AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Arsim Bajrami/
Abstrakt/
Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i implementuar gjatë vitit 1998/1999 në aspektin penal juridik ka qenë një ndërmarrje kriminale e organizuar nga shteti serb. Vetë etimologjia e krimeve të gjenocidit paraqet një krim që synon zhdukjen e pjesshme apo të tërësishme të një grupi etnik në baza etnike, racore, fetare apo motive të tjera. Në këtë kontekst, shihet se krimet e gjenocidit mund t’i kryejë vetëm shteti sipas një plani gjenocidial. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka qenë i planifikuar me shekuj, i organizuar dhe i implementuar me një vullnet dhe plan të shtetit serb në vitin 1998-1999, kur u manifestuan të gjitha format e krimit të gjenocidit.
Duke qenë një ndërmarrje kriminale e shtetit serb, gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka pasur për qëllim spastrimin etnik të Kosovës me deportimin e më shumë se një milion shqiptarëve, vrasje dhe masakra barbare, me vrasjen e më shumë se trembëdhjetë mijë qytetarëve të Kosovës, djegiet dhe shkatërrimet e pronave private dhe pasurisë së shqiptarëve. Po ashtu, ky gjenocid synonte shkatërrimin e identitetit, kulturës, sistemit të arsimit, dhe krijimi i situatës së varfërisë, ndjenjës së skllavërisë, humbjes së identitetit, e deri te shkatërrimi i institucioneve që do të udhëhiqnin dhe organizonin popullin shqiptar të Kosovës.Synimet e gjenocidit serb, në fakt ishin pushtimi i plotë i territorit të Kosovës, serbizimi i saj dhe shkatërrimi i substancës etnike, kombëtare dhe biologjike të shqiptarëve.
Në kuptimin e Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit janë përcaktuar pesë kritere të trajtimit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit si gjenocid. Këto kritere janë të standardizuara, pothuajse në të gjitha aktet relevante, filluar nga Statuti i Romës, Konventat Europiane, e deri te legjislacioni penal i shteteve, ku praktikisht kodifikohen kriteret për trajtimin e një krimi si një krim gjenocidial.
Janë pesë kritere të cilat përbëjnë figurën e veprës penale të gjenocidit dhe me këtë rast ne po i përsërisim ato:a)Vrasja e anëtarëve të grupit; b)Shkaktimi i dëmtimeve serioze fizike dhe psikike (mentale të anëtarëve të grupit);c) Imponimi i kushteve të jetesës, të planifikuara për shkatërrimin fizik total apo të pjesshëm të grupit; d) Imponimi i masave me qëllim të pengimit të repredukimit të thjeshtë brenda grupit; e) Transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga një grup në grupin tjetër.
Këto pesë kritere, të përkufizimit penal juridik të krimit të gjenocidit, në luftën e Kosovës janë të plotësuara të gjitha dhe atë në mënyrë komulative. Në aspektin juridik ka prova të plota, me të cilat konfirmohet, argumentohet dhe vërtetohet se të pesë kriteret e përcaktuara sipas Konventës së OKB-së, janë konsumuar në krimet gjenocidiale të Serbisë në Kosovë. Ky studim synon të argumentojë secilin nga këto kritere, me fakte, me prova relevante juridike dhe konfirmon plotësimin e të gjitha kushteve të kësaj Konvente, në luftën e fundit në Kosovë. Në të vërtetë, brutaliteti i gjenocidit serb në Kosovë, i parë më herët edhe në luftën e Bosnjës, ka ndikuar që bashkësia ndërkombëtare të bëjë një ndërhyrjen preventive me fushatën e bombardimeve ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë me qëllim që të mos lejojë dëmet e pariparueshme të një gjenocidi klasik që Serbia e ushtronte në Kosovē. Ekzistencën e gjenocidit në Kosovë e konfirmon konsensusi ndërkombëtar i demokracive perëndimore, që të fillojë ndërhyrja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj Serbisë dhe ish-Jugosllavisë për të parandaluar pasojat e krimeve të gjenocidit serb. Falë këtij intervenimi dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Serbia nuk arriti të përfundojë planin shtetëror gjenocidial dhe pranoi kapitullimin në Marrëveshjen e Kumanovës, me ç’rast u mundësua çlirimi i Kosovës, administrimi ndërkombëtar i saj në periudhën kalimtare dhe së fundi edhe pavarësia e Kosovës.
Fjalët çelës: Serbia, Kosova, gjenocidi, krimet, etnike, Tribunali Ndërkombëtar.
Konteksti i politikës gjenocidale në Kosovë
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore ishte një ngjarje që i dha fund luftës në nivel ndërkombëtar, mirëpo nuk i zgjidhi konfliktet në territoret ballkanike që datonin nga kohërat e mëhershme. Shqiptarët në ish-Federatën e Jugosllavisë kërkonin t’i gëzonin të drejtat e tyre që ua kishin mohuar gjatë gjithë kohës së okupimit.
Pikënisja e fazave në piramidën e gjenocidit që u ndoqën kundër shqiptarëve në ish-Federatën Jugosllave janë politika pushtuese, asimiluese, segreguese, diskriminuese, persekutuese, deportuese, përgatitja për terror, shfarosja, klasifikimi stigmatizues, dehumanizmi dhe mohimi gjenocidal, të cilat janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. Politika e qeverisë federative jugosllave ishte politikë antishqiptare dhe shkaktoi pezëm e pakënaqësi të mëdha në mesin e shqiptarëve. Shpërthimi i pakënaqësive të akumuluara kundrejt qeverisë jugosllave ishte shprehur përmes demonstratave dhe protestave në periudha të ndryshme kohore, por më të njohurat janë gjithëpërfshirja masive e popullatës në demonstratat e vitit 1968, 1981,1989 dhe në vazhdimësi.
Në periudhën kur në Evropë ishin bërë përpjekjet për ta rrëzuar sistemin komunist, në Kosovë shqiptarët bënin përpjekje për ta përmirësuar dhe avancuar statusin e vet. Në mënyrë paqësore, më 11 mars të vitit 1981 studentët kërkonin përmirësimin e kushteve të jetesës dhe trajtim të barabartë me nacionalitetet e tjera në Federatë. Përgjigjja nga forcat e ushtrisë jugosllave/serbe kundër këtyre kërkesave të studentëve ishte brutale. Vrasjet dhe burgosjet masive kundër shqiptarëve edhe më tej e thelluan dhe e zgjeruan tensionimin e raporteve midis qeveritarëve dhe shtetasve të etnisë shqiptare. Demonstratat masovike të shqiptarëve ishin të njëpasnjëshme gjatë dy muajve, mars-prill të vitit 1981, por, megjithatë, populli i Kosovës nuk arriti t’i plotësonte kërkesat e veta kombëtare.
Masat e dhunshme që u përdorën ndaj demonstruesve në pranverën e vitit 1981 nga urdhrat e Qeverisë së ish-Federatës Jugosllave paraqitën një eskalim të përdorimit të dhunës në mënyrë të hapur. Përndjekjet dhe vrasjet kryheshin me synim të realizimit të politikës gjenocidale serbe kundër shqiptarëve, politikë e cila, në atë periudhë kohore mori formën e ushtrimit të gjenocidit transparent. Me këtë politikë gjenocidale që u ndoq nga regjimi i atëhershëm serb/jugosllav u kryen veprime gjenocidale kundër shqiptarëve deri në fund të vitit 1999. Kjo periudhë kohore, që nga viti 1981 e deri te viti 1999 dëshmon se, gjenocidi serb ishte një gjenocid transparent dhe ushtrohej kundër kërkesave të shqiptarëve për të drejta elementare, kombëtare, të cilat, ishin të garantuara me ligje e me konventa ndërkombëtare.
Gjenocidi i Serbisë në Kosovë, ndërmarrje e përbashkët kriminale (NPK) dhe gjenocidale e shtetit serb
Në jurisprudencën penale ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale (NPK) është tipike për krimet në përmasa të gjenocidit. Gjenocidi asnjëherë nuk është një krim i thjeshtë apo një vrasje, të cilën mund ta kryejë një individ. Ndërmarrja e përbashkët kriminale e cila, kryen gjenocid, si rregull përfshin anëtarë të një projekti gjenocidal, një numër të madh personash, e në veçanti, udhëheqës politikë e ushtarakë, të cilët nuk kryen drejtpërdrejt krime gjenocidale. Ish-presidenti i TPN-së për ish-Jugosllavi, Antonio Cassese, thekson: “me rastin e deportimit të civilëve ose të të burgosurve të luftës në një kamp përqendrimi, një komandant mund të nxjerrë urdhrin, disa oficerë mund ta organizojnë transportin, të tjerët mund të kujdesen për ushqim dhe ujë të pijshëm, të tjerët mund të kryejnë mbikëqyrjen e të burgosurve për ta parandaluar ikjen e tyre, të tjerët mund t’i kontrollojnë të burgosurit për gjërat e vlefshme ose sende të tjera para deportimit etj. Të gjithë pjesëmarrësit në një veprim të këtillë të përbashkët janë po aq përgjegjës nëse ata: 1. Marrin pjesë në aksion pa marrë parasysh pozitën ose kontributin e tyre dhe përveç kësaj 2. synojnë dhe angazhohen në projektin e përbashkët kriminal”. Prandaj, të gjithë ata duhet të trajtohen si përgjegjës, edhe pse në shkallë të ndryshme të fajësisë mund të merren parasysh në fazën e dënimit. Arsyetimi para këtij parimi ligjor është i qartë: a). secili prej tyre është i domosdoshëm për arritjen e rezultatit përfundimtar dhe në anën tjetër b). do të ishte vështirë të bëhet dallimi brenda shkallës së përgjegjësisë penale, përveç për qëllime dënimi.
