Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ
Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë në skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshem botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve (financiarë, teknologjikë e informativë) dhe shfaqja e qëndrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brëndshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka.
Gjeopolitika është e domosdoshme për analizën e kapaciteteve të një shteti dhe të interesave të tij kombëtare. Me fjalë të tjera ajo shërben për studimin e teorive e të hipotezave funksionale, qoftë për analizat e politikës së jashtme, qoftë për vlerësimin e përcaktimin e interesave dhe të politikave të brendshme, duke vlerësuar prej tyre pasojat që mund të rrjedhin nga konfliktet e interesave të përhershëm apo të rastit, me aktorët e tjerë që veprojnë në të njëjtën hapësirë gjeopolitike.
Mendohet që gjeopolitika e Ballkanit përfundoi rikonfigurimin me shtetin e Kosovës dhe Malit Zi. Ka një prirje të gabuar për ta quajtur zgjidhjen e problemit të Kosovës si aktin e fundit përmbyllës të shpërbërjes së ish-Federatës së Jugosllavisë. Por ka ende probleme të pazgjidhura në Bosnje, në Serbi dhe në Maqedoni, që mund të shpërthejnë. Udhëheqësit e parë shqiptar e kanë paralajmëruar Europën në vitin 1879 se, për sa kohë që nuk do të gjejë zgjidhje çështja kombëtare shqiptare nuk mund të vendoset stabiliteti i vërtetë në Ballkan.
Sot më tepër se kurrë po bëhet më e dukshme lidhjen dhe ndërvarësinë që ekziston ndërmjet aspektit demografik dhe atij gjeopolitik. Më qartazi u dukë në vendet e ish BS dhe në ish Jugosllavi dhe kulmojë tani në Ukrainë. Për vetë specifikën, vendin që zë, shtrirjen dhe, veçanërisht, statusin aktual të popullit shqiptar, në Ballkanin Perëndimor, lidhja e ndërvarësia e mësipërme është, jo vetëm evidente, por mjaft e rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe stabilitetin e paqen e tij. Zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës sjell një situatë, cilësisht të re në faktorizimin e çështjes shqiptare në veçanti, por edhe jep garanci dhe siguri për stabilitetin e të gjithë rajonit, në përgjithësi. Në këtë kuptim, çështja kombëtare e shqiptarëve përfiton një “standard” të ri dhe mendoj se duhet parë e analizuar në një këndvështrim tjetër e në një optikë të re.
Akti i fundit përmbyllës i procesit të rënies dhe fragmentarizmit të ish-Jugosllavisë, fundi i luftës, në “vijën e ndarjes” midis serbëve dhe shqiptarëve, që u shtri deri në spastrim etnik, në dëm të këtyre të fundit (karakteristikë për luftëra të tilla) shënoi një etapë të re historike, e cila çoi, në mënyrë të pashmangshme, drejt pavarësisë së Kosovës, duke hapur të vetmen mundësi logjike: bashkëjetesën e barabartë të shqiptarëve dhe serbëve në një Kosovë multietnike, demokratike e europiane. Kështu i jepet fund situatës paradoksale të shumicës absolute shqiptare, të shtypur dhe të shfrytëzuar nga pakica serbe, në Kosovë, duke e shndërruar maxhorancën shqiptare të përgjegjshme, për të respektuar, maksimalisht, të drejtat dhe liritë e pakicës serbe, në një bashkëjetesë demokratike.
Shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ata janë një popullsi që e ka tejkaluar shifrën prej 7.5 milionë banorësh, duke u renditur ndër tre popujt më të mëdhenj të këtij rajoni. Rritja e popullsisë shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lartat në Europën e sotme.Me keqardhje duhet të themi se, në vëndin amë kjo dukuri vitet e fundit ka një rënje, pasi shumë shqiptarë po largohen nga vëndi, sidomos moshat e reja. Ky fakt reflektohet, ndjeshëm, në dinamikën e lëvizjes dhe të emigracionit të kësaj popullsie. Vetëm nga shteti shqiptar kanë emigruar, aktualisht, mbi 1.5 milion njerëz, duke e renditur Shqipërinë nder vendet e parë në botë për numrin e emigrantëve, si popullsi. Megjithatë mosha mesatare e popullsisë shqiptare është më e reja në kontinent. Rreth 60% e popullsisë është nën moshën 27.5 vjeç. Statistika demografike-ekonomike e mësipërme është akoma më atraktive po t’i referohemi popullsisë shqiptare në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës. Nga këto territore, të banuara, historikisht nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje, gati gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe Turqi. Duke analizuar me kujdes këto procese demografike dinamike mund të konkludohet se aktualisht në botë janë aktive rreth 18 milionë shqiptarë. Përballë kësaj situate, faktorët demografikë të shqiptareve janë dhe mbeten, objektivisht, tepër ndikues në planin gjeopolitik, për të ardhmen e tyre dhe të popujve të tjerë në rajon. Natyrisht, këta faktorë mund dhe duhet të adresohen me pozitivizëm, si në dobi të shqiptarëve, ashtu dhe në dobi të rajonit, të konsiderohen me kujdes, të pranohen me realizëm dhe t’i hapet rrugë akomodimit e integrimit të tyre mbi bazën e ideve dhe vlerave europiane.
