
Dr. Shefqet Deliallisi/
Shumë pyetje që kërkojnë përgjigje…Pse njerëz që hanë çfarë t’i pëlqejë në çfardo sasi, fizikisht inaktivë, nuk shtojnë në peshë ? Pse njerëz të tjerë, me histori familjare për mbipeshë apo obezitet, ndonëse hanë sasi modeste, bëjnë dhe aktivitet fizik, bëhen dhe mbeten obezë? Pse njerëz të tjerë (në fakt shumica) qëndrojnë në të njejtën peshë ? Pse pesha e tepërt që me shumë vështirësi humbet, shpejt rifitohet ? Pse disa vende kanë nivel të lartë obeziteti, ndërsa të tjerë jo ?
Pse obeziteti nuk ishte problem vite më parë? Përgjigjen duhet ta kërkojmë tek genet dhe ambienti. Ne duhet të falenderojmë ose mallkojmë parardhësit tanë për peshën apo formën e trupit që kemi. Epidemia e mbipeshës dhe obezitetit është një fenomen i kohës moderne, veçanërisht i 20 viteve të fundit, si shprehje e ndryshimit të ambjentit. Sigurisht që faktorët gjenetikë janë shumë të rëndësishëm, por genet “ndizen” dhe “shuhen” nga ndikimi i ambjentit.
GENET S’KANË NDRYSHUAR.
AMBIENT PO.
Ndonëse bota ka pësuar ndryshime të pa llogaritshme në të gjitha fushat, ndonëse ne mund të vishemi sipas modës së fundit, të përdorim makina të tipeve të fundit, organizmi ynë nuk është tjetër veç ai i paraardhësve të lashtë.
Mënyra se si ai trajton ushqimin, bakteriet, ndotjen, stresin, ka pësuar fare pak ndryshime.
Ne gjendemi të “strehuar” në një organizëm të përshtatur për tjetër ambient, atë të shekujve më parë, kur vdekja ishte e hershme, shpesh para moshës së riprodhimit, organizmi ishte përshtatur për njerëz fizikisht të fuqishëm, që përdornin ushqime të thjeshta, të siguruar nëpërmjet një pune të rëndë fizike.
Disa nga instiktet që trashëgojmë, pozitive për njerëzit e lashtë, shpesh shpëtimtarë për jetën e tyre, janë kthyer tashmë në kërcënim për jetën tonë.
Sot, shumë njerëz kanë mundësi të hanë çfarë t’ju pelqejë, në çfarëdo sasie që dëshirojnë.
Jo gjithmonë ka qenë kështu. Paraardhësit tanë nuk mundnin të siguronin ushqimin në mënyrë të qëndrueshme. Periudhat e ushqimit të bollshëm alternoheshin me mungesa ekstreme. Për të mbijetuar, organizmi i tyre ishte përshtatur për këtë gjendje. Mamagazinonte energjinë e tepërt, kur ushqimi ishte i bollshëm, për ta përdorur kur kërcënohej nga uria apo sëmundje të rënda.
Këtë përshtatje organizmi ynë vazhdon ta trashëgojë dhe sot. Kur hamë ushqime të bollshme, energjinë e tepërt e depozitojmë në formën e dhjamit. Për fatin tonë të keq, sot për shumicën njerëzve, sigurimi i ushqimit është i lehtë dhe shpesh mbi nevojat energjitike.
ÇFAR PO NDODH ?
Mund t’i shpëtojmë influencës së ambientit?.
Është presioni i ambientit që na inkurajon të hamë shumë, e pamundur shmangia.
Është e lehtë të hash. Është kënaqsi.
Është relativisht e pa kushtueshme. Sinjalet fiziologjike që na shtojnë dëshirën për të ngrënë janë shumë të forta, ndërsa sinjalet për ta ndalur ngrënien shumë të dobta.
Ne hamë kur jemi të lumtur.
Ne hamë dhe kur jemi të mërzitur.
Ne kemi përshtatur shprehi sociale, festa me ngrënie dhe pije të tepërta.
Ne ngrënien e lidhim me shëndetin, mirëqenien dhe statusin social.
Përshtatjet që trashëgojmë nga paraardhesit, në shoqërinë e sotme të bollëkut ushqimor janë bërë të dëmshme, duke shkaktuar mbingrënie te njerëz tashmë të dhjamosur.
Energjia e tepërt depozitohet në formën e dhjamit, duke u bërë shkak për shfaqen e obezitetit.
Kështu rezervat e dhjamit, që aq mirë i shërbenin njerëzve të lashtë, njerëzve modernë i shkaktojnë probleme serioze, madje i shkurtojnë jetën.
Obeziteti sot e kërcënon shëndetin nëpërmjet diabetit, tensionit të lartë, sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut, disa llojeve të kancerit, etj
Nga ana tjetër, shoqeria jonë për gjenerata ka punuar fort për ta bërë jetën sa më të lehtë, aktivitetin fizik sa më pak të nevojshëm. Ndryshime thelbësore kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në aktivitetin fizik. Organizmi, që ne trashëgojmë, është i përshtatur për një pune intensive fizike. Ndërsa sot pamundësia për aktivitet fizik përbën një problem të ri për racën njerëzore.
Njerëzit qëndrojnë ulur para tavolinës, në vend që të lëvizin. Vetëm pak vite më parë fëmijët luanin jashtë shtëpisë për orë të tëra, ndërsa sot qëndrojnë pasivë përpara celularit, apo lojrave elektronike.
Në kohët e lashta ishte e pamundur që dikush të qëndronte ulur për muaj e vite. Madje edhe paraardhësit tanë fermerë të disa viteve më parë, duhej të punonin fort fizikisht, ndryshe nga sot, kur shumicën e puneve e kryejnë makineritë.
Dhe kjo ka implikime të rëndësishme mbi organizmin dhe shëndetin.
Të bëhesh aktiv fizikisht sot, s’është e lehtë. Kërkon sforcim, mund dhe kohë. Njerëzit sot sforcohen për të planifikuar një aktivitet fizik.
KA ZGJIDHJE ?
Para këtyre ndryshimeve jemi të pafuqishëm?
JO. Ajo që mund të bëjmë ne sot është t’i kthejmë ndryshimet në favorin tonë, apo së paku t’i kthejmë në të padëmshëm…