Kosta Nake/
Pas një udhëtimi të gjatë nëpër gurrat e poezisë, Irma Kurti duket sikur ka vendosur të bëjë një ndryshim të përkohshëm të kursit të lëvizjes dhe si interval ka zgjedhur ngjitjen në malin e lartë të prozës romaneske. Tashmë hapësira kohore e emigrimit ka pushtuar një fashë të plotë në treshen e gjeneratave njerëzore, nuk ka mbetur kontinent, shtet dhe copëz e banuar e planetit ku nuk ka shkelur këmba e shqiptarit në kërkim të një jete më të mirë, shoqëruar me sukseset dhe dështimet e gjithëfarëllojshme. Kanë parë dritën e botimit disa romane të suksesshëm për jetën e emigrantëve tanë në Greqi dhe Amerikë dhe ja ku vjen edhe ky për mjedisin italian, fati i një familjeje të zakonshme me shumë fije të lidhura me atdheun.
Vepra ka një strukturë të veçantë, të pestë karakteret rrëfejnë jetën dhe fatin e tyre në vetë të parë, rrallë ka dhe një autor që duket sikur zgjedh radhën e alternimit të rrëfimeve. Përftohen dy linja subjekti, njëra e nënës dhe tri vajzave të saj në bashkëkohësi me retrospektiva të shumta dhe tjetra me një vijë lineare memoralistike që fillon nga lindja e babait Sotir deri në goditjen e tij nga iktusi. Janë dy linja me rrjedha të pavarura nga njëra-tjetra dhe ashtu si Drini i Bardhë dhe Drini i Zi që bashkohen në liqenin e Fierzës, edhe këto i bashkon lindja e një fëmije. Tani që kemi një përvojë rreth 30-vjeçare me panelet televizive ku asnjë diskutant nuk e çon dot argumentin e vete deri në fund sepse do të kërcejë dikush tjetër ta ndërpresë dhe t’i kundërvihet, edhe në këtë roman ka një ndërlikim të ngjashëm rrëfimesh, sepse janë katër vetë që janë nën trysninë e bashkëkohësisë. Nga ana tjetër, mund të jetë ndikimi i mbretërisë poetike që autorja operon me ndarje që zënë zakonisht dy-tre faqe, gjë që i jep shtysë dhe ritëm skenave dhe ndodhive.
Gjithçka fillon me sëmundjen e rëndë e të papritur të Sotirit që ka mbetur i vetëm brenda banesës, vazhdon me shpërthimin e derës dhe dritares dhe dërgimin në spital. Kjo goditje zbulon pyetjen e debatueshme: “Pse u përkushtohemi njerëzve fizikisht dhe mendërisht vetëm kur sëmuren?” Kjo goditje i bën bashkëshorten dhe vajzat të futen në një gjendje reflektimi duke zbuluar çdo skutë të jetës familjare që kishte mbetur në hije ose ishte shpërfillur.
Tri vajzat Ema, Inesi dhe Keila janë motra, por janë tre fate të ndryshme, me pak pika takimi. Të trija përfundojnë në Itali. “Ishim një hap larg zënkave sepse në shpirtin tonë mbizotëronte ankthi, dëshpërimi, keqardhja për të kaluarën që e humbëm aq shpejt, frika për të ardhmen që ishte shndërruar në një udhëkryq plot të panjohura.”
Ema gazetare dhe shkrimtare që nuk gjen në Shqipëri hapësirën e mjaftueshme për të bërë karrierë sepse përballet me arrogancën e shefave ose me ngacmimet seksuale. “Kudo që shkoj, takoj burra të martuar që dashurohen pas meje dhe harrojnë se kanë një familje pas krahëve.” Është vajza më sfiduese ndër të trija sepse vendos të përballet e vetme me tallazet e jetës deri në fund, pa ngritur një çerdhe me burrë e fëmijë. Faqe pas faqeje të lind dyshimi se do të ketë diçka autobiografike te figura e Emës dhe ky konfirmim vjen pas faqes së fundit të romanit.
Inesi gjatë “arratisjes” detare gjen një burrë shqiptar, Arbenin, por nuk gjen një shok e bashkudhëtar të vërtetë aq të domosdoshëm në një realitet të huaj, të ashpër e plot sfida, prandaj dhe vajza e tyre Alda “u del jashtë kontrollit”, çdo pyetje ose këshillë bie mbi një nervozë refraktare. Në rrafshin familjar kjo ka një shpjegim: i kishte munguar i ati, mbi të gjitha modeli i familjes ku mbizotëron paqja dhe harmonia. Në rrafshin shoqëror Alda kthehet në mishërim të të rinjve që keqedukohen, prandaj bëhen egoistë dhe të pandjeshëm ndaj atyre që i rrethojnë. Më tepër se kaq ata i quajnë prindërit “banka që i furnizojnë me para” dhe “nëse një ditë paratë mbarojnë, i urrejnë prindërit.” Arbeni punon si shofer autobuzi në emigracion, mungon me ditë në familje, madje edhe në lindjen e së bijës, është koprac, tipar që nuk përputhet me moshën, prandaj Inesi arrin në përfundimin se “ai është bërë gabimisht prind.” Autorja vë përballë virtualisht Arbenin dhe Federikon dhe me këtë gjen shtegun për t’i vënë burrat shqiptarë në “bankën e të akuzuarve” për njohuritë e pakëta në artin e kuzhinës, për shëtitjet larg njëri-tjetrit sikur të ishin fqinj dhe jo burrë e grua, për burrat që e kanë të vështirë t’u thonë grave një fjalë të ëmbël në prani të prindërve, etj.
