Prof. Dr. Lush Culaj/
Programi i gazetës “Dielli” ishte i qartë dhe patriotik. Programi i “Diellit” ishte një zë që e ftonte emigrantin shqiptar të armatosej dhe ta shpëtonte vendin e tij të lindjes nga robëria e huaj. Hartuesi i programit ishte Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por që kërkoi një Shqipëri për shqiptarët. Fan Noli, themeluesi dhe editori i parë i “Diellit”, e udhëhoqi këtë gazetë deri në tetor të vitit 1909. Pas tij udhëheqjen e mori Faik Konica.
Më 29 dhjetor të vitit 1918, Federata Panshqiptare “Vatra” mbajti mbledhje ku u morën këto vendime: 1. Fan Noli u emërua delegat në Paris, por realisht ky emërim nuk u realizua. 2. Kostë Çekrezi e zuri vendin e Fan Nolit si delegat i “Vatrës” në Amerikë dhe editor i “Revistës Adriatic”, Aubrey Herbert (anglez), Teoford Erikson, Faik Konica, Sotir Peci u caktuan si delegatë në Evropë. 4. Kuvendi zgjodhi një këshill kombëtar për ta zënë vendin e Kuvendit në rast krize politike. Këshilli përbehej prej 13 vetash.
Ndërtesa ku botohej gazeta “Dielli” çdo ditë kishte vizita të shpeshta. Dhjetëra atdhetarë hynin e dilnin nga ato zyra, që i ngjanin një familjeje të madhe. Qëllimi dhe apeli kryesor i gazetës ishte që të bënte mobilizimin e të gjithë shqiptarëve për t’i bërë ballë rrezikut të madh që i kanosej atdheut. Ashtu siç ishte misioni historik i diasporës shqiptare në Amerikë, po atë mision e kishte edhe gazeta “Dielli”: kryerjen e detyrave që u kishte ngarkuar atdheu dhe kombi. Gazeta ishte një ndër mjetet kryesore për të komunikuar me botën e jashtme dhe për t’ua bërë të njohura kërkesat shqiptare Fuqive të Mëdha dhe shteteve shoviniste fqinje. Ajo arriti të shprehte me forcë vrullin patriotik të qytetarëve shqiptarë dhe pikëpamjet antishoviniste e demokratike të botuesve të saj. Edhe Konferenca e Paqes, që i zhvillonte punimet në Paris, ishte e natyrshme se do të tërhiqte vëmendjen e saj në mënyrë të vazhdueshme. Në atë Konferencë botuesit e gazetës “Dielli”, si dhe mbarë diaspora shqiptare e Amerikës, kishin pasur shpresa të mëdha.
Më 6 mars të vitit 1919 drejtuesit e gazetës duke qenë të vetëdijshëm për situatën e vendimeve të mëdha historike, pasqyron përpjekjet për kompletimin e delegacionit shqiptar duke e informuar opinionin se Mithat Frashëri, Luigj Bumçi e Faik Konica ishin ftuar të vinin menjëherë në Paris. Ajo informonte se Mithat Frashëri ishte kthyer nga Roma dhe gjendej në Lozanë. “I përndritshmi Erikson është këtu prej kohe. Z. Anselmo Lorecchio dhe Nikollë Kasneci janë të lirë të vijnë gjithashtu”. Gazeta informonte edhe për përpjekjet për ta sjellë në Paris edhe z. Sotir Peci. Opinioni njoftohej se Luigj Gurakuqi dhe Mustafa Kruja ishin prej kohe në Paris si ndihmës të delegacionit zyrtar.
Dielli pasqyron qëndrimin e përfaqësuesve shqiptarë në Konferencë që SHBA-të të jenë fuqi mandatorë për një vit në trojet shqiptare
“Dielli” që më 8 mars të vitit 1919 pasqyron politikën e përfaqësuesve tanë në Paqen e Versajës. “Dielli” pasqyron, në mënyrë shumë të qartë dhe qëndrimin e përfaqësuesve shqiptarë në këtë konferencë, ku kërkojnë që SHBA-të të jenë si fuqi mandatore për një vit në trojet shqiptare. Kërkesat shqiptare përmblidheshin kryesisht mbi një shtrirje etnike shqiptare në jug Çamërinë, kurse në veri tokat shqiptare të pushtuara nga serbo-malazeztë.