Në jurisprudencën penale ndërkombëtare njihen disa lloje të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, por NPK-ja që ka kryer gjenocidin në Kosovë, paraqet një model të një grupi kriminal, të përbërë nga zyrtarët kryesorë shtetërorë dhe ushtarakë të Serbisë, të cilët gjatë viteve 1998-1999 u bashkuan në grupin e përbashkët kriminal dhe kryen gjenocid në Kosovë.
Siç u tha edhe në shqyrtimet paraprake, gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka qenë një plan i orkestruar dhe i dizajnuar nga zyrtarët më të lartë në institucionet shtetërore, kulturore, edukative dhe fetare të shtetit serb me qëllim të shfarosjes së shqiptarëve dhe spastrimit etnik të territorit të Kosovës, dhe kjo, në të tri format shtetërore të organizimit politik të ish-Jugosllavisë, duke filluar nga mbretëria e Karagjorgjëve (mbretëria serbo-kroate-sllovene), pastaj Jugosllavia e Titos apo Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë e deri te Serbia pas viteve nëntëdhjetë, në vazhdimësi, pra, gjenocidi ka qenë një projekt shtetëror i Serbisë.
Pra, ka ekzistuar një politikë e dizajnuar, e orkestruar dhe e implementuar e shtetit serb me qëllim të shfarosjes së shqiptarëve, në mënyrë që të kryhet spastrimi etnik, të ndërrohet harta demografike e Kosovës dhe të mundësohet kolonizimi, me qëllim të popullimit të Kosovës me popullsi sllave. Projekti i gjenocidit të Serbisë, si politikë zyrtare e shtetit serb ka paraqitur një ndërmarrje kriminale të shtetit serb që është implementuar nga të gjitha strukturat shtetërore, politike dhe struktura të tjera të shoqërisë serbe. Pra, ka ekzistuar një vullnet i plotë që në vazhdimësi ndaj shqiptarëve të Kosovës të udhëhiqet një politikë shfarosëse dhe ndaj tyre të ushtrohet një terror dhe dhunë sistematike, përfshirë këtu: vrasje masive, burgosje, tortura, maltretime, dhunime seksuale, djegien e shtëpive, largimin nga puna, plaçkitjen e pronës, shkatërrimin e institucioneve kulturore, edukative, shkatërrimin e objekteve të trashëgimisë fetare dhe ndërmarrjen e një varg masash të tjera në mënyrë që të shkatërrohet substanca biologjike e popullit shqiptar dhe të fshihet çdo gjurmë e autoktonisë së tyre në trojet etnike. Tani, njëzet e dy vjet pasi forcat ushtarake të NATO-s, të komanduara nga gjenerali Vesli Klark, në mbështetje të luftës së UÇK-së, e shpëtuan Kosovën nga gjenocidi serb, “qartë shihet se përveç hakmarrjes për qëndresën e shqiptarëve në dekada, serbët tentuan të realizonin objektivin e tyre më madhor politik: shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët dhe serbizimin e fizionomisë së saj demografike”.
Siç u cek edhe në shqyrtimet historike, kjo politikë ka pasur tri faza të implementimit faktik:
Faza e parë ka qenë dizajnimi apo konceptimi ideor i gjenocidit i cili fillon nga Ilija Garashanini e tutje, kur janë hartuar me dhjetëra projekte serbe për kryerjen e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Periudha e dytë fillon kryesisht nga vitet 90, aty ku fillon të finalizohet dhe të përgatitet implementimi faktik i gjenocidit klasik dhe të paparë, fazë që fillon me ardhjen e Slobodan Milosheviçit në pushtet dhe me instalimin e politikës së nacionalizmit serbomadh që në epiqendër kishte shqiptarofobinë apo projektin e shkatërrimit të shqiptarëve.
Faza e tretë, është periudha e vitit 1998-1999, kur kemi edhe zbatimin konkret të gjenocidit në luftën e fundit, në të cilën Serbia me mekanizmin dhe aparatin e saj represiv, ushtroi de fakto të gjitha veprimet e gjenocidit, veprime këto të përcaktuara nga Konventa e OKB-së e vitit 1948 si krime gjenocidale. Pra, në fakt, gjenocidi i Serbisë në Kosovë si ndërmarrje kriminale i shtetit serb ka qenë një strategji e sofistikuar, e përgatitur me vite që kulmoi në vitet 1998-1999. Me tepër se 2/3 e popullit shqiptar të Kosovës iu nënshtruan këtij gjenocidi klasik, i cili tentonte ta zhbënte Kosovën, ta shkatërronte substancën etnike dhe biologjike të shqiptarëve dhe ta popullonte atë me kolonë serbë të ardhur nga luftërat e ish-Jugosllavisë si nga: Kroacia, Bosnja, në mënyrë që të ndërrohet esencialisht përbërja demografike e Kosovës.
Ne aspektin penalo-juridik, organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës përcakton se:
1. “Kushdo që organizon një grup me qëllim të kryerjes së ndonjë prej veprave penale nga nenet 148-156 të këtij Kodi, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.
2. Kushdo që bëhet anëtar i grupit nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
3. Anëtari i grupit nga paragrafi 1. i këtij neni që e paraqet grupin para se të ketë kryer vepër penale, dënohet me burgim deri në tri (3) vjet ose mund të lirohet nga dënimi.
Nëse grupi është organizuar, për të kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, për shkak të rrezikshmërisë shumë të madhe të këtyre veprave penale dhe për shkaqe kriminale e politike, në këso raste, Kodi Penal i Kosovës veprën e tillë e parasheh si vepër penale të posaçme. Zgjidhja e këtillë e Kodit Penal është e bazuar në dispozitat e Statutit të Gjykatës Ushtarake të Nurembergut për gjykimin e kryesve të krimeve në Luftën e Dytë Botërore. Gjithashtu ky inkriminim është paraparë edhe në Statutin e Tribunalit të Hagës dhe në Statutin e Romës të vitit 1998. Në dispozitat e këtyre statuteve janë të parapara krime dhe shtytja, organizimi, marrëveshja dhe planifikimi i kryerjes së krimeve dhe gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Në nenin 160, Kodi Penal i parasheh dy forma të kryerjes së kësaj vepre penale: 1) organizimin e grupit për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës dhe 2) anëtarësimi në grupin e tillë. Organizimi i grupit i paraparë në këtë paragraf, në fakt, është një lloj veprimi përgatitor për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Organizimi i grupit mund të shprehet me aktivitete të ndryshme të cilat ndërmerren me qëllim të krijimit të grupit dhe të kushteve për veprimtarinë e tij. Në sensin e këtij inkriminimi, organizimi i grupit për kryerjen e veprave penale të cekura në këtë nen, për shembull, mund të konsiderohen rekrutimi i anëtarëve të grupit, furnizimi me armë apo mjete për kryerjen e këtyre krimeve dhe mjeteve të tjera të domosdoshme për punën e grupit, përgatitja e planit për veprimtarinë e grupit, tubimin e anëtarëve të grupit në hapësirën e caktuar etj. Siç cekëm më sipër, kjo formë e veprës penale është e karakterit të veprimeve përgatitore dhe si e tillë është e ndeshkueshme.
Vepra konsiderohet se është kryer me faktin e krijimit të grupit. Nocioni i grupit duhet nënkuptuar në kuptimin e gjerë, me të cilin nënkuptohen organizatat kriminale, bandat apo ndonjë formë tjetër e bashkimit kriminal.
Anëtarësimi në grupin për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, është formë e dytë e kësaj vepre penale. Kjo formë e veprës penale konsiderohet se është kryer në rastet kur, ndonjë person në mënyra të ndryshme e manifeston vullnetin e vet që të bëhet anëtar i grupit të këtillë kriminal dhe anëtarësohet në të. Kjo mund të bëhet me deklaratën e tij eksplicite apo në mënyrë faktike, përkatësisht me sjellje të caktuara nga të cilat pa mëdyshje mund të konkludohet se kryesi me vetëdije dhe me vullnetin e tij i takon grupit të këtillë. Kryesi i këtyre dy formave të veprave penale mund të jetë çdo person. Vepra mund të kryhet vetëm me dashje. Përmbajtja e dashjes dallon varësisht prej formës së veprës penale. Në këtë paragraf është paraparë nëse anëtari i grupit e zbulon grupin para se të ketë kryer vepër penale në llogari të grupit ose e ka ndihmuar grupin për kryerjen e veprës penale, dënohet me burgim deri në tre vjet, por gjykata edhe mund ta lirojë nga dënimi. Mundësia e dënimit më të butë apo e lirimit nga dënimi i paraparë në këtë paragraf është fakultativ dhe është paraparë për shkaqe kriminale-politike me qëllim që t’i stimulojë personat t’i zbulojnë këto organizata kriminale.
Duke qenë një projekt kriminal shtetëror, gjenocidi i shtetit serb në Kosovë alarmoi komunitetin ndërkombëtar dhe botën demokratike e cila, duke parë veprimet gjenocidale të pushtetit serb në Kosovë, bëri intervenimin më të madh ushtarak pas Luftës së Dytë Botërore, duke aktivizuar bombardimet e NATO-s mbi territorin e ish-Jugosllavisë, përfshirë territorin e Kosovës dhe të Serbisë. Ky bombardim synonte ta ndalojë makinerinë vrastare serbe, e cila po ushtronte gjenocid dhe po terrorizonte në mënyrë barbare popullsinë civile shqiptare në luftën e armatosur të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ky intervenim nuk do të ishte i mundur sikur të mos ishte prezent manifestimi i metodave më barbare gjenocidale të Serbisë në Kosovë. Lejimi i një gjenocidi të tillë pas Luftës së Bosnjës do të mundësonte një holokaust të dytë të përmasave të Luftës së Dytë Botërore dhe do të shkaktonte probleme serioze në bashkësinë ndërkombëtare.
