Nga Enver Sulaj/
Organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, të shtunën, më 9 gusht 2014, në hotel “Europa” në Gjakovë u mbajt sesioni XII shkencor “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe i trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe qëndresa shqiptare”. Në këtë sesion shkencor, ligjëruesit nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora shqiptare, përmes fakteve dhe argumentimit të mirëfilltë shkencor kanë hedhur dritë mbi zhvillime të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe pasojat që solli ripushtimi sllav. Sesioni i ka filluar punimet pas intonimit të himnit të flamurit tonë kombëtar dhe një rikujtimi në formë referati nga Nue Oroshi, nënkryetar i shoqatës „Trojet e Arbërit“, për për katër veprimtarët e ndjerë të kësaj shoqate, Mark Avdyli, Hajriz Demaku, dr. Pjetër Pepa dhe Mentor Quku, të cilët u ndanë nga jeta kohë më parë.
Larmia tematike, qasja origjinale dhe shtrirja problemore në tërë hapësirën etnike shqiptare ishin tiparet dalluesve të kumtesave të këtji sesioni. Një vend të dalluar në punimet e këtij sesioni zuri portretizimi i figurave të rezistencës sonë kombëtare antikomuniste, por edhe i familjeve të tyre, kontribut ky që për një gjysmë shekulli nuk u vlerësua drejt nga historiografia shqiptare. Poashtu u trajtua kontributi i gruas në lëvizjen antikomunsite, por edhe burgosja dhe tortuarat që ato iu nështruan, si Marie Shllaku, Kartarina Josipi etj. Nuk u la anash as kontributi i klerit dhe përjekjet që ai bëri për të ruajtur qenësinë tonë kombëtare përballë së keqes që po i kanosej vendit, si edhe puna e madhe që është bërë në mërgim nga shoqatat dhe organizatat e emigracionit shqiptar të të gjitha periudhave për çështjen shqiptare. Megjithëkëtë, u theksua nevoja që studiuesit në punën e tyre të gjitha çështjet e lidhura me këtë periudhë t‘i trajtojnë duke u mbështetur në metodologjinë shkencore, të udhëhequr nga faktet dhe argumentet e bollshme, duke mënjanuar qasjet përjashtuese dhe krijimin e polarizimeve në studimet historike, që do të ishte i panevojshëm dhe joprodhimtar.
Nuk u la anash edhe trajtimi i çështjes çame, që në këtë sesion u trajtua nga studiuesi i Institutit të Studimeve Çame, Ahmet Mehmeti.
Gjatë punimeve të sesionit pati referate që u vlerësuan edhe për kontributin në qartësimin e nocioneve shkencore kur flitet për këtë periudhë, por edhe për informacionet e panjohura më parë që për publikun e gjerë do të jenë me interes.
Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të më se 10 subjekteve politike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, si dhe të ftuar të shumtë, në mesin e tyre anëtarë të familjeve atdhetare që kanë kontribuar për çështjen kombëtare. Gjatë sesionit, prof. dr. Muhamet Shatri, kryetar i shoqatës „Trojet e Arbrit“ paraqiti propozimet drejtuar institucioneve shtetërore në vend që Instituti Albanologjik i Prishtinës të emërohet me emrin Instituti Albanologjik Anton Çetta. ndërsa Institut i Gjeografisë të emërohet me emrin e gjeografit të parë shqiptar profesor Ahmet Gashi. Në mesin e 85 ligjëruesve sa ishin paraparë në program, në këtë sesion u paraqitën prof.dr.Muhamet Shatri, prof. dr. Jahja Drançolli, Ahmet Mehmeti, dr. Riza Sadiku, dr. Izber Hoti, dr. Mehmet Rukiqi, mr. sci. Nue Oroshi, Tomë Mrijaj, Mentor Kaçi, Leonora Laçi, Selman Etemi, Artur Roshi, Sulejman Gjana, Frrok Kristaj, Prend Buzhala, Fatbardha Mulleti -Saraqi, Xhemal Meçi, Avni Bilalli, etj. Në fund të sesionit, para të pranishmëve nënkryetari i shoqatës mr.sci. Nue Oroshi lexoi një deklaratë programore ku paralajmërohet përgatitja e një memorandumi drejtuar fuqive të mëdha për bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët, marrja e një nisme kombëtare për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në trojet etnike shqiptare.
Shoqata “Trojet e Arbrit” ka kërkuar nga mekanizmat përgjegjës për sigurinë që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve, jo vetëm të Kosovës, dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit.
bardhyl gjakova says
E percolla me vemendje sesionin shkencor te XII te Shoqates intelektuale Trojet e Arbrit ku u mblodhen mjaft intelektual nga mbare trojet etnike e diaspora. Urime organizatoreve kane bere nje pune kolosale ku mblodhen rreth 85 ligjerues pos te ftuarve te nderit si Haradinaj kreminsitri i Ardhshem i Dardanise. Kete pune qe bene shoqata Trojet e Arbrit smund ta realizojne as Qendra studimeve Albanologjike Tirane e Prishtine bashke.
gimi says
keto aktivitet duhen te jene gjithperfshise dhe te dilet me detyra komkrete per te ardhmen e kosoves e kombit shqipetar.