Qendra për Edukim dhe Përparim
Këshilli Kombëtar Shkencor i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
KUMTESË PËR SHTYPIN
Hyrje
Qendra për Edukim dhe Përparim ka marrë përsipër përgatitjen e disa softuerëve, të cilët do të shërbejnë për të përmirësuar ndjeshëm gjendjen e përdorimit të gjuhës shqipe në procesin e arsimimit në të gjitha nivelet: në shkolla, në universitete, në administratën publike dhe shtetërore, në kompanitë private dhe në përgjithësi për qytetarët ngado që janë dhe kudo që ata përdorin kompjuterin. Këta softuerë do të hyjnë në përdorim fillimisht në Kosovë e mandej më gjerë, në gjithë hapësirën e gjuhës shqipe.
Me këtë rast falënderojmë Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Republikës së Kosovës për mbështetjen e madhe që i bën projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” në dobi të të gjithë banorëve të Kosovës, brenda e jashtë vendit, si edhe në dobi të gjithë shqiptarëve, të shkollës shqipe dhe të kulturës sonë kombëtare.
Pas futjes në përdorim të këtyre mjeteve, që lehtësojnë shumë zbatimin e standardit të gjuhës shqipe dhe përmirësimin e gjendjes së saj, duke e vlerësuar atë si shenjën më të qartë të identitetit kombëtar, do të shqyrtojmë edhe mundësinë e propozimit të një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të përdorimit të këtyre softuerëve nga të gjithë gjatë procesit mësimor, hartimit të shkresave zyrtare, komunikimit zyrtar etj.
Ne presim që kjo pako softuerike jo vetëm ta përmirësojë ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe në arsim, në shtyp, në botime dhe në administratë, por edhe ta pasurojë e ta ngrejë dukshëm kulturën gjuhësore të folësve të shqipes. Po ashtu, presim që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies së gjuhës shqipe, duke ndikuar në ngritjen e cilësisë dhe në përvetësimin e lëndëve të tjera mësimore.
Shpresojmë që pakoja softuerike “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, të çojë përpara edhe bashkëpunimin ndërshtetëror Kosovë – Shqipëri, duke bërë të mundur mënjanimin e dallimeve gjuhësore të krijuara, sidomos në fushën e terminologjisë, si pasojë e ndarjeve politiko-administrative dhe të vështirësive jo të vogla në komunikimin kombëtar shqiptar.
Para se të realizohet versioni përfundimtar i pakos softuerike “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, shpresojmë të krijohen mundësitë për pjesëmarrjen e të gjithë gjuhëtarëve dhe intelektualëve që dëshirojnë të japin ndihmesën e tyre, duke u mundësuar shprehjen e qëndrimeve të tyre shkencore rreth temave kryesore që lidhen me gjuhën shqipe dhe digjitalizimin e saj.
Shprehim besimin se Qendra për Edukim dhe Përparim do të përmbushë të gjitha detyrimet e kontraktuara për realizimin e softuerëve të parashikuar dhe do të bashkëpunojë me institucionet e tjera për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit të pasurisë sonë gjuhësore, si: institucionet akademike dhe universitare shqiptare, shtëpitë botuese, median e shkruar dhe elektronike, shkrimtarët, intelektualët, politikanët, njerëzit e kulturës, të artit e të jetës shoqërore në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, të cilat mendojmë se mund të trajtohen dhe në konferenca të posaçme.
Gjuhës shqipe deri tani i ka munguar një fjalor shpjegues i tipit të madh; i ka munguar një fjalor shpjegues elektronik për kompjuterë dhe telefona, i ka munguar softueri për sinonime dhe antonime në MS Office, i ka munguar korrigjuesi sintaksor. Në administratën shtetërore është ndier mungesa e këtyre softuerëve, po ashtu, procesi mësimor mund të ishte më i suksesshëm për lëndën e gjuhës shqipe, nëse do të përdoreshin softuerët përkatës.
Studimet në fushën e gjuhësisë në ditët e sotme janë të ndikuara drejtpërdrejt nga përparësitë që sjell zhvillimi i teknologjisë, që nga mënyrat e mbledhjes dhe të organizimit të të dhënave në terren, deri tek etiketimi dhe analizimi i korpuseve të tekstit dhe të fjalës apo te mundësitë që i ofrohen përdoruesit për të shfrytëzuar arritjet e këtyre studimeve. Programet e ndryshme softuerike ndihmojnë në përdorimin e saktë të gjuhës dhe njëkohësisht në njohjen dhe përvetësimin e saj.