Fazat e kryerjes së gjenocidit në Kosovë
Gjenocidi është krim që kryhet në disa faza. Krimet gjenocidale përgatiten dhe planifikohen një kohë të gjatë. Ato nuk janë krime ad hoc, të cilat kryhen gjatë një operacioni luftarak, apo luftë ndëretnike. Në raste të këtilla kemi të bëjmë me krime të zakonshme lufte, perkatësisht krime kundër njerëzimit. Gjenocidi, si rregull, planifikohet për një kohë të gjatë, organizohet dhe kryhet sipas një plani shtetëror sistematik dhe përfshin një proces të gjatë të diskriminimit, trajtimit barbar, qoftë në aspektin juridik apo atë politik. Krimet gjenocidale përfshijnë një proces të gjatë të planifikimit shtetëror deri tek ekzekutimi faktik dhe klasik i gjenocidit. Krimet gjenocidale nuk mund t’i kryejë një individ apo grup kriminal, por vetëm shteti me aparatin e tij represiv.
Krimet dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë kanë kaluar në disa faza, siç janë:
- Konceptimi ideor i politikës gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës;
- Okupimi i Kosovës dhe pushtimi i saj nga tri regjimet politike jugosllave;
- Trajtimi diskriminues i shqiptarëve, vrasjet, deportimet, shpërnguljet e dhunshme, shkelja masive e të drejtave kombëtare;
- Rianeksimi kushtetues i Kosovës pas Konferencës së Bujanit;
- Reforma agrare dhe politikat e kolonizimit të Kosovës si parapërgatitje për gjenocid;
- Diskriminimi kushtetues i shqiptarëve në funksion të përgatitjes së gjenocidit;
- Rrënimi i rendit kushtetues, riokupimi dhe shkatërrimi institucional i Kosovës pas 23 marsit 1989;
- Vendosja e Kosovës në gjendje të jashtëzakonshme dhe fillim i akteve të para gjenocidale në periudhën 1990-1997;
- Implementimi faktik i gjenocidit gjatë luftës së vitit 1998-1999 dhe
- Mohimi aktual, në vazhdimësi, i krimeve dhe gjenocidit nga Serbia.
Të gjitha këto faza të gjenocidit serb në Kosovë, do të trajtohen në këtë studim. Me këtë rast do të analizojmë fazat e gjenocidit sipas dr. Gregory Stanton, duke i ndërlidhur ato me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Gjenocidi është krim që kryhet në disa faza. Shkencëtarët thonë që ka dhjetë faza të gjenocidit. Faza e parë, është ndarja e shoqërisë në “ne” dhe “ata”, faza e dytë, është simbolizmi i “atyre”, faza e tretë, është diskriminimi i vazhdueshëm i “atyre”, faza e katërt, është dehumanizimi i “atyre”, personifikimi me kafshë, insekte, sëmundje, faza e pestë, është organizimi i procesit gjenocidal, faza e gjashtë, është polarizimi i popullatës përmes propagandës dhe gjuhës së urrejtjes, faza e shtatë, është përgatitja e procesit të shfarosjes, faza e tetë, është persekutimi i viktimave dhe grumbullimi në vendet e shfarosjes, faza e nëntë, është vetë procesi i shfarosjes dhe faza e dhjetë, është mohimi i gjenocidit. Të gjitha këto faza janë të dukshme dhe të identifikueshme në krimet që ndodhën në Kosovë e të cilat përkujtohen çdo 15 Janar, në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut, në ditën kombëtare të përkujtimit të gjenocidit shtetëror serb, në Kosovë. Mohimi dhe mospranimi i këtij krimi nga shteti serb, së bashku me mospranimin dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera e vulosin fazën përfundimtare të krimeve që kanë ndodhur. Gjenocidi mund të quhet me emër tjetër, mund të injorohet, mund të mohohet, por nuk mund të zhduket nga memorja kolektive e një populli.
Fazat e gjenocidit sipas Genocide Watch –
konteksti i Kosovës
Sipas Presidentit të “Genocide Watch”, Stanton, gjenocidi zhvillohet në tetë faza. Le t’i analizojmë këto tetë faza në kontekstin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
1. Klasifikimi: njerëzit ndahen në “ne dhe ata”. Ky proces në rastin e Kosovës ishte kontinuel në ish-Jugosllavi. Shqiptarët ishin të klasifikuar si pakicë kombëtare me etiketime fyese dhe shoviniste si popull i paemancipuar, i paformuar politikisht dhe i rrezikshëm për shtetin. Edhe pse kombi i tretë për nga madhësia pas serbëve dhe kroatëve, shqiptarët, trajtoheshin si pakicë kombëtare dhe i nënshtroheshin diskriminimit nacional dhe terrorit shtetëror. Në të vërtetë, klasifikimi në “ne dhe ata” që përdor dr. Gregory Stanton, në Kosovë stigmatizonte shqiptarët si popull i nivelit të ulët, duke kontestuar dhe mohuar identitetin e tyre kombëtar dhe duke zbatuar politikën nënshtruese dhe diskriminuese ndaj tyre për shkak të përkatësisë etnike. Madje ky stigmatizim, nganjëherë merr edhe karakter etnocidal dhe psikologjik, duke i trajtuar “shqiptarët primitivë dhe të prapambetur’ si produkt i mjedisit gjeografik që i bëri të paaftë për jetë shtetërore të pavarur. Për më tepër, një tjetër ultranacionalist serb thekson se “shqiptarët kanë disa veçori psikike, të cilat i bëjnë njerëz të paqytetëruar, anarkist, plaçkitës, të vrazhdë, të gjerë dhe pa vetëdije kombëtare. Ndër ta mbretëron hakmarrja dhe vëllavrasja”. Ky demonizim i shqiptarëve në historiografinë serbe “me dimensione psikologjike” ka përfunduar shpesh me akte të gjenocidit. Me këtë sindrom janë ngritur determinantet e gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve.
2. Simbolizmi: “Kur të kombinohen me urrejtje, simbolet mund të asociohen mbi anëtarët keqdashës të grupeve viktima…Për të luftuar simbolizmin, simbolet e urrejtjes mund të ndalohen me ligj, si dhe gjuha e urrejtjes.” Kjo fazë e përgatitjes së gjenocitit ndaj shqiptarëve ishte konsistente në ish-Jugosllavi, e cila ndalonte simbolet identitare të shqiptarëve, ata i identifikonte me simbole dhe shprehje denigruese dhe fyese si “terroristë”, “irredentistë”, “separatistë”, “shqiptaromëdhenj”, “kanibalistë” dhe shprehje të tjera fyese dhe denigruese.
3. Dehumanizimi: “Dehumanizimi mundëson tejkalimin e neverisë normale njerëzore.” Gjenocidi i Serbisë në Kosovë, krahas brutalitetit dhe terrorit shtetëror synonte skllavërimin e shqiptarëve dhe trajtimin e tyre dehumanizues dhe mohues. Trajtimi dehumanizues si fazë e trajtimit gjenocidal synon rrezikimin e ekzistencës biologjike, vënien në pozitë varfëruese, mungesën e ushqimeve, kushteve jetësore të banimit dhe trajtimit tjetër johuman. Një qasje e tillë ndaj shqiptarëve ka qenë tipike me shekuj për shqiptarët e Kosovës, të cilët janë ballafaquar me trajtim skllavërues, poshtërim dhe luftë për mbijetesë fizike.
4. Organizimi: “Gjenocidi është gjithmonë i organizuar. Forca të veçanta ushtarake apo paramilitare shpesh armatosen dhe trajnohen. Për të kaluar këtë fazë, anëtarësimi në këto grupe duhet të ndalohet me ligj.” Ky tipar i veprimit gjenocidal në rastin e Kosovës është shumë transparent dhe botërisht i ditur, sepse shteti serb ka qenë ideator, organizator dhe implementues i politikave gjenocidale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjenocidi serb në Kosovë ka qenë ndërmarrje shtetërore dhe krim i organizuar gjenocidal, për zbatimin e të cilit kanë qenë të mobilizuar të gjitha resurset shtetërore dhe ushtarake, përfshirë këtu, edhe mobilizimin dhe armatosjen selektive të popullsisë civile me qëllim të zbatimit të projektit gjenocidal. Për më shumë, forcat e rregullta ushtarake, formacionet joformale kriminale, qytetarë serbë të mobilizuar dhe të armatosur kanë qenë të trajnuar në mënyrë të veçantë se si duhet kryer krime gjenocidale ndaj shqiptarëve.
5. Polarizimi: “Grupet urryese shpërndajnë propagandë polarizuese. Ndalimi i kësaj arrihet nëpërmjet mbrojtjes së udhëheqësve të moderuar ose ndihmesës së grupeve për të drejtat e njeriut.” Polarizimi si tipar i gjenocidit serb është krijuar nëpërmjet propagandës mediale të orkestruar nga shteti në funksion të stigmatizimit të shqiptarëve në baza etnike dhe krijimit të opinionit publik për arsyeshmërinë e trajtimit represiv kolektiv ndaj tyre. Në kuadrin e këtij trajtim gjenocidal, Serbia çdo herë ka qenë në kërkim të të ashtuquajturave “shqiptarë të ndershëm”, të cilët i kundërvihen kombit të vet dhe shërbejnë si marionetë lojale për të legjitimuar veprimet gjenocidale.