Përse u kërkua një mandat i tillë dhe nga kush u kërkua një mandat i tillë?
Mungesa e forcave ushtarake të Shqipërisë, prapambetja e madhe ekonomike dhe kulturore-arsimore, si pasojë e robërisë shumë shekullore osmane, pretendimet territoriale të vendeve fqinje bënë që një pjesë e qarqeve patriotike shqiptare të mendojnë se sovraniteti i Shqipërisë mund të sigurohej vetëm nën mandatin e ndonjë shteti të madh. Kjo ide u mbështet në mënyrë të veçantë në radhët e mërgatës shqiptare në SHBA.
Pikërisht për këtë Konferencë, e cila ishte jetike për çështjen shqiptare, u mobilizua në forma të ndryshme diaspora shqiptare në SHBA. Ata u përpoqën që në Konferencë të angazhojnë edhe ekspertë nga miqtë amerikanë për mbrojtjen e drejtë të çështjes shqiptare në ketë Konferencë.
Më 10 shkurt të 1919-s gazeta shkruante se miku i madh i shqiptarëve, koloneli Aubrey Herbert, shkon në Paqen e Versajës në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve.
Faqet e gazetës “Dielli” përpiqeshin që ta pasqyronin para opinionit në mënyrë sa më objektive veprimtarinë e delegacionit shqiptar në Paqen e Versajës. Më 12 mars 1919, duke folur për problemin e shqiptarëve në Jugosllavi e për Kosovën në veçanti, gazeta “Dielli” do të shkruante: “Po të jetë që Konferenca e Paqes lë një pëllëmbë të Kosovës në Jugosllavi, atëherë koha e sotme nuk ka asnjë ndryshim nga koha e mëparshme, por nuk besojmë kurrë në një padrejtësi kaq të madhe të Konferencës së Paqes”.
Gazeta kritikonte atdhetarët çamë
Më 13 mars 1919, kjo gazetë, duke i kritikuar atdhetarët çamë, shpreh mendimin se atdhetarët çamë nuk vepruan drejt dhe në vend që të dërgonin disa delegatë nga krahina e Çamërisë, sikur bënë edhe të vetëquajturit vorioepirotë, ata emëronin delegatë që të përfaqësonin tërë shqiptarët. Duke e gjykuar ketë veprim si jo të shkathët diplomatik dhe si mungesë të përvojës diplomatike, gazeta do të theksonte: “Jemi informuar se partia politike emëroi për delegatë të saj Aqif Pashë Elbasanin dhe Hasan Prishtinën. Askush nuk dyshon në përcaktimin atdhetar të tyre, por delegatët duhet të përcaktoheshin nga ana e çamërve.”
Bashkëpunëtorët e gazetës “Dielli” kishin arritur, në një kuptim shumë të drejtë të shkaqeve thelbësore, interesave dhe kontradiktave të thella ekonomike, politike dhe diplomatike ndërmjet shteteve të mëdha. Ata, me të drejtë, mbështetur në këto interesa, shprehnin frikën për një zgjidhje jo të drejtë të çështjes shqiptare. Në faqet e kësaj gazete do të shkruhej jo rastësisht se: “në Ballkan gjenden gjashtë kombe dhe politika e sotme e aleatëve nuk tregon se dëshirojnë të bëjnë një vendosje të drejtë për një paqe të qëndrueshme, por, përkundrazi, përpiqen t’i zmadhojnë serbët, grekët e rumunët, në kurriz të turqve e bullgarëve të mundur dhe në kurriz të shqiptarëve neutralë. Baza e kësaj politike duket që ishte pjesërisht urrejtja e aleatëve kundër shteteve të mundura e pjesërisht simpatia ndaj shteteve që kërkojnë pjesë të Shqipërisë dhe pjesërisht mosdija e atyre që u zgjodhën në komision të cilët ranë dhe bien pre e statistikave greke dhe serbe.”
