Nga Prof. dr. Nusret PLLANA/*
Universiteti i Prishtinës/
Prishtinë/
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit, të nderuar pjesëmarrës të Institucioneve tona, lokale e qendrore të Republikës së Shqipërisë, Kosovës, viseve etnike të Maqedonisë, Kosovës Lindore e të gjitha trojeve tona etnike,
H y r j e/
Na ka mbledhur sot këtu në Gjakovën e martirizuar gjaku i 25 dëshmorëve të kombit tonë, të cilët sot e 14 vite më parë në një pritë të organizuar nga UDB-ja, fatkeqësisht të ndihmuar edhe nga elementë tradhtarë shqiptarë, bien heroikisht 16 luftëtarë të lirisë, luftëtarë vullnetarë të UÇK-së, si dhe 9 martirë, për të mbetur të përjetësuar në altarin e Lirisë së Atdheut.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hapur procese të mëdha historike në jetën e popullit shqiptar, kudo që jeton ai. Përveç kësaj, Dëshmorët e Kombit të rënë në këtë luftë, janë bërë e do të bëhen shenja të kujtesës historike dhe të kujtesës kombëtare të brezave të shqiptarëve. Shqiptarët, në të gjitha sprovat e historisë, pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të gjejnë përherë shëmbëllimin e kërkesave të tyre për të mundësuar realizimin e përpjekjeve edhe të krijimit të kombit modern shqiptar. Sepse, siç dihet, dhe siç e ka provuar Lufta e UÇK-së, nuk ka komb modern evropian, pa gjeografi kombëtare, pa liri kombëtare, pa bashkim kombëtar, që nënkupton korrigjimin e padrejtësive historike që u janë bërë shqiptarëve, edhe me ndihmën e fuqive të mëdha evropiane, të cilat në fillim të shekullit njëzet ishin nën trysninë e madhe të Rusisë cariste, kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ende nuk ishin krijuar superfuqi botërore.
Lufta e UÇK-së, prandaj, duke hapur këto procese të mëdha historike, ka krijuar nivel tjetër të bërjes së lirisë, siç ka krijuar edhe nivel tjetër për të krijuar shenja të kujtesës historike, pa të cilat vështirë se hiqet nga jeta jonë mendësia e psikologjisë së robit, pasojë kjo e një robërie më shumë se njëshekullore.
Duke na mësuar që të ecim vertikalisht, Lufta e UÇK-së na ka mësuar edhe ta ribëjmë dinjitetin tonë kombëtar.
Vetëm për këto vlera, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është njëra nga periudhat më të dhimbshme, por më të ndritshme dhe më krenare të historisë së re shqiptare.
Përmasa kombëtare e rënies së dëshmorëve/
Kur flasim për rënien heroike të Dëshmorëve të Kombit pra edhe të Dëshmorëve që po i kujtojmë sot, është më se e qartë, se për lirinë ata kanë dhënë dëshminë supreme, sepse janë bërë pjesë e përjetësisë sonë, prandaj për ata, fjalët janë më së paku të nevojshme. Mirëpo, këtij obligimi moral ne të gjallët nuk mund t’i ikim, sepse duke i kujtuar dhe duke i nderuar të rënët për lirinë tonë, ne bëjmë përpjekje të përmbushim amanetin e tyre. Edhe nëse ndonjë i “krisur” nga raca jonë, bën përpjekje për t’i ikur kësaj përgjegjësie, dëshmi mbi dëshmitë për përjetësinë e heronjve tanë është gjaku i derdhur lum për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e tokave shqiptare. Për lirinë dhe për tokat, ngase tri luftërat çlirimtare të bijve dhe bijave tona më të mira nga të gjitha trojet tona etnike që u bënë në pjesë të ndryshme të gjeografisë sonë kombëtare, e që e kishte të vetmin kuptim, rikthimin e tokave të pushtuara shqiptare që na ishin marrë me forcë nga armiqtë tanë shekullorë, me bekimin e po kësaj Evrope, e cila edhe përkundër faktit që Serbia fashiste ka bërë disa luftëra gjenocidale, dhe jo vetëm mbi shqiptarët, duke lënë të vrarë , të masakruar, të dëbuar e të dhunuar më shumë se gjysmë milioni njerëz civilë të pafajshëm, ajo(Serbia pra) fatkeqësisht vazhdon të trajtohet edhe sot e kësaj dite, sikur ajo të ishte e përkëdhelura e Evropës në këtë Ballkanin tonë historikisht të trazuar.