6. Identifikimi: “Viktimat identifikohen dhe ndahen në bazë të identitetit etnik apo religjioz… Në këtë fazë, një alarm i gjenocidit duhet të thirret…” Objekt i gjenocidit serb kanë qenë qytetarët e Kosovës të identifikuar si shqiptarë. Pra, jo bindjet politike, sociale e kulturore, por identifikimi i tyre si shqiptarë dhe kualifikimi i tyre gjenocidal si “racë e keqe”, e cila duhet zhdukur me të gjitha mjetet në dispozicion. Masakrat shekullore, vrasjet barbare e mizore, inkuizicioni morbid ndaj shqiptarëve e ka origjinën te identifikimi i tyre etnik si shqiptarë.
7. Asgjësimi: ndërmarrja gjenocidale serbe në Kosovë kishte për synim asgjësimi fizik kolektiv të shqiptarëve, shfarosjen e tyre dhe parandalimin e kthimit të tyre në trojet etnike, me qëllim që me kalimin e kohës të zhduket kujtesa për ekzistencën e tyre kolektive në Kosovë. Më vonë do të shihet se operacioni gjenocidal “Patkoi” kishte si synim kryesor asgjësimin dhe shfarosjen kolektive të shqiptarëve nga trojet etnike të tyre dhe popullzimin e Kosovës me serbë dhe popuj të tjerë joautoktonë.
8. Mohimi: “Autorët e krimit… mohojnë kryerjen e ndonjë krimi… Përgjigjja ndaj mohimit është dënimi nga një tribunal ndërkombëtar apo gjyq kombëtar.” Mohimi i krimeve dhe gjenocidit paraqet një formë të bashkëpjesëmarrjes në krim dhe gjenocid. Disa legjislacione penale e sanksionojnë mohimin e gjenocidit si krim kundër njerëzimit dhe parashikojnë dënime të larta për autorët e kësaj vepre penale.
Në rastin e Kosovës, mohimi i gjenocidit paraqet një politikë zyrtare të shtetit serb. Jo vetëm që nuk ka treguar asnjë reflektim për përgjegjësinë shtetërore për krimet dhe gjenocidin në Kosovë, por Serbia aktualisht mohon krimet e kryera dhe vazhdon me retorikën gjenocidale të viteve 90. Filluar nga Presidenti Vuçiç, e deri te zyrtarët e tjerë serbë në nivel të Serbisë, por edhe atyre në Kosovë vazhdojnë ta mohojnë gjenocidin e kryer dhe në kontinuitet nxisin urrejtje etnike ndaj shqiptarëve. Në anën tjetër, protagonistëve dhe autorëve të gjenocidit në Serbi u ndërtohen mite si heronj kombëtarë dhe emrat e tyre portretizohen dhe mitizohen në folklorin serb dhe ikonografinë fetare e forma të tjera. Nuk ka pasur raste të inkriminimit penal të personave që publikisht mohojnë apo i arsyetojnë krimet dhe gjenocidin. Një përjashtim të izoluar paraqet rasti i një ministri serb në qeverinë e Kosovës, i cili ishte shkarkuar për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut dhe deklaratave të tjera fyese ndaj shqiptarëve. Mohimi dhe mospranimi i këtij krimi nga shteti serb, së bashku me mospranimin dhe mohimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera e vulosin fazën përfundimtare të krimeve që kanë ndodhur.
Plani gjenocidal i Serbisë në Kosovë
Element thelbësor i gjenocidit është ekzistenca e planit gjenocidal. Konventa e Gjenocidit, krahas 5 kritereve konstitutive të figurës së veprës penale të gjenocidit, parasheh si element esencial ekzistimin e planit apo projektit gjenocidal. Edhe Rafael Lemkin, si dhe studiues të tjerë, të cilët janë marrë me studimin e aspekteve teorike të gjenocidit, e theksojnë si element konstitutiv dhe kryesor, për krimet dhe gjenocidin, ekzistimin e një plani gjenocidal, si një plan zyrtar dhe i orkestruar nga shteti.
Në miratimin e tij fillestar, si ligj ndërkombëtar, në Kongresin e Gjenevës, Rafael Lemkin, themelues i veprës penale të gjenocidit ka thënë: “gjenocid nuk do të thotë shkatërrim i menjëhershëm i një kombi përveç kur arrihet vrasja masive e të gjithë anëtarëve të një kombi. Përkundrazi, gjenocidi nënkupton një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme me qëllim të shkatërrimit të bazave thelbësore të jetesës së grupeve kombëtare me qëllim të shkatërrimit të vetë grupeve. Qëllimi i këtij plani është shpërbërja e institucioneve politike dhe sociale, kulturore, gjuhësore, ndjenjave kombëtare, religjionit dhe mbijetesës ekonomike të grupeve kombëtare dhe shkatërrimin e sigurisë personale, lirisë, shëndetësisë, dinjitetit e madje edhe jetët e individëve të cilët janë pjesë e grupeve të tilla”. Edhe sipas profesorëve eminentë shqiptarë të së drejtës penale, prof. Ismet Elezi dhe prof. Ismet Salihu, si kusht për ekzistimin e gjenocidit është “Zbatimi të një plani të paramenduar, që synon shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm të një grupi nacional, etnik, racor apo fetar, i drejtuar nga organet e një shteti”
Plani gjenocidal duhet të paraqesë një projekt zyrtar shtetëror, i cili përfshin një fushatë të orkestruar nga shteti, kundrejt një grupi, përkatësisht kombi me synim të shfarosjes së tij dhe dëmtimi esencial të substancës së tij biologjike.Serbia, para se të fillojë fazën e fundit të implementimit të gjenocidit, gjatë viteve 1998/1999 e kishte të operacionalizuar në detaje planin gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai plan, synonte spastrimin etnik dhe dhunën shtetëror me tipare të gjenocidit klasik. Ky nuk ishte një plan luftarak, për një fitore ushtarake ndaj UÇK-së që zhvillonte një luftë çlirimtare apo NATO-s që bombardonte caqet serbe, por një plan i sofistikuar për shfarosje masive të shqiptarëve. Nisur nga kjo, në frymën e Konventës së Gjenocidit, nuk është esenciale për krimet si gjenocid numri i të vrarëve, të masakruarve, të deportuarve dhunshëm, por fakti se ka ekzistuar apo jo një plan gjenocidal, i cili është vënë në aktivizim gjatë luftës apo konfliktit të armatosur. Së fundmi, siç kemi theksuar edhe më herët, gjenocidi mund të kryhet edhe në kohë paqe kur ndaj një grupi etnik apo kombi zbatohen politika gjenocidale.
Plani i Gjenocidit i Serbisë në Kosovë nuk paraqet një dokument të vetëm të kodifikuar. Duke qenë se ky studim, paraqet projektin e parë hulumtues në këtë temë, do të bëjmë përpjekje të zbërthejmë elementet e planit gjenocidal. Janë dhjetë elemente kryesore të këtij plani.
- Platforma politike e PGJ
- Plani operativ policor-ushtarak
- Konsensuesi shtetëror dhe ushtarak
- Bartësit e zbatimit të Planit Gjenocidal
- Metodologjia e Planit Gjenocidal
- Periudha kohore e zbatimit të Planit Gjenocidal
- Objektivat e Planit Gjenocidal
- Financimi i Planit Gjenocidal
- Zhdukja e gjurmëve të gjenocidit
- Mohimi i gjenocidit
1. Platforma politike e Planit Gjenocidal
Platforma politike për të kryer gjenocid është ndërtuar historikisht si pjesë e ideologjisë shoviniste dhe fashiste ndaj shqiptarëve.
Serbia përmes ideologjisë së klerofashizmit ortodoks serb i ka ideuar të gjitha projektet e qeverive serbe për të pushtuar, aneksuar, përmes gjenocidit, territoret shqiptare. Në thelb të asaj ideologjie serbomadhe, pra, me fokus të veçantë të shqiptarofobisë, ishte dhe fuqishëm vazhdon të jetë urrejtja ndaj shqiptarëve, si racë, si qenie njerëzore dhe, para së gjithash, si komb. Ka shënime se, së paku janë 24 plane e programe të hapura e të fshehta për zhdukjen e shqiptarëve, duke filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844); “Gorski vijenac” i P. P. Njegoshit (1846); “Srbi svi i svuda” i V. Karaxhiçit (1849), projektet e Jovan Cvejiçit (1912 e 1921), të përpunuara më vonë nga Vasa Çubriloviçi në elaboratin e tij: “Manjinski problemi u Jugoslaviji” (1937; 1944); “Elaborat o Albaniji” i Ivo Andriçit (1939); “Homogena Srbija” e Stevan Moleviçit (1941); Programi i çetnikëve të Drazha Mihajloviçit (1941); deri te Plani “Patkoi” (1999) për zhdukjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. Për konceptin për “Serbinë e Madhe” elita politike, intelektuale dhe kishtare kanë përgatitur platforma, plane e programe të shumta, të cilat në kohë të përshtatshme i ka zbatuar shteti, duke kryer krime makabre, në përmasa gjenocidi. Pjesë e kësaj ideologjie ishte edhe “Libri i Kaltër” dhe “Memorandumi i ASSHA”. Platforma e gjenocidit e ndërtuar në dy shekujt e fundit gjeti finalizimin e saj në fund të viteve 80, kur fillon shkatërrimi i Federatës Jugosllave dhe në skenë doli nacionalizmi serb në krye me Sllobodan Milosheviçin. Në esencën e platformës serbe për të kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës ishin dhe vazhdojnë të jenë, pretendimet territoriale për të okupuar territorin e saj dhe shkatërruar çdo aspiratë të shqiptarëve për liri, barazi dhe pavarësinë e Kosovës.
