DOSIER/ Flet historiani Kastriot Bezati: Frashëri – simbol i atdhedashurisë, diturisë dhe kulturës në Shqipëri/
-Frashëri në Regjistrin Ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-32, jepet si vëndbanim me 6 shtëpi/
– Më 1506 Frashëri kishte 41 shtëpi, ndërsa më 1583 arriti në 58 shtëpi/
– Dangëllia në mesin e shekullit XIX, kishte 790 shtëpi/
– Tregu i Frashërit, në kulmin e lulëzimit, në mesin e shekullit XIX, përbëhej nga 20 dyqane, – thotë Sami Frashëri/
– Në vitet 1699-1701 Dangëllia përfshihet në kryengritjen e armatosur të Shqipërisë së Jugut kundër Portës së Lartë/
– Vatra kryesore të kryengritjes në Dangëlli ishin Frashëri, Miçani, Zavalani, Koblara dhe Backa/
– Disa nga bejlerët e Frashërit arritën shkallët më të larta të administratës së Portës së Lartë/
– Adem Pasha, i cili gjatë shekullit XVIII shërbeu disa kohë “Vezir i madh” (“Kryeminister”) ishte pinjollë nga familja e Vilakëve të Frashërit
– Më 1772 Mehmet Mustafa Frashëri bleu fshatrat Shipckë e Nikolicë të Kolonjës si dhe fshatin Voskopojë të Korçës dhe u bë spahiu i përgjithshëm i këtyre tre fshatrave
– Halil bej Bibaj nga Frashëri ka qënë gjithashtu “Vezir i madh” i Perandorisë Osmane
-Në vitet e Pashallëkut të Janinës, rezistenca antiturke e Frashërit u bë mbështetje e përpjekjeve autonomiste të Ali Pashë Tepelenës
– Ali Pashë Tepelena ka vajtur në Frashër dhe ka qëndruar në sarajet e Sulejman bej Sulejmanbejlliut
-Shkurt – shtator 1802, banorët e Dangëllisë zhvilluan një kryengritje të fuqishme antiosmane që tronditi Turqinë
– Frashëri u bë një vatër krijuese e kulturës së kombit dhe, më 1785 kur u hap Teqeja bektashiane e Nasibi Tahir Babai
-“Nasibiu ka shkruar shumë vjersha në gjuhën shqipe … ka shkruar edhe gazele në gjuhët turqisht dhe persisht”, – thotë Sami Frashëri
– Dalip e Shahin Kaso Frashëri, i pari, me veprën “Hadikaja” të vitit 1842 dhe, i dyti, me veprën “Muhtarnameja”, botuar në vitin 1868, hapwn rrugwn e librit.
– Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri/ Një armatë ish Abdyli dhe një tjetër ish Samiu/ Dhe e treta – gjenerali, gjeneral poet Naimi/
– Alush Babai me shenjtëri, Abdyl Beu me dituri, përpiqen për Shqipëri
Nga Albert Z. ZHOLI/
“Frashëri do të mbetet për jetë vënd i shënjtëruar i Shqipërisë”, – ka shkruar Mihal Gramenua, i cili, në dimrin e vitit 1907, për 10 ditë, nga 1 deri më 10 dhjetor, qëndroi me Çerçiz Topullin e luftëtarët e Çerçiz Topullit në Frashër, në shtëpinë e atdhetarëve dhe në Teqen bektashiane të Frashërit dhe, kur u largua, kur ishte mbi Frashër, në malin e Kokojkës, shkroi vargjet: “Si ty, o Vithlehem e Mekë e Arabisë, / Ku jane lindur Muhamet e Krisht’ i Krishtërisë, / Për mua është Frashëri, vënd i Perëndisë, / Tek është lindur Naim Beu, zëmër e Shqipërisë!”. Frashëri, emrin e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marrë emrin në fillim të shekullit XVII nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”. Në shek XIV krahina quhej “Malakas” dhe qëndra e saj ishte fshati “Malakas”, fjalë kjo që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”. Frashëri ngrihet 1030 m mbi nivelin e detit, me hapësirë gjeografike 15.5 km2, e barabartë kjo me 7.2 % te hapësirës së krahinës së Dangëllisë (214 km2) dhe me 1.7 % të hapësirës gjeografike të trevës së Përmetit (929 km2). Frashëri gjatë ecurisë historike ka lindur aq shumë figura historike sa është vështirë të krahasohet me një hapësirë të dytë gjeografike me të njëjtat përmasa, përsa u përket këtyre figurave që kanë hyrë në histori, shumica e të cilave me kontribute të veçanta për kombin, qoftë kjo hapësirë brënda apo jashtë Shqipërisë, ndaj dhe emri i Frashërit është si hapësira, pa fillim e pa mbarim, nuk ka kufij gjeografikë, ndërsa vepra e bijëve më të mëdhenj të Frashërit, e vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të cilët janë doktrinerë të kombit, janë Bibla e Kurani i shqiptarëve e Shqipërisë, janë këta liderë të kombit që i kanë dhënë më shumë se kushdo të drejtën Frashërit të quhet Vatra e Shënjtë e Shqiptarëve dhe Shqipërisë: Abdyli, udhëheqsi dhe burri i shtetit, të cilit, siç ka shkruar Gjergj Fishta “M’i bëjnë të gjithë tungjatjeta” se “Faqe t’bardh i la Shqipërisë”, Naimi, poeti, mendimtari e edukatori i kombit, “Zëmërgjerësia dhe urtësia” e të cilit, – siç thotë Dritëro Agolli, – “i ngjan Krishtit”, i pari mendimtar shqiptar që hodhi idenë e drejtimit të syve nga Perëndimi me vargun e tij të njohur “Jak’ o dit’ e uruar, që lind nga perëndon”, Samiu, dijetari i madh enciklopedist, vigani i mendimit, punës dhe guximit, truri i Rilindjes në Shqipëri.
Regjistrimi
Frashëri në Regjistrin Ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-32, jepet si vëndbanim me 6 shtëpi dhe me emrin “Fraxhili” dhe, po me kaq shtëpi, jepet si vëndbanim më vehte lagjia “Vila” e Frashërit, emër ky me orgjinë romake, vëndbanim që mund t’i ketë fillesat brënda hapësirës së shekullit të 2-të para lindjes së Krishtit, kur në Iliri u vendos sundimi i Romës. Nisur nga emri, lagjia Vilë e Frashërit ka qënë banuar të paktën prej 2 shekujsh. Në burimet e shkruara të viteve 1431-1432 na jepen të paktën 9 fshatra, që edhe sot janë në Dangëlli, me gjithësej 238 shtëpi, 0.4 % e të cilave i kishte Frashëri, kryeqëndra e Dangëllisë. Më 1506 Frashëri kishte 41 shtëpi, ndërsa më 1583 arriti në 58 shtëpi. Dangëllia në mesin e shekullit XIX, kishte 790 shtëpi, nga të cilat, sipas Kristo Frashërit, jo më pak se 300 shtëpi dhe, sipas shtetarit Medi Frashëri, jo më shumë se 350 shtëpi, i kishte Frashëri, shifër kjo e barabartë me 41 % apo me 2/5 e shtëpive të gjithë Dangëllisë. Afërsisht kjo ishte edhe popullsia e Frashërit dhe Dangëllisë edhe në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ecuria demografike e Frashërit, në fillim e ngadaltë (në shekujt XV – XVII) e pastaj më e shpejtë (në shekujt XVIII – XIX) lidhet së pari, se Frashërit iu dha me dekret sulltanor statusi i “derbendit”, detyra e sigurimit pa pengesë të lëvizjes së udhëtarëve dhe karvaneve, fakt ky që tregon rëndësinë e pozitës gjeografike e strategjike të Frashërit si një pikë ku kryqëzoheshin në shekujt XV – XVI e më vonë rrugët këmbësore, që lidhnin Përmetin me Korçën dhe Beratin me Kolonjën , së dyti, duke filluar nga fundi i shekullit XVII e më tej në shekujt XVIII e XIX lidhet edhe me faktin se Frashëri u kthye në një kështjellë natyrore ku, sidomos bejlerët mbroheshin nga mëria, administrata e ushtria e Sulltanit dhe, së treti, sidomos në shekullin XIX, lidhet me arsyen se Frashëri si qëndra administrative e Dangëllisë u kthye dalëngadalë edhe në një qëndër ekonomike, në një qëndër zejtare dhe tregëtare, aq sa tregu i Frashërit, në kulmin e lulëzimit, në mesin e shekullit XIX, përbëhej nga 20 dyqane, – thotë Sami Frashëri. Në mesin e shekullit XIX Frashëri kishte 22 lagje dhe, në fakt, ishte “një qytet i vogël malor” – si dhe shkruante Sami Frashëri në veprën e tij Kamus – ul – Alam.