Duke u përpjekur që të analizojë raportet ndërmjet përfaqësuesve kryesorë në Konferencë, të cilët i përfaqësonin Fuqitë e Mëdha vendimmarrëse në këtë konferencë, gazeta “Dielli” e datës 31 mars 1919 theksonte ndër të tjera se: “E vërteta është se një mos marrëveshje mbretëron në mesin e katër të mëdhenjve. Kjo do të thotë se Presidenti Wilson, Kryeministri Klemanso, Kryeministri Lloyd George dhe Kryeministri Orlando nuk janë në marrëveshje në mes tyre. Tërë java vajti kot. Programi për të shpëtuar paqen është vetëm një ëndërr vere. Puna po vete sa mbarë sa prapë”.
Të njëjtën ditë gazeta informonte opinionin se Shoqëria “Chameria” e Worcesterit i kishte emëruar për delegatë në Paris atdhetarët e shquar Rasim Dino dhe Mithat Frashërin, kurse sipas gazetës për zëvendës të tyre u rekomanduan Dr. Tortulli dhe Fuad Dibra.
Dielli shkruan edhe për rezistencën shqiptare në terren
Gazeta, në këto momente tejet të vështira për fatet e atdheut, nuk i anashkalon edhe zhvillimet e ngjarjeve në terren në territoret shqiptare. Rezistenca shqiptare në trojet e veta kishte marrë edhe dimensione të armatosura, të cilat pasqyroheshin në gazetën “Dielli”. Aty shkruhej për luftën që bëhej me forca krejtësisht të pabarabarta. Kështu, më 4 prill 1919, gazeta “Dielli” e boton artikullin Një betejë e përgjakshme midis shqiptarëve dhe serbëve në Plavë dhe Guci, ku, ndër të tjera, thekson se katundi Vuthaj me 200 shtëpi po dërrmohej krejt nga zjarri i gjyleve dhe se në situatën e krijuar po priteshin të përndjekurit e kësaj pjese që të vinin dhe të vendoseshin në Shkodër. Gazeta, duke folur për këtë kryengritje të shqiptarëve, thekson që ajo është vazhdim i kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilët u përpoqën ta shpëtonin vendin e tyre nga thonjtë e serbëve.
Gjithsesi, si mbarë shqiptarët, edhe gazeta “Dielli” shpresën kryesore për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë Konferencë e mbështeste te presidenti amerikan Wilson, duke u nisur nga parimet e tij të njohura dhe në demokracinë ekzistuese në SHBA. Ata shpresonin te presidenti Wilson jo vetëm në zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare. Më 9 prill 1919 kjo gazetë do të shkruante ndër të tjera: “Për një dashamirës të njerëzimit si Presidenti Wilson ishte e pamundur të jepte leje që Konferenca të vazhdonte në pakufi, duke shkaktuar anarki nëpër botë”.
Përderisa kryetari i Qeverisë së Durrësit, Turhan pashë Përmeti qëndronte në ballë të delegacionit shqiptar në Paris dhe bënte përpjekje të parreshtura për mbrojtjen sa më dinjitoze të çështjes kombëtare, nënpresidenti i Qeverisë së Durrësit, Prenkë Bibë Doda, i shkruante telegram kryeministrit në Paris, ku, ndër të tjera, theksonte: “Nga protestimet e bëra pothuajse në të gjitha qytetet shqiptare, tërë populli shqiptar, pa dallim feje, ishte ngritur në këmbë kundër pushtimeve serbe, malazeze dhe greke, të cilat kanë për qëllim copëtimin e atdheut tonë”. Gazeta “Dielli”, e datës 26 prill 1919, e pasqyron këtë telegram dhe po ashtu konstaton se ky ishte dokumenti i fundit zyrtar të cilin e ka nënshkruar i ndjeri Prenkë Bibë Doda. Në kohën kur kishte arritur telegrami në Paris në të njëjtën kohë kishte arritur edhe lajmi i hidhur se nënpresidenti i Qeverisë provizore humbi jetën nga dora vrastare përfundonte gazeta e kësaj date. Varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve dhe rrethanave politike në Konferencën e Paqes në Paris, në faqet e gazetës patjetër që do të ndikonin në optimizmin e matur, apo pesimizmin e drejtuesve të gazetës “Dielli”.
Dielli shpresonte në Presidentin Wilson por edhe e kritikonte atë
Kështu, p.sh., gazeta “Dielli”, e datës 2 maj 1919, shprehej me një ton pesimist dhe mllef për presidentin Wilson, në të cilin i kishte edhe shpresat më të mëdha. Në faqet e saj, ndër të tjera, do të theksohet: “Presidenti Wilson me 14 pikat e tij të famshme e dënonte Vlorën shqiptare kundër Fiumës ( Rijekës-Lush Culaj) zotërisht italiane. Nuk mund të ketë gjë më të tmerrshme që njeriu të gënjehet për diçka të ngut. Shqiptarët kanë qenë të bindur kurdoherë në padrejtësitë diplomatike dhe në shkopinjtë që janë thyer kurdoherë në kokën e atyre, e dinë se peshku i madh e ha të voglin dhe që kryefjala “forca vjen përpara të drejtës” nuk e ka humbur kurrë vlerën e kuptimit të saj”.
Në vazhdën e këtij shqetësimi të madh gazeta “Dielli” e datës 6 maj 1919 në faqet e saj thekson se gjykimi arbitrar i Presidentit Wilson për çështjen e Vlorës nuk është nga shkaku se ai mendon se Italia ka të drejtë mbi Vlorën, por mbështetur në idenë e interesit ekonomik, duke menduar se shqiptarët nuk kanë zotësi ta zhvillojnë një liman me aq rëndësi. Me këtë rast shprehet bindja se ky do të ishte një mendim i gabuar sepse asnjë shtet i Evropës Juglindore nuk mund të zhvillohet pa përkrahje nga ndonjë anë. Mirëpo, e njëjta gazetë, vetëm 8 ditë më vonë, do të theksonte: “Kur Presidenti Wilson bëri rekomandimin që Vlora t’i mbetej Italisë ishte një përshtypje se kabineti i Turhan pashës, anëtarët e Vatrës që përbëjnë shumicën e shqiptarëve të Amerikës dhe Fan Noli nuk kishin gjë kundër që Vlora t’i jepej Italisë.” Të paktën, sipas gazetës, ky ishte shpjegimi që Grameno dërgon nga Parisi duke e akuzuar politikën e kryeministrit shqiptar dhe të Vatrës duke theksuar se ne tani në vend se të bëjmë ndonjë tjetër punë nevojitet t’i rregullojmë gabimet e politikës së tyre.
Duke gjykuar mbi rrjedhën e punimeve të Konferencës së Paqes së Versajës, gazeta më 8 maj 1919 do të theksonte se gjendja, në të cilën ndodhej çështja shqiptare, është aq e koklavitur dhe e errët sa asnjëri prej shqiptarëve nuk është në gjendje të jepte një gjykim të përafërt. Ajo në faqet e saj e informonte opinionin se të gjitha çka thuhen dhe të gjitha çka shkruhen në faqet e shtypit botëror janë mendime apo hipoteza të njërit apo tjetrit dhe asnjë e bazuar në ndonjë vendim definitiv.
Dielli kritikonte edhe përfaqësuesit shqiptar në Paris
Gazeta “Dielli”, e datës 4 qershor 1919, shkaqet e dështimit përpiqet t’i analizojë dhe t’i gjejë edhe në mesin e vetë përfaqësuesve tanë në Paris, me ç’rast theksonte se përfaqësuesit e shqiptarëve në Konferencën e Paqes ishin të ngarkuar nga mbledhja kombëtare e Durrësit që të kundërshtonin çdo gjë që e cenonte pavarësinë e Shqipërisë. “Delegatët tanë nuk e luftojnë Italinë për aspiratat pushtuese të saj dhe nuk e mbrojnë pavarësinë shqiptare për çka i ka ngarkuar populli”.