2. Plani operativ policor-ushtarak
Elementi i dytë i planit gjenocidal të Serbisë në Kosovë ishte plani operativ policor-ushtarak për zbatimin e platformës politike, serbe për fushatën e gjenocidit në Kosovë. Ky plan u përgatit në qarqet më të larta ushtarake dhe policore të RF të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ai përfshinte, një varg të operacioneve ushtarake dhe policore për të riokupuar Kosovën, duke filluar fushatën gjenocidale dhe realizimin e objektivave të tjera të planit gjenocidal. Plani ka filluar të implementohet më 5 korrik 1990. Tri ditë pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, me vendim të Kuvendit federativ dhe organeve të Serbisë në Kosovë u dërguan njësitë speciale të policisë. Fillimisht, Serbia okupoi të gjitha institucionet legjitime të Kosovës, duke i larguar dhunshëm me forca policore shqiptarët nga vendet e tyre të punës, për të vazhduar me instalimin e masave të dhunshme dhe kontroll policor të të gjitha institucioneve publike të Kosovës. Pas pastrimit etnik të institucioneve dhe okupimit të tyre, Serbia në funksion të përgatitjes së fushatës gjenocidale e vazhdoi politikën e represionit shtetëror, i cili u intensifikua sidomos pas përfundimit të agresionit të saj në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Humbja e tri luftërave agresive të Serbisë, bëri që ajo të koncentrojë më shumë se 100.000 trupa ushtarake dhe policore në Kosovë. Ato në emër të “gjoja luftës kundër UÇK-së” filluan fushatën e spastrimit etnik dhe veprimeve të tjera gjenocidale. Këtyre trupave iu bashkëngjitën edhe grupet kriminale (formacione paramilitare) të ardhura nga Kroacia dhe Bosnja, të cilat sipas një plani shtetëror, do të kryenin krimet më barbare në Kosovë kundër shqiptarëve. Dalja publike e UÇK-së, ishte një pretekst që Serbia të fillojë fazën e fundit të planit gjenocidal. Duhet të kujtojmë se vetëm brenda një dekade, që domethënë brenda viteve 1990-1999, Serbia ka dekretuar 4 projekte që kanë pasur si qëllim jo vetëm luftën propagandistike, përçarjen, survejimin, kriminalizimin por edhe gjenocidin e shpopullimin e shqiptarëve:
- Projekti “Gërshërët” i cili kishte objektiv infiltrimin dhe kontrollin e jetës dhe të skenës politike të Kosovës;
- Projekti “Kafshimi i miut” i cili kishte objektiv infiltrimin dhe shkatërrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
- Projekti “Patkoi” i cili kishte qëllim spastrimin definitiv etnik të Kosovës;
- Si dhe planin e njohur me emrin “Leopardi” përmes të cilit zbatohej një metodë e sinkronizuar nga ushtria, policia dhe militarët serbë: “frikëso dhe sulmo, fut nëpër bodrume njerëz të pambrojtur në fshat ose në një lagje të qytetit, në mënyrë që të lëvizë pastaj nga frika e tërë popullsia”.
3. Konsensusi shtetëror dhe ushtarak
Gjenocidi serb në Kosovë u orkestrua nga shteti serb. Lufta e vitit 1998-99 ishte, në të vërtetë, faza e tretë e projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë kur, në të vërtetë, u bë implementimi faktik i politikës zyrtare të Serbisë për të shkatërruar Kosovën dhe shqiptarët. Ky plan u dizajnua në qarqet më të larta shtetërore ushtarake, politike dhe fetare të Serbisë. Plani, kishte të sofistikuar të gjitha veprimet e dhunshme të shtetit serb që do t’i ndërmerrte ndaj shqiptarëve për qëllime gjenocidale. Mund të thuhet se, ai plan, në aspektin ushtarak ishte i përpunuar në qarqet më të larta të ushtrisë serbe dhe se ai ishte si një plan sekret për të cilin dinte kryesisht kreu shtetëror serb, ushtarak dhe njerëz të informuar nga afër, për politika gjenocidale të Serbisë në Kosovë. U potencua edhe më lart, i ashtuquajturi plan, apo plani i koduar “Patkoi”. Ky plan u zbulua edhe nga institucionet ndërkombëtare dhe nënkuptonte vrasjen masive të shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik me depërtimin e dhunshëm të shqiptarëve jashtë kufijve etnikë të Kosovës. Plani bazohej në politikën e “tokës së djegur” dhe ndërmarrjen e një varg masash represive me qëllim të shfarosjes së shqiptarëve për shkak të përkatësisë etnike, shkatërrimit të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe ndërmarrjen e masave të tjera me qëllim të humbjes së identitetit të shqiptarëve të Kosovës dhe parandalimit të dëshirës së tyre për kthim në territorin e Kosovës. Plani “Patkoi”, për të cilin dy vjet më herët një ish- udhëheqës komunist maqedon Kiro Gligorov, kishte alarmuar që po përgatitet një eksod masiv i më shumë se një milion shqiptarëve për në Maqedoni, u mbajt sekret dhe ai u bë transparent në fillim të luftës në Kosovë. Me fillimin e luftës, Serbia aktivizoi aparatin represiv me vrasje, masakra, tortura, djegie të fshatrave dhe qyteteve të Kosovës, shkatërrim të pronës publike dhe private, deportim të dhunshëm të shqiptarëve për në Shqipëri dhe Maqedoni. Me spastrim masiv etnik, plaçkitje të pronave shqiptare dhe ndërmarrjen e masave për zhdukjen e identitetit të shqiptarëve synohej të realizohet një nga qëllimet e gjenocidit, parandalimin e dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për t’u kthyer në trojet e veta etnike shekullore në Kosovë.
Krimet në masë, vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleq, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë së tyre, djegia dhe shkatërrimi i vendbanimeve shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërngulja e popullatës shqiptare nga toka e tyre-Kosova (1998-1999) dhe dhunimi i mijëra femrave shqiptare, nuk ishin veprime aksidentale-spontane, por të organizuara e planifikuara mirë nga Serbia si shtet. Gjenocidi në Kosovë u krye sipas një plani kolektiv shtetëror, të cilin Shtabi kriminal i Milosheviçit e kishte emërtuar “Potkovica”-Plani “PATKOI”. Në realizimin e këtij plani famëkeq, Serbia mobilizoi të gjitha resurset njerëzore dhe teknologjike, si: administratën shtetërore, transportin publik, mjetet financiare, mediet, gjyqësinë dhe mbi të gjitha, strukturën e gjerë ushtarake-policore e paramilitare. Duke filluar nga korpusi ushtarak i Prishtinës, që përbënte supërstrukturën e Armatës së tretë serbe në Kosovë, Korpusin 21 të Nishit, Korpusin 37 të Uzhicës, Korpusin 24 të Kragujevcit, Korpusin special dhe Armatën e parë të Beogradit, Korpusin e dytë të Podgoricës, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, policinë e rregullt të Kosovës, Forcat speciale të policisë. Po ashtu, pjesë e aparatit represiv ishin dhe forcat e ashtuquajtura antiterroriste, Shërbimin e Sigurimit Serb (UDB-ja), dhe njësitë e ashtuquajtura paramilitare, “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Vojisllav Sheshelit, “Beretat e Kuqe”, njësitë kriminale të serbëve lokalë etj.
Në aspektin penalo-juridik, gjenocidi i Serbisë në Kosovë paraqet një krim shtetëror të ushtruar me një dashje dhe vullnet të plotë të shtetit serb nëpërmjet institucioneve të tij shtetërore, politike, ushtarake dhe mekanizmave brutalë represivë që u përdorën për këtë çështje. Shteti serb, me politikën e tij të gjenocidit ndaj Kosovës kishte ndërtuar një konsensus të plotë të shoqërisë serbe, të njëjtë me situatat e fashizmit të vitit 1941-1945, duke krijuar kauza të rrejshme për gjoja rrezikimin e serbëve në Kosovë, ngjashëm siç kishte bërë edhe Gjermania e Hitlerit në kohën e fashizmit. Në aspektin penalo-juridik, kryes i veprës së gjenocidit në Kosovë është vetë shteti serb. Kurse individët, të cilët, kanë drejtuar politikën e gjenocidit serb në Kosovë, duke filluar nga presidenti Milosheviç, qeveria, parlamenti, strukturat ushtarake, komanduese, pastaj të ashtuquajturat, formacione joformale, kanë qenë dorë e zgjatur apo instrumente të shtetit serb, duke zbatuar planin shtetëror gjenocidal ndaj shqiptarëve. Nisur nga kjo, përgjegjësia penale për gjenocidin e ushtruar nga Serbia në Kosovë i takon shtetit serb si person juridik dhe si subjekt shtetëror. Kurse përgjegjësia individuale për krimet dhe gjenocidin i ngarkon personat apo individët të cilët kanë udhëhequr fushatën e gjenocidit, qoftë në aspektin e drejtimit politik dhe shtetëror, apo zbatimin praktik të veprimeve gjenocidale. Është shumë lehtë të provohet se gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka qenë plan shtetëror i dizajnuar në detaje, faza dhe në forma konkrete të zbatimit të tij. Nga vitet 1990 – 1998, ky plan kishte filluar të bëhet transparent dhe të zbatohet në faza. Fillimisht, në fazën e parë nga 5 korriku i vitit 1990, Serbia shkatërroi autonominë e Kosovës, që ishte ngritur në bazë të Kushtetutës të vitit1974, e riokupoi sërish Kosovën dhe bëri puç kushtetues duke okupuar të gjitha institucionet kushtetuese, legjitime të Kosovës. Pas riokupimit të Kosovës, shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe marrjes nën kontroll të të gjitha institucioneve të Kosovës, Serbia zbatoi politikën e spastrimit etnik, duke larguar nga puna qindra dhe mijëra shqiptarë, duke mbyllur të gjitha institucionet shtetërore, qeverisëse, edukative, kulturore, informative, shëndetësore dhe veprime të tjera të cilat ishin veprime gjenocidale të kombinuara me një aparteid klasik dhe diskriminim të shqiptarëve në baza etnike.
