Rrëfim i një grimiori-Fragment nga Romani i autorit Pellumb KULLA*/
I shtrova mbi fytyrë një ton të zbehtë, i errësova disi faqet dhe tëmthat, duke ndritur më shumë mollëzat dhe çipat e ballit. Duke punuar kisha parasysh fytyrën e të vdekurit që kishim në dhomën tjetër dhe nisa të udhëhiqesha më shumë nga përfytyrimi i freskët i saj. Pata kërkuar të dija se si do të ishte ndriçimi në tribunën portative: më thanë që aty nuk do të kishte pothuajse aspak dritë. Teloja më pat thënë, se për çdo të papritur, nuk bëja keq, që edhe unë, të endesha aty rreth tribunës dhe pata rast ta vërtetoj atë që ndriçimi ishte mbajtur vërtet afër zeros.
Po prisnim në heshtje, që atë të vinin ta merrnin për t’u nisur në krye të vargut të veturave, që do të zbarkonin udhëheqjen në sheshin e koncertit. Burri i makiuar, si dukej, po ndjente që ndryshe nga gjithë të tjerët, që merreshin me të, isha i mirësjellshëm dhe dashamirës. Kjo e çliroi, aq sa, në një vazhdë të gjatë heshtjeje, teksa prisnim, guxoi të më pyesë:
“Përse ishte nevoja të më përgatisje aq të zbehtë dhe të tretur?”
Nuk desha të shtyhesha në atë udhishte të dialogut dhe i thashë se kështu e pata porosinë.
Dukej sikur nuk po merrte frymë.
“Çfarë? Mos Komandanti, …nuk është mirë me shëndet?
Pyetja e tij këtë radhë nuk m’u duk si ato pyetjet shtirake dhe interesimet me preokupime të tepruara, që i dëgjoja rëndom pas çdo shfaqje zyrtare të prijësit të vendit. Preokupimi që tingëllonte në pyetjen e tij ishte i sinqertë, i brengosur. Ishte një pyetje plot dramaticitet. Mua më erdhi keq ta gënjeja dhe zgjodha veprimin më të lejueshëm që më takonte: mblodha supet pa nxjerrë asnjë psherëtimë.
Tani edhe ai ra në një heshtje të gjatë. Shihte nga dritarja e priste të vinin ta merrnin, pa e ditur që ai do të ish shërbimi i fundit që po i kërkonin. Në një çast vështroi me frikë rreth e rrotull dhe pastaj më shfaqi një brengë edhe më të thellë, edhe më të guximshme.
“Vajza më tha një ditë, se njerëzit si puna ime, mbarojnë keq. Në
vend që të dekorohen, flaken tej si lecka. Është për t’u trembur shumë, në ditët që njerëzit, që ne dublojmë, vdesin dhe ne nuk nevojitemi më.”
Erdhën dhe e hoqën nga dhoma ime, se do të niseshin veturat. Po afronte ora e koncertit.
Për mua skenari i mëtejshëm ishte i njohur dhe asnjë habi nuk më shkaktoi kur u zbatua pikë për pikë. Veturat e kishin të hapur rrugën nga policët e shërbimit. Të rinjtë, që më së shumti mbushnin sheshin, me të parë figurën e shokut Komandant të shfaqej bri veturës, shpërthyen në rroftëthirrje entuziaste dhe në duartrokitje të parreshtura. Njeriu i lartë, që zbriti nga makina, u tundi dorën me atë lëvizjen monumentale e karakteristike dhe u ngjit në tribunë, i ndjekur nga e shoqja dhe tërë antarët e Byrosë Politike. Thirrjet nuk kishin të sosur dhe Komandanti, që ç’është e vërteta, dukej pak si i lodhur, nuk desh të shuante entuziazmin e njohur që shkaktonte prania e tij në popull. U detyrua, pra, të rrinte edhe ca kohë në këmbë, i mbështetur në parmakun e parë të tribunës. E shoqja, e tërhoqi në thellësi dhe gati e uli me zor. Ai zuri vend në një kulltuk mes gruas dhe Kryetarit të Parlamentit. Të gjithë personalitetet partiake dhe shtetërore pas tij, u ulën menjëherë me të zënë vend i pari i tyre. Unë e pashë që ai ngriti dorën në një shënjë të njohur dhe Teloja nxitoi t’i vinte pranë dhe t’i merrte me përulësi porositë e tij duke tundur kokën e duke përsëritur shumë herë: “Si urdhëron, si urdhëron!”.