Historia e Frashërit
Historia e Frashërit me emra personalitetesh ngrihet mbi bazë dokumentesh në shekullin XVII. Në vitet 1699-1701 Dangëllia përfshihet në kryengritjen e armatosur të Shqipërisë së Jugut kundër Portës së Lartë dhe, një nga krerët kryesorë të kryengritjes në Dangëlli, ishte Aliçkoja nga Frashëri. Vatra kryesore të kryengritjes në Dangëlli ishin Frashëri, Miçani, Zavalani, Koblara dhe Backa. Për shtypjen e kësaj kryengritjeje u lëshuan disa fermane nga sulltan Ahmeti II dhe në fillim për shtypjen e saj u caktua komisar ish Veziri i Madh, në atë kohë kapuxhibashi i oborrit, Ali Pasha, ndërsa më pas, më 1701-in, sulltani ngarkon me detyrën e shtypjes së kryengritjes kapuxhibashin e oborrit, Mehmet Pasha dhe mybashirin Ismail Pasha. Disa nga bejlerët e Frashërit arritën shkallët më të larta të administratës së Portës së Lartë. Adem Pasha, i cili gjatë shekullit XVIII shërbeu disa kohë “Vezir i madh” (“Kryeminister”) ishte pinjollë nga familja e Vilakëve të Frashërit, – thotë Kristo Frashëri. Më 1772 Mehmet Mustafa Frashëri bleu fshatrat Shipckë e Nikolicë të Kolonjës si dhe fshatin Voskopojë të Korçës dhe u bë spahiu i përgjithshëm i këtyre tre fshatrave, – thuhet në Kodikun e Manastirit të Shën Prodhomit të Voskopojës. Në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII, Halil bej Bibaj nga Frashëri ka qënë gjithashtu “Vezir i madh” i Perandorisë Osmane, – shkruajnë vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri.
Ali Pasha dhe rezistenca antiturke e Frashërit
Në vitet e Pashallëkut të Janinës, rezistenca antiturke e Frashërit u bë mbështetje e përpjekjeve autonomiste të Ali Pashë Tepelenës, nën pushtetin e të cilit treva e Përmetit qëndroi në vitet 1789 – 1820. Disa nga bejlerët e Frashërit nuk iu nënështruan autoritetit të Pashait të Janinës dhe u larguan nga Shqipëria, ndërsa disa mbajtën marrdhënie të mira me Ali Pashë Tepelenën, ndër të cilët ishin: Mehmet Mustafa Frashëri, që kishte gradën pasha dhe që kishte nën zotërim edhe Voskopojën, si dhe Sulejman bej Plaku nga dera e Sulejmanbejllinjëve të Frashërit. Ali Pashë Tepelena ka vajtur në Frashër dhe ka qëndruar në sarajet e Sulejman bej Sulejmanbejlliut, – thotë Miho Gjini. Në materialet e Arkivit të Ali Pashë Tepelenës, në një grup prej tetë dokumentesh të këtij arkivi, i cili do të botohet së shpejti nga studjuesi i njohur Irakli Koçollari, ndër të tjera, flitet se, në hapësirën kohore të muajve shkurt – shtator 1802, banorët e Dangëllisë të vendosur në territoret e Bullgarisë së sotme, të cilët ishin larguar nga atdheu për t’u vendosur në territore jashtë zgjedhës osmane, ndoshta në tokat e lira kufitare me Bullgarët, në Ukrainë apo Odesë, zhvilluan një kryengritje të fuqishme antiosmane që tronditi Turqinë, aq sa sulltan Selimi III u detyrua të dërgojë kundër kryengritësve përmetarë të Dangëllisë trupat e zgjedhura të këmbësorisë së tij si dhe trupa të mobilizuara nga Pashallëqet e Rumelisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Janinës.
Frashëri u bë një vatër krijuese e kulturës së kombit
Frashëri u bë një vatër krijuese e kulturës së kombit dhe, si e tillë, ajo ndoshta lindi më 1785 kur u hap Teqeja bektashiane e Frashërit dhe, themeluesi i saj, ishte Nasibi Tahir Babai nga lagjia Skënderas e Frashërit. “Nasibiu ka shkruar shumë vjersha në gjuhën shqipe … ka shkruar edhe gazele në gjuhët turqisht dhe persisht”, – thotë Sami Frashëri. Gjuhën shqipe Nasibiu e shkruante me alfabetin arab. Pra, lëvrimi i shqipes ka si fillesë shkollën që u ngrit më 1785 nga Nasibi Babai në Teqen bektashiane të Frashërit. Shkolla e Nasibi Babait u lartësua e fitoi më shumë emër kur në krye të Teqes së Frashërit erdhi Baba Alushi nga lagjia e Kasollarëve të Frashërit, që ishte një figurë e madhe e luftës për liri, pavarësi e arsimin shqip në Shqipërinë e Jugut. Në Frashër, sidomos në Teqen e Baba Alushit, fliteshin gjashtë gjuhë: shqipja, persishtja, arabishtja, osmanishtja, greqishtja dhe vllahishtja. Shkolla e teqes ishte nje shkollë e tipit të kurseve mesjetare me përmbajtje fetare bektashiane, me ndryshimin se turqishtja dhe arabishtja mësoheshin si gjuhë të huaja, kurse gjuha bazë ishte shqipja, veçse kjo shkruhej me alfabetin arab. Në Frashër, dëshmitë e shkrimit shqip me alfabetin arab, lidhen me poemat e Nasibi Tahir Babait në hapësirën kohore 1785-1827 dhe, më pas, me librat e vëllezërve Dalip e Shahin Kaso Frashëri, i pari, me veprën “Hadikaja” të vitit 1842 dhe, i dyti, me veprën “Muhtarnameja”, botuar në vitin 1868.
Vëllezërit Frashëri janë në ballë të historisë së Shqipërisë.
Abdyli, Naimi dhe Samiu u lindën në Frashër të Përmetit, po ata edhe kur jetuan e punuan më pak në Janinë dhe më shumë në Stamboll, i mbajtën lidhjet me Frashërin dhe çdo gjë e bënë për lirinë e Shqipërisë. “Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri/ Një armatë ish Abdyli dhe një tjetër ish Samiu/ Dhe e treta – gjenerali, gjeneral poet Naimi/ Që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi”, – shkruan poeti i madh Dritëro Agolli. Tri vëllezërit së bashku dhe veçmas, shkrinë në një të vetme tri detyrat themelore taktike që shtroheshin para vëndit: së pari, shpëtimin e atdheut nga gjymtimi territorial, së dyti, bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet autonom dhe, së treti, lëvrimin e kulturës atdhetare në shërbim të çlirimit të Shqipërisë. Haliti, babai i Vëllezërve Frashëri, nga Frashëri, është atdhetar i njohur i shekullit XIX, ndërsa stërgjyshi i nënës, Eminesë, nga Korça, Iljas Khoxha Mirahori, i lindur në shekullin XV në Panarit të Kazasë së Përmetit, sot i rrethit të Korçës, dhëndri i Sulltan Mehmedit II, është themeluesi i qytetit të Korçës në vitet 1494 – 1512, për të cilin Sami Frashëri në veprën “Kamus-Ul-Alam” thotë: “Eshtë stërgjyshi i autorit të ngratë nga nëna dhe themeluesi i qytetit te Korçës, që gjëndet në Vilajetin e Manastirit”.
Ngjarje madhore janë edhe dy Kuvëndet Ndërkrahinore të Frashërit, i pari u thirr nga Komiteti Shqiptar i Janinës dhe u mbajt në gjysmën e dytë të majit 1878, ndërsa i dyti u thirr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe u mblodh në dhjetditëshin e dytë të qershorit 1880 dhe, të dy u zhvilluan në Teqen bektashiane të Frashërit dhe u drejtuan nga Abdyl Halid Frashëri dhe Baba Alush Frashëri. Të dy janë Kuvënde Ndërkrahinore të Vilajetit të Janinës. Në Kuvëndin I, ndër të tjera, u parashtrua me urtësi nga Abdyl Frashëri programi i Komitetit Shqiptar të Stambolit, që u përkrah me energji nga Baba Alushi, si dhe u protestua kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit të 3 marsit 1878, të cilat coptonin Shqipërinë. Kuvëndi I Frashërit caktoi një grup delegatësh, të cilët do të përfaqësonin Shqipërinë e Jugut në Mbledhjen Historike të Prizrenit më 10 qershor 1878. Grupi do të udhëhiqej nga Abdyl Frashëri dhe Qazim Konica. Si na thotë tradita e ardhur nga thellësia e viteve dhe e pranishme edhe sot në Dangëlli, menjëherë pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, brënda qershorit 1878, Baba Alushi u zgjodh kryetar i Degës së Frashërit të Lidhjes së Prizrenit. Në Kuvëndin II, ndër të tjera, u hodh për herë të parë nga Abdyl Frashëri ideja e formimit te Qeverisë së Përkohëshme Shqiptare, që u realizua në janarin e vitit 1881 në Kuvëndin e Jashtzakonshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku u zgjodh Kryeministër Haxhi Ymer Prizreni dhe Ministër i Jashtëm Abdyl Halit Frashëri. “Kërkesa e bashkimit të katër vilajeteve, pik së pari, u formulua në Teqe të Frashërit, pastaj u dërgua në gjithë qëndrat e Shqipërisë”, – ka shkruar Mehdi Frashëri. Janë ndoshta këto dy kuvënde të mëdha atdhetare mbi të cilat populli ngriti këngën “Alush Babai me shënjtëri, Abdyl Beu me dituri, përpiqen për Shqipëri”.
Nesër do të lexoni:
– Në krye të Komitetit Shqiptar të Janinës, formuar në maj 1877, është Abdyl Frashëri
– Më 18 dhjetor 1877 Abdyl Frashëri zgjidhet kryetar dhe Sami Frashëri anëtar i Komitetit Shqiptar të Stambollit
-“Shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe diturisë”, – ka thënë Hasan Tahsini
– Mësonjtoria Shqipe e Frashërit u hap më 12 tetor 1908 nga mësuesi Hasan Hoxhë Efendiu
– Kryetari i Kongresit të Manastirit, që i zhvilloi punimet nga 14 deri më 22 nëntor 1908, ishte një frashërlli, djali i Abdyl Frashërit, 28 vjeçari Mit’hat Frashëri
– Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Frashër qëndroi për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos
– Mit’hat Abdyl Frashëri ishte delegat i Përmetit (dhe i Frashërit) në Kuvëndin Historik të Vlorës
– Deklarata bombë e At’ Gjergj Fishta në Pallatin e Versajës
– Më 25 shkurt (10 mars 1914), trupat e rregullta të ushtrisë së Greqisë dhe bandat masakruan 97 fëmije e burra Përmetarë
DOSIER/ Flet historiani Kastriot Bezati: Frashëri – simbol i atdhedashurisë, diturisë dhe kulturës në Shqipëri
– Në krye të Komitetit Shqiptar të Janinës, formuar në maj 1877, është Abdyl Frashëri
– Më 18 dhjetor 1877 Abdyl Frashëri zgjidhet kryetar dhe Sami Frashëri anëtar i Komitetit Shqiptar të Stambollit
-“Shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe diturisë”, – ka thënë Hasan Tahsini
– Mësonjtoria Shqipe e Frashërit u hap më 12 tetor 1908 nga mësuesi Hasan Hoxhë Efendiu
– Kryetari i Kongresit të Manastirit, që i zhvilloi punimet nga 14 deri më 22 nëntor 1908, ishte një frashërlli, djali i Abdyl Frashërit, 28 vjeçari Mit’hat Frashëri
– Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Frashër qëndroi për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos
– Mit’hat Abdyl Frashëri ishte delegat i Përmetit (dhe i Frashërit) në Kuvëndin Historik të Vlorës
– Deklarata bombë e At’ Gjergj Fishta në Pallatin e Versajës
– Më 25 shkurt (10 mars 1914), trupat e rregullta të ushtrisë së Greqisë dhe bandat masakruan 97 fëmije e burra Përmetarë
Albert Z. ZHOLI
Në çdo ngjarje madhore atdhetare brënda apo jashtë Shqipërisë janë edhe bijtë e Frashërit. Në krye të Komitetit Shqiptar të Janinës, formuar në maj 1877, është Abdyl Frashëri. Më 18 dhjetor 1877 Abdyl Frashëri zgjidhet kryetar dhe Sami Frashëri anëtar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Abdyl Frashëri është një ndër organizatorët kryesorë të Kuvëndit Themelues të Lidhjes Shqiptare më 10 qershor 1878 në Prizren, i cili me fjalën e tij para 110 delegatëve hapi punimet e këtij Kuvëndi dhe u zgjodh Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Lidhjes. Ku ishte Lidhja ishte Abdyli dhe ku ishte Abdyli ishte Lidhja. Në këto vite e më vonë dallohen për veprimtari atdhetare ndër të tjerë frashërllinjtë Ballkize Ibrahim Frashëri, gruaja e Abdyl Frashërit, Mehmed Halid Frashëri, vëllai i vogël i Abdyl Frashërit, Nazif Muhtar Frashëri, Gani Ragib Frashëri, Refat Muhtar Frashëri, Jakup Frashëri, vëllezërit Sabri dhe Shefqet Isuf Frashëri, Abaz Selim Frashëri, i cili ishte së bashku me Selfo Shytin e Hysen Kreshovën shoqëruesit e Abdyl Halid Frashërit.
“Shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe diturisë”, – ka thënë Hasan Tahsini.
Kryetar i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip apo Shoqërisë së Stambollit, formuar më 12 tetor 1879 në shtëpinë e Abdyl Frashërit në lagjen Pera të Stambollit, u zgjodh Sami Frashëri edhe pse ai ishte një djalosh i ri, ishte vetëm 29 vjeç, ndërsa vëllai i tij i madh, Abdyli, u zgjodh anëtar dhe, përveç tyre, ndër 28 anëtarët themelues të Shoqërisë (nga të cilët 11 ishin nga treva e Përmetit) nga Frashëri ishte edhe Anastas Kostandin Frashëri, ndërsa si Dangëlli numri shkonte në pesë veta, sepse ishin edhe Sejfulla Zavalani nga Zavalani dhe Janço Kosta nga Ogreni dhe, nga e gjithë treva e Përmetit, numri shkonte në 11 veta, sepse ishin edhe “Vasili i P. Ndrekos Postenanasit, Mihal i A. Plumbit Përmetasit, Kostandini i N. Hanxopulit Ixgarasit, Vasili i Vangjelit Delvinasit, Haralambi i P. Pulëshitësit Delvinasit dhe Joan Vreto Postenanasit” pra, përmetarët përbënin gati 40 % të anëtarëve themelues të Shoqërisë së Stambollit, duke patur parasysh se, në atë kohë, Postenani ishte fshat me 62 shtëpi i trevës së Përmetit. Edhe kryetari i Kongresit të Manastirit, që i zhvilloi punimet nga 14 deri më 22 nëntor 1908, ishte një frashërlli, djali i Abdyl Frashërit, 28 vjeçari Mit’hat Frashëri, i cili u zgjodh edhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit të Kongresit Kombëtar të Manastirit. Nga 32 delegatët me të drejtë vote të Kongresit, 3 ishin nga Dangëllia: Mit’hat Frashëri, i cili në kongres, sipas gazetës “Liria” të Selanikut të vitit 1908 morri pjesë si delegat i Klubit të Janinës dhe Shkupit, ndërsa sipas revistës “Dituria” të vitit 1909 ishte delegat i Klubit të Janinës dhe Selanikut, Feim bej Zavalani, kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, i cili në kongres morri pjesë si delegat i Kolonisë Shqiptare të Egjyptit dhe ishte ai që hapi edhe punimet e Kongresit dhe, i treti, Shefqet Isuf Frashëri, i cili morri pjesë në kongres si delegat i Klubit të Korçës. Nga 18 delegatë të tjerë si pjesmarrës pa të drejtë vote në Kongres, 2 ishin përsëri nga Dangëllia: ishte Fahri bej Frashëri, kryetar i Nahijes së Resnjës si delegat i Resnjës dhe Izet Veli Zavalani, si delegat i Follorinës, i cili, më vonë, për të mos rënë në duart e feudalëve antikombëtarë të vëndit dhe pushtuesve austriakë vrau veten më 1917 në Lushnjë. Pra, nga 50 delegatë të Kongresit, 5 ishin nga Dangëllia, shifër kjo e barabartë me 1/10 e delegatëve të Kongresit Kombëtar të Manastirit.
Mësonjtoria Shqipe e Frashërit
Mësonjtoria Shqipe e Frashërit u hap më 12 tetor 1908 nga mësuesi Hasan Hoxhë Efendiu, nën kujdesin e Baba Abedin Ibros të Teqes së Frashërit, në një ndërtesë njëkatëshe me dy dhoma e në qëndër të Frashërit, e cila, si na thotë tradita ishte ose pronë e shtetit ose pronë e teqes bektashiane, e ngritur më parë në tokën e Karafil Halil Frashërit, jo më pak se 3 dhe jo më shumë se 6 metra larg nga Xhamia ku ishte hoxhë Hasan Hoxha. Baba Abedin Ibrua ishte nga Backa e Skraparit, ndërsa Hasan Hoxhë Efendiu nga Sanjollasi i Kolonjës. Në hapësirën kohore të dy viteve, 1908 – 1909, në Frashër u organizua klubi atdhetar “Bashkimi” me kryetar Baba Abedini dhe nënkryetar Hasan Hoxhë Efendiu.