Menjëherë, pas riokupimit të Kosovës, shteti serb filloi zbatimin e politikave represive ndaj shqiptarëve, të cilat synonin ta përgatisnin momentumin faktik për implementimin klasik të gjenocidit serb në Kosovë. Pas daljes në skenë të UÇK-së, Serbia në pamundësi që të ballafaqohej me këtë guerilë patriotike shqiptare, e cila u vu në funksion të luftës mbrojtëse, filloi zbatimin e masakrave dhe veprimeve të tjera terrorizuese ndaj popullsisë civile. Me këtë, filloi faza e fundit dhe e tretë e implementimit faktik të gjenocidit. Natyrisht, në këtë fazë shteti serb implementoi të gjitha planet e saj shtetërore për të arritur objektivat e plota të gjenocidit. Nga aspekti i së Drejtës Ndërkombëtare Penale, shteti serb gjatë viteve 1998-1999, përdori dhe zbatoi të gjitha metodat brutale të gjenocidit, të përcaktuara me Konventën e OKB-së së vitit 1948 për krime dhe gjenocid.
4. Bartësit e zbatimit të planit gjenocidal
Implementimi i gjenocidit shtetëror të Serbisë në Kosovë u realizua nga institucionet më të larta shtetërore të këtij shteti. Në skemën piramidale gjenocidale, në krye të kësaj ndërmarrjeje kriminale qëndronte, Slobodan Milosheviçi, i cili në fund ishte vetëm një implementues faktik i një projekti shtetëror të dizajnuar me shekuj e në mënyrë të veçantë, gjatë vitit 1990-1998. Slobodan Milosheviçi, arriti të homogjenizonte popullin serb dhe shoqërinë serbe në projektin e tij gjenocidal ndaj Kosovës. Ai u vu në krye të një skeme piramidale, e cila mbi bazën e nacionalizmit dhe shovinizmit serb ndaj shqiptarëve filloi zbatimin klasik dhe faktik të gjenocidit në Kosovë. Krahas Slobodan Milosheviçit, në zinxhirin institucional të gjenocidit serb ishte qeveria serbe, Kuvendi i Serbisë, ushtria e rregullt, policia, formacionet joformale kriminale të financuara nga Serbia, Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Serbe e Shkencave, partitë politike, qoftë ato të pozitës apo opozitës dhe të gjitha institucionet e tjera politike dhe jopolitike të shtetit serb.
Hierarkia e gjenocidit serb në Kosovë paraqet një skemë kriminale zinxhirore, institucionale e cila, sipas një renditjeje të lirë do të mund të dukej kështu:
1. Slobodan Milosheviçi, president i Serbisë, udhëheqës dhe urdhërdhënës kryesor i gjenocidit;
2. Kuvendi dhe Qeveria e Serbisë
- Armata Popullore e Jugosllavisë e konvertuar në Ushtrinë e Serbisë, si implementuese e drejtpërdrejtë e okupimit të Kosovës dhe ushtruese e krimeve gjenocidale;
- Policia e Serbisë me të gjitha njësitë e saj speciale,
- Njësitë joformale kriminale,
- Kisha Ortodokse Serbe,
- Pjesëtarët e të ashtuquajturës mbrojtje territoriale në Serbi;
- Serbët lokalë të Kosovës
- Mercenarët
- Mediet serbe në krye me RTS-në, Gazetën, “Politika”, etj.
5. Metodologjia e planit gjenocidal
Metodologjia e zbatimit të planit për gjenocid ka qenë e përpunuar në detaje dhe të gjitha krimet janë kryer sipas një skenari të paraparë më parë. Për më tepër, në vazhdën e fushatës gjenocidale, presidenti serb Milutinoviç kishte sjellë një pako të dekreteve me fuqi ligjore, të cilat ishin në funksion të zbatimit të gjenocidit. Madje edhe TPNJ në rastin e akuzimit të grupit drejtues të gjenocidit (Milosheviçi dhe të tjerët) kishte theksuar se këto dekrete, të nxjerra gjatë luftës në Kosovë ishin në funksion të spastrimit etnik, deportimeve të dhunshme, zhdukjes së identitetit të shqiptarëve dhe krimeve të tjera.
Në kuadër të metodologjisë së zbatimit të planit gjenocidal, fillimisht ishin ndarë veprimet kriminale që do t’i kryenin: formacionet e rregullta ushtarake, forcat speciale policore, grupet kriminale (paramilitare) të ardhura nga Kroacia e Bosnja dhe serbët lokalë. Pra, ka ekzistuar një plan i detajuar i veprimit kriminal dhe ndarja e detajuar e angazhimeve të secilit segment të aparatit gjenocidal që pasohej në dy kritere:
- Kriterin territorial
- Llojin e krimeve gjenocidale
Sipas kriterit territorial, forcat e ushtrisë së rregullt ishin të pozicionuara në tërë territorin e Kosovës, në veçanti, në zonat ku UÇK-ja zhvillonte luftë mbrojtëse. Garnizone të tëra të ushtrisë federale dhe serbe ishin dislokuar në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë të veçantë në Drenicë, Dukagjin, Pashtrik, Llap e zona të tjera ku vepronte UÇK-ja. Njësitë e specializuara policore kishin disa baza të stacionimit, dhe vepronin me metoda lëvizëse duke kryer masakra, deportime të dhunshme dhe djegie masive të fshatrave dhe qyteteve të Kosovës. Kurse, njësitë joformale dhe bandat kriminale, sipas ndarjes së punëve me planin gjenocidal, ishin ekzekutuese të krimeve më të rënda, masakrave, djegies së kufomave, dhunimeve seksuale, djegies së fshatrave e qyteteve, plaçkitjeve masive dhe krimeve të tjera. Asgjë nga krimet gjenocidale serbe nuk ka qenë e rastësishme dhe spontane. Gjithçka ishte e planifikuar dhe koordinuar në detaje, që nga ndarja e punëve dhe zonave ku kryheshin veprimet gjenocidale e gjerë te koalicioni i sofistikuar kriminal i ushtrisë së rregullt, policisë speciale dhe bandave kriminale. Kjo vërtetohet edhe me ngjashmëritë e protokollit kriminal që është zbatuar në kuadër të PGJ në Kosovë. Krimet dhe zhdukja e gjurmëve të tyre, ishin strategji të planifikuara që nga kreu i shtetit, Slobodan Milosheviçi, Shtabi i Përgjithshëm dhe nivelet e tjera për eliminimin e shqiptarëve dhe spastrimin etnik të Kosovës. Sistemi i spastrimit etnik të Kosovës ishte i përpunuar dhe zbatohej me përpikëmëri: granatoheshin fshatrat, hynin policia, ushtria e paramilitarë të ngjyrave të ndryshme, vrisnin e nxirrnin njerëzit prej shtëpive, plaçkisnin gjithçka që mund të merrej e bartej: para, vetura, traktorë, motokultivatorë, makina, orendi e pastaj i spërkatnin me benzinë dhe u jepnin flakën shtëpive, ndonjëherë edhe me njerëzit brenda. Policë e paramilitarë, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë kriminelë nga luftërat e Bosnjës e të Kroacisë, vinin në Kosovë për të vrarë e plaçkitur. Plaçkën e ndanin edhe me komandantët e tyre.
Si elemente të përbashkëta të këtij protokolli kriminal ishin:
- Vrasja joselektive e shqiptarëve,
- Masakrat barbare joselektive të civilëve,
- Djegia e kufomave,
- Djegia e fshatrave dhe qyteteve,
- Rrethimi i fshatrave e qyteteve,
- Grumbullim i banorëve të fshatrave në një vend,
- Klasifikimi i banorëve sipas moshave,
- Ekzekutim joselektiv i meshkujve prej moshës 18 deri 70 vjeç,
- Grumbullimi i kufomave dhe operacioni i bartjes së tyre në varrezat masive në Serbi.
- Nxjerrja nga turma e vajzave dhe grave shqiptare dhe dhunimi seksual i tyre,
- Vrasja e fëmijëve në prani të familjareve të tyre,
- Krijimi i kolonave dhe deportimi i civilëve përtej kufirit, në Maqedoni dhe Shqipëri,
- Përdorimi i trenave dhe linjës hekurudhore Prishtinë-Fushë Kosovë-Shkup për deportimin e dhunshëm dhe zbrazjen e Kosovës,
- Plaçikitja e pasurisë së qytetarëve gjatë deportimit të dhunshëm, marrja e të hollave, arit dhe gjërave të tjera me vlerë,
- Marrja dhe djegia e dokumenteve personale: letërnjoftimeve, lejet e qarkullimit të automjeteve, pasaportave dhe dokumenteve të tjera personale me qëllim të pamundësisë së kthimit,
- Veprimet e tjera kriminale.
