PRISHTINË, 20 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga data 16-20.04.2018, është mbajtur punëtoria e gjashtë e sigurisë kibernetike, realizuar nga oficerë të Gardës Ajrore Kombëtare të Iowa-s-të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në punëtori morën pjesë 17 oficerë dhe nënoficerë nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në ceremoninë përmbyllëse të pranishëm ishin: Komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi, nënkoloneli Lawrence Yazzie, majori William McElvain nga Garda Ajrore Kombëtare e Iowa-s, dhe shefi i Departamentit të G6-të të KFT-së, nënkolonel Gyrner Murati, i cili në hapje të këtij aktiviteti, shpjegoi në pika të shkurta ngjarjet që janë realizuar gjatë gjithë javës në fushën e mbrojtjes kibernetike.
Komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, falënderoi të pranishmit dhe në veçanti oficerët dhe nënoficerët nga Iowa, për bashkëpunimin dhe ndihmën që po japin për ngritjen dhe profesionalizimin e pjesëtarëve të FSK-së, si dhe për mbështetjen e pakursyer të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe personalisht gjeneralit Timothy Orr.
Ndërsa, nënkoloneli Yazzie, bëri një prezantim të punës së përbashkët gjatë kësaj jave, duke falënderuar për mirëpritjen, që ju është bërë në Kosovë , e veçanërisht në FSK. Ai, me këtë rast, tha: “Zoti gjeneral, ju keni një staf shumë të përgatitur dhe profesional”. Nënkoloneli Yazzie premtoi vazhdimin e realizimit të projekteve specifike./b.j/