Shtrohet vetvetiu pyetja: A mund të nderohen të rënët për lirinë e atdheut, vetëm nëse i përkujtojmë dhe u bëjmë atyre homazhe vetëm një herë në vit, e nuk bëjmë asgjë më shumë për ta dhe për familjet e tyre?!! Doemos, kësaj i shtohet edhe një fakt tjetër, gjë që, për të qenë hipokrizia edhe më e madhe, edhe pas 14 vitesh të përfundimit të Luftës së UÇK-së në Kosovë, edhe më tutje Ligji për vlerat e Luftës Çlirimtare as nuk është miratuar e as nuk është jetësuar në praktikë, duke i lënë një numër jo të vogël të luftëtarëve të lirisë në gjendje të rëndë sociale, pa punë, pa strehë e pa kushte elementare për jetë, pa e gëzuar asnjë të drejtë nga shteti, i cili po krijohet pas kësaj lufte çlirimtare, pjesë e lirisë së atdheut për të cilin kanë rënë. Që ana tragjike e jetës, për të qenë edhe më e rëndë, dhjetëra djem dhe vajza të luftës, për shkak të gjendjes së rëndë sociale, për shkak të pamundësisë që të trajtohen nga traumat e luftës, kanë bërë vetëvrasje, duke mos pasur forcë t’i shohin fëmijët e tyre pa asnjë perspektivë për një jetë normale.
Këtu fillon demagogjia e kësaj politike, e atyre bartësve dhe bërësve të kësaj politike të ditës, të cilët zëvendësojnë shenjat e mendësisë dhe gjëllimit shpirtëror të popullit, me interesa dhe lakmi të llojllojshme, pa zgjedhur mjete e metoda, duke bashkëpunuar me klane e grupe, qëllimi i të cilëve në radhë të parë është përfitimi personal dhe grupor, të cilët, jo vetëm kanë harruar vuajtjet e popullit, por me veprimet e tyre, kanë ndikuar që të ketë fare përparim ekonomik, i cili është baza themelore për krijimin e mundësive për jetë normale.
Si gjithmonë në histori, si dhe si gjithmonë në të gjitha sistemet kur klasa politike është shkoqur nga interesat e popullit, prapë se prapë çdo gjë bëhet në emër të popullit, duke krijuar iluzionin se çdo gjë lidhet me popullin dhe çdo gjë bëhet për popullin. Edhe në këtë rast është e pashmangshme pyetja: “A ka njeri që nuk e do jetën”? Mirëpo, që jeta të ketë kuptim, që të jetë e lirë e të njerizohet plotësisht, ajo kërkuaka gjakun e atyre që e duan shumë jetën. Vetëm të tillët janë në gjendje të sakrifikohen. Sakrifica sublime e Dëshmorëve të Kombit, siç janë Agim Zeneli e Luan Smajli, siç janë Kasem Shala e Sahit Krasniqi, siç janë të gjithë të tjerët që po i përkujtojmë sot, kanë krijuar shenjat e bërjes së një mendësie të re në jetën tonë, edhe historike (se vetëm popujt historikë e kanë këtë privilegj), edhe shpirtërore (sepse vetëm popujt që kanë kujtesë kombëtare, kanë atdhe), të shqiptarëve kudo që janë.
Sot, 14 vjet pas rënies së tyre, liria po rritet në Kosovë, por Kosova ende është pjesë e ndarë e atdheut. Rënia e këtyre Dëshmorëve të Kombit që po i përkujtojmë sot, nesër do të jenë me siguri, shenja të jetës së shqiptarëve që po rriten pa psikologji robi, shenja të kujtesës historike të shqiptarëve dhe, në fund, shenja të mbamendjes sonë kombëtare, sepse pa këtë mendësi të bërjes së kombit modern, rruga e bashkimit kombëtar mund të jetë ende e largët.
Që të fillohet rruga e krijimit të kombit modern shqiptar, ashtu siç e kishin ideal luftëtarët e lirisë dhe Dëshmorët e Kombit, në mesin e tyre, edhe Dëshmorët e Kombit, të rënë më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, të cilët po i nderojmë dhe po i kujtojmë sot, kjo pjesë e vendit që quhet Kosovë, duhet ta shtojë prodhimin e vet ekonomik, të ndërtojë fabrika, ku do të realizohej e drejta themelore e njeriut, mundësia për ta realizuar veten si qenie shoqërore, të investojë shumë më tepër në zhvillimin modern të bujqësisë me të gjitha degët e saj, e cila është e mira natyrore që i ka rënë hise kësaj pjese të gjeografisë së atdheut, në mënyrë që të krijohen kushte të domosdoshme për rritjen e kujdesit ndaj të rinjve për t’i shpëtuar nga sëmurjet e kohës moderne, siç janë droga, konsumimi enorm i duhanit, e të tjera.