Madje edhe Gjykata e Lartë në Beograd, njësia për krime lufte në Rastin K-PO2 numër 48/10, konfirmon ekzistimin e skenarit gjenocidal i cili, gjerësisht është zbatuar në krimet gjenocidale në tërë territorin e Kosovës. Në aktgjykimin me të cilin grupi kriminal shpallet fajtor dhe dënohet, mes të tjerash, thuhet se ky grup kriminal:
- ka ndërmarrë sulme kundër banorëve civilë, gjë që pati si pasojë vdekje dhe lëndime të rënda të shumë civilëve dhe pasuria e civilëve është plaçkitur, janë kontrolluar shtëpi familjare të pronarëve civilë shqiptarë, i kanë dëbuar këta civilë nga shtëpitë e tyre dhe i kanë detyruar ata që të grumbullohen, në një apo shumë vende në fshatrat e sulmuara, ku me dhunë i kanë ndarë personat e aftë ushtarakë, meshkujt, të cilët dhe i kanë vrarë;
- Kanë shtënë me armë prapa kokës dhe para këmbëve të banorëve civilë të kombësisë shqiptare dhe i kanë detyruar që në këmbë ose në rimorkio të traktorëve të lëshojnë vendbanimet e tyre, nga shkaku që lidhej me luftën;
- Në mënyrë kundërligjshme dhe me vetëdëshirë i kanë shkatërruar në masë të gjerë pasuritë e civilëve, gjë që nuk është e lejueshme për nevojat ushtarake, i kanë djegur shtëpitë e familjeve shqiptare me qëllim që banorët e dëbuar të mos kanë ku të kthehen.
Kurse në fshatrat Qyshk, Plavlan dhe Zahaq ua kanë marrë dokumentet personale civilëve, të cilat i kanë shkatërruar dhe kanë kryer plaçkitje ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, i kanë djegur mbetjet mortore të civilëve të vrarë, me qëllim që të mos ketë mundësi të kryhet identifikimi i tyre për t’i fshehur vrasjet e kryera.
Në aktgjykimin e këtij rasti makabër, mes të tjerash, thuhet “kanë privuar nga jeta civilët, duke shtënë mbi ta me pushkët e tyre dhe pasi e kanë kryer pushkatimin, i akuzuari Milojko Nikoliç, duke shkelur mbi trupat e kufomave dhe të të plagosurve, ka therur dhe ka vërtetuar kush nga të pushkatuarit po jep shenjë jete dhe mbi kokat e tyre ka hapur zjarr nga pushka e tij automatike dhe i kanë privuar nga jeta së paku 42 veta. Si veprime tipike dhe skenar i protokollit gjenocidal në këtë rast përmenden këto veprime: vrasjet, masakrat, djegia e kufomave, rrethim i fshatrave dhe ndarja e burrave dhe e të rriturve nga turma, vrasja masive dhe pushkatimi i civilëve, deportimi i dhunshëm për në Shqipëri dhe Mal të Zi, plaçkitja e civilëve, zhdukja e letërnjoftimeve, djegia e shtëpive dhe veprime të tjera kriminale. Ky grup famëkeq, pothuajse të njëjtin skenar gjenocidal e ka zbatuar në të gjitha fshatrat e Dukagjinit.
Nisur nga kjo, mund të konstatojmë, se krimet gjenocidale kanë pas pothuajse një skenar të njëjtë në gjithë territorin e Kosovës. Madje për këtë skenar kriminal kishte edhe protokolle të shkruara nga ushtria mbi bazën e dekreteve të cilat i nxori Presidenti i atëhershëm Milan Milutinoviç gjatë kohës së luftës. Për realizimin e këtij skenari gjenocidal ishin angazhuar 4 eshalone represive:
- APJ dhe ushtria serbe të stacionuara në pikat strategjike të Kosovës për gjoja, luftimin e UÇK-së;
- Njësitë speciale të policisë serbe të stacionuara në shumë punkte policore dhe të angazhuara në fushatën e krimeve sistematike në tërë territorin e Kosovës;
- Grupet kriminale (formacionet paramilitare), të cilat sipas ndarjes së detyrave me PGJ ishin të ngarkuara për krimet më barbare ndaj civilëve, masakrat, djegiet e kufomave, djegiet e fshatrave, deportimet e dhunshme, plaçkitjet etj;
- Serbët lokalë dhe mercenarët rusë, të cilët bashkëpunonin me tri strukturat kriminale të lartcekura në fushatën gjenocidale.
Në protokollin e krimeve gjenocidale ishin renditur veprimet dhe krimet që duhet të kryhen, duke filluar nga vrasjet në masë dhe masakrat barbare ndaj civilëve, rrethimin e fshatrave dhe lagjeve, klasifikimin e civilëve sipas moshave, ekzekutimin e tyre, djegien e kufomave, deportimin e dhunshëm për Shqipëri e Maqedoni, djegien e letërnjoftimeve, ndarje nga masa të vajzave të reja e grave dhe dhunimin e tyre seksual, plaçkitja e civilëve (vjedhja e parave, arit e stolive të tjera) dhe pasurisë së tyre (vjedhja e veturave, e televizorëve, aparateve elektrike me vlerë etj.), djegia e fshatrave e qyteteve, si dhe krimet e tjera kriminale.
6. Periudha kohore e zbatimit të planit
Në aspektin kohor, plani gjenocidal është vënë në zbatim gjatë viteve 1998-1999, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, kur Serbia pranoi kushtet e kapitullimit të vendosura nga NATO-ja. Gjatë këtyre dy viteve, në kuadër të planit gjenocidal, Serbia ka zbatuar fushatën e gjenocidit në Kosovë, duke kryer të gjitha krimet, siç i njeh, KPDKGJ e OKB-së. Gjatë këtyre 2 vjetëve, Serbia ka kryer më shumë se 400 masakra në tërë territorin e Kosovës, ka deportuar më shumë se 1 milion qytetarë dhe ka zbatuar skenarin e “Tokës së djegur” në Kosovë.
7. Objektivat e planit gjenocidal
Plani gjenocidal ka pasur këta objektiva kryesorë:
- Vrasjet masive të popullsisë civile në Kosovë ;
- Masakrat ndaj popullsisë civile ;
- Deportimin dhe shpopullimin e Kosovës;
- Ndryshimin e përbërjes demografike në Kosovë;
- Shkatërrimin e identitetit të shqiptarëve dhe pamundësimin e kthimit të tyre në territoret etnike;
- Plaçkitjen e pasurisë publike dhe pronave private të qytetarëve të Kosovës;
- Dhunimet seksuale ndaj vajzave dhe grave shqiptare;
- Varrezat masive në Kosovë dhe Serbi ;
- Zhdukjen e gjurmëve të gjenocidit me djegien dhe asgjësimin e kufomave në tërë territorin e Kosovës ;
- Transferimin, përmes njësiteve policore dhe ushtarake, të kufomave në varrezat masive në Serbi, krejt me qëllim, të zhdukjes së gjurmëve të gjenocidit ;
- Plaçkitjen e fondeve pensionale, fondeve të tjera publike, shkatërrimin e ndërmarrjeve ekonomike dhe pasurive të tjera në Kosovë ;
- Mohimin e gjenocidit me fshehjen e kriminelëve dhe ekzekutorëve të tjerë të krimeve gjenocidale ;
- Veprimet e tjera gjenocidale të përcaktuara në planin gjenocidal.
8. Financimi i planit gjenocidal
Gjenocidi i shtetit serb në Kosovë, si një krim shtetëror u financua drejtpërdrejt nga shteti i Serbisë, i cili mobilizoi të gjitha resurset në dispozicion për të realizuar këtë projekt kriminal. Shteti serb mobilizoi tërë potencialin e tij ushtarak, policor të formacioneve të rregullta dhe atyre joformale, duke bërë edhe një mobilizim të popullsisë, me qëllim të realizimit të projektit gjenocidal. Kjo ndërmarrje kriminale u financua drejtpërdrejt nga buxheti i Serbisë, i cili vuri në dispozicion të gjitha fondet për realizimin e gjenocidit. Madje, edhe të ashtuquajturat formacione paramilitare, për të cilat theksuam se de fakto kanë qenë formacione joformale kriminale të Serbisë, financoheshin drejtpërdrejt nga buxheti i Serbisë në forma të ndryshme, qoftë në formë të donacioneve që ndërmarrjet publike serbe ua jepnin këtyre organizatave kriminale, qoftë duke ua vënë atyre në dispozicion resurset e ushtrisë së rregullt, apo edhe nga fondet e krijuara nga plaçkitja e pronës shtetërore, publike e private në Kosovë. Duke qenë, ndërmarrje shtetërore, gjenocidi i Serbisë në Kosovë, në të gjitha segmentet e implementimit të tij ka qenë drejtpërdrejt i financuar nga shteti serb.
Serbia si organizatore, ekzekutuese dhe financuese e gjenocidit, krahas përgjegjësisë për kryerjen e gjenocidit është e detyruar të paguajë të gjitha dëmet e luftës të shkaktuara në Kosovë dhe ta kthejë tërë pasurinë e plaçkitur gjatë luftës. Kosova, krahas padisë për gjenocid që kreu shteti serb në Kosovë, në një moment të përshtatshëm politik, pashmangshëm duhet të adresojë edhe kërkesën për pagimin e dëmeve të luftës, reparacioneve të luftës, kthimin e fondeve dhe mjeteve të plaçkitura në Kosovë. Kjo është një kërkesë legjitime e Kosovës ndaj Serbisë. Serbia si humbëse e luftës, bëri plaçkitje të të gjitha fondeve ekzistuese në Kosovë dhe njëkohësisht u shkaktoi dëme të pariparueshme ekonomive familjare, ndërmarrjeve publike, duke dëmtuar kështu edhe pronën publike të Republikës së Kosovës.