Një nga problematikat që bie në sy me vështrimin e parë në shkrime të ndryshme në gjuhën shqipe është mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç, kur shkruhet me kompjuter. Shumë shpesh, për arsye të ndryshme, në vend të tyre përdoren shkronjat “e” dhe “c”. Kjo dukuri e zëvendësimit të shkronjave nuk vihet re vetëm në rastet e bisedave dhe postimeve në rrjete sociale, por edhe në publikime të ndryshme zyrtare të të gjitha niveleve. Përdorimi i shkronjave ë dhe ç për shqipen nuk është çështje dëshire apo parapëlqimi, sepse përdorimi i plotë i alfabetit për çdo gjuhë është domosdoshmëri. Për këtë problem në vite ka pasur propozime nga më të ndryshmet. Disa zgjidhje të deritashme kanë qenë të vështira dhe të ndërlikuara, shumë pak përdorues arrinin që t`i praktikonin, por Qendra për Edukim dhe Përparim ka ofruar zgjidhjen e duhur për përdorimin e të gjitha shkronjave të alfabetit të shqipes, përkatësisht “Ë / ë” dhe “Ç / ç“. Realizimi i programit AS Tastiera shqipe 3.0 e zgjidh problemin e përdorimit të alfabetit të plotë të gjuhës shqipe në çdo situatë, në çdo tastierë, pavarësisht nga gjuha e instaluar. Tastiera shqipe 3.0 është softuer që mund të instalohet në më pak se dy minuta dhe funksionon në çdo aplikacion në kompjuter.
Gabimet e vazhdueshme drejtshkrimore në çdo nivel tregojnë se normat gjuhësore nuk zbatohen siç duhet. Nuk është e pranueshme që në shkresa zyrtare, publikime në shtypin e shkruar ose në botime të ndryshme të mos zbatohen rregullat drejtshkrimore të shqipes. Këto gabime mund të jenë teknike dhe bëhen nga mosshtypja e saktë në tastierën e kompjuterit, por edhe nga mosnjohja e rregullave për drejtshkrimin e gjuhës shqipe.
Për mënjanimin e gabimeve drejtshkrimore prej kohësh ka qenë në dispozicion të përdoruesit programi kompjuterik për drejtshkrimin e gjuhës shqipe AS 2.0, i realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), i cili, përveçse ka ndikuar në shkrimin e saktë të shqipes, ka ndihmuar dhe ndikuar njëkohësisht në përvetësimin e rregullave gramatikore. Që prej 15 vitesh ky softuer është përdorur nga të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, ka lehtësuar punën e miliona përdoruesve dhe ka ngritur cilësinë gjuhësore, duke mënjanuar miliona gabime, që deri në daljen e këtij softueri kanë qenë të përditshme. Sot, falë përdorimit të këtij programi, nuk ndesh si më parë në shkrime të ndryshme të publikuara forma të pasakta, si: akcion, univerzitet, pergaditje, tynel, përson, krishtërim, kontigjent, ngadhnjim, proçedurë, çertifikatë, autobuz, ndërrmarim, insitucione, rradhazi, motorri, kontributorët, qënë, gjithësecili e shumë e shumë të tjera.
Falë punë së pandërprerë të bashkëpunëtorëve të kësaj qendre, ky program është përmirësuar e përditësuar si nga përmbajtja gjuhësore, ashtu edhe nga ajo teknike, duke bërë që varianti i fundit Drejtshkrimori 3.0 të ketë një saktësi shumë të lartë të korrigjimit të gabimeve drejtshkrimore. Duke marrë parasysh që gjuhët zhvillohen, edhe shqipja po ashtu, pasurimi i këtij softueri me fjalë të reja të shqipes është domosdoshmëri. Deri tani kemi përzgjedhur disa mijëra fjalë të reja, që kanë munguar në variantin e mëparshëm e që duhen shtuar në variantin e përditësuar, si: admiruese, akademike, aksioner, aplikant, bashkëndaj, caktuesor, fjalëformë, formësoj, frymëgjatë, indinjim, ishemi, jolidhëzor, kushtëzues, listim, melodikë, mjegullues, ndërlëndor, penalitet, rëndshëm, strehëz, turpërues, vetëdijesues, zhvendosës etj.
