simon Filipaj” nën udhëheqjen e patriotit Tom Shkreli për përmirësimin e kushteve kulturore dhe shëndetësore të vendlindjes në Ulqin, si në botimin e librave dhe revistave, blerjen e ambulancave në SHBA dhe dërgimin e tyre në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, për nevojat urgjente të banorëve të kësaj komune, si dhe donacionet e shumta që janë bërë për Qendrën Shëndetësore etj. Është për t’u lavdëruar misioni juaj human që çdo vit vazhdoni të ndihmoni studentët shqiptarë në vendlindjen tuaj si dhe përkrahni pa rezerva njerëzit në nevojë, tha ndër të tjera z.Gjokaj. Drejtuesi i Fondacionit “Dom Simon Filipaj” z.Tom Shkreli analizoi dhe shpjegoi para të pranishmëve ecurinë e punës dhe veprimtarisë humanitare dhe theksoi para pjesëmarrësve se në 19 vite histori suksesi e veprimtari humanitare ky fondacion ka dërguar më shumë se gjysmë milioni dollarë ndihmë në Ulqin në ndihmë të shqiptarëve në nevojë. Z.Shkreli theksoi më tej se prioritet i ndihmës në vazhdim do të jenë studentët shqiptarë të Ulqinit me rezultate të larta e arritje të shkëlqyera akademike si një investim për të ardhmen e vendit dhe viseve historike shqiptare në Ulqin. Një mbrëmje festive e paharrueshme për të gjithë pranishmit të cilët treguan solidaritet, zemërbardhësi e fisnikëri në ndihmë dhe mbështetje jo vetëm të gjeneratës së sotme por mbi të gjitha shqiptarëve ulqinakë që shkëlqejnë në universitetet shqiptare, si garanci e së nesërmes. Fondacioni “Dom Simon Filipaj” është themeluar më 10 maj 2005 në New York dhe drejtohet aktualisht nga: Tom Shkreli, Nikollë Gazivoda, Pal Çotaj, Zef Gjokaj dhe Shefki Sefa. Ky Fondacion humanitar e patriotik përbën një bashkësi energjishë patriotike e atdhetare që frymëzon respekt, dinjitet e krenari kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.