Dr. Ervin Kujtila/
Sondazhet e realizuara në fortifikimet prehistorike të Orenjës dhe Zdranjshit të luginës së Shkumbinit, mundësuan njohjen më të plotë të zhvillimit kronologjik të jetës së tyre. Kështu në Orenjë u përftuan të dhëna stratigrafiko-kulturore që e mbështesin zhvillimin e jetës në këtë vendbanim, në 3 faza kronologjike të emërtuara Orenjë I-II-III, përkatësisht të lidhura me Bronzin e Hershëm, Bronzin e Vonë dhe periudhën e vonë antike. Ndërsa në fortifikimin e Zdranjshit, u fiksuan dy faza kronologjiko-kulturore zhvillimi, Zdranjsh I dhe II, që i referohen përkatësisht periudhës së Bronzit të Hershëm dhe asaj të Bronzit të Vonë.
Bazuar në materialin arkeologjik, rezulton se jeta në qytezën e Orenjës ka kaluar në tre faza, që dallohen nga intensiteti dhe karakteri. Faza e parë është periudha e Bronzit të Hershëm. Faza e dytë i përket periudhës së Bronzit të Vonë dhe faze e tretë periudhës së Antikitetit të Vonë.
Qeramika e fazës Orenjë I dhe Zdranjsh I, ndryshon në aspektet më kryesore të saj nga qeramika e shtresës pasardhëse të Bronzit të Vonë, pavarësisht se disa nga format dhe dekoret e kësaj të fundit do të ruhen edhe gjatë kësaj faze. Teknikisht enët e fazës Orenjë I dhe Zdranjsh I, nuk shquhen në përgjithësi për ndonjë cilësi të lartë punimi. Shumica e fragmenteve të enëve, qofshin të mëdha ose të vogla i përkasin kategorisë së qeramikës së zakonshme apo trashanike.
Lënda arkeologjike e periudhës së hershme të Bronzit e gjetur përfaqësohet nga një numër relativisht i vogël enësh të fragmentuara. Disa nga format e qeramikës së Bronzit të Hershëm përsëriten ose zhvillojnë më tej forma të tjera në periudhën e Bronzit të Vonë. Format më karakteristike të qeramikës së Orenjë I dhe Zdranjshë I, janë: tasa me buzë të sheshta ose të shtrira nga jashtë, enë me buzë të prerë pjerrtas, të cilat janë gjetur edhe në zona të tjera të Shqipërisë si në Kukum I, Ganjollë I, Maliq, Zagorë, Shkodër etj.
Enët e punuara me brumë të mirë dhe pjekje të plotë. Balta ka ngjyrë të errët, që shkon nga kafe në të kuqe dhe gri në të zi. Enët janë lyer me një shtresë ajke, pa shkëlqim. Fundet janë të sheshta dhe shkrihen harmonishëm me trupin e enës. Vegjët janë shiritore vertikale. Zbukurimet përfaqësohen kryesisht nga shiriti i thjeshtë në reliev me shtypje gishti, thimthat e vegjël plastikë.
Materiali arkeologjik i grumbulluar dhe analiza tipologjike e tij çojnë në disa përfundime të përgjithshme të karakterit kronologjiko-kulturor të vendbanimit.
Fortifikimi i Orenjës dhe Zdranjshit është banuar në disa periudha të ndryshme historike.
Faza e parë, që do ta pranonim si faza Orenjë dhe Zdranjsh I, i përgjigjet periudhës se Bronzit të Hershëm. Gjetjet në sasi relativisht të pakta mendojmë se dëshmon se vendbanimi është shfrytëzuar në një periudhë të kufizuar kohe. Kultura e zbuluar në Orenjë dhe Zdranjshë I inkuadrohet mjaft mirë brenda territorit gjeografik të Shqipërisë, ku u zhvilluan kultura të kësaj periudhë si Ganjollë I, Kukum I, Gajtan I, Shkodër Ia etj.
Teknika e punimit, format dhe zbukurimet e qeramikës në aspektin e tyre kryesor e afrojnë këtë kulturë dhe me atë të zbuluar në Maliq IIIa-b, Sovjan V, Shkodër Ia-b, Manasdren I. Disa elemente dekorative, pavarësisht nga dallimet krahinore, vendosin lidhje kulturore me krahinat tona në very dhe jug të Shkumbinit. Kultura Orenjë dhe Zdranjshë I duket se u zhvillua në kontakte të afërta dhe me kulturën e Maliqit dhe të veriut të Shqipërisë, me të cilën ajo do të lidhet më shumë në saje të pozitës gjeografike të këtyre vendbanimeve.
