-Para 31 vitesh, në 8 Gusht 1990, gazeta tradicionale Rilindja – e vetmja e përditshme shqiptare në atë kohë në Kosovë, nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë, që kishin vendosur shtetrrethim. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/
-Gazeta Rilindja, edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare/
-Nga arkivi: Vlerësimi dhe përkrahja e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Rilindjen edhe në intervista ekskluzive; Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 të Pavarësisë së Kosovës; Rilindja në 30 Dhjetor 2008: Mesazh atyre që duan kufirin në Mitrovicë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 7 Gusht 2021/ Para 31 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt. Në 8 Gusht 1990, gazeta Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…
As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë. Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës. Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës. “Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti. Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990. Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”… Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte. Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord. Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja.