NGA ROZI THEOHARI*
Jam e nderuar sot të përshëndes përvjetorin e 100-të të DIELLIT në emër të dardharëve këtu në Amerikë, në Shqipëri e kudo në botë.
Tashmë dihet historikisht se ishte viti 1890 kur shkelën Amerikën dardharët e parë Misto Millona dhe Dhamo Çeku, të cilët do të
pasoheshin nga qindra të tjerë në fillim të shekullit te kaluar. Një pjesë e emigrantëve dardharë sollën me vete idetë e patriotizmit e të
lëvizjes kombëtare të Rilindjes, të cilat u vunë në themel të krijimit të shoqërisë së parë të shqiptarëve të Amerikës, në bazë fshati,
“Vëllazëria mirëbërëse e Dardhës”, e organizuar në Boston më 1 janar 1905.
Veprimtaria patriotike dhe aktivitetet e kësaj organizate dhe të shoqatave të tjera dardhare u pasqyruan në gazetën KOMBI e me vonë
në gazetën “DIELLI”.
Emigrantët dardharë ndiznin sobat dhe lëviznin pedalinën në bodrumin ku Fan Noli dhe Sotir Peci shtypnin gazetën KOMBI.Por ata ishin edhe
organizatorë, oratorë e artikujshkrues të talentuar. Emigrantët dardharë përgatisnin altarin dhe qirinjtë në kishën e Fan Nolit, por
ata ishin edhe arkitektë për ndërtime kishash e ikonografë për pikturimin e tyre.
Perpjekja për bashkimin e gjithë shqiptarëve të Amerikës për shpëtimin e atdheut e nxiti dhe e frymëzoi dardharin
muzikant Thoma Nashi të organizonte në Boston bandën “Vatra”. Banda ngriti lart frymën e atdhedashurisë në Amerikë dhe në Shqipëri, kur ajo
shkoi në Vlorë të jepte koncert për vullnetarët e luftës në vijën e frontit. Aty Thomai kompozoi këngën e njohur “Vlora,Vlora”. Në
historinë e diasporës shqiptare të Amerikës janë skalitur edhe emra dardharësh: Sotir Peci, Josif e Vasil Pani, Gjoleka
Konda,Misto Millona, Ilo Zdruli, Kostë Isaku, Thoma Nashi e shumë të tjerë.
Është nderim për fshatin e Dardhës për dy bijtë e saj: Sotir Peci,që, në bashkëpunim me Fan Nolin, e filloi aktivitetin qysh me krijimin
e gazetës KOMBI dhe Gjoleka Konda, i cili e vazhdoi me gazetën DIELLI,si manaxheri i parë i saj dhe si bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i
Konicës. Në gazetën DIELLI të 31 dhjetorit 1909 Gjoleka cilësohet “patriot i flaktë dhe orator prej natyre…”.
Në artikujt e botuar nga Gjoleka Konda del në pah zotësia e publicistit, ndjenjat dhe dashuriapër atdheun si dhe nderimi për shokët e tij të “…Lëvizjes së Parë…,” siç i quan ai Fan Nolin, Konicën e të tjerë.
Kur u largua nga Amerika Sotir Peci, i la këtë amanet Gjolekës:“Kalanë që ngritëm, ta mbani dhe të mos e rrëzoni.” Këtë amanet dardhari i nderuar Gjoleka nuk e harroi tërë jetën.Familja e Gjolekës ka emigruar nga Shqipëria dhe sot banon në Uster, Mass. Djali i tij,Vangjo Gjoleka Konda, na ka dërguar një letër përshëndetëse, ku mes të tjerash shkruan:
“…Kisha shumë dëshirë të isha në ceremoninë e 100-vjetorit të gazetës “Dielli”, sepse kam detyrime ndaj babait tonë, Gjolekes, i cili ka qenë jo vetëm një familjar i mirë, por edhe një atdhetar i madh…Ju dërgoj përshëndetjet e mia e të familjes sime…”
Sotir Pani, i biri i patriotit dardhar Vasil Pani,donte të ishte sot kët mes vatranëve, por në pamundesi, m’u lut që të përcjell përshëndetjen e tij:“Me gazetën DIELLI jam njohur qysh në moshën 15 vjeç nga koleksioni që kishte gjyshi im Josif Pani në Dardhë. Prej vitit 1922 kur ai u kthye nga Amerika e deri sa jetoi, në vitin 1934, gjyshi e mblodhi me kujdes koleksionin, i cili sot ruhet në shtëpinë-muze “Pani” në Dardhë. Gazeta DIELLI është enciklopedi e kombit tonë. Ajo pasqyron jetën dhe punën e patriotëve shqiptarë për 100 vjet. Në gazetën DIELLI
unë gjeta dhe lexova veprimtarinë e Josif e Vasil Panit, anëtarë, por edhe drejtues të shoqërisë “Besa-Besën” dhe “Vatrës” për sa kohë jetuan në Amerikë…Gazeta DIELLI m’u bë shok edhe kur erdha familiarisht në Amerikë më 1996. Dielli është një pasuri që unë ua lë djemëve dhe nipërve të mi.”
* Kjo ishte përshëndetja në emër të Dardharëve të Bostonit, e përcjellë nga shkrimtarja Dardhare, Rozi Theohari me rastin e 100 vjetorit të numrit të parë të Gazetës “Dielli”(numri i parë doli me 15 shkurt 1909), organizuar në Monroe College-NY, gusht 2009(Shih Fotografite ne facebook)