Kështu filloi koncerti. Programi kishte një pjesëmarrje masive artistësh profesionistë dhe amatorë dhe një përzierje të repertorit popullor dhe atij të përpunuar.
Në një valle të gëzueshme, që kërcehej në shesh, dorë për dorë, amatorët i mbanin sytë nga tribuna dhe shquanin, se si Komandanti mbante ritmin duke tundur pëllëmbën e dorës sikur tundëte shaminë. Kjo u jepte një buzëqeshje të lumtur uniforme të gjitha fytyrave të atyre që ishin ulur prapa dublantit. Pastaj, me një rrotullim tjetër të avashtë e monumental, ai kërkoi me sy Telon, i cili vrapoi gjysmë i përkulur edhe njëherë pranë njeriut që luante Komandantin, më mirë seç e luante Teloja respektin për të. Eprori dukej se i shfaqi një dëshirë dhe Teloja, me të marrë porosinë, shkoi një për një, te të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Ne pamë që ata, me të marrë urdhërin, u ngritën tok me gratë e tyre, zbritën në shesh, hynë në mes të vallëtarëve dhe vallëzuan tok me ta.
Më tej, në mes të programit, e shoqja e Komandantit e thirri edhe një herë Telon. Këtë radhë dukej se ishte diçka serioze, që nuk kish të bënte me asnjë valle. Ajo i shprehu njeriut me mustaqe të hijshme një shqetësim. Ne e pamë se si, ai, i alarmuar, foli me dikë në radio. Disa trupruajtës erdhën me një frymë, e rrethuan udhëheqësin dhe e morën atë për krahësh, duke i bërë me shënjë veturës kryesore të afrohej deri afër tribunës. Gruaja u ngjit me të shoqin në veturë, ndërsa Kryetari i Parlamentit i u drejtua zyrtarëve të lartë, që qenë ngritur në këmbë të shqetësuar. Ai i bëri ata me dije, se nuk ish gjë për t’u alarmuar dhe i siguroi se shoku Komandant do ta merrte veten menjëherë. Ata nuk kishin shkak të krijonin panik të panevojshëm e të turbullonin me rrjedha të pakëndëshme atë koncert të bukur rinor. Bile ata duhet të vazhdonin të vallëzonin tok me artistët. Këtë porosi pat lënë dhe shoku Komandant, ndërsa po i drejtohej veturës së tij.
Pas kësaj, Kryetari i Parlamentit u largua me ngut, në kundërshtim me atë që u la porosi të tjerëve. Sidoqoftë, ata, të tjerët, ia dëgjuan porosinë dhe qëndruan. U ngritën herë tok e herë veç dhe e hoqën vallen në shesh mes të rinjve.
Dhe ja, ishte një herë, – qëlloi që të ishte hera e fundit, – kur ata qenë ngritur të gjithë dhe po kërcenin duke fshirë djersët që u zbrisnin çurk nga balli. Tamam kur vallja qe ndezur mirë, dikush erdhi nga jashtë dhe e ndali vallen mu në mes të saj. Në shesh ra një heshtje ogurzezë. Tërë funksionarët e lartë, ashtu të djersitur e braktisën vallen dhe rrethuan lajmëtarin. Gati hapur po flitej se diçka e rëndë kish ndodhur, apo po ndodhte ndërkohë, në lagjen qeveritare. Me të marrë njoftimin tërë elita partiake dhe shtetërore la me ngut sheshin dhe iu drejtua veturave, të cilat pa vonesë ishin afruar e po prisnin të ndezura për rrugë.
