Faton Bislimi/
Presidenti i 43-të i SHBA-ve, njeriu që pati rol krucial në sjelljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, George W. Bush, ishte i ftuar nderi në hapjen ceremoniale të ndeshjes së bejsbollit të Texas Rangers në Arlington, Teksas, dhe topin e parë për fillimin e lojës e hodhi bashkë me dy shqiptarë — babë e bijë – Gëzim e Andita Pollozhani. Kjo ceremoni iu dedikua viktimave të tragjedisë së 11 shtatorit me rastin e përvjetorit të 21-të. Se shqiptarët në SHBA kanë krijuar një pasqyrë jashtëzakonisht bujare e fisnike për kombin tonë nuk don shumë koment. I tillë në këtë mes është edhe oficeri i Policisë në Fort Worth të Teksasit Gëzim Pollozhani. Ky nder atij dje nuk iu bë rastësisht. Të përzgjidhej si oficeri që do kishte nderin të përfaqësonte të gjithë oficerët e rendit në Texas si shoqërues i Presidentit Bush në ceremoninë përkujtimore të 11 shtatorit flet shumë për punën e tij profesionale dhe mbi të gjitha për karakterin e një oficeri zemërgjërë e të përkushtuar përtej thirrjes së detyrës. Gëzim Pollozhani, me prejardhje nga Struga, është ikonë e forcave të rendit në Fort Worth dhe krejt Teksasin. Vitin e kaluar, ai ishte përzgjedhë ‘Polici i Vitit’ në Teksas. Fisnikëria e tij në punë, si dhe angazhimi i tij vullnetar i pashembulltë në të mirë të komunitetit ku jeton e të cilit me dinjitet të lartë i shërben e kanë bërë Gëzimin lehtazi shembull për të tjerët. I angazhuar në shumë organizata vullnetare për oficerët e policisë, Gëzimi së fundi është zgjedhë edhe kryetar i “Brotherhood for the Fallen,” një organizatë komunitare në shërbim të familjeve të oficerëve të rënë në krye të detyrës. Për më shumë, Gëzimi është aktiv edhe në komunitetin shqiptar në Teksas, si dhe shërben në Bordin e Drejtorëve të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas. #Krenar #Proud #AlbanianAmerican #NeverForget Photo Credit: Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane ne Teksas