NJË FALËNDERIM DHE NJË FTESË E VEÇANTË NGA KOSOVA PËR PRESIDENTIN XHORXH W. BUSH/
Nga Frank Shkreli/
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku njofton në faqen fejsbuk të përfaqësisë diplomatike të Prishtinës në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara se ajo ishte takuar, në fillim të kësaj jave, me ish-Presidentin amerikan, Xhorxh W. Bush në Dallas të shtetit Teksas. Vizita e kryediplomates së Kosovës në Dallas kishte një mision të veçantë dhe tepër të rëndësishëm. Ambasadorja Çitaku duhej t’i dorëzonte ish-Presidentit Bush – jo një notë diplomatike ose ndonjë njoftim zyrtar nga Kosova a po nga udhëhqesit e Republikës së Kosovës, që ajo përfaqëson – por ishte diçka me më shumë rëndësi. Ishte një letër falënderimi drejtuar ish-udhëheqsit amerikan, e një përfaqsuesjeje të brezit të ardhëshëm të shqiptarëve të Kosovës, pikërisht nga vajza shqiptare nga Kosova, e quajtur Pavarësia.
Në njoftim thuhet se Pavarësia ka lindur pikërisht dy minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke u bërë foshnja e parë, lindur në ditën e shpalljes së Pavarësisë. Në këtë kapacitet, po të mund të themi kështu, Pavarësia, vajza shqiptare 9-vjeçare nga Kosova, i drejtohet Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Xhorxh W. Bush, me një letër falënderimi për rolin që ai ka luajtur në promovimin, dhe më në fund, në sigurimin e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që në letrën e saj, Pavarësia, njëkohsisht e fton Presidentin Bush që të vizitojë Kosovën me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, vitin që vjen.
Shqiptarët do ta mbajnë mend për gjithmonë deklaratën e Presidentit Xhorxh Bush nga Tirana, qershorin e vitit 2007, në lidhje me vonesat ddiplomatike, kryesisht të evropianëve të asaj kohe, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës – se “enough is enough”, mjaft është mjaft dhe se kishte ardhur koha tashmë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kishte thënë Z. Bush gjatë vizitës së parë në Shqipëri të një presidenti amerikan në detyrë. Ishte kjo një deklaratë e njëjtë me atë të një shekulli më parë, kur një president tjetër i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson-i, i kishte premtuar Fan Nolit se, “Në konferencën e paqës do të kam një zë dhe se atë zë do ta përdor në mbështetje të Shqipërisë”. Në të dy rastet, shqiptarët kudo, nuk duhet të harrojnë kurrë skenarët e mbrojtjes së Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo, nga ana e Shteteve të Bashkuara, por as edhe rolin që ka luajtur diaspora shqiptare, sidomos diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara, fillim shekullin e kaluar si edhe në fillimin shekullin e 21-të.
Është në këtë frymë mirënjohjeje dhe falënderimi që vajza e re shqiptare, Pavarësia, nga Kosova i drejton letrën Presidentit Xhorxh W Bush, pikërisht si një kujtesë dhe falënderim për rolin e tij në përpjekjet amerikane për të bindur botën se kishte ardhur koha për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për njohjen e atij vendi si shtet i pavarur. “Ndërsa por afrohet 10-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në faqen e kryediplomates së Kosovës në Wasshington, “Ne duhet të kujtojmë miqtë dhe aleatët tanë më të mirë. Presidenti Bush ishte ndër të parët presidentë që njohu Kosovën dhe e kemi për nder ta quajmë atë mik tonin. Kosova ishte me të vërtetë e bekuar për faktin se kishte mbështetjen e tij në periudhën tonë më kritike të saj”, shkruan ajo. Ambasadorja Çitaku thotë gjtihashtu se Presidenti Bush i ofroi asaj një mikpritje të ngrohtë dhe se zhvilluan bisedime të frutshme me rastin e dorëzimit të letrës nga 9-vjeçarja Pavarësia, e lindur në ditën e shpalljes së pavarsisë së Kosovës.
Pavarësia i drejtohet Z. Bush me përshëndetjen,
“I dashur Z. President.
“Më quajnë Pavarësi, që do të thotë “Independence” dhe jam lindur 2-minuta pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj. Unë dua t’u falënderoj për punën tuaj për ta bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur. Së shpejti unë do i mbushë 10-vjetë ashtu siç do i mbushë edhe Kosova. Unë luaj me shokë e shoqe dhe shkoj në shkollë. Shpresoj që të vizitoni mua dhe Kosovën me rastin e ditëlindjes tonë. Do të kemi përgatitur një tortë jashtzakonisht të madhe dhe do të ndezim fishekzjarre. Një falënderim të madh për ju dhe përqafime nga Kosova”, përfundon Pavarësia, letrën e saj dërguar Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush.