

Imer Lladrovci/
Pjesa II
Në kapitulin e parë kemi definicionin e gjenocidit dhe një histori e tij të gjatë në realitetin historik, por jo edhe në atë të të Drejtës Ndërkombëtare Penale. Tek në vitin 1948 me një Konventë të OKB-së u definua si krim i madh gjenocidi. Shumë shtete të ndryshme të botës që e pranuan Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e këtij Krimi të rëndë krijuan ligje që e dënonin këtë formë supreme të krimit. Jugosllavia qysh nė vitin 1950 e pranoi Konventën dhe iu bashkëngjitë pjesës së civilizuar të botës që e dënonte krimin. Edhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës ka ligje që e dënojnë gjenocidin. Arsim Bajrami sjellë këtu autorë të ndryshëm që i çasen në mënyrë definitorike këtij krimi momstruoz, duke filluar nga avokati polak me përkatësi etnike hebreite Rafael Lemkin (Raphael Lemkin), i cili qysh në vitin 1933 punoi në një konvent ndërkombëtare që do të parandalonte „barbaritë“ kundër kombeve, racave e bashkësive fetare dhe „vandalizmit“ ndaj kulturave. Termi genocid është një fjalë e përbërë nga fjala greke „genos“ që do të thotë racë apo fis dhe fjalës latine „caedere“ që do të thotë „të vrasësh“. Kryeministri britanik Uinston Çërçill (Winston Churchill) gjatë luftës thoshte se nazistët po kryenin një krim të ri lufte që ende s’kishte emër. Emri i këtij krimi u përcaktua zyratarisht, pas përfundimit tė LDB-së, nga Konventa e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së në vitin 1948. U mor kompozita që kishte krijuar Rafael Lemkini, sepse mendohej që ky emër i ri e shprehte saktësisht përmbajtjen e këtij krimi të llahtarshëm. Lemkini kishte ardhur në përfundim se „gjenocid nuk do të thotë vetëm luftë. Ai është më i rrezikshëm se lufta.“
Autorë të tjerë si Norman Neimak (Norman Naimark) konsiderojnë se „spastrimi etnik vrasës“ është poashtu një formë e gjenocidit, sepse në „spastrimin etnik rrjedh gjak në gjenocid, pasi vrasja masive kryhet për të pastruar tokën nga një popull“. Ulljam Shabas (William Schabas) shkruan se „spastrimi etnik është gjithashtu një shenjë paralajmëruese e gjenocidit që do të vijë. Gjenocidi është zgjidhja e fundit e pastruesit etnik të frustruar.“ Sociologu Martin Shou (Martin Show) e kritikon dallimin që bëhet mes gjenocidit dhe spastrimit etnik, pasi që mendon se rezultati përfundimtar i të dyjave është shkatërrimi i një bashkësie përmes dhunës dhe shtrëngimit.
Arsim Bajrami në këtë libër sjellë edhe mendimet dhe përkufizimin e gjenocidit nga juristët shqiptarë. Ismet Salihu vë në dukje katër elementët e veprës penale të gjenocidit. Veprimi i njeriut është elementi i parë. Kundërligjshmëria përbën elementin tjetër. Elementi i tretë, është përcaktueshmëria e veprës penale me ligj. Elementi i fundit, dmth. i katërt, është përgjegjësia penale e kryesit (fajësia). Por ka një ndryshim të madh mes ekzistencës formale te ligjit në kodin penal të një vendi dhe zbatimit të tij në praktikë. Shqiptari tjetër është Ismet Elezi, i cili e definon gjenocidin si „zbatim të një plani të paramenduar që synon shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm të një grupi nacional, racor apo fetar.“ Esat Stabileci, ndërkaq, jep këtë definicion: „Shkatërrimi sistematik i një grupi etnik ose i popujve të tërë, me vrasje ose shfarosje masive të banorëve të tyre dhe me shpartallimin e institucioneve politike, sociale, kulturore dhe konfesionale të tyre.“ Akademik Gazmend Zajmi konsideron që përpjekjet e para për kodifikimit të kësaj dukurie u bënë qysh në vitin 1945 me Statutin e Gjykatës së Nyrnbergut( Nürnberg), kurse prof. dr.Zejnullah Gruda sheh tek rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e 11 dhjetorit të vitit 1946 përpjekjen e parë për inkriminimim e krimit të gjenocidit, i cili „tronditi ndërgjegjen njerëzore“. Sipas kësaj rezolute, „gjenocidi është shkatërrimi i qëllimshëm i jetës fizike të qenieve njerëzore, i motivuar prej përkatësisë së tyre kolektive të ndryshme njerëzore“. (fq. 47).
Historikisht, gjenocidi i parë që njihet në botë është Gjenocidi Armen, i quajtur ndryshe edhe si Holokausti Armen ose Medz Yeghern (Krimi i Madh) ku u vranë midis 1,5 deri në 2 milionë njerëz mes vitit 1915 e 1923. Gjenocidi në Ukrainë ose Holodomori apo Gologomori ( ukrainisht: vdekja nga uria) ndodhi në dimrin e viteve 1932-1933. Gjenocidi i Hebrenjve i njohur edhe si Holokausti apo Shoah ( në gjermanisht: Endlösung) ishte përpjekja për të asgjësuar plotësisht popullsinë hebraike të vendeve të Europës. 6 milionë bebrenj u vranë në mbarë Europën. Në vitet 1975 e 1979 në Kamboxhia, kmerët e kuq të Pol Potit vranë 2 milionë kamboxhianë. Ky është Gjenocidi i Kamboxhias. Gjenocidi tjetër ndodhi në Afrikë në vitin 1994 në Ruandë ku i vranë një milionë pjesëtarë të fisit tutsi. Në vitin 1995 në Srebrenicë të Bonjës u vranë mbi 8.000 meshkuj boshnjakë muslimanë mbi moshën 18 vjeçare. Në vitet 1998-1999 serbët realizuan Gjenocidin e Kosovës ku u vranë mbi 13.000 njerëz dhe u deportuan në Shqipëri dhe në Maqedoni 863.000 shqiptarë. Një spastrim etnik i përmasave të tilla nuk njihet në kohën tonë. Sot në Ukrainë po ndodh për herë të dytë një gjenocid, por këtë herë me armët më moderne, si pushtim. Lufta në Ukrainë ende vazhdon, kështu që nuk mund të flasim ende për dimensionet të këtij gjenocidi.
Në kapitullin e tretë që mbanë titullin „ Gjenocidi i Serbisë në Kosovë: ndërmarrje e përbashkët kulturore“ shohim se krimet e Serbisë në Kosovë nuk janë një zhvillim aksidental, por një zhvillim politik që patjetër do të kulmonte me gjenocid. Ndërmarrja, siç e dëshmon autori në këtë kapitull, kishte të gjitha tiparet e krimit të organizuar si një ndërmarrje e përbashkët shtetërore.
Në kapitullin e katërt jepet tipologjia e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Si dukuri politike, gjenocidi bartej nga institucionet e shtetit, të cilat funksionin ashtu, pikërisht siç parashihej në Konventën e OKB-së për gjenocidin. Institucionet e shtetit serb bënin „shkatërrimin e institucioneve të një kombi, dekompozimin institucional të një shoqërie, zhdukjen e udhëheqjes së një kombi dhe shteti me qëllim të krijimit të anarkisë“ ( fq. 335). Aksionet shtetërore ndëshkimore bëheshin për ta kthyer jetën në forma të tilla primitive fisnore ku institucionet politike bashkëkokhore të mos mund të ekzistonin e vepronin. „Synimi themelor i gjenocidit serb ishte shkatërrimi i realitetit socio-politik të Kosovës me qëllim të pushtimit të saj. Një përmbysje e tillë situatës në terren mund të realizohej vetëm përmes shtetit dhe me asnjë formë tjetêr organizative. Edhe qytetari i rëndomtë serb e dinte që këto çështje ishin ingerencë e „drzhavës“. Me 5 korrik 1990 u miratuan në Kuvendin e Serbisë një varg ligjesh diskriminuese që e çonin Kosovën drejt një shoqërie anarkike, pa institucione. U ndalua puna e Kuvendit të Kosovës, e Qeverisë së Kosovës, pastaj u pamundësua funksionimi i sistemit juridik-gjyqësor. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme u suprimuan, kurse gjykatat e nivelit të ulët u vunë nën kontroll shtetëror të tillë që ato të mos mund të punonin më si institucione të mirëfillta drejtësie. Serbia vepronte me dinakëri, sepse i druhej ndëshkimit ndërkombëtar. Vrasjet, burgosjet, keqtrajtimet e ndryshme kishin një performancë të tillë që të shkaktonin pasiguri të madhe mes shqiptarëve, t’i trondisnin ata psikologjikisht, por jashtë nuk duhet të perceptoheshin këto gjëra si krime të rënda, sepse mund të ktheheshin në një shkak për ndërhyrje ushtarake, ato thjesht duhej të kuptoheshin si një formë jo fort e rrezikshme e qeverisjes së njerëzve të prirë ndaj revoltës.
„Diplomacia amerikane prej vitesh e kishte vënë në dukje se në Jugosllavinë komuniste përgatiteshin ligje të jashtëzakonshme si ato të Nurembergut në Gjermaninë hitleriane për të gjetur ‚zgjidhjen finale‘ të problemit shqiptar në Kosovë me masakrimin e dëbimin e shqiptarëve. Kjo prirje nacional-shoviniste e përhershme serbe shpërtheu fuqishëm në vitet e Serbisë së Millosheviçit.“(fq. 347).
10 hallkat e administratës serbe që kreu gjenocidin përbëheshin nga: 1. Sllobodan Millosheviqi që qëndronte në krye të piramidës. Atë e ndihmonin (2.) Kuvendi dhe Qeveria e Serbisë, të cilat nxirrnin ligje, akte nënligjore, vendime, platforma dhe akte të tjera që bëheshin realitet nga pushteti ekzekutiv në terren. 3. Armata Popullore e Jugosllavisë veproi për njëfarë kohe si hallkë e tretë e krimit. Hap pas hapi ajo u kthye në një Ushtri të Serbisë. Megjithatë, ajo i qëndroi besnike elitave politike dhe kishtare që gjenocidin e kishin synim definitiv. 4. Policia e Serbisë me të gjitha njësitë e saj speciale dhe jospeciale ishte një polici që përdorej për të shkaktuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët, të cilët mund të vriteshin për çdo gjë të vogël. 5. Njësitë joformale kriminale që në popull njiheshin si paramilitarët serbë kryenin krime të llahtarshme në terren. Gjithçka bëhej me qëllim të krijimit të psikozës së frikës. Përvojën e tyre nga Kroacia e Bosnja këto njësi paramilitare e ushtronin me një kreativitet kriminal në Kosovë. Atje kishin vrarë sllavë të tjerë, kurse këtu vrisnin shqiptarë, të cilët nuk i konsideronin njerëz. Arsim Bajrami thotë me të drejtë se këto falanga të dhunës „[r]ealisht, ato ishin struktura të krijuara dhe të financuara nga shteti serb, për të kryer krime të rënda në Kosovë, me qëlllim të shfajësimit të shtetit serb dhe urdhënësve të drejtpërdrejtë të krimeve të gjenocidit.“ (fq. 350). 6. „Kisha ortodokse Serbe, e cila realisht duhet të jetë në vendin e dytë të kierarkisë së gjenocidit serb në Kosovë“, ishte një shtyllë e rëndësishme e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kjo kishë më së paku ishte organizatë fetare, sepse mënyra sesi vepronte e bënte atë një hallkë tepër të rëndësishme të gjenocidit. Ajo frymëzonte dhe bekonte krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë në emër të mitit të rrejshëm për Kosovën si ‚tokë e shenjtë serbe‘“. (fq. 350). Hallkën e shtatë të këtij mekanizmi e përbënin pjesëtarët e të ashtuquajturës mbrojtje territoriale në Serbi. Duhet të vihet në dukje edhe fakti që Mbrojtja Territoriale e Kosovës u suprimua menjëherë pas vitit 1981, edhepse Kosova si njësi federale e gëzonte të drejtën e pasjes së saj. Pikërisht këtu shihet se krahina autonome si njësi federale ishte larg të qenit republikë. Në shikim të parë ky fakt, suprimimi i mbrojtjes territoriale, duket një gjë e vogël, por nga aspekti juridik- kushtetutar përbën një gjë të madhe. 8. Serbët lokalë me ose pa uniforma ushtarake bënin plaçkitje dhe krime të ndryshme të fqinjëve të tyre shqiptarë. 9. Mercenarët nga disa shtete si Rusia etj. u çuan në front për t‘i luftuar njësitet e UÇK-së. Hallka e fundit, hallka e dhjetë në këtë zingjir kriminal, ishin mediat serbe që kujdeseshin për krijimin e një atmosfere histerike në shoqërinë serbe, ku vrasja e shqiptarit konsiderohej një akt i domosdoshëm dhe aspak kriminal.
Të vrisje shqiptarë në këtë kohë përgjithësisht konsiderohej një gjë e dobishme për shoqërinë serbe. Shqiptarët ishin shpallur keqbërës që duheshin eleminuar bash si qenët endacakë. Në këtë fushë printe Radiotelevizioni i Serbisë RTS. Ai si medium elektronik qendror i manipulonte njerëzit ashtu që ata të ktheheshin në një bandë vrastare që s‘kishte kurrëfarë respekti për jetën e shqiptarëve. Një shqiptar në këtë kohë s‘ishte askund i sigurt, as në hapësirën publike, as në shtëpinë e tij. Gazetat dhe revista si „Politika“, „Večernije Novosti“, „Ekspres politika“, „Duga“, „NIN“, etj. ishin kthyer në media që e promovonin haptazi ideologjinë e gjenocidit. Presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ( Aleksandar Vučić) në këtë kohë ishte Gëbelsi ( Göbbels) i Serbisë. Si ministër i Informacionit, ai ishte shef i kësaj falange që shqiptarinë e kishte shpallur si një objekt të ligjshëm ndëshkimi. Në këtë kapitull, autori flet edhe për rastin e Gjorgje Martinoviqit (Djordje Martinović) që u kthye në një ikonë të shovinizmit serb kundër shqiptarëve. Rasti i tij tregon se gjithçka përdorej për demonizimin e shqiptarëve. Propaganda ishte një makinë që kishte nevojë për material, ndaj edhe persona të tillë ktheheshin në viktima të shqiptarëve. Serbia po ecte me hapa të mëdhenjë drejt një patologjie të përmasave dramatike. Çdo gjë që ndodhte kishte si sutor shqiptarët. Rasti tjetër, ai i Paraqinit, ishte pa asnjë dyshim konstruksion kriminal që për epilog pati vrasjen e disa ushtarëve, në mesin e tyre edhe vrasjen e Aziz Kelmendit që akuzohej për terrorizëm dhe dënimin me burg të shumë ushtarëve të tjerë që kinde bënin pjesë në organizatën terroriste në ushtri. Mediat serbe ishtin të „lidhura drejtpërdrejt me shërbimet sekrete të ushtrisë dhe të sigurimit të shtetit, prej të cilave merrnin orientime“(fq. 361).
Rasti „Panda“ ndodhi me 14 dhjetor të vitit 1998. Vrasësit, me metoda psikologjike të sofistikuara manipulonin qytetarët serbë ashtu që ata të kthehen në bisha vrasëse. Ky kapitull mbyllet me dështimin e kësaj politike. Sllobodan Millosheviqi, që vdiq në qelitë e Burgut të Hagës me 11 mars 2006, ishte maja e kësaj piramide morbide, por ai si person i vetëm nuk do të mund të bënte gjë, ndaj dhe autori vë në dukje mekanizmat e tjerë instiucional që i shërbyen atij me besnikëri.
Në kapitullin e pestë autori ndalet te Konventa e OKB-së mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve dhe Gjenocidit, e cila është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme me 9 dhjetor 1948, kurse ka hyrë në fuqi me 12 janar 1951. Kjo Konventë analizohet hollësisht në këtë kaptinë të librit, sepse kështu ne fitojmë një ide të qartë për këtë krim të rëndë lufte. Vrasjet sistematike larg linjave të frontit të luftës, përdhunimi i femrave shqiptare dhe shkatërrimi i dokumente personale të identifikimi, 400 masakrat në gjithë territorin e Kosovës tregojnë se gjithçka ishte planifikuar më herët. Ky kapitull shpërfaq tmerret e luftës, jepet lista e masakrave dhe vendet kryesore në Serbi ku u bartën mbetjet mortore të shqiptarëve dhe shqiptareve tê vrara, shpeshherë pas keqtrajtimeve të rënda fizike. Batajnica, Petrovo Sello, Liqeni Peruçac, Rudnica e Kishevaku janë lokalitetet kryesore ku janë gjetur varre masive me eshtra të shqiptarëve e shqiptareve të Kosovës.
Një funksionar i lartë i policisë serbe thotë se ku s’ka kufomë, s’ka as krim. Ja, deri këtu shkonte cinizmi serb i atyre që vrisnin njerëz dhe i zhduknin kufomat. Regjimi serb kishte edhe projektin e tij për fshehjen gjurmëve të krimit. „Asanacija“ quhej ky projekt. Thuhet se rreth 300 kufoma janë djegur në shkritoret e Trepcës, Borit, Ferronikelit etj. Një çerekshekulli pas përfundimit të luftës ka kaluar, por në listën e të zhdukurëve janë ende 1647 persona, prej tyre 420 me përkatësi etnike serbe.
Projekti „Patkoi“, i cili nisi të realizohet qysh në muajt e fundit të vitit 1998 dhe vazhdoi pastaj me vitin 1999. Projektin e zbuloi Bullgaria, e cila e njoftoi Gjermaninë dhe vendet e tjera të NATO-së.
Në kapitullin e gjashtë trajtohet gjenocidi sipas dokumentave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë. Kundër Sllobodan Millosheviqit u ngrit padi penale në një kohë që ai ende ishte në pushtet. TNPJ-ja bëri publike akuzën për krime lufte edhe kundër katër funksionarëve të lartë të Serbisë: Millan Millutinoviqit (Milan Milutinović), Nikolla Shainoviqit (Nikola Šainović), Draglub Ojdaniqit (Dragoljub Ojdanić) dhe Vllajko Stojilkoviqit (Vlajko Stojiljković) në maj të vitit 1999. Më vonë Sllobodan Millosheviqi pati një proces të veçantë, të ndarë nga katër të akuzuarit e tjerë.
Në kapitullin e shtatë flitet mohimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. „Mohimi i gjenocidit është një krim në rast se , e kryen ndonjë shtet dhe individ të cilët, me dashje apo me nivele të tjera të përgjegjësisë i mohojnë krimet e gjenocidit, si krimin më burral në të Drejtën Ndërkombëtare Penale.“ (fq. 493). Arsim Bajrami shkruan më tej se mohimi i gjenocidit është një tendencë e disa autorëve dhe kryesve të këtyre krimeve që nuk duan të ballafaqohen me veprën e tyre. Si autorët që i mohojnë, ashtu edhe kriminelët nuk duan të japin llogari për krimet do të mbanin të njejtin qëndrim edhe në të ardhmen, nëse do të krijoheshin rrethana të tilla që do të mundësonin përsëritjen e krimit. Me një fjalë, marrja e përgjegjësisë dhe kërkimfalja për atë që ndodhi ka rëndësi praktike dhe e përcakton të ardhmen, sepse doktrina gjenocidale bie. Një poet serb ka thënë në vargje se Serbia bën gjithçka të keqe dhe çuditet në fund që mbetet e vetmuar. Këto gjëra janë artikuluar shumë kohë më parë, mirëpo s‘e kanë humbur aktualitetin, sepse Serbia ende vepron në të njejtën mënyrë, bën gjithçka që nuk do të duhej të bënte dhe pret më të mirën. Serbia kështu tregon se nuk është në gjendje vetë të përballet me trashëgimin e saj, edhepse ajo ka modele që do të mund t‘i ndiqte.
Shembulli i Gjermanisë tregon se distancimi nga krimi është i mundshëm. Arsim Bajrami vë në dukje se tri veprimet e rëndësishme Gjermaninë e çuan drejt katharsisit shpirtëror. Veprimi i parë është Procesi i Nyrnbergut (Nürnberg), ku dënuan krerët më të lartë politikë e shtetërorë, bashkëpunëtorët më të ngushtë të Adolf Hitlerit( Adolph Hitler) dhe eprorët e lartë ushtarakë që e implementuan politikën e racizmit. Veprimi i dytë ka të bëjë me një vendim të Qeverisë dhe Parlamentit gjerman për kompenzimin e të gjitha dëmeve të luftës dhe viktimave të Holokaustit. Te viktimat përfshiheshin edhe pjesëtarët e familjeve që ranë në katamatet dhe kampet e Aushvicit (Auschwitz) ku u vranë miliona njerëz, kryesisht hebrenj. Veprimi i tretë që ndërmori Gjermania ishte kërkimfalja. „S‘ka dyshim se shembulli gjerman është unikat dhe një model për të gjitha shtetet e përfshira në gjenocid për të pastruar ndërgjegjen, për të larguar njolllën e gjenocidit të kryer dhe për të mundësuar e përgjithshëm të shtetit. Ky shembull fatkeqësisht ka mbetur i vetmuar dhe ai nuk është marrë nga Serbia, tani kohëve të fundit edhe nga Rusia“ (fq.495).
Serbia jo vetëm që nuk e do këtë ballfaqim kritik me të kaluarën e saj, por ajo bën diçka që nuk do të duhej ta bënte në asnjë mënyrë: ajo po përpiqet ta mohojë gjenocidin në Kosovë. „Ky shtet, pra, Serbia aktualisht vazhdon me një retorikë të njejtë antishqiptare dhe jo vetëm nuk pranon aktet aktet gjenocidale në Kosovë, por me një propagandë të njejtë të fundviteve 90 vazhdon të indoktrinojë popullin serb me politikën antishqiptare dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve.“ (fq. 495).
Gazeta amerikane „The Washington Post“ pati shkruar se Masakra e Reçakut qe kryer me urdhër të drejtpërdrejtë nga Beogradi. Nikolla Shainoviqi, njeriu më i besuar e Sllobodan Millosheviqit, përmes Sreten Llukoviqit (Sreten Luković) bëri gjithçka që mundi për ta paraqitur rastin e Reçakut si një një betejë mes policisë serbe dhe UÇK-së. Mirëpo, ambasadori amerikan Uilljam Vokër (William Walker), që ishte në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, nuk ra në këtë kurth. Kosova si viktimë e gjenocidit në përgjithësi ka heshtur, nuk e ka dëshmuar në masën e duhur krimin. Nevena Tromp thotë se „Kosova nuk ka bërë asgjë kundrejt gënjeshtrave të Serbisë“. Tromp mendon se Masakra e Reçakut ka rëndësi të madhe për arsye se aty për herë të parë shkoi Misioni Verifikues i OSBE-së. Pas qindra masakrave të ngjashme anë e mbanë Kosovës Millosheviqit iu tha se „të kemi thënë se nuk ka më krime“ dhe se tani është koha për një marrëveshje të madhe ndërkombëtare. Disa javë më vonë filloi në Francë Konferenca e Rambujesë (Rambouilles).
Pas vendosjes së NATO-së dhe UNMIK-ut në Kosovë, Serbia ka bërë gjithçka që ta mohojë gjenocidin në Kosovë. Madje edhe vetë Zoran Gjingjiqi (Zoran Djindjić) si kryeministër i Serbisë pati deklaruar se krimet duhet të hetohen, por assesi të bëhen materie e diskutimit publik. Publiku nuk duhet ta marrë vesh se Serbia është një vend ku ka shumë varë masive. Ai kishte frikë se Serbia do të anatemohej dhe askush më nuk do të donte të vinte aty për investime. Nenad Çanaku (Nenad Čanak) kishte një pikëpamje tjetër për këtë çështje. Çanaku e dinte se e fsheta shtetërore e varreve masive në rradhë të parë, në perspektivë, e dëmtonte Serbinë. Ai thotë se „unë po flas për njohuritë e mia për varrezat masive shqiptare, sado jopopullore që kjo mund të jetë, unë besoj thellësisht se ne kemi nevojë për një katarsis (spastrim të brendshëm) për të cilin ne do ta shikojmë veten në pasqyrë, ta shikojmë errësirën e të kaluarës sonë dhe të nisemi në një shteg të ri.“ (fq. 506). Autori i librit ka bindjen se krimi i madh i gjenocidit duhet të ndriçohet deri në fund. „Loja që bëhet me të pagjeturit, tregon se shteti serb, jo vetëm që e mohon gjenocidin, por heziton t‘i kryejë obligimet që ka, para të drejtës ndërkombëtare humanitare për të zbuluar të pagjeturit si një çështje elementare e drejtësisë tradicionele.“ (fq.507).
Në kapitullin e tetë flitet për relativizimin e gjenocidit, një formë kjo më lehtë e mohimit të krimeve ka dy anë: aspektin juridik dhe atë politik. Në aspektin juridik tentohet që krimi serb të relativizohet me krimet shqiptare, kurse me aspektin politik synohet të harrojet ajo që ka ndodhur për hir të pajtimit të popujve të armiqësuar. Arsim Bajrami shkruan se „[ë]shtë e papranueshme që në emër të një pajtimi ndëretnik, shqiptarët të harrojnë të kaluarën e tyre gjenocidale[…]. Çfarëdo ndërtimi i së ardhmes apo i pajtimit ndëretnik duhet të bëhet mbi bazën e së vërtetës, mbi bazën e pranimit të fajësisë, kërkimfaljes, të pranimit të faktit që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.“ ( fq. 519). Çështja ndoshta nuk do të meritonte vëmendjen e autorit, por fakti që „[k]jo tendencë, e cila kërkon që populli i Kosovës ta braktis kujtesën historike për krimet gjenocidale serbe në Kosovë, është shumë e përhapur në qarqet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.“ (fq.519).
Arsim Bajrami këtë kapitull e mbyll me këtë periudhë: „Por, asesi nuk do ta harrojmë gjenocidin serb dhe krimet në Kosovë, sepse asnjëherë, e ardhmja nuk do të mund të ndërtohet duke mohuar të vërtetën e luftës në Kosovë dhe duke harruar se, lindja e këtij shteti ka ardhur si rezultat i sakrificës kombëtare dhe luftës së popullit të Kosovës për liri, nën udhëheqjen e UÇK-së.“ (fq. 520).
Në kapitullin e nëntë autori flet për themelimin e Gjykatës Speciale, të cilën e sheh si një përpjekje konkrete për relativizimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Njohësit e të Drejtës Penale ndërkombëtare në përgjithësi nuk janë shumë të bindur për domosdonë e kësaj gjykate. Rudina Jasini nga Universiteti i Oksfordit (Oxford) i shpalos arsyet që çuan në themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por në njëfarë mënyre është skeptike për domosdonë e saj, sepse akuzat e Dik Martit ( Dick Marty) s‘u vërtetuan.
Në kapitulin e dhjetë dhe të fundit trajtohet padia e Kosovës për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Autori është i bindur se në rastin e Kosovës, nga pikëvështrimi juridik, bëhet fjalë për një gjenocid, por në klimën e tanishme ndërkombëtare është jashtëzakonisht e vështirë të fitohet një proces gjyqësor ndërkombëtar kundër Serbisë.
III.
Libri-studim “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë“ nuk është një libër propagandistik.
Arsim Bajrami në këtë libër na sjellë pafundësisht fakte konkrete juridike që e dokumentojnë gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ky libër nuk e pengon pajtimin me serbët, por atij i jep një dimension etik, ndaj dhe duhet t‘i ofrohet edhe publikut serb. Në Serbi ende nuk njihet sa duhet gjenocidi i saj në Kosovë.