Baza e çetve atdhetare
Frashëri, në vitet kur luftohej për Shpalljen e Pavarësisë, u bë baza e çetve atdhetare të viseve juglindore të Shqipërisë. Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Frashër qëndroi për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Më 18 qershor 1908 në Teqen bektashiane të Frashërit, të cilën Mihal Gramenua e ka quajtur një “shkollë të madhe kombëtare”, mblidhen dhe vendosin për të kaluar në kryengritje të përgjithshme krerët e çetave të trevave të Korçës, Kolonjës dhe Përmetit, ndër të cilët ishin Themistokli Gërmenji, Menduh Zavalani, Izet Zavalani, Spiro Bellkameni dhe frashërlliu Servet Frashëri. Kur nuk kishin kaluar as një muaj, në korrik, çetat atdhetare mblidhen përsëri në Frashër. Në telegramin Nr.2354 të datës 22 korik të 1912-ës të konsullit Prohaska drejtuar Karl Kont Berhtoldit në Vjenë, ndër të tjera thuhet: “Qëndra kryengritëse … ndodhet në rrethet e Frashërit”. Në këto vite drejtuesi i Teqes së Frashërit ishte Abedin Ibrua. “Baba Abedini, përmbledh virtytet më të larta … Me mirëbërësinë e tij e ka fituar simpatinë e gjithë popullit, muhamedanë e të krishterë … Me përulësi e nderime të mëdha dëgjojnë vetëm fjalën e Baba Abedinit”, – ka shkruar Mihal Gramenua. Në Frashër, më 28 nëntor 1912, sipas një Çertifikate të Këshillit Administrativ të Përmetit, Nr. 156 datë 20.05.1929, flamurin kombëtar e ngriti atdhetari Servet Frashëri, vëllai i mikrobiologut të njohur Refat Frashëri dhe babai i aktorit të madh Naim Servet Frashërit. Në këto vite, nga Frashëri, dallohen për veprimtari atdhetare komandantët e çetave atdhetare: Meleq Myftar Frashëri, Servet Muhtar Frashëri, Ferit Kamber Frashëri dhe atdhetarët Hasan Besim Hoxha, Perikli Vasil Frashëri, Izet Qazim Frashëri, Ali Sherif Frashëri, Hajrullah Selman Tare, Karafil Halil Frashëri, Seit Skënderi dhe, sipas Mihal Gramenos, edhe dervishët: Meçua, Mustafaj, Shemoja dhe Murati të Teqes së Frashërit, që drejtohej nga kleriku atdhetar Baba Abedin Ibrua. Jashtë atdheut, sidomos në fushën e shtypit kombëtar, dallohen frashërllinjtë: Athanas Tashko, Mehmet Halid Frashëri, Kasëm Frashëri dhe Leonidha Zallari, të cilët botuan respektivisht gazetat: “Shkopi” në Fajum të Egjiptit dhe “Besa”, “Thumbi” dhe “E vërteta” në Stamboll të Turqisë. Athanas Tashkua, babai i Tefta Tashko Koços, ky “Bir i bekuar i Shqipërisë”, – siç e ka quajtur Fan Noli, – së bashku me Jani Vruhon nxorri në Egjipt edhe gazetat “Rrufeja” dhe “Sëpata”. Dallohen në këtë kohë edhe vëllezërit atdhetarë: Sulejmani, Rifati, Hysniu, Xhemali dhe si cilësuam Serveti, djemtë e atdhetarit Myftar Ismail Frashërit.
Mit’hat Abdyl Frashëri delegat i Përmetitnë Kuvëndin Historik të Vlorës
Mit’hat Abdyl Frashëri ishte delegat i Përmetit (dhe i Frashërit) në Kuvëndin Historik të Vlorës (28.11 – 07.12.1912). U zgjodh delegat i Përmetit në këtë kuvënd nga një mbledhje e jashtëzakonshme, që u zhvillua në Përmet nën drejtimin e Baba Abedinit, ditën kur u hap Kuvëndi i Vlorës, më 28 nëntor 1912. Mandatin e përfaqsimit për Mit’hat Frashërin drejtuar Vlorës telegrafikisht e kanë nënëshkruar 22 përfaqsues të Kazasë së Përmetit. Nënëshkrimin e parë e ka vënë Baba Abedini i Teqesë së Frashërit dhe pas tij Baba Xhemali i Teqesë së Përmetit. Nga Frashëri, ndër 22 emrat, firmosin edhe Karafil Frashëri, Hasan Muke Frashëri, Servet Myftar Frashëri, Sherif Skënderi. Mit’hat Frashëri e nënëshkroi (firmosi) Aktin e Shpalljes së Pavarësisë si përfaqsues i Përmetit dhe u zgjodh Minister i Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit. Delegat i Nënprefekturës së Përmetit në këtë Kuvënd ishte edhe Veli bej Këlcyra, i cili shkoi në Kuvënd më 03.11.1912 dhe, të nesërmen, u zgjodh anëtar i Senatit të Kuvëndit Kombëtar të Vlorës, si dhe Syrja bej Vlora. Në vitet 1913 – 1914 masat fshatare e qytetare të Përmetit i rezistuan politiks së egër antishqiptare të Athinës. Midis disfatave të shumta të shovinistëve të Athines disfatën më të madhe ata e pësuan në vjeshtë të 1913-ës kur masat atdhetare të Përmetit i deklaruan Komisionit të Kufijve se ishin shqiptarë dhe jo grekë dhe kjo rezistencë bëri që Fuqitë e Mëdha ta përfshinin trevën e Përmetit brënda kufijve të Shqipërisë.
Deklarata bombë e At’ Gjergj Fishta në Pallatin e Versajës
At’ Gjergj Fishta, sekretari i përgjithshëm i delegacoionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, në fjalën që mbajti me cilësinë e përfaqsuesit të Shqipërisë në Pallatin e Versajës, para katër liderëve të shteteve, përkatësisht Italia, SHBA, Anglia dhe Franca, para kryeministrit anglez David Lloyd George, kryeministrit Viçorio Orlando prej Italisë, kryeministrit Georges Clemenceau prej Francës dhe presidentit amerikan Ëoodroë Ëilson, ndër të tjera tha: “… grekët dogjën 360 katunde në Shqipërin Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dëshmoheshin shqiptarë …”. Këto masakra të përbindshme u kryen në vitet 1913 – 1914 nga ushtria dhe bandat shoviniste të Greqisë. Më 25 shkurt (10 mars 1914), – nisur nga të dhënat që na jep prifti Kosta Papa Tomori dhe ushtari i ushtrisë shqiptare me pseudonimin Toronini, – trupat e rregullta të ushtrisë së Greqisë dhe bandat paramilitare të ardhura nga Gjiriti, kryen genocitin barbar në Kuqar dhe Pacomit të trevës së Përmetit, ku u masakruan 97 fëmije e burra, nga të cilët 75 burra u masakruan me thika barbarisht në Kosinë të Përmetit. Ishte ky genocit, ndoshta dita e parë apo e fillimit të masakrave në masë mbi popullsinë shqiptare në Shqipërinë e Jugut, nga trupat e rregullta dhe bandat militare të Greqisë. Më 29 prill 1914 pushtuesit grek, ushtria dhe bandat paramilitare të Greqisë, kryen genocitin barbar në Kodër të trevë së Tepelenës, ku masakruan 217 djem e burra te Hormovës së Tepelenës, ndërsa nga 2 deri më 10 korrik 1914 trupat e qeverisë së Venizellosit therrën sikur ishin bagëti me thika, sëpata e hanxharë 375 gra, burra, fëmijë e pleq në Panarit të trevës së Korçës. Më 29 korrik 1914 ushtria greke dhe andartët dogjen tërësisht Kuçin e Kurveleshit dhe, të nesërmen, më 30 korrik 1914 masakruan dhe shkatrruan me themel Borshin e Sarandës. Masakrat e kryera nga ushtria dhe bandat shoviniste greke në fshatrat e trevës së Përmetit, Tepelenës, Kolonjës, Korçës, Gjirokastrës e Skraparit dhe në gjithë trevat e Shqipërisë së Jugut, u frymëzuan, – si shkruan historiani Pëllumb Xhufi, – “nga një ideologji e urrejtjes dhe e intolerancës etnike e fetare, që e ka karakterizuar shtetin grek qysh në krijimin e tij në vitin 1921”. “Unë si njeri i pa anshëm, po them se, më barbar komb se grekët, më gjakpirës dhe më të pamëshirshëm, s’paska në botë”, – shkruante në atë kohë gjenerali hollandez De Ver në telegramin që i dërgoi nga Vlora qeverive të Fuqive të Mëdha të Europës, botuar më vonë në gazetën “Dielli” më 24 prill 1945.