Gazeta “Dielli” e demaskoi haptazi propagandën dhe demagogjinë e pushtuesve italianë. Kjo gazetë nuk e demaskonte vetëm politikën italiane, por, gjithashtu, i demaskonte edhe synimet shoviniste dhe politikën antishqiptare të monarkive fqinje jugosllave dhe greke.
Pa dyshim se në faqet e kësaj gazete nuk do të anashkaloheshin edhe kundërthëniet në mes shqiptarëve dhe dinte të ngrite theksin autokritik më zë të kumbueshëm. Sigurisht që kjo gazetë në vazhdimësi të opinionit të saj, më 7 qershor, shkaqet përpiqet t’i shpjegojë edhe në ndryshimet e mendimeve politike në mes të Turhan pashës me disa shokë nga njëra anë dhe Konicës, Tortullit dhe disa shokëve të tyre nga ana e tjetër. Turhani mbron idenë se nuk duhet të prishemi me Italinë dhe pranon mandatin italian. Me idenë e tij janë bashkuar Bumçi, Gurakuqi, M. Kruja, Gjergj Fishta e si duket edhe Mehdi Frashëri dhe Myfit Bej Libohova. Kurse Konica, Tortulli dhe Mithat Frashëri janë kundër çdo ndërhyrjeje italiane në Shqipëri dhe mbrojnë idenë e mandatarisë amerikane. Ky vlerësim i gazetës Dielli binte në kundërshtim me mendimin e Mihajl Gramenos botuar në gazetën “Albania” ku e gjykonte politikën e Konicës dhe Tortullit.
Gazeta, duke komentuar dhe duke e pasur parasysh trajtimin jo të duhur të delegatëve tanë në Paris, thekson se është e vetëdijshme se delegatët tanë nuk i kanë përparësitë që i kanë delegacioni jugosllav dhe grek, por konkludon se të drejtat e pakontestuara të shqiptarëve në çështjen e Vlorës dhe të mandatarisë, janë përparësi mjaft të shkoqitura që t’i detyrojnë aleatët t’i dëgjojnë vërejtjet dhe ankimet e tyre mbi këto pika. Gjykimi i gazetës ishte që, po qe se delegatët tanë i lënë mënjanë kundërshtimet dhe i bashkojnë pikëpamjet e tyre, mund të përfitojnë nga Konferenca e Paqes.
Gazeta “Dielli”, në faqet e saj, nuk do ta anashkalojë edhe forcën reale dhe potencialet e kundërshtarëve tonë politikë që përpiqeshin të gllabëronin sa më shumë që ishte e mundur territore shqiptare. Ndonëse e dhimbshme dhe në disfavor të çështjes sonë kombëtare, gazeta “Dielli”, përmes profesionalizmit të saj, pasqyronte edhe reputacionin, përgatitjen profesionale e diplomatike si dhe influencën e përfaqësuesve kundërshtarë. Kështu, duke folur për udhëheqësin e delegacionit grek në Paqen e Versajës, gazeta do të shkruante: “Na pëlqen apo jo fakti z. Venizellos ka fituar jo vetëm influencën më të madhe por edhe besimin e Konferencës së Paqes. Në çdo çështje kërkohet mendimi i tij dhe influenca e tij morale. Kjo bëri që Greqisë t’i jepet një rëndësi dhe një vend më i nderuar se çdo vendi tjetër përveç shteteve të mëdha. Artikulli përmbyllet me fjalën e urtë popullore që “armikun vraje por mos i hyn në hak”.
Tri ditë më vonë, gazeta pasqyron deklaratën dhe qëndrimin e kryeministrit shqiptar Turhan Pashë Mehmeti ku theksonte se populli shqiptar nuk mund t’i njohë vendimet që kundërshtojnë tërësinë tokësore dhe independencën e tij dhe aq më pak që t’iu bindet atyre vendimeve.