I ftojmë të gjithë shqiptarët ta përdorin këtë program në dobinë e tyre, por dhe në dobi të vetë gjuhës. Përdoruesit janë të lutur të ndërveprojnë me faqen www.gjuhashqipe.com. Gjatë përdorimit të softuerit ata mund të ndeshen në fjalë të tjera të shqipes që nuk janë pjesë e programit, por që ata mendojnë se duhet të jenë, të tilla si: neologjizma, huazime të domosdoshme, terma të fushave të ndryshme etj. Një thirrje për një kujdes të veçantë e të shtuar u drejtohet gazetarëve, pedagogëve e studentëve të fakulteteve të ndryshme, veçanërisht degëve të edukimit, shoqatave të gjuhës shqipe etj.
Çdo fjalë e shqipes duhet të bëhet pjesë e këtij programi, prandaj mos ngurroni t’i dërgoni këto fjalë për t’i përfshirë në programin e Drejtshkrimorit në adresën info@gjuhashqipe.com! Ekspertët tanë do të shqyrtojnë çdo fjalë e sugjerim të dërguar.
Nga vëzhgime të ndryshme të gjuhës së përdorur në shtyp, në librat e shumtë artistikë, shkollorë e studimorë, në fletoret zyrtare e dokumentacionin e administratës, si dhe në rrjete të ndryshme sociale nga përdorues të rëndomtë, vihet re se një problem i vazhdueshëm dhe shqetësues vijon të mbetet struktura sintaksore e shqipes së shkruar. Tashmë nuk flitet thjesht për gabime të rastësishme, por për shpërdorim të strukturës sintaksore të shqipes.
Duke pasur parasysh se Qendra për Edukim dhe Përparim zotëron një bazë gjigante të dhënash për fjalët, veçoritë e tyre morfologjike dhe format që marrin në gjuhën shqipe, ajo është në punë e sipër për realizimin e një softueri tjetër, sa të rëndësishëm, aq dhe të vështirë: Sintaksori 1.0 (“Grammar Checker”). Ky proces po realizohet duke përdorur më së miri teknologjinë e përparuar të kohës, këtë bazë të dhënash, si dhe rregulla sintaksore të gjuhës shqipe, duke shfrytëzuar përvojat më të mira të arritjeve të gjuhëve të tjera në këtë drejtim, ndonëse shqipja, si gjuhë me fleksion të zhvilluar, paraqet mjaft vështirësi në realizimin e këtij programi.
Ky program, që funksionon në bazë të teknikave të probabilitetit dhe të metodave të bazuara në rregulla, së bashku me programin Drejtshkrimori 3.0 do të krijojë mundësinë e kontrollimit dhe korrigjimit të anës drejtshkrimore të një teksti, të anës gramatikore dhe të pikësimit të tij. Një ndër dukuritë tipike sintaksore është përshtatja e fjalëve me njëra-tjetrën, që rëndom realizohet gabim. Shpesh vihen re gabime në përshtatjen e kallëzuesit me kryefjalën, të përcaktorit me fjalën që përcakton, gabime në përshtatjen në gjini, numër dhe rasë të përemrit me emrin që zëvendëson etj.
Drejtshkrimori 3.0 e sheh fjalën në vetvete, ndërsa Sintaksori 1.0 e sheh të lidhur me fjalët e tjera në fjali, duke ofruar zgjidhje dhe në shumë raste kur fjala përdoret me një formë të drejtë nëse shihet e izoluar nga fjalët e tjera, por të gabuar nëse shihet në marrëdhënie me fjalë të tjera.
Ndonëse nuk mund ta zëvendësojë plotësisht redaktorin njeri, programi do ta lehtësojë shumë punën e tij dhe do të ndihmojë në përvetësimin tërthorazi të shumë njohurive gjuhësore nga përdoruesit e zakonshëm.