Keila gjen dashurinë e vërtetë tek italiani Federiko, njeriu që e demonstron kulturën dhe kujdesin, familja shpërblehet me lindjen e fëmijës që jo vetëm i lumturon të gjithë, por arrin të shërojë edhe Sotirin që kishte humbur aftësinë për të folur pas goditjes së pasuar. Ky fat i bardhë i Keilës e çon Inesin te mëdyshja: “A është normale që unë provoj zili për Keilën?” Shërben si indicje për një variant femëror të Abelit dhe Kainit, por që nuk shkon më tej.
Bashkëshortja Luiza, e pakënaqura e përhershme, pas shtrimit të Sotirit në spital, gjen ditarin e tij, mëdyshja ta hapë a të mos e hapë anon nga krahu kureshtar i peshores dhe zbulon atë që nuk kishte mundur ta vinte re në 45 vite që ishin martuar e kishin jetuar së bashku: një njeri me botë të madhe, por që fëmijëria e vështirë e kishte bërë të heshtur e të mbyllur, një prind të lidhur me të bijat, por një burrë të akullt me gruan. Jeta prej shërbëtori e kishte bërë të heshtur, dhuna e kishte bërë memec, duke kaluar i vetëm orët në shtëpinë e një padroni, bisedat mund t’i bënte vetëm me pemët dhe kjo metaforë ka përcaktuar edhe titullin e romanit. Gjithsesi, brenda linjës memoralistike ka dhe një justifikim të heshtur të Sotirit: “Pse harxhojmë kohë dhe energji duke u përpjekur t’i shmangemi vetes e t’u përshtatemi sa më shumë të tjerëve?” Luiza nuk e kishte kuptuar se prania e lumturisë ishte e pandjeshme, e paperceptueshme dhe priste që t’i shfaqej si një shpend gjigand që zbret nga qielli me zhurmën e një helikopteri. Leximi i ditarit bëri që dashuria e lënë në harrim të çelte sërish.
I rritur si jetim me shumë vëllezër e motra, çlirimi i Shqipërisë i krijoi Sotirit mundësinë e ndryshimit të madh – nga shërbëtor në mjek, një ndryshim që vjen edhe nga forca e brendshme e ngjitjes, pasi mundësitë e barabarta nuk çojnë gjithmonë në lartësi të barabarta. Kjo karrierë e kushtëzuar nga sistemi i diktaturës së proletariatit, bën që edhe kur shkon në emigrim pas të bijave, brenda familjes vazhdon t’i mbetet cilësimi “i kuq”. Kjo nuk është pa gjë sepse në bisedë me Emën thotë” “Nuk kishte vetëm anë të zeza sistemi i kaluar, moj bijë.” Ka dhe një pezm ngaqë nxituan ta nxirrnin në pension “sepse mbëriti koha e hajdutëve.”
Tashmë nuk mbahet sekret se emigracioni nuk është kapërcim ylberi, por fillimi i një lufte të re e të gjatë për integrim, duke filluar me përshtatjen me një sistem të konsoliduar rregullash e ligjesh, kur edhe për ngritjen e një antene mbi çati duhet leja e administratorit; të përshtatesh me një shoqëri ku zor se arrin të krijosh miqësi, me fqinjë që “në rrugë janë të dashur e të qeshur, por kur ndodhemi në oborrin e pallatit, bëhen të ftohtë e seriozë,” që të përshëndesin kur të shohin të veshur shik, me kostum e kravatë, por, po të kesh nevojë, “do ndërrojnë rrugë që të mos ua ngjitësh mërzinë tënde.” Edhe më i vështirë është emigrimi për prindërit e moshuar që s’arrijnë të mësohen me vetminë dhe izolimin nga mosnjohja e gjuhës së huaj.
Sotiri ka qenë mjek dhe kjo natyrshëm çon te krahasimet mes të dy vendeve që nuk i ndan vetëm Adriatiku, por edhe një mendësi e ndryshme për vendin e mjekut në botën e të sëmurëve, me ndryshimin e madh në qasjen e mjekëve në vitet e tranzicionit “të lënë të vdesësh nëse s’ke para t’ua paguash mjekëve nën dorë” edhe kur je në spitalet shtetërorë.
Në kujtimet e shkruara të Sotirit ka një çast të hidhur që jo vetëm e ka të pamundur ta harrojë, por i rivjen parasysh herë-herë. “Padashur kisha folur me pemët.” Pastaj kërcënimi i padronit “I çmendur, ta tregoj unë ty sesi flitet me pemët.” Biseda me pemët rimerret nga Luiza duke u ngritur në rrafshin filozofik, burri i saj i dashur, në pamundësi për t’ia hapur zemrën dikujt, ishte katandisur të fliste me pemët. “Po a mund të bisedohej me pemët? A mund ta interpretosh lëvizjen e tyre si tundje koke, si miratim apo mohim? Apo nëse s’ke kërrkënd për të këmbyer dy fjalë, kjo vërtet është e mundur?” Heshtja kishte qenë nyja që s’kishte mundur ta zgjidhte gjithë jetën. Përvoja vetjake njerëzore futet në hullinë e detajit artistik, kur në klinikën radiologjike të Sotirit paraqitet si pacient ish-padroni i egër Muço Gjata. Mjeku me betimin e Hipokratit triumfon mbi urrejtjen që kotej prej vitesh thellë në shpirt dhe kujtesë: “Rrugët tona s’mund të bashkoheshin, por kish arritur ta respektoja si qenie njerëzore.”
Romani mbyllet me nëntitullin domethënës “Kohë për t’u dashur.” Familjen e madhe e ka bërë bashkë ardhja në jetë e djalit të Keilës, gëzimi shpesh herë ka veti kuruese dhe e bën gjysh Sotirin të belbëzojë “Mirë se vjen, bir!”
(Romani “Njeriu që fliste me pemët” i Irma Kurtit, Dudaj 2015)