Kristaq BALLI
Një ngjarje tjetër e rëndësishme politike në krijimtarinë e fotografit të famshëm shqiptar, Gjon Milit, që la gjurmë të paharrueshme në historinë e fotogazetarisë amerikane mbetet angazhimi i tij si fotoreporter në të ashtuquajturin “Skandal i Uotergejtit” (Watergate Scandal), pasi ai ishte bërë publik dhe e gjithë vëmendja e politikës e opinionit amerikan ishin përqëndruar aty.
I përkushtuar pas subjekteve konspirative e sensacionale dhe shumë këmbëngulës për të gjurmuar e kërkuar anët dramatike dhe sidomos efektin psikologjik që mund të fiksonin ato në fotografi, ai duhej të insistonte për të gjetur mundësinë që të bëhej pjesë e pasqyrimit të kësaj ngjarjeje, që bëhej e njohur për të parën herë në publik, por që do të ndryshonte politikën amerikane kah demokratizimit të saj në favor të shoqërisë dhe qytetarëve jo vetëm të SHBA-ve, por të mbarë botës. Gjatë procesit të dëgjimeve në senat, në Qershor 1973, Gjon Mili jo vetëm që mundi të marrë pjesë në procesin e dëgjimit të dëshmitarëve, por ai realizoi dhjetra fotografi të mjediseve e korridoreve politike amerikane, personazheve, të atmosferes eksplozive, të pushimeve midis seancave, të momenteve shantazhuese e konspirative, të çasteve të humorit autentik të drejtuesit të komitetit të dëgjimeve, etj. Të gjitha këto foto përmbajnë vlera të larmishme, shumica nuk u botuan por mbetën në arkivin e LIFE.com dhe po botohen kohë pas kohe në internet. Kjo edhe për një fakt tjetër: sepse ekskluzivitetin publik fotogazetaresk të pasqyrimit të kësaj ngjarjeje e kishte marrë organet “The Washington Post” (dy gazetarët invstigues të së cilës – Carl Bernstein dhe Bob Woodward fituan çmimin “Pulitzer” për raportimet e tyre) dhe “TIME”, simotra e “LIFE”, ndërkohë që kjo e fundit, në mbarim të vitit 1972 e ndërpreu botimin e saj çdojavor. Nga ana tjetër në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje morën pjesë dhjetra fotografë nga e gjithë Amerika, midis të cilëve edhe fotografi tjetër me origjinë shqiptare George Tames i “The New York Times” (K.Balli: Fotografi shqiptar i dhjetë presidentëve amerikanë Gazeta “Koha Jonë” 1 Nëntor 2015, f. 16-17 dhe 3 Nëntor, 2015, f. 16-17)
Sidoqoftë midis shumë fotove të Gjon Milit, një prej tyre shënon një kulm dramatik dhe fotografik për nga çdo pikpamje që e lidh atë me fijet e padukshme të përvojës dhe mjeshtërisë profesionale, aq sa atë do ta gjesh kudo, sa herë bëhet fjalë për këtë ngjarje të errët që ndriçoi me një vibrim optik të ardhmen e lirive demokratike në politikën amerikane.
Skandali i Uotergejt-it ishte një ngjarje tronditëse politike e sfondit zgjedhor të administratës së presidentit të 37-të amerikan Nikson, që filloi, së pari, me kapjen nga policia vendore në flagrancë të 5 aktivistëve republikanë të njohur si “The White House Plumbers” (Pesë Hidraulikët e Shtëpisë së Bardhë), të cilët tentuan të instalonin pajisje përgjuese natën e 17 Korrikut 1972 në selinë e Shtabit Zgjedhor të Partisë Demokratike (rivale) të vendosur në kompleksin e zyrave të ndërtesës Watergate në Foggy Bottom, Washington.DC dhe që vazhdoi edhe dy vjet, deri sa u vërtetua edhe përfshirja e vetë presidentit, kur u zbuluan manipulimet e kasetave të regjistrimeve të fshehta të bisedave dhe telefonatave të tij në Shtëpinë e Bardhë për të mbuluar apo sfumuar jehonën e kësaj ngjarje të pakëndshme.
