© Melsen Kafilaj
… Tregojnë se qysh kur ishte student në Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe i kalonte pushimet verore në Shkodër, gjatë vajtje-ardhjeve të tij Ai mbante përherë një plis të bardhë mbi krye në të cilën ishte shkruar: “Jam shqiptar.”
E pra, ky ishte poeti, mistiku, filosofi dhe patrioti shkodran Hamid Gjylbegu.I mëkuar me ndjenjën e dashurisë për Atdheun (Patria) dhe i udhëhequr nga ndjenja e detyrës për ta mbrojtur atë, ai e shfaqte këtë frymë të lartë qoftë me akte po ashtu edhe me vargje të fuqishme patriotike.Në poezinë e tij ndihen shqetësimet mbi fatin e kombit, sesi mund të bëhet dhe përparoj ai apo edhe fenomene të tjera negative si: errësira mendore, tradhëtia ndaj kombit apo edhe shitja e interesit kombëtar, fenomene të cilat fatkeqësisht janë të pranishme mes nesh edhe në ditët tona.Ja sesi shprehet tek “Gjâma e Shqypes” me zemër të lëshuar dhe keqardhje Hamid Gjylbegu:
Shqypnija, zoj’ e rândë,
Mbet si gogla përmi ujë,
Asht kah merret nëpër kâmbë
Bâhet vegla e gjithkujt.
Nuk ka faj Shqypnija e zezë,
Por e kan do t’bijtë e saj,
Me tradhëtina e kanë ndezë,
E bânë qyqe që të qajë.
Ose kur me brengë në zemër i lutet Hyjit dhe Hyllit bashkë që ti zbardh ditën këtij kombi dhe ta nxjerrë nga Errësira e Paditurisë:
Ti, o hyll, i bardhi hyll,
Qi gjith botën e shtegton!
Kah kalon nëpër kët pyll;
Ti kët vend pse s’e ndriçon? …
Ky vend ka nevojë për dritë
Se mjaft muzgu e ka mbulue;
Pret qi t’sbardhë e bardha ditë,
Me t’vërtetë me u arsimue! …
Por Gjylbegu shprehet edhe me tone optimiste për përparimin e Kombit, duke e vendosur besimin tek Rinia e Mirëarsimuar, të cilën e quan “si shpresa më e gjallë e ardhmërisë së kombit tonë”.Prandaj Ai ia beson këtë mision qytetërues brezit të ri, duke e përqafuar krahapur dhe duke e këshilluar që të jetë një dashuronjës i përhershëm i Dijes dhe Virtytit.
Pra n’çdo ças, çdo orë,
Bashkë sikur pëllumba;
Na me libra n’dorë,
Lé t’mësojmë ndër trûma!
Se dukë edhe hije,
Pa virtyt, pa dije
Nuk vlejnë as nji fije!
Atdheu prej nesh,
Pret dritën e lumnisë;
Agimin e vet
N’kulm t’qytetnisë!
Në botëkuptimin e Hamid Gjylbegut, E Mira, E Drejta, E Vërteta dhe E Bukura janë vlerat më të larta dhe pa këto vlera Qënia Njerëzore nuk mund ta përjetoj Ngjitjen e Madhe.Në këtë kuptim, ai është një idealist i cili kërkon që gur-themeli i shoqërisë shqiptare të jetë virtyti sepse veç falë tij dhe idealizmës mund të realizojmë ndërtimin dhe përparimin e Shqipërisë së Re! Ja sesi shprehet Ai tek poezia “Besa”:
Ndër trojet e Skënderbeut
Kur “Virtyti” t’ bâhet “Besë”
Përparimi i këtij Atdheut
“Ideal” i gjall do t’mbesë!
Lidhni besë, e lidhni fe!
Për liri, t’bukurën ide!
O me vdekë, o ja me lé!
Por sa do të zhgënjehej poeti ynë kur me ardhjen e Komunistëve në pushtet libërthat e tij jo vetëm do të çensuroheshin por ajo ëndërr e madhe për Atdheun e tij të dashur, të lirë, të qytetëruar dhe të përparuar do ti pritej më dysh…Ai nuk do të shkruante më vargje poetike ndërsa Heshtja do ti vuloste buzët.Ndoshta një poezi vizionare, e shkruar prej tij në vitin 1943 do ta shprehte fare mirë këtë shqetësim dhe raportin e shqiptarëve me lirinë:
M’ndihmo zânë se vetë s’po di,
Lakureksi nuk sheh n’dritë;
Se shqiptari kur del m’liri,
Aq mâ tepër rri habitë! …
Kjo gjâ shpirtin ta mërzitë,
Edhe shpresën fort t’a bjerr
N’sa prej territ dalim n’dritë,
Prap prej dritës fill biem n’terr! …
Dashuria e zjarrtë e Hamid Gjylbegut për Atdheun dhe fryma e tij përkushtuese deri në fund të jetës më solli befas ndër mënd poezinë patriotike të eruditit të madh të Filipineve, José Rizal i cili përpara se ta ekzekutonin shkroi këto vargje:
Lamtumire, i dashur Atdhe
tokë e Diellit Suprem,
Ti perl’ e Detit te Lindjes,
i humburi im Eden…
Hamid Gjylbegu deri në momentin kur do ti thoshte “lamtumirë” njëherë e përgjithmonë Edenit të vet, Shqipërisë do ta refuzonte Sistemin Komunist jo vetëm përmes heshtjes së tij patriotike por edhe me një akt kurajoz i cili na bën ta përnderojmë me respekt figurën e tij; për mosbindjen e tij civile. Ai nuk e legjitimoi kurrë me votë Padrejtësinë dhe Diktaturën! Ler ti ngremë një obelisk në zemrat tona poetit-luftëtar, i cili së bashku me një grusht njerëzish në historinë e këtij kombi ende na frymëzojnë dhe na bëjnë që të shqiptojmë posi një litani të shenjtë vargjet magjike:
“Ti Shqipëri, më jep nder
Më jep emrin Shqipëtar…”
© Melsen Kafilaj