Kosova në 2018-tën, 10 vjet pavarësi/
-Kosova pret 2018-tën me festimet edhe për 10 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 115 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2017/ Kosova pret Vitin e Ri 2018 me organizime edhe për festimet e jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 115 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Deri në këtë fundvit Kosova shtet ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jorezidentë në rreth 60 shtete.
Në 2018-ën festohet edhe 19 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999, kur hynë forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s.
Në Kosovën vend lirë dhe i pavarur ndërrimi i moteve pritet tradicionalisht nëpër sheshet e stolisura edhe me bredhe, ku organizohen edhe koncerte, mes shkëlqimit të dritave e fishekzjarreve.
Raportimet nga Kosova që bëja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërsië në ndërrim të moteve në kohën e paraluftës e luftës ishin “shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” dhe theksonin se “në robëri pritet veç festa e lirisë”, ndërsa në vitin e parë të lirisë lajmi ishte se nga mbrëmja e 31 dhjetorit 1999 e deri pas mesnatës mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës në pritjen e Vitit të Ri 2000, ndërsa festime të mëdha në sheshe kishte edhe në qytetet e tjera kosovare.
“Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri, ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive bënë transmetime të drejtpërdrejta”, theksonte lajmi që e raportoja nga Prishtina në 1 janar 2000.
Bënte të ditur edhe se, “një mesazh solidariteti, me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të 7 000 djemve dhe vajzave kosovare, që vazhdojnë të mbahen peng në burgjet e
Serbisë, u lexua në sheshin kryesor ‘Nënë Tereza’ të Prishtinës”.
Në Kosovë, mëse 18 vjet pas luftës me më shumë se 12 mijë shqiptarë të vrarë e masakruar nga forcat serbe, janë ende mbi 1600 të zhdukur të pagjetur. “Atyre që na mungojnë”, me këtë emërtim, u është ngritur Memoriali në sheshin kryesor të Prishtinës, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku ka lot e dhembje edhe në këtë fundviti, derisa përkujtohen, u bëhen nderime dhe kërkohet zbardhja e fatit të tyre.