Të hënën me 29 korrik bëri një vizitë në Shtëpinë e Vatrës, z. Shaban Mehmeti, kryetar i Shoqatës shqiptaro-Amerikanë “Kosova Lindore- Preshevë –Bujanov- Medvegjë”. Pasi vizitoi mjediset e Shtëpisë së Vatrës, arkivin e saj, Ekspozitën”100 vitet e Vatrës”, dhe la shënim ën librin e vizitorëve, ai dorëzoi në bibliotekën e Federatës Vatra edhe gjashtë libra, dhuratë nga Kosova prej vetë autorit, Salih Zogiani, i cili është mjaft i njohur në fushën e mbledhjes së anekdotave shqiptare.
Z. Salih Zogiani lindi në vitin 1942 në fshatin Harilac, të Fushë-Kosovës. Studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjeografisë, në Prishtinë, të cilat i përfundoi në vitin 1968. Ka punuar mësimdhënës në Gjimnazin”Skënderbeu” të Drenasit, në Gjimnazin”Sami Frashëri” të Prsihtinës, në BVI-në dhe në Departamentin për Kulturë të Kosovës. Me mbledhjen e anekdotave merret që nga viti 1965. Ka botuar pesë vëllime në gjuhën shqipe dhe një vëllim në gjuhën angleze.
Ka marrë pjesë në hartimin e Planit Afatmesëm për zhvillimin e kulturës, në përkthimin e Astronomisë, në hartimin dhe publikimin e shumë materialeve nga lëmi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Studiuesit e tij librave të tij, kanë vënë re se z. Zogiani është familjarizuar dhe i njësuar me anekdotat. Duke dëgjuar në vazhdimësi rrëfimin lakonik të andekdotës ai ka hyrë thellë në botën e një filozofie aktuale. Prof. Ramiz Kelmendi konstaton se :Anekdotat e Salih Zogianit sjellin mesazhe, porosi me një humor të shëndoshë dhe të këndshëm, përshkruar me nota të mprehta satirike, para të cilave, nuk mund të mbetesh indifferent.Pas Anton Cetës, Salih Zogiani është mbledhësi më i mirë i anekdotave shqiptare.
Federata Vatra e falenderon autorin, që pati mirësinë dhe i dërgoi për bibliotekën e saj librat e tij. Për të interesuarit, librat ndodhen në bibilotekë dhe mund të shfrytëzohen për t’i lexuar.