Përmasa kombëtare e luftës për liri dhe e luftës për tokat e humbura/
Jo rrallë herë, me rastin e promovimit të librit tim TERRORI I SERBISË PUSHTUESE MBI SHQIPTARËT 1844-1999, nëpër Evropë dhe botë, folës të ndryshëm, dijetarë të profesioneve të ndryshme, e kanë thënë se, është fatkeqësi për Ballkanin, Evropën dhe më gjerë se, ngase dy popuj që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e tyre kombëtare, shqiptarët dhe serbët, sa duket, kanë edhe defekte gjenetike. Shqiptarët, harrojnë shpejtë, andaj kanë probleme me kujtesën e tyre historike, kurse serbët e kanë dhe e kultivojnë urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve. Kështu thoshin folës të ndryshëm dhe, pa marrë parasysh kanë apo nuk kanë të drejtë, mund të thuhet se për shkak të këtyre defekteve, të dy popujt po paguajnë “haraq” edhe në kohën kur Evropa po e bën një shekull që i ka lënë luftërat prapa krahëve të saj dhe po merret me zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor të saj. Në anën tjetër, edhe nëse nuk pranohen këto gjykime të folësve të ndryshëm nëpër Evropë dhe botë, është fakt i pamohueshëm historik se
Shqiptarët kanë humbur jo më pak se 570.000 njerëz të vrarë nga regjimet e vazhdueshme barbare serbe, në periudhën e viteve 1844-1999.
Fatkeqësisht psikologjia e robit të një populli që ka jetuar më shumë se pesë breza njerëzor në robëri, nuk e mund aq lehtë harrimin. Prandaj, këtu është fatkeqësia tjetër se, kjo psikologji robi, krijon mundësi edhe të stërkeqjes së çdo shenje të luftës.
Së pari, duke e zvogëluar deri në mosqenie luftën e djemve dhe vajzave të tij.
Së dyti, duke e identifikuar luftën për liri dhe për tokat e humbura të popullit, me keqbërës dhe matrapaz të të gjitha ngjyrave.
Së treti, insistimi i barazimit të matrapazëve dhe rrahagjoksëve për meritat që na i paskan për lirinë e këtij populli, me ata që kanë dhënë jetën për këtë liri dhe për këto toka.
Së katërti, nëpërkëmbja e gjakut të dëshmorëve, ende pa u varrosur mijëra të rënë për lirinë e këtij populli, është gjëja më e shëmtuar për një popull kaq liridashës.
Prandaj është koha të shtrohen dhe të thuhen kudo këto çështje, në akademitë për dëshmorët, apo në sesione shkencore e kulturore, siç është edhe kjo veprimtari e sotme, me rastin e ngritjes së lapidarëve dhe pllakave përkujtimore për ta, ngase, së paku deri tash, për ndonjë Konferencë shkencore, në nivel shteti, apo në nivel të institucioneve qendrore shtetërore të veprimtarisë shkencore, siç është Akademia e shkencave, sa duket as nuk ka kohë, as gatishmëri. E për fat të keq, institucionet tona shkencore, nga Akademia e Shkencave e tutje, nuk kanë kohë e gatishmëri të merren me këto çështje, pasi që u kanë dalë përpara punë shumë më të rëndësishme, duke bërë vrap, cili para tjetrit, për ta dëshmuar lojalitetin ndaj organeve të pushtetit.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është thënë sa herë, që ka përmasë kombëtare. Tashti më, siç po shihet për çdo ditë, edhe nëpër dritën e diellit, janë kthyer në skenën e jetës historike Kosova Lindore, ose siç i thonë me gjuhën e ushtarakëve, Lugina e Preshevës, dhe viset etnike shqiptare nën Maqedoninë. Nesër do të kthehen në këtë skenë edhe tokat shqiptare nën Malin e Zi dhe ato të Çamërisë. Një ditë do të kthehen në skenën e historisë për të gjetur zgjidhje edhe tokat e lënë djerrë pas dëbimit të shqiptarëve në Kazanë e Toplicës dhe të Nishit. Sepse, kanë thënë gjatë historisë, vetëm gjaku dhe prona nuk vjetrohen kurrë.
Më tutje, pa marrë parasysh mendësinë tonë të përgjysmuar, në të ardhmen nuk do të ketë mundësi të hartohen as programe shkollore, as tekste historie, as të hartohen enciklopedi dhe fjalorë enciklopedik, (përmes të cilëve komunikon bota me ne), për pjesë të caktuara të gjeografisë sonë kombëtare. Një ditë kjo do të ndodhë, siç ndodhi kohë më parë me unifikimin e abetares shqiptare. Një ditë, e kjo do të ndodhë doemos, falë luftës çlirimtare të UÇK-së, e cila deshëm a nuk deshëm ne, ka përmasë kombëtare, pra një ditë, nuk do të flitet me: ne-ata, ose ata-ne, apo ne kosovarët dhe ju shqiptarët, e shpikje të ngjashme hibride, por do të flitet për kulturën shqiptare, për arsimin shqiptar, për popullin shqiptar, për kombin modern shqiptar.
Nuk ka atdhe pa përmasën e gjeografisë kombëtare
Kjo luftë me gjithë shtrirjen e saj, në Kosovë, në Shqipëri, në Kosovën Lindore, në tokat shqiptare nën Maqedoninë, ishte dhe është luftë për liri, por edhe lufta për toka të okupuara dhe të marra me dhunë. Bile shembulli i Toplicës dhe Çamërisë dhe viseve tjera të copëtuara etnike shqiptare derisa të rikthehen janë plagë e pashërueshme për kombin tonë. Shkenca shqiptare këtë çështje duhet ta shtrojë më zëshëm se kurrë, së pari para shqiptarëve e pastaj edhe para botës. Ka një rregull të pashkruar historik në jetën e popujve: gjërat që i merren një populli, gjërat që i okupohen, në jetën e atij populli kthehen po përmes rrugës që janë zhbërë. Do të thotë, popujt lëvizin nëpër shenjat e gjakut.
Kështu ka ndodhur në historinë e të gjithë popujve që kanë luftuar për liri. Kështu ka ndodhur edhe në jetën e popullit shqiptar, e kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Atëherë, kjo luftë, e përmasave të këtilla kombëtare, ngase për herë të parë pas një shekulli, pra, pas mundjes ushtarakisht të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kthen në rend dite të historisë, jo vetëm padrejtësitë e përmasave historike në jetën e shqiptarëve, siç është humbja e territoreve, që sot administrohen, si t’i kishin gjetur në mall të gjyshit, a të babait, nga xhuxh shtete të këtij Ballkani kaq të trazuar.
Kjo nuk është thirrje për luftë, as nuk është krijim i urrejtjes ndaj të tjerëve. Ky është një realitet historik në jetën tonë, që është krijuar me gjakun e bijve dhe bijave tona më të mira, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindore dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Kush i mohon këto fakte, do të thotë, nuk ka kohë dhe kurajo të merret me kujtesën historike dhe me shenjat e mendësisë kombëtare të shqiptarëve. Të këtillë ka mjaft, qoftë nga shtete dhe mekanizma ndërkombëtarë, qoftë edhe nga shqiptarët që për një arsye, apo për një tjetër, janë gjetur në të njëjtën rrjedhë të veprimit. Mirëpo, gjaku i dëshmorëve që janë shenja e parë e luftës dhe e lirisë nuk e duron një mendësi të këtillë dhe përmbys iluzionet e këtilla.
Gjaku i dëshmorëve, kurdo që kanë rënë dhe kudo që ka rënë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e tokave shqiptare, siç është edhe gjaku i dëshmorëve që po i përkujtojmë sot, në përvjetorin e 14-të të rënies së tyre heroike.
LAVDI E PËRJETSHME DËSHMORËVE TË KOMBIT!
Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Prend Lleshi, Memë Lleshi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sejdi Rama, Sahit Krasniqi, Valon Gashi,e Vesel Avdyli – janë dëshmia më e mirë se vula e gjakut të tyre të njom do të mbetet vulë e përjetshme në kujtimet tona, dhe në kujtimet e brezave që do të vijnë pas nesh, për ta kuptuar dhe mësuar se sa i shtrenjtë ka qenë ardhja e Lirisë!
* Kumtese e mbajtur ne pervjetorin e Masakres se Rogoves se Hasit