Shpesh ndodh që, duke u përqendruar vetëm në përmbajtjen e asaj çka shkruajmë, të lëmë mënjanë anën formale, duke krijuar kështu tekste stilistikisht të varfra e me një fjalor të kufizuar. QEP i ka kushtuar vëmendje dhe këtij drejtimi: po punohet për softuerin Sinonimia 1.0, i cili do t’i ofrojë shkruesit sinonimet e duhura për fjalët që ai përdor. Sigurisht që për këtë nevojitet një bazë të dhënash me fjalësin e një gjuhe dhe secila prej fjalëve duhet të jetë ‘pajisur’ me treguesit e vet në bazë të kategorive leksiko-gramatikore që kanë, duke krijuar kështu mundësinë e lidhjes së fjalëve me fjalë të tjera në bazë të marrëdhënieve sinonimike ose antonimike. Ashtu si dhe në softuerët analogë për gjuhë të tjera, përdoruesit i duhet që të klikojë me të djathtën mbi fjalën që dëshiron, të zgjedhë Sinonimet dhe menjëherë do t’i listohen sinonimet dhe antonimet për fjalën përkatëse, duke pasur kështu mundësi të zgjedhë mes tyre.
Në këtë mënyrë shkrimet nuk do të jenë më monotone, të mbushura me fjalë të përsëritura, dhe njëkohësisht do t’i jepet më shumë hapësirë përdorimit të fjalëve nga brumi i shqipes kundrejt fjalëve me origjinë të huaj. Duke pasur parasysh raportet sinonimike dhe antonimike të fjalëve që do të ofrohen, do të jetë vetë përdoruesi që do të zgjedhë variantin më të përshtatshëm për llojin e tekstit që po shkruan.
Sa e sa herë kemi ndeshur tekste në gjuhën shqipe me fjalë të ndara gabim në fund të rreshtit, sa e sa herë kemi ndeshur shkrime në gazeta me shtylla të ndara jo bukur estetikisht, përveçse me ndarje të gabuara të fjalëve (ndoshta duke përdorur programe të realizuara për gjuhë të tjera). Tashmë ky softuer është i gatshëm dhe për gjuhën shqipe. Programi Ndarësi në fund të rreshtit 1.0 (“Hyphenation”) është realizuar posaçërisht për ndarjen e duhur të fjalëve në fund të rreshtit në gjuhën shqipe. Ai është mbështetur mbi një sërë varg rregullash specifike për shqipen. Ashtu si dhe në gjuhët e tjera, kur një fjalë ndodhet në fund të një rreshti dhe është shumë e gjatë për t’iu përshtatur hapësirave të atij rreshti, fjala ndërpritet dhe një pjesë e saj zhvendoset në rreshtin tjetër brenda caqeve të pranuara. Në këtë mënyrë, ndarja automatike përmirëson pamjen e jashtme të teksteve të prodhuara në kompjuter nëpërmjet përshtatjes së duhur të kufijve të tyre. Ajo kursen letër dhe në të njëjtën kohë siguron një pamje më estetike dhe një lexim më të qetë.
Realizimi i një programi të tillë për shqipen dhe përfshirja në MS Office në kompjuterë do ta zgjidhë këtë problem, duke ua lehtësuar shumë punën jo vetëm përdoruesve të zakonshëm që nuk i kanë të qarta rregullat e ndarjes së fjalëve, por dhe faqosësve të ndryshëm, të cilëve u duhet t’i ndajnë një nga një fjalët për të pasur një pamje sa më të këndshme, veçanërisht në gazeta ku tekstet paraqiten në formë shtyllash.
Fjalorët luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në gjuhësi, për të studiuar dhe kuptuar gjuhën, por gjithashtu dhe në konceptimin e kulturave të ndryshme njerëzore. Shekulli XXI solli një zhvillim të vrullshëm të leksikografisë elektronike. Publikimet e fjalorëve janë shoqëruar ose kanë kaluar shumë shpejt nga variantet e shtypura në përdorimin ‘në linjë’. Këta fjalorë elektronikë sollën mundësi të mëdha për trajtimin leksikor, për realizimin e fjalorëve të ndryshëm dhe për një shfrytëzim më të lehtë nga studiuesit e përdoruesit. Ndikimi i teknologjisë kompjuterike në leksikografinë moderne është krahasuar nga studiuesit me ndikimin që kishte shtypshkrimi për leksikografinë gjatë periudhës së Rilindjes. Metodat tradicionale të hartimit të fjalorëve, të cilat kërkojnë shumë punë për vjeljen e fjalëve dhe përpunimin e tyre, ua kanë lënë vendin metodave moderne kompjuterike, të cilat shfrytëzojnë programe leksikografike të integruara, që zgjidhin disa detyra njëherësh. Këto programe krijojnë mundësinë e modelimit të strukturës së një njësie leksikore që paraqitet si një zë në fjalor dhe të lidhjeve të saj me njësitë e tjera leksikore, duke krijuar me to një bazë të dhënash leksikore. Vlera e materialit në formë elektronike mund të shihet në të gjitha fazat e procesit të përgatitjes së fjalorit.