Fortifikimet e kësaj periudhe ndodhen zakonisht në pika dominante të zonave baritore, larg rrugëve të komunikimit. Planimetria e këtyre fortifikimeve i përmbahet tipit eliptik. Zakonisht hyrja gjendet në pjesën më të ulët të kreshtës, ku realizohet komunikimi me zonën përreth. Qeramika e zbuluar në Orenjë dhë Zdranjsh, format dhe dekori i saj i datojnë këto fortifikime në periudhën e Bronzit të Vonë.
Fortifikimet prehistorike të periudhës së Bronzit të Vonë në luginën e Shkumbinit lidhen kryesisht me karakterin mbrojtës të tyre, si vendbanim dhe vendstrehim për banorët dhe për pasurinë e tyre. Ato janë të vendosura në zona të brendshme të territorit, larg rrugëve kryesore të komunikimit si në Orenjë dhe Zdranjsh dhe Lleshan. Këto fortifikime janë të vendosura në afërsi me kullotat që lidhen me ekonominë baritore. Shembuj të ngjashëm janë konstatuar në fortifikimet e kësaj periudhe në Shqipëri dhe jashtë saj, sidomos në rrafshnaltën e Glasinacit.
Fortifikimet mbrojtëse në të gjitha rastet, janë ndërtuar mbi bazament natyror, direkt mbi tokë të virgjër ose mbi shtresa shkëmbore, domethënë ato janë pa themel. Ndërtimi i këtyre mureve është bërë me gurë të mbledhur në sipërfaqen e terrenit ose nxjerrë nga shtresat shkëmbore sipërfaqësore. Fortifikimi është ndërtuar me gurë të vendosur në muraturë të thatë të papunuar fare. Gurët janë të përmasave të tyre natyrore. Në fasadë fugat janë të pambushura dhe rrallë me ndonjë gur të vogël. Blloqet e gurëve janë të një madhësie mesatare e të mëdhenj, me përmasa (0.40 x0.70 m). Lartësia maksimale e ruajtur e fortifikimit prehistorik arrin në 0.80 – 1.20 m. Gjerësia maksimale e ruajtur është 1.80 – 2.20 m. Në fasadë fugat janë të pambushura dhe rrallë me ndonjë gur të vogël. Fasada anësore zakonisht paraqitet e mbuluar nga dherat.
Fortifikimet prehistorike të luginës së Shkumbinit formojnë një sistem të organizuar mbrojtës të kësaj lugine. Karakteristikë e përbashkët e tyre është vendosja në pozita strategjike dhe dominante, pranë kullotave natyrore dhe kontrolli i rrugëve kryesore të komunikimit. Një karakteristikë tjetër e përbashkët shënohet nga skema e njëjtë apo e ngjashme planimetrike eliptike dhe në ndonjë rast edhe oblike, linja e murit nuk ka kthesa, kënde apo kulla, element që do të shfaqen në fortifikimet e mëvonshme. Muret rrethuese ruhen në një lartësi të vogël, ato janë ndërtuar me gurë mesatarë dhe të vegjël të papunuar.
Karakteristikë për fortifikimet prehistorike të Bronzit të Vonë është planimetria e tyre në trajtë eliptike. Fortifikimi ndjek linjë të përkulur, pa kënde e kthesa (Orenjë, Zdranjsh, Lleshan).
Sipërfaqja e tyre varion nga 2 ha (Zdranjsh) deri në 2.5 ha (Orenjë). Fortifikimi është ndërtuar në anën e cila është më pak e mbrojtur që lidhet me pjesën tjetër të zonës me një qafë. Hyrja e fortifikimit zakonisht gjendet pjesën më të ulët të fortifikimit e cila bën të mundur komunikimin me zonën përreth. Perimetri i fortifikimeve është afërsisht 600 m, ndërsa gjatësia e fortifikimit prehistorik të ruajtur është 236 – 251 m.
Lidhur me raportin hapësinor të vendbanimeve prehistorike dhe tipin planimetrik të fortifikimeve të Bronzit të Vonë në luginën e Shkumbinit mund të themi se:
a.Tipi kryesor planimetrik është vendbanimi brenda fortifikimit; ky tip planimetrik aktualisht ndeshet vetëm në fortifikimet e Orenjës dhe Zdranjshit, të verifikuar nëpërmjet sondazheve arkeologjik. Në këtë tip planimetrik mund të përfshihen edhe fortifikimet e tjera si: Bërzeshta, Qukës Skëndërbe, Lleshani.
b.Tipi planimetrik i vendbanimit jashtë fortifikimit. Ky tip nuk është ndeshur në periudhën e Bronzit të Vonë nga kërkimet tona në këtë luginë. Ai duket se shfaqet në periudhën arkaike, siç dëshmojnë të dhënat nga Qyteza e Selcës së Poshtme në Mokër dhe vendbanimi i Belshit.
Kultura e periudhës së Bronzit të Vonë e zbuluar në këto vendbanime prehistorike, me analogjitë e saj kulturore është e orientuar kryesisht nga Shqipëria e Veriut dhe grupi kulturor Glasinac-Mat.