Greqia zbatoi politikë të egër asimilimi
Greqia ndaj shqiptarëve të besimit të krishterë zbatoi politikë të egër asimilimi, ndërsa ndaj shqiptarëve të besimit mysliman zbatoi politikat më të egra të spastrimit etnik. “Shteti grek u ngrit mbi varret dhe mbi dëbimet e myslimanëve shqiptarë”, – i shkruante Kongresit të Berlinit më 1878 Abdyl Frashëri, njeriu i madh i Frashërit, Dangëllisë, Përmetit, Shqipërisë. “Qëllimi ynë duhet të jetë të pushtojmë sa më shumë Shqipëri”, – shkruante më 12 janar 1913 princi grek, Kostandini, dhe, po në këtë kohë, kryeministri grek Venizellos urdhëronte nga Londra gjeneralët e ushtrisë së tij që të nxitonin të pushtonin Janinën, përpara se Fuqitë e Mëdha të merrnin ndonjë vendim për kufijtë e ardhshëm midis Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa në verën e vitit 1913 ministri i jashtëm i Greqisë, Zografos, dikur guvernator i Janinës, bashkatdhetarëve të tij u deklaronte: “Mos ushqeni asnjë iluzion. Edhe në rast se do të jemi të shtrënguar të braktisim Epirin, ne nuk do të lëmë asgjë nga pas veçse tokën djerrë. Gjithçka mbi këtë tokë do të rrafshohet ”. Në hapësirën e viteve 1865 – 1913, – shkruhet në gazetën “Nacional” më 06.02.2011 – Sërbia, Greqia e Mali i Zi, të ndihmuara fuqishëm nga Rusia dhe Fuqitë e Mëdha, i rrëmbyen Shqipërisë 152 000 km2, nga të cilat: Serbisë iu dhanë afër 80000 km2, Greqisë 67000 km2 dhe Malit të Zi 7000 km2. Në trevën e Përmetit, në vitet 1913 – 1914, forct shoviniste greke, bandat e parregullta të Gjiritit dhe ushtria e rregullt e Athinës, masakruan kudo popullsinë dhe dogjën tërësisht apo pjesërisht 46 fshatra duke bërë shkrumb e hi 1258 shtëpi dhe duke lenë pa strehë 6409 banorë, nga të cilët 19 fshatra u dogjën në Dangëlli, ku rafshuan për tokë 662 shtëpi dhe u lanë pa strehë 2930 banorë. Masakrat, përdhunimet, vrasjet ishin të papara dhe të padëgjuarane në gjithë trevën e Përmetit. Më 28 shkurt 1913, – sipas Enciklopedisë Ushtarake të Marinës së Greqisë, – Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Greqisë, me anë të Kostandin Dhiadhohos, urdhëroi Armatën III, të përparonte për pushtimin e trevës së Përmetit. Më 6 mars 1913 ra Janina në duart e ushtrisë greke dhe, më tej, forcat ushtarake të Greqisë pushtuan Gjirokastrën, Delvinën, Tepelenën dhe, më 15 mars 1913, pushtuan Përmetin, ndërsa Korça ishte pushtuar më parë, më 20.12.1914.
Nesër do të lexoni:
– Nga 100 heronj të kryengritjes greke të 1821-it, 90 prej tyre janë shqiptarë
– Më 6 maj 1914, dita e Shën Gjergjit, andartët grekë filluan ofensivën kundër Frashërit
– Në këto vite lartësohet edhe heroizmi i vajzave dhe grave si kudo edhe në trevën e Përmeti
– Qazime Maliqi, duke u hedhur nga shkëmbi thotë: “Qëndroni or barbarë se shqiptarka vdes dhe nuk çnderohet
– Greqia kërkonte me çdo kusht që Shqipëria e Jugut të bashkohej me Greqinë
– Frashërinjtë, në Kongresin Kombëtar të Lushnjës
– Frashëri dhe Dangëllia ecën në rrugën e lirisë dhe të çlirimit edhe në vitet epope të LANC-it.
– Më 16 qershor 1943 në Radovickë u formua Çeta Partizane e Dangëllisë
– Në hapësirën e viteve 1912 – 2008, treva e Përmetit i ka dhënë Shqipërisë 2 kryeministra, 3 zv/kryeministra dhe 23 ministra
– Mehdi Ragib Frashëri, në bashkëpunimin me nazistët gjermanë u bë Kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës më 1944
DOSIER/ Flet historiani Kastriot Bezati: Frashëri – simbol i atdhedashurisë, diturisë dhe kulturës në Shqipëri
– Nga 100 heronj të kryengritjes greke të 1821-it, 90 prej tyre janë shqiptarë
– Më 6 maj 1914, dita e Shën Gjergjit, andartët grekë filluan ofensivën kundër Frashërit
– Në këto vite lartësohet edhe heroizmi i vajzave dhe grave si kudo edhe në trevën e Përmeti
– Qazime Maliqi, duke u hedhur nga shkëmbi thotë: “Qëndroni or barbarë se shqiptarka vdes dhe nuk çnderohet
– Greqia kërkonte me çdo kusht që Shqipëria e Jugut të bashkohej me Greqinë
– Frashërinjtë, në Kongresin Kombëtar të Lushnjës
– Frashëri dhe Dangëllia ecën në rrugën e lirisë dhe të çlirimit edhe në vitet epope të LANC-it.
– Më 16 qershor 1943 në Radovickë u formua Çeta Partizane e Dangëllisë
– Në hapësirën e viteve 1912 – 2008, treva e Përmetit i ka dhënë Shqipërisë 2 kryeministra, 3 zv/kryeministra dhe 23 ministra
– Sot, 46 rrugë të kryeqytetit, Tiranës, mbajnë emrat e bijëve të trevës së Përmetit
– Nga ky fshat kanë dalë 25 doktorë shkencash dhe 13 profesorë siç kanë dalë nga Frashëri
Box
Tmerret greke
Në fshatrat e tjerë të Dangëllisë u dogjën: në Selenicë të Frashërit 52 shtëpi, në Zavalan 43, Miçan 32, Kreshovë 25, Goroshian 23, Koblarë 22, Gostomicke 22, Strenec 20, Vërçisht 11, Soropull 13, Kakos 11, Kostrec 4, Ogren 1, Mbreshtan 1, Piskal 8, Qeshibes 9, Radovickë 24 dhe Qinam 23 shtëpi. Nga andartët grekë në Frashër u plaçikt dhe pastaj u dogj edhe Teqeja, – shkruan Kosta Papa Tomori.
Albert Z. ZHOLI
Më 6 maj 1914, duke u gdhirë dita e djelë, dita e Shën Gjergjit, andartët grekë filluan ofensivën kundër Frashërit. “Të gjitha shtëpitë e Frashërit kishin nga një flamur të Shqipërisë edhe nëpër dritare, të cilët u dogjën bashkë me shtëpitë. Tym e flakë u bë Frashëri”, – shkruan prifti atdhetar Kosta Papa Tomori në librin “Barbarizmat greke në Shqipëri. Kujtime historike 1913-1914”. “Në qershor të vitit 1914 (duhet të jetë 6 maj 1914 – K.B) u detyruam nga trupat (greke – K.B) të braktisim fshatin e Koblarës … Morrëm rrugën e malit në drejtim të Përmetit .. Kur arritëm në Frashër ishte natë. Frashëri po digjej dhe zjarri ndriçonte në mënyrë të frikëshme një hapësirë ku kalohej edhe përqark. Rrëzoheshin nga shtëpitë në flakë trarë të ndezur, pëlcisnin plloçat e çative duke u shpërndarë shkëndija e thëngjij të ndezur në të gjitha drejtimet …”, – shkruan Odhise Paskali. Masakrat e barbarizmat greke ishin të mëdha në të gjitha krahinat e fshatrat e trevës së Përmetit. Kënga e popullit na thotë: “Qante Leskoviku gjer në Dangëlli,/ Qante Pacomiti gjer në Ujë të Zi,/ Ishte djegur vëndi ishte bërë hi”. “O zot nuk harrohen/ Ato barbarizma/ As që numërohen/ Ç’ka bërë Elenisma”, – shkruante Nazif Osman Mamaqi në librin “Këngë e Vjersha”, botuar në Boston Mass më 1919. Kundër andartëve grekë u ngrit populli, i drejtuar nga trimat atdhetarët, ndër të cilët veçojmë dëshmorët Bilal Alipostivani, Riza Xhunga e Jano Xhoga, rënë heroikisht në fushën e betejës apo masakruar nga andartët dhe ushtria e rregullt e Greqisë.
Në këto vite lartësohet edhe heroizmi i vajzave dhe grave si kudo edhe në trevën e Përmeti.