Në fund të këtij procesi, presidenti Nikson, që kishte humbur mbështetjen, pas një fjalimi direkt në televizion, dha dorëheqjen më 9 Gusht 1974, pa mbaruar mandatin e dytë, ndërsa mbi 40 nëpunës të administratës së tij u dënuan me burg.
Ndërmjet situatave dhe ngjarjeve që ndriçuan në detale këtë konspiracion politik, si më të rëndësishmen dua të veçoj atë që njihet me termin “Dëgjimet e Uotergejt-it” (Watergate Hearings) në Dhomën e Senatit të Kongresit Amerikan, me të cilën ka lidhje jo dhe aq rastësore edhe pjesëmarrja e Gjon Milit në të. Dëgjimet ndiqeshin mbrëmjeve në disa prej televizioneve më të njohur amerikanë.
Një prej dëshmitarëve më të bujshëm para komitetit të posaçëm të Kongresit, të drejtuar nga senatori Sam Ervin, ishte këshilltari i presidentit, juristi Xhon Din (John Dean). Gjatë bisedave të tij me kolegët në presidencë ai u kishte shprehur atyre dyshimin se “…ne kemi mizën nën shapkë…”, ndërkohë që gjatë këshillimeve me presidentin rreth ekzistencës së shiritave të paligjshëm regjistrues të bisedave direkte dhe telefonike në zyrën ovale, ai u përpoq të ishte i sinqertë, koherent dhe reflektues ndaj tyre, ndaj i deklaroi atij: “Ne kemi një kancer brenda presidencës, i cili po rritet.” Presidenti e largoi atë menjëherë. Madje ai u dyshua si një nga informatorët konspiratorë të mundshëm të këtij skandali. Ky konstatim shkaktoi një pështjellim të mjegullt në atmosferën e zhvillimeve të skandalit dhe kudo pritej me padurim dëshmia, apo dëgjimi “misterioz” i tij para komitetit të posaçëm të Senatit. (Në të vërtetë informatori që “furnizonte” dy gazetarët e “The Washington Post” ishte një zyrtar i lartë i FBI pranë presidencës me pseudonimin “Deep Throat”(Grykëthelli), identiteti i të cilit u mbajt i fshehtë për 30 vjet. Ai ishte nëpunësi epror Mark Felt, i cili, për arsye etike kishte vendosur që identiteti i tij i vërtetë të shpallej pas vdekjes së tij. Por ai e dekonspiroi veten me dëshirën e vet në vitin 2005. Ai vdiq në vitin 2008 në moshën 91 vjeçare dhe është konsidruar si burimi më i famshëm anonim në historinë e Amerikës moderne)
Edhe pse në periudhën e këtij skandali, Gjon Mili ishte rreth 70 vjeç, pra përfshirja e tij si fotoreporter do të ishte një detyrim ngarkesë e madhe për moshën e tij, ai i shpërfilli ato me pasionin, këmbënguljen dhe kureshtjen profesionale e shumë intriguese për të mos e humbur këtë ngjarje madhore dhe, pse jo, për të mëtuar të realizojë diçka të vlerë.
Ndaj këtij rasti të veçantë “…Mili i kërkoi editorit të LIFE Special Reports , John Loengard të mbulonte ‘Watergate hearings’, një kërkesë që Loengard e pranoi duke e lidhur me preokupimin e Milit për liritë qytetare dhe demokracinë.’’ ( Qemal Agaj: 28 Nëntor Ditelindja-Kujtojmë Vatranin, ish Arkëtarin e Vatrës dhe Fotografin e Shquar Gjon Mili, Gazeta Dielli-numër special, 28 Nëntor, 2019)
John Dean dëshmoi në senat më 25 Qershor 1973. Si rregull, para fillimit të dëshmisë, ai duhej të betohej se do te thoshte të vërtetën. Pikërisht këtë çast ka pritur edhe Gjon Mili. Ai ishte pozicionuar në një vend jo afër e përballë dëshmuesit, si zakonisht bënë fotoreprterët e tjerë, por në një pozicion më të largët, më të prirët e nga një lartësi e konsiderueshme nga dyshemeja, që ndoshta nuk dukej edhe aq i përshtatshëm për të tjerët, por që Mili, sipas të gjitha gjasave e kishte studiuar e fiksuar qysh më herët.
