Aleksandër Çipa/
Unë jam adhurues i gjuhës sime amtare Shqipe, dhe kam disa arsye specifike për mbartjen e këtij adhurimi:
Kur nisa ta artikuloj në fjalët e para, im At, poet i këtij vendi, më zgjodhi disa fjalë të shtrenjta e të shenjta si: shqiptar, atdhe, këngë, poezi, letërsi, mëmëdhe, babë, mëmëzonjë, jashtënesh, etj., etj. Dhe shqipja e vendorigjinës sime Pilur, në këngë e poezi, ishte dhe mbetet më e bukur se çdo bukuri e këtij versioni të folur në ato vise… Kur fitova rrjedhshmërinë e përdorimit të shqipes nisa ta krahasoja atë me të folmen e një vendi fqinj e cila më ish e huaj dhe nuk më arriti dot ta kisha gjuhë të menduari si gjuhën time amtare.
Në kohën e rritjes, rinisë dhe madhimit tim moshor, shqipja mu bë gjuha magjike që më rridhte e rrjedh si veshje e plotë dhe e kadifejtë mendimesh. Adhurimi im për këtë gjuhë, m’u bë detyrë për ta brumosur dhe zotëruar edhe dy djemtë e mi tashmë të mërguar, sepse kjo është ndër gjuhët e rralla në botë që pati martirët e saj në të shkuarën. Rilindësit themelonjës të bukurisë afirmuese të Gjuhës Shqipe, lanë apelin mëtonjës dhe testamental:
” Mblidhmani gjakun! Bëmani bojë, të mësojnë alfabetin fëmijët e Shqipërisë!” Gjuha amtare është vlera e identifikimit tim në botën me shumë gjuhë.
Unë e dua adhurueshëm këtë gjuhë se jo vetëm e mora si trashëgim nga lindësit dhe paraardhësit e mi, por po e mbart si të tillë dhe tek pasardhësit…