Nisur nga libri i Kosta Papa Tomorit, nga Regjistri Themeltar i vitit 1945 të Nënprefekturës së Përmetit si dhe nga të dhënat e shumta të siguruara sidomos nga banorë, intelektualë e studjues në e nga fshatrat Kreshovë, Ogren e Frashër të Dangëllisë dhe Kosovë të Ceries së trevës së Përmetit, me krenari evidentojmë heroizmin e vajzës së re nga Kreshova, nuses së re të Ogrenit, Qazime Maliqi (Murati), lindur e rritur në Kreshovë, vajza e Iljazit e Shegës dhe motra e Zylfos e Veliut, martuar me Riza Hajredin Maliqin në Ogren, ngjarje e ndodhur në muajt e mbrapsht e tragjik të vitit 1914. Bukuroshja e Kreshovës dhe Ogrenit, Dangëllisë e Përmetit, u largua me shpejtësi nga një deriçkë e shtëpisë ku ajo banonte në lagjen Kamxhillarë të Ogrenit sapo ajo vuri re që tre katila andartë grekë iu afruan dhe ishin gati duke hyrë për qëllime të errta në shtëpinë e saj ku ajo ishte martuar e jetonte në Ogren. Qazimeja u largua nga shtëpia me vrap e ndjekur nga tre andartët e Greqisë dhe, kur ajo arriti në fund të fshatit, në lagjen Meshllarë të Ogrenit, u ngjit në Shkëmbin e Lartë, në vëndin e quajtur “Kodra”, u qëndroi përballë me trimëri andartëve të shkumbëzuar nga vrapi e të xhindosur nga inati dhe, ndër të tjera, me tërë fuqinë e zërit të saj melodioz që u dëgjua nga i gjithë fshati dhe u përhap me shpejtësi në hapësirat e luginave, arrave, kodrave e maleve të Ogrenit e Dangëllisë, tha: “Qëndroni or barbarë se shqiptarka vdes dhe nuk çnderohet … Rroftë nderi i Shqipërisë”. Si tha këto fjalë të pavdekshme, e Bukura e Dheut, Qazimeja, u hodh në gojën e vdekjes, më mirë vdekje i tha ajo vetes sesa me turp e robëri, fluturoi në humnerë, në thellësinë e thiktë lart-poshtë 100 metra dhe, u nda nga jeta ku e priti pavdekesia, në fund të humnerës, në ujrat e pastra, që kishin ndaluar shkumbëzimin e qëndronin pa lëvizur në heshtje me ngjyra të arta, të Përroit të Ormaneve, i cili i merr ujrat dhe e fillon rrugëtimin nga Mali i Taborit. Qazime Iljaz Maliqi u shndrua përjetë në simbol të nderit, bukurisë e trimërisë në ndërgjegjen e pavdekshme të shqipëtarit, Kreshovës e Ogrenit, Përmetit e Shqipërisë. A nuk është heroizmi i Qazimesë së Përmetit si ai i grave të Sulit të Çamërisë, të cilat në hapësirën e viteve 1798 – 1812, për të mos rënë në duart e ushtarëve të Pashait të Janinës, lëshoheshin një nga një poshtë shkëmbit në greminë duke hedhur vallen e famshme të Zallongut? A nuk është ky heroizëm edhe si ai i Aleksandrës, vajzës së qeveritarit të Përmetit, e cila, në vitin 1417, së bashku me të atin, Premtin, u hodh nga Guri i Qytetit të Përmetit për të mos rënë në duart e pushtuesve turq kur u pushtua nga ata Përmeti?
Greqia kërkonte me çdo kusht që Shqipëria e Jugut të bashkohej me Greqinë
“Greqia kërkonte me çdo kusht që Shqipëria e Jugut të bashkohej me Greqinë … ka vetëm një fe tek e cila shqiptarët bashkohen të gjithë: kjo është feja e Atdheut. Shqiptarët nuk i kërkojnë kurkujt gjë prej gjëje përveçse të drejtës për të jetuar. Duhet që ne ta respektojmë këtë të drejtë, nëse ne nuk duam që ta shikojmë përsëri në flakë Ballkanin”, – ka shkruar Eleonora de Vila, një franceze e martuar me Nuri bej Vilën nga Frashëri, e cila ka qëndruar në Frashër kur u dogj nga andartët grekë Frashëri. Në një raport të hartuar nga disa vëzhgues të kryqit të kuq të huaj, botuar në gazetën “Corriere delle Puglie”, më 14 – 15 dhjetor 1914, thuhet se në Frashër u vranë nga andartët grekë 12 banorë dhe u dogjën 218 shtëpi, – shkruan Kristo Frashëri. Këto shifra jep edhe Mit’hat Frashëri në essenë “Popullsia e Epirit”, botuar më 1915 në Sofie. Teki Emin Selenica, në librin “Shqipëria më 1917”, Tiranë, 1928, jep të dhëna të tjera dhe mendoj se janë më të sakta: në Frashër u dogjen 318 shtëpi dhe u lanë pa strehë 1112 banorë, – shkruan Teki Selenica. Në fshatrat e tjerë të Dangëllisë u dogjën: në Selenicë të Frashërit 52 shtëpi, në Zavalan 43, Miçan 32, Kreshovë 25, Goroshian 23, Koblarë 22, Gostomicke 22, Strenec 20, Vërçisht 11, Soropull 13, Kakos 11, Kostrec 4, Ogren 1, Mbreshtan 1, Piskal 8, Qeshibes 9, Radovickë 24 dhe Qinam 23 shtëpi. Nga andartët grekë në Frashër u plaçikt dhe pastaj u dogj edhe Teqeja, – shkruan Kosta Papa Tomori. Viti 1914 është një nga vitet më tragjike të shtetit të Shqipërisë, ndaj të shkakton dhimbje realiteti, aq më shumë kur deri më sot nuk është dënuar ky genocit as nga vetë Greqia, që jugu i Shqipërisë po mbushet me varrezat e ushtarëve grekë dhe numurohen me gisht për të mos thënë se mungojnë memorialet për të vrarët shqiptarë të masakrave të vitit 1914, të denoncuara nga kalorsi i ortodoksizmit dhe atdhetarizmit qysh në vitin 1917, prifti Kosta Papa Tomori nga Leusa e Përmetit. Çetat atdhetare të trevës së Përmetit, të cilat, në vitet 1908-1912, luftuan kundër pushtuesve osmanë për Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë, luftuan brënda e jashtë trevës së Përmetit edhe në vitet 1913 – 1914 kundër andartëve të Gjiritit dhe ushtrisë së rregullt të Athinës për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, nga të cilat cilësojmë çetat e At Stath Melanit, Mehmet Pavarit, Nexhip Bënjës, Menduh Zavalanit, Kamber Bënjes, Izet Zavalanit, Vangjel Gjikës, Mete Topojanit, Zaim Bubësit, Servet Frashërit, Meleq Frashërit, Riza Xhungës, Bilal Alipostivanit, Jano Xhogës, Arif Rodenjit, Ahmet Kajcës, Ferit Frashërit, Ali Kames, Seit Skënderit. Shumë klerikë, si: Baba Abedini, Kosta Papa Tomori, At Mihal Dhosi, At Kozma Prifti, Papa Paskali dhe të tjerë edhe në vitet 1913-194 u bashkuan me qëndrimin atdhetarë të popullit të trevës së Përmetit. Edhe veprimtari i shquar i lëvizjes për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vëndit, Sali Tahir Butka, 1857 – 1938, i lindur në Butkë, është me orgjinë të hershme nga Aliçkasit e Frashërit, të parët e të cilit u shpërngulën rreth vitit 1630 dhe u vendosën në Butkë të Kolonjës. Shqiptarët me luftë ngritën shtetin grek, i dhanë Pavarësinë Greqisë, ndërsa grekët masakruan e ushtruan genocit të paparë ndaj shqiptarëve dhe kërkonin coptimin e Shqipërisë. Naim Frasëri shkruan: “Me armët e Shqipërisë,/ Iu hodh themeli Greqisë”. Jeronim De Rada shkruan: “Çlirimi i Greqisë nga sundimi turk u krye dhe u arrit …nga shqipatarët”. Gjergj Fishta shkruan: “Pavarësia e Greqisë asht një lule e rimun me gjak shqiptarit”. Nga 100 heronj të kryengritjes greke të 1821-it, 90 prej tyre janë shqiptarë, disa nga të cilët janë: Ali Pashë Tepelena, Teodor Kollokotroni, Laskarina Bubulina, Marko Boçari, Andrea Miauli, Gjeorgjio Karaiskaqi, Gjeorgjio Kundurioti, Pavlos Kundurioti, Odhise Andruço, Nikolla Kriezoti, Kostandin Kanari, Kiço Xhavella e Teodor Griva. Nga treva e Permetit ishte edhe Haxhi Mihal Daliani, heroi i Kretës. “Haxhi Mihal Daliani ishte burrë i trimërive të mëdha … Një pemë gjigande ka dërguar në ishullin e Kretës Shqipëria … Ai e ngriti dhe e mbajti mbi supet e tij ishullin si një hero legjendar i botës Atlas”, – shkruan shkrimtaria greke Kleopatra Priftis. Edhe kryetari i parë i Greqisë në vitet 1828 – 1831 ishte shqiptari Joani Kapodistria nga Manalati i Gjirokastrës.