Unë i dhashë shënjë Skënderit dhe ai nga ana e tij urdhëroi të vinte makina jonë. Pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, grupi shoqërues më mori dhe u nisëm për në shtëpi.
Dimri sapo kish dalë dhe ende nuk ish koha për të ndjerë atë zagushi të padurueshme. Por një duhmë e nxehtë e gati e neveritshme vinte nga jugu, që tej nga shkretëtirat e Afrikës dhe ne kishim vënë re, se si djersinin në shesh vallëtarët dhe anëtarët e Byrosë Politike, që kërcyen me ta. Dukej sikur, me urdhër, kryeqyteti i pat hapur dritaret kat më kat, dhe që andej, vinin njësoj zhaurimat e stadiumeve të Kupës së Kampioneve që atë mbrëmje zhvillonte një nga turet e radhës.
Prilli sapo mbyllte ditën e tij të dhjetë.
Papritur kalldrëmet e Bulevardit të Madh zunë të dridheshin dhe një uturimë e thellë dukej sikur vinte nga fundi i dheut. Në një çast ne frenuam dhe pritëm. Një varg i gjatë tankesh kaloi përpara nesh dhe vazhdoi rrugën drejt bllokut të banesave qeveritare. Mund të ishin dyqind a treqind tanke që kalonin me tërsëllëmë para syve tanë. Kur ktheva edhe një herë kokën nga banesat e qeveritarëve, pashë që tanket e parë ishin vendosur atje. U kishin kthyer kurrizin godinave dhe tytat e tyre, si sqepa të çeliktë vigjëlues, i mbanin nga sheshi i Universitetit dhe nga e tërë hapësira e bulevardit.
Kur kaluan dhe tanket e fundit që nguteshin të siguronin dhe pjesën e padukshme të rezidencave të udhëheqjes së shtetit, makina jonë vazhdoi rrugën.
Këtë herë, çuditërisht, pa nevojën e urdhrit tim, automjeti me xhama të errët më la m’u përpara hyrjes së godinës ku banoja.
Çdo gjë tani dukej e çtensionuar.Ish marrë vendimi që të njoftohej vdekja më e hidhur që po godiste vendin tonë të vogël. Do jepej si i papritur lajmi për atë vdekje që unë, as tani, nuk jam i sigurtë, se sa ditë më parë pat ndodhur.
*Ishte një copëz nga kreu i parë i romanit
Libri gjendet në www.amazon.com
Te lumte Pullumb dhe urimet e mija me te perzemreta per librin tend .Edhe une te kam njohur sado pak dhe ta njoh shtizen tende te mprehte qe godit ne shenje gjithmone .Nuk e dij se me c’deduksione do te dalin qeveritaret e cdo kallepi prej 25 vjetesh kur zonja Makbet ,eshte akoma gjalle dhe qelb Tiranen me duhmen e saj te ndyre .Ndofta atyre nuk u ben asnje pershtypje se ai popull mund te ushqehet me lloje lloje genjeshtrash e te manipulohet lehtesisht .Sidoqofte ne bejme punene tone ,ju pelqen apo jo atyre .Them -NE sepse edhe une ja kam baltosur ca fytyren e tij diabolike me pamje babaxhani nga jasht .Ne ja njohem mire vrerin qe nxirrte nga goja e tij satanike qe mori me qafe sa e sa jete te pafajeshme .Une e dij se sa keq te demtoi edhe ty duke te nderprere veprimtarine artistike .Une te uroje ta mprehesh akoma penen deri sa te kesh jete (Te uroje jete te gjate )kunder satrapit me te madh te popullit shqiptare .