
Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D
(Edukim, Neuroshkencë & Shëndet)/
Populli ynë thotë se njeriu i shpejtuar është i gabuar dhe ky udhëzim gjen shpjegim të plotë në neuroshkencë. Kur ndodhemi përballë një mashtrimi që kërkon veprim të menjëhershëm, si për
shembull një telefonatë ku na thonë se duhet të paguajmë një gjobë urgjente, ne biem pre e asaj që shkenca e quan rrëmbim neurologjik. Në këto momente, urtësia popullore se gënjeshtra
i ka këmbët e shkurtra duket se nuk mjafton, sepse stresi na e lidh gjykimin dhe na bën të besojmë edhe gjërat më të pabesueshme.
Sipas studimeve situatat që na vënë nën presionin e kohës shkaktojnë një rritje të kortizolit (Dickerson & Kemeny, 2004). Paaftësia për të dalluar një gënjeshtër nuk është një e metë
karakteri, por një përgjigje biologjike e parashikueshme ndaj rrëmbimit neurologjik.
Kur jemi në vështirësi apo gjendje stresi, truri ynë instinktivisht kërkon dikë ku të mbështetet, një lloj prirjeje për të gjetur mikun në ditë të vështirë. Në këtë pikë, truri fillon të besojë te manipuluesi apo gënjeshtra, jo sepse është naiv, por sepse kimikisht po kërkon një aleat për të ulur ankthin. Për më tepër, ndërsa stresi na bën shumë të ndjeshëm ndaj kërcënimeve fizike, zbeh ndjeshëm
aftësinë tonë për të dalluar mashtrimin social (Spreng et al., 2016). Në fund të ditës, manipuluesi nuk ka fituar sepse është më i zgjuar, por sepse ka arritur të çaktivizojë përkohësisht sistemin tuaj të alarmit. Duke kuptuar këtë mekanizëm, ne mund të mësojmë të
ndalojmë, të marrim frymë dhe t’i japim kohë trurit tonë logjik që të kthehet në punë përpara se të bëjmë lëvizjen e gabuar. Prandaj, kur ndjeni se dikush po ju nxiton dhe po ju shton ankthin,
kujtoni se mendja e turbullt nuk sheh qartë.
Duke marrë pak kohë për t’u qetësuar, ju lejoni që mjegulla e kortizolit të largohet dhe t’i ktheheni qartësisë (Akinola, M., & Mendes, W. B., 2012). Si të “rindizni” trurin tuaj logjik në disa hapa? Kur ndjeni stres apo panik, mos merrni asnjë vendim të menjëhershëm. Trurit i duhen të paktën një minutë e gjysmë të normalizojë kortizolin (Taylor, J. B., 2008; 2023). Thjesht thoni: “Më duhen dy minuta kohë,” dhe largohuni nga biseda. Gjithashtu, mundohuni të aktivizoni shqisat duke u përqëndruar te ambienti rreth jush, për shembull, numëroni pesë objekte me ngjyrë të kaltër në dhomë, ose prekni diçka të ftohtë. Kjo ndihmon në zgjerimin dhe riorientimin e vëmendjes duke e bërë më të lehtë dallimin e dyshimeve.
Fatjona R. Lubonja Ed.D është studiuese dhe autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë, Edukim dhe Shkencat e Shëndetit në Columbia University, New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvardit, MA, USA #fatjonalubonja