Frashërinjtë, në Kongresin Kombëtar të Lushnjës
Nga Frashëri, në Kongresin Kombëtar të Lushnjës (21 – 31.01.1920) morrën pjesë Eshref Kapllan Frashëri si përfaqsues i Korçës, Hasit e Lumës si dhe Faslli Ymer Frashëri si përfaqsues i Leskovikut, ndërsa Përmetin, si nënprefekturë, e përfaqsuan në Kongresin Kombëtar të Lushnjës Kasëm Mersin Radovicka, Ali Xhelal Këlcyra dhe Spiro Naqe Goroshiani apo si njihej Spiro Naqe Kosova. Eshref Frashëri u zgjodh edhe zv/kryeminister në Qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës, ndërsa një vit më vonë, më 1921, ai ishte Kryetari i Parë i Parlamentit të Parë të Shqipërisë, që doli nga zgjedhjet e 5 prillit 1921, është hartuesi i planit të parë urbanistik të Tiranës më 1926 në bashkëpunim me inxhinierët: italianin Kastellani dhe austriakun Vajs. Meleq Myftar Frashëri, ushtaraku i njohur për aftësi e disiplinë, mbeshteti organizimin e Kongresit të Lushnjës dhe komandoi xhandarmërinë e Lushnjës në mbrojtje të Kongresit. Në mbrojtje të këtij kongresi me rëndësi u vendos dhe komandoi forca edhe Ferit Kamber Frashëri. Më vonë Meleq Frasheri emrohet Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë së Shqipërisë.
Frashëri dhe Dangëllia ecën në rrugën e lirisë dhe të çlirimit edhe në vitet epope të LANC-it.
Frashëri është fshati i parë dhe Dangëllia është krahina e parë e çliruar nga administrata e pushtuesve të Romës në trevën e Përmetit. U çlirua Frashëri më 11 tetor 1942 nga Çeta partizane e Skraparit e drejtuar nga komandanti Xhelal Staravecka, i cili më vonë largohet nga radhët e UNÇSH, si dhe nga komisari Ramiz Aranitasi, ku bënte pjesë edhe luftëtari e kuadri i njohur i LANÇ-it nga Frashëri, Orhan Frashëri dhe, në bashkëpunim të plotë me partizanët, edhe nga atdhetarët e Frashërit dhe Dangëllisë. Efektivi i postkomandës, karabinierët italianë dhe xhandarët shqiptare, së bashku me nëpunësit e Komunës, u larguan me të shpejtë nga Frashëri në drejtim të Përmetit nga paralajmërimi dhe frika e sulmit të partizanëve të Çetës së Skraparit dhe atdhetarëve të Frashërit e Dangëllisë. Atë ditë, nga partizanët e fshatarët, u shkatruan stemat e fashizmit, u grisën portretet e Viktor Emanuelit dhe Benito Musolinit, u shkatrua stema e liktorit në pllakën komemorative, që i kushtohej Naim Frashërit, e vendosur në vëndin ku më parë ngrihej Shtëpia e Vëllezërve Frashëri, e cila u ngrit mbas Çlirimit, më 16 qershor 1974. Atë ditë, në Frashër, u ngrit Flamuri Kombëtar i Shqipërisë. Pas çlirimit të Frashërit, pushtuesit, nazistët e grupit të luftimit “Malter” të Divizionit të 1-rë Malor, u shfaqën në Frashër vetëm në natën e 8 qershorit 1944 dhe u larguan të nesërmen, në mbasditën e 9 qershorit 1944, në drejtim të Përmetit.
Më 16 qershor 1943 në Radovickë u formua Çeta Partizane e Dangëllisë
Në vitet e LANÇ-it, frashërllinjtë u rrjeshtuan në çeta pro e kundra Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, pro e kundra Ballit Kombëtar. Më 16 qershor 1943 në Radovickë u formua Çeta Partizane e Dangëllisë, e cila më 18 tetor 1943 u inkuadrua në Batalionin Partizan “Naim Frashëri”, që përbëhej nga tri kompani me emrat “Abdyl Frashëri”, “Sami Frashëri” dhe “Musa Fratari”, me komandant Hamdi Frashërin, i cili pa kaluar disa javë u largua nga rradhët e UNÇSH, dhe me komisar Petrit Radovickën. Më 1943 u formua Këshilli Antifashist i Frashërit, ndërsa më 5 shkurt 1944, në Frashër, u formua Këshilli Nacionalçlirimtar i Dangëllisë me kryetar Muharrem Frashërin dhe sekretar Mehmet Qinamin. Në dimrin e 1943-it në Dangëlli formohet edhe një batalion territorial me emrin “Liria”, ndërsa disa muaj më vonë, në pranverë të 1944-ës, kemi dy batalione territoriale me rreth 120 vullnetarë të organizuar nga Fronti Antifashist nga të gjitha fshatrat e Dangëllisë. Në luftë për thyerrjen e Operacionit armik të Qershorit, më 5 qershor 1944, në Frashër, në radhët e Brigadës III të UNÇSH, u rrjeshtuan Batalioni “Çome Mandi” i Grupit Partizan të Dëshnicës dhe Batalioni “Dervish Hekali” i Grupit Partizan të Mallakastrës, 2 kompani të Brigadës I, 30 partizanë të ardhur nga Tepelena si dhe luftëtarë të tjerë të ardhur nga grupe më të vogla të njësive të tjera të UNÇSH. Në vitet e LANÇ-it, – nisur nga ditari i At Paisi Vodicës, – nga 28 deri më 30 janar 1944 dhe më 19 e 20 maj 1944, në Teqen e Frashërit, të drejtuar në ato vite nga Baba Abaz Hilmi Elezi, kanë qëndruar së bashku edhe dy klerikë të lartë, njëri bektashi, Baba Abazi, si dhe tjetri orthodhoks, At Pashko apo At Paisi Vodica, të cilët më vonë do të jenë, njëri: Abaz Hilmi Dede – Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, (në vitet 1945 – 1947), vendosur në Shqiperi kjo Kryegjyshatë në fillim, më 1929, me seli në Korçë (ne Teqen e Turhanit) e, më vonë, në Tiranë, më 10 janar 1930, ndërsa autoqefalinë kleri bektashian e shpalli më parë se të vendosej në Shqipëri Kryegjyshata: më 17 janar 1921 në Teqen e Prishtës të Skraparit, tjetri: At Paisi Vodica, Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (në vitet 1948 – 1966), krijimi i së cilës u shpall nga Kongresi Ortodoks i Beratit më 12 shtator 1922 dhe u njoh autoqefalia e kësaj kishe, Kishës Orthodhokse Shqiptare, nga Patrikana e Stambollit më 12 prill 1937, si qëndër e së cilës në fillim u zgjodh Korça e më vonë Tirana. Herën e parë, më 28-30 janar 1944, At Pais Vodica ishte në Teqen e Frashërit me Baba Fejzon, i cili, – si shkruan At Paisi, – ishte në krye të rreth 200 partizanëve të ardhur nga krahinat e ndryshme të vëndit, të partizanëve të sëmurë rëndë dhe të partizanëve të plagosur të ardhur nga Zagoria. Përgjegjesi i Spitalit Partizan, të vendosur në Teqen e Frashërit në dimrin e viteve 1943-44, ishte doktor Ibrahim Dervishi, – thotë Orhan Halil Frashëri. Shumë frashërllinj morrën pjesë në rrjeshtime të ndryshme politike të viteve 1939-1944, madje në rrjeshtime të kundërta, si përshëmbull disa u rrjeshtuan si cilësuam në Çetën partizane të Dangëllisë dhe në Batalionin partizan “Naim Frashëri” po të Dangëllisë, të tjerë u rrjeshtuan me Ballin, kryesisht në çetat e komanduara nga Avni Radovicka, Myslim Zavalani, Osman Kaduçi, Sazan Skënderi, Qemal Dërmari dhe Ismail Kurtesi.
Mehdi Ragib Frashëri, në bashkëpunimin me nazistët gjermanë u bë Kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës më 1944
Rrjeshtime të kundërta pati edhe te frashërllinjtë e larguar nga Frashëri. Kështu përshëmbull Mehdi Ragib Frashëri, ish Kryetari i Këshillit të Shtetit më 1929 dhe ish Kryeministër më 1935, pranoi, si thuhet edhe në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botimi i vitit 2008, bashkëpunimin me nazistët gjermanë dhe u bë Kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës më 1944. Qëndrim armiqësor ndaj pushtuesve gjermanë nuk mbajti as frashërlliu Mihal Zallari, i cili në periudhën e okupacionit hitlerian, në fillim u bë anëtar për kulturën i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm dhe më pas u bë Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Mit’hat Frashëri, Kryetari i Kongresit të Manastirit më 1908 dhe firmëtari i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë më 1912, “themeloi e drejtoi Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik të Shqipërisë, botuar më 2008. Familja Tashko e Frashërit, që me pa të drejtë cilësohet si familje korçare në Fjalorin Enciklopedik të vitit 2002, dhe, së pari, Koço Athanas Tashko, i pesti shqiptar i diplomuar në Universitetin e Harvardit, bashkëpuntor i Fan Nolit e Faik Konicës, ishte një nga personalitetet komuniste të vëndit dhe u rrjeshtua me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, kryetar i Grupit Komunist të Korçës, pjesmarrës në Mbledhjen Themeluese të PKSH, anëtar e sekretar i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar më 1944 dhe, po në këtë rrjeshtim, ishte edhe i vëllai i tij, Gaqo Athanas Tashko, anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar më 1944. Ndër luftëtarët e shumtë frashërllinj, që luftuan për çlirimin e vëndit, të organizuar në lëvizjen antifashiste brënda apo jashtë trevës së Përmetit, cilësojmë: Agron Qazim Frashëri, Myftar Hajrullah Tare, Orhan Halil Frashëri, Muharrem Riza Frashëri, Hilmi Izet Frashëri, Zhulieta Qazim Kazanxhiu, Mediha Servet Frashëri, Xhemil Kahreman Frashëri, Përparim Izet Frashëri, Dragush Kahreman Frashëri, Medi Nezir Hasani, Vedat Refat Frashëri, Kristo Anastas Frashëri, Stefanaq Themistokli Pollo, Përparim Hajdar Frashëri, Bardhyl Meleq Frashëri dhe Hodo Skënderi, i cili si oficer xhandarmërie, luftoi me armë pushtuesit së bashku me Mujo Ulqinakun në Durrës dhe, nga Frashëri e Dangëllia, ranë dëshmorë në luftë me pushtuesit nazifashist e tradhëtarët e vëndit brënda e jashtë trevës së Përmetit: Faslli Tefik Kotorri, Gjergji Anastas Frashëri, Ismet Nevruz Bregasi, Jorgji Anastas Thoma, Koço Aleks Frashëri, Lefter Naun Laska, Llukan Thimjo Laska, Mintaz Zylfo Murati, Muke Ilmi Topi, Niko Jorgji Thoma, Nisi Josif Foto, Peçi Spiro Niçka, Rustem Hajdar Bektashi, Sofo Lipe Dhimitri, Sulçe Selman Skënderi dhe Sulo Zylfo Zeneli.
Kryeministra
Në hapësirën e viteve 1912 – 2008, treva e Përmetit i ka dhënë Shqipërisë 2 kryeministra, 3 zv/kryeministra dhe 23 ministra, nga të cilët nga Frashëri ishin: 1 kryeministër – Mehdi Frashëri, 1 zv/kryeministër – Eshref Frashëri dhe 10 ministra – Mit’hat Frashëri, Gaqo Adhamidhi, Mehdi Frashëri, Eshref Frashëri, Xhafer Vila, Vehbi Frashëri, Mihal Zallari, Gaqo Tashko, Hektor Frashëri, Genci Pollo. Botës së artit e shkencës i kanë dhënë shumë bijët e mëdhenj të Frashërit. I bëjnë nder Shqipërisë mikrobiologu i madh, profesor Refat Myftar Frashëri, këngëtaria e madhe lirike Tefta Athanas Koço, aktori i madh i skenës dhe kinematografisë Naim Servet Frashëri, “Nderi i Kombit”, si dhe historiani i madh Kristo Anastas Frashëri, gjithashtu “Nderi i Kombit”. Edhe shkrimtari Foqion Postoli, i cili ka lindur në Korçë, është me prejardhje nga Frashëri.
Intelektualwt
Nuk di që nga një fshat të kenë dalë 25 doktorë shkencash dhe 13 profesorë siç kanë dalë nga Frashëri, – thotë profesori nga Frashëri, Alfred Frashëri. Ky numur ka te beje me vitin 2007, ndërsa sot, në vitin 2014, kemi 22 akademikë e profesorë dhe 35 doktorë shkencash. Akademikë: historianët Kristo Anastas Frashëri dhe Stefanaq Themistokli Pollo, informaticieni Neki Irfan Frashëri si dhe fizikanti Florian Mustafa Vila. Profesorë: mjeku Refat Myftar Frashëri, agronomët Mustafa Qamil Vila e Gaqo Athanas Tashko, gjeofizikanti Alfred Irfan Frashëri,”Mjeshtër i Madh”, kimisti Muharrem Riza Frashëri, historiani Xhemil Kahreman Frashëri, gjeokimisti Artan Gaqo Tashko, gjeofizikanti Rushan Hysen Liço, matematicieni Albert Përparim Frashëri, radiologu Petrit Teki Selenica, gjuhëtari Minella Marko Totoni, studjuesia e kulturës së njerëzimit Zana Kristo Lito (Frashëri), agronomi Hilmi Izet Frashëri dhe arkeologu Gjergji Kristo Frashëri. Duke qënë nipër, me Frashërin lidhen edhe akademiket: sizmologu Eduard Skënder Sulstarova dhe inxhinieri e studjuesi i arkitekturës popullore Emin Selman Riza si dhe profesorët: arkeologu Neritan Hasan Ceka dhe hidrologu Bardhyl Abdyl Abdyli si dhe historiani e muzeologu Stiljan Petro Adhami. Me orgjinë nga Frashëri janë edhe këngëtaret e njohura Afërdita Zonja, vajza e Iljazit, nga lagjia Lahçenj, si dhe Maya Aliçkaj, e bija e Myrtes, kuptohet nga lagjia Aliçkaj. Edhe këngëtaria e mirënjohur Eli Fara, vajza e Vasilit, lidhet me Frashërin sepse stërgjyshja, nëna e gjyshit, Nasho Fara, është nga Frashëri. Po kështu edhe violinisti i madh Et’hem Ibrahim Qerimi, nga Shtika e Këlcyrës, i lindur në Këlcyrë, lidhet me Frashërin sepse gjyshja e tij, Nurka, është nga Frashëri. Me orgjinë nga Frashëri, nga lagjia Aliçkas, është edhe arkitekti Qemal Selman Butka, i cili ka qënë edhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës nga 21.10.1935 deri më 07.11.1936. Të tjera figura me kontribute në shkencë, art, arsim, publicistikë, mjekësi, kulturë e sport, nga Frashëri janë edhe: intelektuali i shquar Teki Emin Selenica, futbollisti i shquar Fatmir Syrja Frashëri, “Mjeshtër i Madh”, gjeodeti Alaudin Ali Frashëri, mësuesi e publicisti Andon Frashëri, mjekia pediatre Xhanfise Mehmet Basha (Frashëri), themeluesja e puerikulturës, muzikanti e piktori Anastasi ose Artur Athanas Tashko, mësuesi Aleko Athanas Tashko, folkloristi dhe etnologu Stavro Thoma Frashëri, mësuesi i meritur Skënder Vila, dirigjenti e muzikologu Eno Kristaq Koço, kryetari i Urdhërit të Infermierit Sabri Xhevahir Skënderi.
Sot, 46 rrugë të kryeqytetit, Tiranës, mbajnë emrat e bijëve të trevës së Përmetit
Sot, 46 rrugë të kryeqytetit, Tiranës, mbajnë emrat e bijëve të trevës së Përmetit, nga të cilët 13 janë nga Frashëri: Abdyli, Naimi e Sami Halit Frashëri, Athanas Tashko, Eshref Kapllan Frashëri, Teki Emin Selenica,Tefta Tashko Koço, Mehdi Ragib Frashëri, Petrit Teki Selenica, Stefanaq Themistokli Pollo, Andon Frashëri, Gaqo Athanas Tashko, Alaudin Ali Frashëri.
Si cilësova edhe në fillim, janë tre Vëllezërit Frashëri që e bënë Frashërin vënd të shenjtë të Shqipërisë. “Sikur të shoh, i tmerrshmi Frashër,/ Tek po mban zi përgjithmonë,/ Ti më besniku trashëgonjës, / I dashuris’ së vëndit tonë”, – shkruan Lasgush Poradeci në një prej kryeveprave të tij kushtuar Naim Frashërit. Rasti i Abdylit, Naimit dhe Samiut mund të thuhet se është një fenomen i rrallë, që i kalon jo vetëm kufijtë e Shqipërisë por edhe të Ballkanit. Abdyli, Naimi e Samiu shkrinë në një llogore të vetme tri detyrat themelore taktike që shtroheshin para vëndit: shpëtimin e atdheut nga coptimi territorial, bashkimin e viseve shqiptare në një vilajet autonom dhe lëvrimin e kulturës atdhetare në shërbim të luftës për çlirimin e Shqipërisë. “Tre vëllezërit Frashëri kishin lindur me pishtarë në dorë: ata i dhanë frymë Shqipërisë kur Shqipëria po jepte frymën e fundit … Abdyli, Naimi, Samiu farkëtuan Zgjimin e Madh”, – thotë poeti Xhevahir Spahiu. Vëllezërit Frashëri janë tre profetë të Shqipërisë. Vëllezërit Frashëri e bënë Frashërin të jetë Meka dhe Jeruzalemi i shqiptarëve dhe Shqipërisë. Shqipërinë e ngriti, e lartësoi dhe i dha emër mbi tokë Gjergj Kastriot Skënderbeu, e mbajtën në këmbë dhe i ndriçuan rrugën e lirisë Abdyli, Naimi e Sami Frashëri dhe i vuri mbi krye kurorën e vetqeverimit Ismail Qemal Vlora.
Frashëri ka bërë Shqipëri.