Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ Opozita ka bllokuar edhe sot seancën plenare të Kuvendit të Kosovës me “rrethim” të kryesuesit e foltores, të nisur me vonesë dhe të ndërprerë për “pushim njëorësh” të dhënë nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Pranë zyrës së tij, para seancës deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës, i cili është shpërndarë në ambientet e tjera të Kuvendit. Ndersa para ndërtesës së Kuvendit ka grumbullime të aktivitëve të opozitës – qyetarëve protestues dhe është hedhur mjet tymimi me ngjyrë.
Kryetari i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj, në një deklaratë pas ndërprerjes, tha se para se të fillonte seanca i kishte kërkuar koalicionit qeverisës “të gjejnë një mënyrë për anulimin e marrëveshjeve” të 25 gushtit me Serbinë dhe të demarkacionit me Malin e Zi. “Pa anulim të marrëveshjeve, nuk ka kushte të mbahet seanca e Kuvendit”, u shpreh ai.
Pas hedhjes sot të gazit lotsjeës, LVV deklaroi se, “protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi”.
AAK në njoftimin e dërguar shprehet se, “e kemi konsideruar krejtësisht të panevojshme thirrjen e seancës së Parlamentit për sot dhe në orët e vonshme të pasditës, dhe u kemi bërë thirrje autoriteteve të shtetit që të ushtrojnë ndikimin e tyre që kjo seancë të mos mbahet. Mirepo ato nuk kanë dashur t’i përfillin kërkesat e opozitës dhe arsyetimin se nuk ka kushte për mbajtjen e seancave të reja”.
Në një situatë të tillë, vijon AAK, opozita nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përpos që të përdorë mjete të pazakonshme për pëngimin e kësaj seance.
“Edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjithë atyre kanë urdhëruar mbajtjen e seancës, që të tërhiqen nga një veprim i tillë krejtësisht i paarsyeshëm, dhe ta përfillin kërkesën e opozitës dhe të shoqërisë civile për shtyerjen e seancave të reja. Ndryshe cdo esaklim i situatës në Kuvend ose jasht tij, është përgjegjësi e atyre që kanë dhënë urdhër që të mbahet seanca e sotme”, shprehet AAK.
“Ne kemi forcën e argumentit, kurse pushteti ka vetëm argumentin e forces”, shprehet Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në deklaratën e dërguar pas orës së paraparë për fillimin e seancës së Kuvendit.
“Sot barikaduan Kuvendin për t’i burgosur deputetët dhe mund ta bëjnë, madje mund ta burgosin edhe krejt opozitën. Por, nuk mund të mposhtin forcën e argumentit tone”, shprehet ajo.
Ajo vijon se, jemi të vetëdijshëm për barrën e rëndë të përgjegjësisë në ketë proces jo të lehtë. Mirëpo, përkushtimi për të mos lejuar humbjen e tokës dhe humbjen e resurseve tona kombëtare na shtynë të vazhdojmë, pavarësisht sfidave dhe çmimit në rrugën tonë të drejtë.
“Si deputetë, jemi betuar që do t’i shërbejmë vendit. Sot vendi po rrezikohet nga këto vendime. Prandaj, do të vazhdojmë të rezistojmë deri në tërheqjen e këtyre marrëveshjeve. E therrasim kryeministrin që, ndërmjet interesave të Serbisë dhe kërkesave racionale të qytetarëve tanë, të përcaktohet për këtë të fundit dhe t’i hapë rrugë kthimit të normalitetit në vend dhe Kuvend. Tërheqje ose Dorëheqje!”, përfundon Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAA-së.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është ftuar nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare, pa përfaqësuesit e opozitës, për në sot orën 16:00. Derisa Kuvendi nuk ka arritur të përfundojë asnjë seancë plenare ka më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, ndërsa në bllokimet nga opozita të ndërprera edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, edhe mes fërshëllimash e fjalori të ashpër, Presidentja e Republikës i ka ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, ka takuar ndaras liderët e opozitës dhe opozitës, dhe sot priteshin përpjekje që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, para seancës së Kuvendit.
***
Kosovë-njoftimi zyrtar: Nuk filloi mbledhja e Kuvendit/
PRISHTINË, 23 Tetor 2015/ Në njoftimin në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur: As sot nuk ka filluar mbledhja plenare e Kuvendit. Deputetë të partive opozitare bllokuan serish foltoren e Kuvendit dhe më pas u hodh gaz lotsjellës.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ndërpreu mbledhjen për një pauzë dhe ftoi mbledhjen e Kryesisë. Ai i luti posaçërisht partitë opozitare që të jenë të pranishëm në mbledhjen e Kryesisë dhe të diskutojnë për tejkalimin e gjendjes.