9. Zhdukja e gjurmëve të gjenocidit
Zhdukja e gjurmëve të gjenocidit ka qenë faza e fundit e planit gjenocidal. Dihet botërisht se strategjia e fshehjes së krimit si gjenocid ka për qëllim shmangien nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e atyre që janë̈ të përfshirë në kryerjen e gjenocidit gjatë vitit 1998. Forcat pushtuese serbe, trupat e shqiptarëve, pasi i vrisnin e i masakronin, i digjnin nëpër shtëpitë e oborret e tyre në puse (bunare) të ujit të pijshëm apo gropa të gëlqeres, i varrosën në varreza masive e i zhvarrosën për t’i zhdukur pa gjurmë. Gjatë vitit 1999, një pjesë të madhe të kufomave të civilëve shqiptarë (fëmijë, gra e pleq) të vrarë e të masakruar nga forcat okupuese serbe, u transportuan me kamionë frigorifer për në Serbi, duke u varrosur në varreza sekrete masive në poligonet e policisë e të ushtrisë serbo-jugosllave. Ky veprim kriminal synonte t’i zhdukte dhe shkatërrojë provat e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. E tërë kjo u bë në kuadër të operacionit sekret“Spastrimi” (“Čiščenje”), për të cilin Milosheviçi dhe “Shtabi Strategjik” i tij kishte marrë vendim që në mars të vitit 1999. Në atë operacion, për zhdukjen e gjurmëve të krimeve, kanë marrë pjesë strukturat më të larta shtetërore të Serbisë dhe të ish-mbetjes jugosllave (RFJ).
Deri më tani, në këto varreza sekrete masive në Serbi, janë gjetur trupat dhe mbetjet mortore të rreth, 1000 civilëve shqiptarë nga anë të ndryshme të Kosovës, disa prej të cilëve i kishin zhvarrosur nga Kosova për në Serbi, por kishte edhe trupa të shqiptarëve të vrarë, që këto varreza sekrete masive i kishin varreza të para.
Në kohën kur Serbia kreu gjenocid në Kosovë, Aleksandër Vuçiç, në cilësinë e ministrit të Informatave në qeverinë e atëhershme të Serbisë, dhe Ivica Daçiq, në cilësinë e zëdhënësit të Partisë Socialiste të Milosheviçit, ishin dy figurat politike më të angazhuara në strategjinë e fshehjes së gjurmëve të gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, shteti serb vazhdoi strategjinë e njëjtë të mohimit të gjenocidit. Kështu, 23 vjet pas kryerjes së masakrave në Abri, në Prekaz, në Reçak, në Izbicë, në Rezallë, në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, në Mej, në Rugovë të Hasit, dhe shumë akteve gjenocidale anekënd Kosovës, ende jetojnë të lirë vrasësit e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe mijëra civilëve të tjerë të moshave të ndryshme dhe ata që zbatuan dhunë seksuale ndaj më shumë se 20.000 grave shqiptare. Në kohën kur, shumëkush pret përmbylljen e dialogut me Serbinë dhe ndriçimin e fatit të më tepër se 1600 civilëve shqiptarë të zhdukur nga forcat serbe, ish- zëdhënësi i Slobodan Milosheviçit, Ivica Daçiç, tani në cilësinë e liderit të Partisë Socialiste të Milosheviçit, dhe nga funksionet më të larta të shtetit serb drejtoi gishtin kundër atyre qytetarëve të Serbisë, të cilët marrin guximin të tregojnë se ku janë të fshehura kufomat e civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë. “Zhvarrosja e kufomave të viktimave, shkatërrimi i tyre, transportimi dhe fshehja në Serbi, si dhe propaganda e krijuar për ta mohuar natyrën kriminale të spastrimit etnik dhe veprave penale individuale, kanë qenë pjesë përbërëse e strategjisë së lidershipit serb për të krijuar territore etnikisht të pastra dhe për t’i vendosur ato nën kontrollin e tyre”. Kjo ndërmarrje ka qenë sistematike dhe fshehja ose zhdukja e krimit përmes fshehjes së kufomave të viktimave dhe shkatërrimit të dokumenteve dhe provave të tjera ka qenë faza e fundit e një procesi, i cili më pas është shoqëruar me deklarata mohuese dhe me refuzim zyrtar për t’u distancuar nga kjo e kaluar. Në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit, regjimi serb po bën obstruksion në kthimin e mbetjeve mortore të të vrarëve, të cilët janë varrosur në varrezat masive në Serbi. Ajo ka emëruar në krye të Komisionit për të pagjetur një person për të cilin ekzistojnë dëshmi se ka qenë drejtpërdrejt i involvuar në krimet serbe, madje edhe në vrasjen e akademikut Fehmi Agani.
10. Mohimi i gjenocidit
Mohimi i gjenocidit të Serbisë në Kosovë është pjesë e planit gjenocidial, që ka për qëllim mospranimin e përgjegjësisë për krimet e kryera, mungesën e faljes publike për viktimat e gjenocidit dhe tendencën për të shtrembëruar të vërtetën e luftës në Kosovë. Krahas tendencës së zhdukjes së gjurmëve të krimeve gjenocidale, Serbia, jo vetëm që mohon gjenocidin në Kosovë dhe Bosnjë, por vazhdon retorikën fashiste duke, lartësuar dhe mitizuar figurat e kriminelëve kryesorë, të cilët kanë orkestruar fushatën gjenocidale në këto dy shtete të pavarura. Në Serbi dhe Republikën Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, në sheshet e rrugëve dhe vendet e tjera publike, mitizohen kriminelët e luftës si Ratko Mladiç, Radovan Karaxhiç, Slobodan Milosheviç, Sheshel, Arkan e të tjerë. Këtu qëndron demagogjia e politikanëve serbë, të cilët sot thërrasin për paqe e integrime evropiane. Edhe pse Vuçiçi, herë-herë e përmend paqen, ndërkohë që, disa nga ministrat e tij përdorin retorikë më të ashpër nacionaliste, ata të gjithë mendojnë njësoj për sa i takon politikës së qeverisë në lidhje me Srebrenicën, Reçakun dhe vendet e tjera simbole të gjenocidit serb. “Është ky një mekanizëm për të manipuluar ndjenjat e njerëzve të zakonshëm. Regjimi në mënyrë artificiale e ndan veten në disa fytyra për të mbuluar të gjitha pozicionet. Kështu që Vuçiçi duket sikur është një faktor stabiliteti dhe bashkëpunëtorët e tij si agresivë, qen që lehin. Megjithatë, Vuçiçi s’ka thënë kurrë që ata s’kanë të drejtë, “Të vetëdijshëm, për faktin se nuk mund të ketë pajtim pa pranimin e krimeve dhe përgjegjësive dhe se gjuha e urrejtjes, lartësimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi ose mohimi i plotë i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të vendosura nga vendimet përfundimtare gjyqesore minon rregullin e ligjit dhe përfaqëson një pengesë të drejtpërdrejtë për paqen, pajtimin dhe ndërtimin e besimit dhe në fund të fundit minon perspektivat për një të ardhme të sigurt, paqësore për Bosnjën dhe Hercegovinën”
Mohimi sistematik i masakrave, minimizimi i tyre, paraqitja e civilëve të masakruar si luftëtarë, justifikimi i krimeve dhe më pastaj edhe fshehja e kufomave të civilëve të masakruar “e kanë karakterizuar politikën serbe në Kosovë në vitet 1998-1999. Këto praktika ishin përdorur me parë edhe në Bosnjë”. Serbia, jo vetëm që, ende nuk ka kërkuar falje për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit. “Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”. Përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e së vërtetës së luftës së fundit në Kosovë, mbi të gjitha, njohja ndërkombëtare e Serbisë për Republikën e Kosovës, është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme.
Përfaqësuesi i Lartë “në largim” i Bosnjës dhe Hercegovinës, Valentin Inzko, ka vendosur ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjës, të cilat ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës.Vendimi vjen disa ditë para se Inzko të largohet nga zyra dhe t’ia dorëzojë detyrën diplomatit gjerman, Christian Schmidt. Ndryshimet e ligjit që vendosi Përfaqësuesi i Lartë, ndër të tjera, përcaktojnë dënimin me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, për atë që “fol publikisht, mohon, banalizon ose përpiqet të justifikojë një krim të gjenocidit, krime kundër njerëzimit ose një krim lufte”.
Në deklaratën e përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionerit Oliver Varhelyi, në 27-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, thuhet se në Evropë, nuk ka vend për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Sipas Borrell-it dhe Varhelyi-t, “agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës ka rikthyer një luftë brutale në kontinent”. “Është më shumë se kurrë detyra jonë ta kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës, si pjesë e historisë sonë të përbashkët evropiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Sipas kësaj deklarate, vrasjet masive dhe krimet e luftës në Ukrainë sjellin kujtime të gjalla të atyre që u dëshmuan në luftë në Ballkanin Perëndimor në vitet ’90. Deklarata identike kanë dhënë edhe përfaqësuesit e BE-së me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, duke iu kundërvënë deklaratave të zyrtarëve serbë në Serbi dhe Kosovë, të cilët mohojnë krimet e kryera.