Zëvendësimi i Turhan Pashë Mehmetit me Imzot Luigj Bumçin
Ndërkaq, duke e pasqyruar tërheqjen e kryeministrit shqiptar nga udhëheqësi i Delegacionit Qeveritar shqiptar në Paqen e Versajës, përmes shkrimit të Mustafa Krujës, gazeta informonte opinionin se udhëheqësi i delegacionit shqiptar në Paris, Turhan Pasha, u tërhoq për shkaqe shëndetësore, ngase puna kërkonte një energji tejet të madhe.
Lidhur me këtë ndërrim në krye të delegacionit qeveritar shqiptar, për të mos krijuar hutim në opinionin shqiptar, përmes faqeve të gazetës “Dielli”, Mehmet Konica shkruante se në kuadër të delegacionit shqiptar mbretëronte marrëveshje dhe harmoni e plotë. Ai, ndër të tjera, do të shkruante: “Tërë delegatët e kolonive shqiptare qëndrojnë rreth dërgatës zyrtare e cila kryesohet nga Imzot Bumçi me anëtarë Mehdi Frashëri, Dr. Tortulli, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Mehmet Konica. Faik Konica u emërua përfaqësues në Uashington dhe po presim pranimin e tij”.
Propaganda dhe shpifjet e paskrupullta e tendencioze ndaj shqiptarëve ishin të fuqishme nga të gjitha këndvështrimet. Edhe ky fakt nuk anashkalohet nga gazeta “Dielli”, e cila herë pa here paraqiste shkrimet dhe citatet e gazetave të huaja për shqiptarët. Ajo kryesisht pasqyronte shkrimet e shtypit frëng, që ishin në disfavor të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Më 6 gusht 1919 gazeta “Dielli” pasqyronte shkrimet e gazetave franceze të cilat shkruanin se “Konferenca e Paqes bëri një gabim trashanik duke e pritur një delegacion shqiptar të kryesuar nga një njeri i Sulltan Hamitit në vend që të priste Esat Pashën i cili kishte luftuar për aleatët”. Përmes këtij argumenti, gazetat filluan të godisnin edhe principin e krijimit të një shteti shqiptar duke parashtruar pyetjen se si është e mundur të krijohet një shtet i këtillë i vetëquajtur shqiptar, kurse kryetarët e tij deri dje i shërbenin Turqisë. Fundi i fundit, theksuan gazetat e Parisit, Shqipëria nuk mund të jetë veç një Turqi e vogël e cila do të qeveriset nga ish-nëpunësit e Turqisë së madhe.
Madje, gazeta “Le Journal” kishte gjetur edhe një fotografi të vjetër të Turhan Pashës me një kapelë të kuqe turke në kokë, të cilën e botoi me rastin e arritjes në Paris të delegacionit shqiptar.
Pikërisht, mbështetur në këto shkrime dhe në imazhin e keq të paraqitur për shqiptarët në Paris dhe në Evropë, delegacioni qeveritar luftonte që ta përmirësonte atë.
Më 14 gusht 1919, gazeta “Dielli” pasqyronte në faqet e saj një intervistë të kryetarit të delegacionit shqiptar në Paqen e Versajës, Luigj Bumçit, dhënë gazetës “Libre Parole” (Fjala e Lirë), ku, ndër të tjera, theksonte: “Kemi luftuar kundër xhelatëve tërë jetën për të mos lejuar të na përpijnë. Shqiptari nuk bie më poshtë se racat e tjera të Ballkanit. Papa Klementi XI ishte shqiptar. Skënderbeu ishte ai që me shqiptarët luftoi kundër Sulltanit që ishte betuar që t’u jepte taxhi kuajve të tij në shkallët e Shën Pjetrit në Romë. Kur Skënderbeu e shpëtoi Evropën, grekët grindeshin me punë bizantine kurse tirani i Serbisë bënte dasmat e së bijës me Sulltanin. Në katër shekuj e sipër të sundimit turk historia otomane shënon 54 kryengritje të mëdha shqiptare. Shqipëria duhet të ketë brenda kufijve të gjitha vendet ku flitet shqip. Edhe Kosova e Epiri duhet të bashkohen me shtetin shqiptar”. Imzot Bumçi e kishte përfunduar intervistën me konstatimin se paqja në Evropën Juglindore do të mbretëronte vetëm atëherë kur të jetë e mbështetur mbi drejtësinë e popujve.