Dhe, në momentin e betimit të Xhon Dinit, ai ka shkrepur aparatin. Fotografia e rezultuar ka qëlluar në shenjë. Ajo mund të konsiderohet si një vepër me parametra gjithëpërfshirëse dhe që sintetizon mjeshtërisht atmosferën e ndërlikuar, dyshuese e plot ankth se çfarë do të deklaronte Xhon Dini. Fotoja ka fiksuar përmasa madhore, epike e dramatike, aq sa edhe emblematike. Në të vërtetë, ajo përfshin në konturet e saj një kompozim që në pikturën biblike do të ishte e denjë për Da Vinçin, apo Rubens-in, ajo të lë shijën e tablosë “Darka Mistike”, ku luhet një dramë e nëndheshme komploti politik brenda një superfuqie globale, ku çdo njeri, çdo personazh brenda një arkitekture klasike antike, që ta çon kujtesën tek demokracia e lashtë greke, është i përqëndruar në mënyrën e vet me shikim e mendje tek personazhi kryesor e enigmatik i kësaj ngjarjeje, John Dean, i cili me dorën e djathtë lart e në mënyrë solemne betohet se do të dëshmojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Mizansena fotografike dallon gjithashtu lëvizjen e përgjithshme kaotike, çdo gjë lëviz me ankth, nuk ka qetësi, veç lëvizje të pakontrolluara në vetvete që intrigojnë një situatë të veçantë psikologjike, rrënqethëse tek çdo i pranishëm, ashtu si edhe tek e gjithë gjendja. Të lind përshtypja se një regjisor e ka organizuar me detaje këtë mizansenë të madhe vizive e plot densitet. Fotografia pasqyron në mënyrë figurative më së miri të gjithë konotacionin (domethënien, thelbin) e kësaj ngjarjeje të mprehtë për demokracinë dhe të drejtat kushtetuese në ShBA. Fotoja ka gjithashtu një vlerë të lartë profesionale e artistike nga mënyra, situata dhe momenti deçiziv e përgjithësues se si është fiksuar kjo pamje e mahnitshme.
Janë këto disa nga arësyet që kjo foto publikohet në shumë medie e libra të shkruara për këtë ngjarje si një tregues përgjithësues e i përpiktë i saj, të cilën nuk mund ta realizonte dot veçse një mjeshtër me talent, përvojë e plot ide krijuese e artistike, siç ishte Gjon Mili. Bazuar mbi të gjitha dëshmitë, Presidenti Nikson u detyrua të jape dorëheqjen.
Rreth këtij subjekti të bujshëm Gjon Mili ka realizuar edhe shumë foto të tjera interesante me dhe pa ngjyra, ku spikatin ato të grupeve të senatorëve, komitetit drejtues të séances, ambassadorëve amerikanë në botë, ish drejtorit të CIA duke u betuar para Kryetarit Sam Ervin, Richard Helms, senatorit Howard Baker, shefit të administratës në Shtëpinë e Bardhë H.R. Haldeman, gazetares Mery McGregory, pamje gjatë pushimeve midis seancave dhe nga brendisë antike të sallës, etj.
Disa foto të zgjedhura të Gjon Milit nga “Watergate Hearings”, më 24 Tetor – 22 Nëntor 2008 janë vendosur në ekspozitën “Watergate Selected Works” në Muzeun Howard Greenberg Gallery.