ASLLAN BUSHATI/
”Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ditar diplomatik, (Kryqtari i fundit) të intelektualit të nderuar Ambasador Virgjil Kule, i cili në gjykimin tim është nga punimet më serioze dhe elitare të kohëve të fundit për Atin e Kombit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Zoti Kule ka lindur në vitin 1952 dhe është gazetar, shkrimtar,historian e diplomat. Ka studiuar për gazetari ndërkohë që ishte edhe nga folsit e parë të TVSH, ku punoi për një kohë të gjatë përfshi edhe si drejtor i institucionit. Më pas u angazhu si vullnetar në një degë të një organizate humanitare holandeze ku realizoi dokumentar studimor në shumë vende të botës. Zotron disa gjuhë të huaja dhe ka përkthyer në shqip e anasjelltas vepra letrare e shkencore. Është nga specialistët më të shquar të fushës së komunikimit dhe ndërveprimit kulturor. Ka shërbyer si ambassador i Republikës Shqipërisë në Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë, ku ka kontribuar për intensifikimin e marrdhënieve miqësore të Shqipërisë me këto vende si dhe promovimin e vlerave të mërgatës shqiptare atje. Kohët e fundit është bërë pjesë e komunitetit tonë shqiptaro- amerikan me vendbanim në NJ (Nju Xhersi).
Studimi i tij “Kryqtari i fundit” u paraqit para pubikut shqiptar në vitin 2012 në 100 vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve ky studim ka patur shumë promovime. Për këtë punim janë prononcuar shumë intelektualë, disa prej të cilëve personalitete të elitës kulturore e shkencore të Shqpërisë. Madje edhe autoritete jo shqiptare të fushave të historisë e diplomacisë janë shprehur me shumë konsideratë për punimin e Zotit Kule.
Promovimi i sotëm nuk ka as pretendimin më të vogël për tu barazuar me sa më lart, e për të përsëritur vlerësimet shumë të spikatura të të tjerëve. Por ka si qëllim përcielljen e një respekti shoqëror ndaj autorit Virgjil Kule si intelektual me formim të gjërë e i ardhur kohët e fundit në mërgatën tonë shqiptare të Amerikës. Në të njejtën kohë edhe për të përciellë disa njohuri më të themelta, e të dokumentuara të fushës së diplomacisë, duke qëndruar larg hiperbolizimeve e fatazirave pa baza reale historike për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Studimi, rrok periudhën 1443 – 1467 në formatin e një ditari. Është mbështetur mbi 100 dokumenta bazike dhe qindra e qindra citime autentike i përmasave mbi 500 faqe. Ai është shkruar me një gjuhë të pasur e të kuptueshme, me fjali të shkurtëra e pa stërhollime, duke i qëndruar besnik devizës “publikim i të vërtetave dhe vetëm të vërtetave të dokumentuara”.
Në studim jepen të dhëna për politikat osmane të asaj kohe, të grumbullimit të fëmijve kristian të moshës 8-15 vjec nga Ballkani. Mënyrat e përzgjedhjes e trajnimit të tyre në shkollën më të mirë të kohës, në Edirne e në pallatin e Topkapisë së Sulltanit, në të cilën është arsimuar edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Gjenialiteti që tregoi më vonë Skënderbeu tregon për një përgatitje arsimore shumëvjecare të nivelit të lartë. Ky arsimim- thuhet në studim- bëhej si për karjerën ushtarake dhe administrative. Shkolla kishte specifikë edhe veshjen e dallueshme të të përzgjedhurve me: jelek, callmë, xhybe etj.
Pas gradimit ekselent në shkollën e mësipërme, Skënderbeu u provu nën mbikqyrjen e Sulltanit, në shumë beteja ushtarake dhe drejtim administrativ ku shkëlqeu sa thuhet se “Sulltani e shikonte si rival i rrezikshëm për pushtetitn e tij”.
Skënderbeu duke qenë hulumtues dhe vizionar- thuhet në studimin e Zotit Kule, dalloi me shumë kujdes pikat e forta e të dobëta të funksionimit të veprimtarisë ushtarake e administrative të Perandorisë Osmane . Kjo e paisi ate me një përvojë të madhe për të ardhmen e tij në fushbetej, administrim, dhe vecanërisht në diplomaci me të cilën u ballafaqu sukseshëm me Papën, Venedikun, mbretëritë e Napolit, Milanit, Raguzës, Hungarisë, Serbisë, Portën e Lartë dhe me princat e fisnikët shqiptarë.
Në pranverën e vitit 1443, Skënderbeu ndodhej në përbërje të komandës ushtarake osmane në frontin e Nishit (por jo eprori më i lartë). Ai prej kohësh e shihte me simpati kryqëzatën e drejtuar nga Janosh Huniadi i Hungarisë kundër osmanëve dhe kishte formuluar në kokën e tij idenë e hapjes së një fronti të dytë në Ballkan për largimin e osmanëve nga këto hapsira kristiane (katolike e ortodokse).
Nisur nga kjo ide ai intensifikoi marrdhëniet me Huniadin, përzgjodhi mbi 300 kalorës shqiptar nga më besnikët e tij dhe në tetor-nëntor 1443 së bashku me nipin Hamza Kastriot këthehet në Arbëri. Më 28 nëntor të atij viti ngriti në Kështjellën e Krujës flamurin e kuq me shkabën dykrenare të cilin e mbajmë edhe sot. Që nga kjo ditë ai shpalli si parësore fushatën për këthimin në kristianizëm dhe nevojën e përgatitjes për luftë kundër osmanëve pushtues.
Hapi parë në funksion të strategjisë tij të mirmenduar ishte Kuvendi i princave dhe fisnikëve shqiptar më 2 mars 1444 në Katedralen e Shënkollit në Lezhë e cila sot njihet si “Beslidhja e Lezhës”. Ky Kuvend minimalisht siguroi dy elementë të strategjisë Skënderbeut: 1- bashkimin e barabartë për luftë kundër osmanllinjëve dhe 2- krijimin e një ushtrie me pagesë në kufijt e 20 mijëve. Këto ishin hapa të rëndësishëm strategjik, por të pa mjftueshëm se Skënderbeun nuk e njihte askush me tituj e grada . Madje intrigat e mbretërive italike e ballkanike akoma e quanin turkoshak të pa besueshëm. Këto qëndrime dhe mllefi i Sulltanit kundër tij, sollën tradhëtinë e Moisi Golemit në Dibër, të Muzakës në Berat, pa qëndrueshmërinë e Pal e Lekë Dukagjini dhe mbi të gjitha tradhëtia e nipit të tij Hamza Kastrioti.
Zgjidhja e problemeve të më sipërme, gjendet e shtjelluar bukur e me dokumenta në punimin e Zotit Kule duke pikasur hap pas hapi plotesimin e qëllimit të Skënderbeut. Po të shtojmë këtu edhe fitoret e brendëshme në betejën e Torviollit, Albulenës dhe në thyerjen e sulmeve osmane disa mujore në Kështjellën e Krujës deri në humbjen e betejës prej tyre, del se shtohen pikët për strategun arbnor. Po ashtu disa rrethana ndërkombëtare i erdhën në mbështetje strategjise së tij. Mund të përmendim humbjen katastrofike të frontit verior drejtuar nga Huniadi, rënia e Stambollit si kryeqendra e Bizantit më 29 maji 1453, paqa e përkohëshme e venecianëve me Portën e Lartë, bënë që Skënderbue të forconte pozitat brenda e jashtë Arbërisë.
Kjo mini tablo (e përshkruar në detaje në ditarin diplomatik të Virgjil Kules), i hap rrugën Skënderbeut të kapërcejë Adriatikun, të luftojë e fitojë për forcimin e pushtetit të Mbretit të Napolit, të marrë gradën e gjeneralit, të fitojë simpatinë e mbështetjen monetare e material të: Papës, Venedikut, Napolit, Milanos, Raguzës, Hungarisë, Serbisë e princave arbënor. Por mbi të gjitha kjo i shërbeu strategut arbnor të inicionte tek mbretëritë e fuqishme nevojën e një koalicioni (kryqëzate) kristiane ballkanike përqndruar në lindje të trojeve arbërore, duke aluduar qënien e tij në krye të këtij formacioni.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që i shërbeu Gjergj Kastriotit për forcimin e pozitave të tij, ishte lidhjet martesore që ai bëri brenda e jashtë Arbërisë. Këto ishin dukuri normale të kohës, por zgjedhja ishte taktikë në interest të strategjisë e cila del në pah në studimin e Zotit Kule.
Themelin e studimit të Ambasadorit Virgjil Kule e bën përqëndrimi tek marrveshet dhe traktatet që lidhi Skënderbeu. Nëpërmet tyre në studim dalin në pah vizioni për të ardhmen si strategji, mundësitë e momentit e të perspektivës, përfitimi i ndihmave material e monetare dhe mbi të gjitha ato etike morale e publike që kanë të bëjnë me gjeneralitetet publike shumë të rëndësishme për kohën.
Vlerësuar nga arritjet në fushbetejë dhe lëvizjet diplomatike, në vjeshtën e vitit 1454 krijohet “poli i ri ushtarak i Arbërisë” pjesë thelbësore e strategjisë së Skënderbeut. Mbështetja material nga fuqitë kryqtare të kohës dhe placka e luftës, shtuan rezervat e prapavijës ushtarake. Këto krijuan mundësi për një profesionalizën më të mirë të ushtrisë Arbnore duke marrë specialist të trajnimit ushtarak nga vendet më të zhvilluara kryqtare të kohës. Këto mundësuan gjithashtu fitoret në betejat e ardhëshme ushtarake kundër pushtuesve osmanë nga Skënderbeu. Por jo vetëm kaq, se më 17 maji 1464 Senati i Venedikut i njeh atij titullin: ”Princi i Matit dhe mbreti i shqiptarve”, titull të cilin e kishte ëndërruar që në fillimet e veprimtarisë tij kundër Portës së lartë.
Të nderuar miq, studimi i Ambasadorit Virgjil Kule, është shumë dimensional dhe i rëndësishëm për të kuptuar brendinë e kohës dhe formësimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut si gjeneral dhe burrë i madh shteti për kohën që jetoi. Për të kuptuar gjenialitetin e tij si figurë, si bir i Arbërisë dhe Ati i Kombit tonë, Atlet i krishtërimit dhe mbrojtës i kulturës europiane nga shkatrrimet osmane. Studimi është një gurë i rëndësishëm në themelet e historisë e kulturës shqiptare, një dokument bazik në duart e gjeneratave të së ardhmes dhe një model i të shkruarit bukur, me kulturë e vërtetësi dhe pa lajthitje e fantazira boshe. Ai të pajis me dijeni e kulturë për kohën që merr në studim dhe është i domasdoshëm në sensin e formimit atdhetar me gjak arbnor.