Mendoj se ndikimi i kriterit demografik të shqiptarëve në gjeopolitikën ballkanike është evident për disa arsye; Shtrirja e shqiptarëve në 6 shtete kryesore të Ballkanit; (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Serbi-Lugina e Preshevës). Rritja e lartë e popullsisë shqiptare, krahasuar me rënien e numrit të popullsive të tjera ballkanike, në rajon; (numri i barabartë i popullsisë shqiptare me grekët, bullgarët, serbët aktualisht, plus dinamika në rritje e shqiptarëve). Mobiliteti i popullsisë shqiptare, brenda dhe jashtë rajonit; (frekuenca e lëvizjes së shqiptarëve si një nga popujt mobil, lëvizjet për në Ballkan, Europë, SHBA). Përmirësimi i statusit të shqiptarëve në emigracion; (shndërrimi i emigrantëve shqiptarë, në qytetarë të vendeve ku jetojnë e punojnë).
Çfarë e favorizon ndikimin demografik shqiptar në gjeopolitikën ballkanike? Paqja është ndër faktorët parësorë për ndikimin e kriterit demografik në gjeopolitikë. Ballkani dhe përvojat e tij konfliktuale, (tre luftëra në një shekull), mund t’i qetësojë vetëm një paqe e qëndrueshme. Në ish-Jugosllavi, thuajse çdo dekadë, ndeshim kriza destabilizuese në trevat shqiptare (1958, 1968, 1974, 1981, 1989-1999), kjo për fajin e politikave të ndjekura nga Beogradi. Zgjidhja e statuseve të shqiptarëve, në shkallë e në nivele të ndryshme, në vartësi nga shteti dhe nga pozita etnike, ka ndikuar pozitivisht për ndërvarësinë demografike-gjeopolitike në Ballkan. Asgjë më shumë se demokracia nuk i ka ndihmuar shqiptarët në faktorizimin e tyre në rajon. Në aspektin demografik-gjeopolitik, shqiptarët, duke qenë përgjithësisht popullsi mobile, përfituan më shumë se kushdo në rajon nga katër lëvizjet europiane: lëvizja e njerëzve, ideve, mallrave e kapitaleve. Europianizmi, si filozofi e hapjes, kooperimit, integrimit në kontinent, si antipod i nacional-shovinizmit e ksenofobisë i ka konvenuar shumë dimensionimit të faktorit shqiptar, i cili, pa pasur doktrina nacionaliste, shpesh është viktimizuar e është sforcuar nga nacionalizmat e fqinjëve të vet.
Globalizmi, si “trendi” i mileniumit të ri, i përshtatet natyrës së popullit shqiptar, më shumë se çdo populli tjetër, në Ballkan, pasi për nga identiteti i tyre, shqiptaret janë popull multikonfesional, pranojnë fenë, civilizimet dhe diversitetin kulturor, si dukuri të brendshme dhe si ndërkombëtare njëherësh. Kjo i bën shqiptarët të jenë tolerantë, jo fanatike, aspak fondamentalë, në raportet fetaro-kulturor. Shqiptarët dhe globalizmi përkojnë në sistemin filozofik e shpirtëror, më mirë se çdo popull tjetër në rajon, ku ndikimet e nacionalizmave, fanatizmave fetare, të ksenofobive visone, janë prezentë, në forma të hapura apo të kamufluara.
Tranzicioni i zgjatur dhe problematik krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, difektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, problemet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur etj, shkojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe të vlerave të tyre në rajon. Përfundimi i tranzicionit do të jetë, në fakt, një erë e re për të ardhmen dhe rolin e tyre, ku interesat kombëtare të shqiptarëve janë të lidhura me interesat e popujve të tjerë, në dobi të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike.
Mungesa e infrastrukturës mbarëshqiptare (vetëm rruga e kombit), pengon seriozisht faktorin shqiptar si në funksionalizimin e rolit specifik të tij dhe në dobi të mbarëvajtjes së rajonit. Të dy korridoret, 8 dhe 10, kalojnë përmes territoreve me popullsi shqiptare. Është e kuptueshme se, çdo investim, në këtë drejtim, nuk është investim etnik, as kombëtar, por rajonal e mbar europian.
Mungesa e kapaciteteve njerëzore e shtetformuese është një arsye tjetër që pengon seriozisht zhvillimin ekonomik e kulturor të rajonit dhe të proceseve demokratizuese të tij. Kërkohet një bashkëpunim e koordinim më i mirë i punëve, si në drejtim të përzgjedhjes, të ngritjes së nivelit administrativ e kulturor të elementëve të faktorit shqiptar në administratën publike, në proporcion me përfaqësimin politik, ashtu dhe të faktorëve rajonalë për të mbështetur ngritjen e administratave publike, sipas standardeve e parimeve europiane të pushtetit. Pa frikë duhet të kërkohet një unifikim i zërit Shqiptarë për çeshtjet kombëtare. Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. I takon Shqipërisë ta udhëheq këtë proces, që për hirë të së vërtetës nuk po e bën mirë.
Kuptohet se stabiliteti, prosperiteti, demokratizimi, integrimi, përfshirë dhe akomodimin e faktorit demografik shqiptar në Ballkan, rritja dhe dimensionimi i tij, përbejnë sfida për politikën e jashtme dhe diplomacinë shqiptare, kosovare dhe rajonale e ndërkombëtare.
Pavarësia e Kosovës përfaqëson jo vetëm një akt historik, të papërsëritshëm, kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe një realitet konkret e sfidant. Sfida e saj nuk është shpallja e pavarësisë (ajo ishte “rezultante historike” e objektive), por bërja e Kosovës një shtet demokratik, multietnik dhe europian, që do të thotë, para së gjithash, krijimi i kushteve, i rrethanave dhe garancive që edhe Kosova të jetë sa më shpejtë pjesë e NATO-s dhe së bashku me vëndet e tjera drejtë BE.
Sfida më e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike arsimore lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike.
New York Prill 2012