Të njëjtën ditë, po kjo gazetë, duke e shtjelluar politikën demagogjike te Venizellosit do të theksonte se i tërë “idealizmi” i tij për Lidhjen e Kombeve nuk ishte asgjë tjetër vetëm të përfitonte simpatinë e Presidentit Wilson.
Pa dyshim se faqet e gazetës “Dielli” do ta trajtonin edhe politikën vetanake të disa individëve servilë ndaj italianëve, por edhe qëndrimin zyrtar të delegacionit qeveritar ndaj italianëve si dhe thirrjet e tyre drejtuar senatorëve dhe deputetëve italianë për çështjen shqiptare.
Objekt kritike në faqet e kësaj gazete u bë edhe veprimtaria e një pjese të delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, për shkak të qëndrimit të tyre të butë para politikës dhe shtetit italian.
Pikërisht, duke bërë analiza politike për një përfitim sa më të mirë të çështjes shqiptare pasi një mandat amerikan në Shqipëri ishte i papranueshëm edhe nga vetë amerikanët, gazeta “Dielli”, e datës 4 tetor 1919, theksonte: “Nga ana e jonë parapëlqejmë kontrollimin e Shqipërisë nga francezët nëse amerikanët nuk pranojnë. Arsyeja pse Franca favorizohet më tepër se Italia nuk është nga ndonjë shkak morali por nga shkaqe politike dhe ekonomike. Shqiptarët nuk i duan italianët në Shqipëri, sepse kanë frikë nga kolonizimi i tyre. Italia me një popullatë të madhe do të shtrëngohet ta mbushë Shqipërinë me italianë. Ky rrezik nuk mund të jetë nga francezët të cilët nuk mbushin dot vendet e tyre. Nga pikëpamja ekonomike gjendja e Shqipërisë do të rrezikohej edhe më tepër, sepse italianët janë të tronditur ekonomikisht dhe do të përpiqeshin që t’ia thithnin gjakun Shqipërisë.” Gazeta përfundonte me konstatimin se vënia e Shqipërisë nën protektoratin italian është vdekje e saj politike.
Këto analiza të gazetës “Dielli” bëheshin pikërisht në periudhën kohore, kur flitej për mandatin e mundshëm italian mbi Shqipërinë. Këtu mund të shihet edhe largpamësia e kësaj gazete, e cila kuptohet se ishte për një mandat amerikan në Shqipëri, por duke e parë se mandati amerikan ishte i papranueshëm, atëherë në zgjidhjen ndërmjet dy të këqijave propozonte dhe pranonte zgjidhjen me dëm më të vogël, apo të keqen më të vogël. Kur u theksua se amerikanët e kishin pranuar mandatin italian në Shqipëri, gazeta “Dielli”, megjithatë, përpiqej që përmes faqeve të saj të arsyetonte qëndrimin amerikan, duke theksuar se amerikanët nuk i njihnin sa duhet raportet shqiptaro-italiane, sepse ata (pra, amerikanët) nuk dëshironin kurrë të shqelmonin të drejtat e shqiptarëve.
Përfundimisht, duhet theksuar se gazeta “Dielli” ishte shprehësja më e mirë e ideve dhe mendimeve të shqiptarëve në SHBA, si dhe përfaqësuesja më e denjë e rrymës së vendosur patriotike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo vërtet e kreu një mision dhe detyrë të shenjtë, detyrën e mbrojtjes së idealeve kombëtare.