Leksikografia kompjuterike ka ecur me ritme të shpejta dhe gjuhë të ndryshme kanë arritur të kenë fjalorë me 300 – 400 mijë zëra, të cilët mund të shfrytëzohen më së miri në pajisje të ndryshme, qofshin kompjuterë, telefona të mençur etj. Për gjuhën shqipe ende nuk janë shfrytëzuar këto potenciale të mëdha që mundëson teknologjia. Gjuhës shqipe edhe sot i mungon një fjalor shpjegues i tipit të madh, një fjalor shpjegues digjital, si softuer për përdorim të lehtë drejtpërdrejt në internet, ose në telefona të mençur, ose në kompjuterë. Është e domosdoshme që edhe për gjuhën shqipe të nisë puna për leksikografinë kompjuterike dhe këtë nismë e ka ndërmarrë me seriozitet Qendra për Edukim dhe Përparim, e cila po punon njëkohësisht në disa drejtime, duke synuar jo thjesht realizimin e një fjalori digjital, por krijimin e një platforme softuerike, ku do të mund të punojnë për projektet e tyre individuale ose ato të përbashkëta të gjithë leksikografët shqiptarë. Kjo platformë mendohet të jetë gjithëpërfshirëse, e plotësuar me aspekte të ndryshme: si ai sinonimik, antonimik, terminologjik, etimologjik etj., duke synuar kështu përmbushjen jo vetëm të nevojave të përdoruesve të zakonshëm, por dhe të studiuesve për ta çuar më përpara leksikografinë shqiptare.
Shpresojmë që Qendra për Edukim dhe Përparim të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe të mundësojë bashkimin e gjithë leksikografëve shqiptarë, si edhe të institucioneve të gjuhësisë për realizimin e një nisme të këtillë. Plotësimi i kësaj zbrazëtie të madhe në ‘kohën e erës digjitale’ do të ndihmonte pambarimisht shqiptarët, duke u krijuar mundësinë e përdorimit të të gjitha këtyre mjeteve gjuhësore edhe për gjuhën shqipe, ashtu siç i kanë gjuhët e vendeve të zhvilluara.
Didaktika digjitale është një shoqëruese e domosdoshme e zhvillimit shoqëror e teknologjik të shekullit XXI, veçanërisht kur digjitalizimi po shihet nga shumë studiues si faza e tretë e zhvillimit të kulturës njerëzore, pas shpikjes së shkrimit dhe të shtypshkrimit.
Në projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” i është kushtuar rëndësi e veçantë realizimit të softuerëve mësimorë e argëtues për fëmijë, në funksion të nxënies së dijes përmes lojërave. Softuerët “Fillestarja digjitale” dhe “Abetarja digjitale” kanë si qëllim të mësuarit e gjuhës shqipe, të shkrimit e leximit, dhe të mësuarit e përdorimit të kompjuterit, përkatësisht punës me njësitë e tij themelore, siç janë lëvizjet e miut, shkrimi me tastierë, të cilat për fëmijën nuk paraqesin vështirësi për t’u mësuar, aq më pak kur mësohen përmes lojërave.
Nëpërmjet këtyre softuerëve mësimi i gjuhës shqipe për fëmijë shoqërohet dhe me zhvillime të tjera, të cilat lidhen me pasurimin e shprehive komunikuese të gjuhës së folur, të shkruar dhe të lexuar. Mësimi i gjuhës shqipe përmes këtij softueri shoqërohet me përdorimin e formave të larmishme të të mësuarit të leximit e shkrimit, si pjesë e didaktikës digjitale, që po merr aq zhvillim vitet e fundit, të cilat lehtësojnë procesin e përvetësimit të shprehive të nxënësve për të lexuar, për të shkruar e kuptuar gjithashtu.
Me të gjitha këto synohet që të formohen nxënës të aftë si folës, lexues dhe shkrues e përdorues të gjuhës shqipe, në nivelin e përshtatshëm për moshën e tyre. Këto platforma momentalisht mund të përdoren në ueb, ndërsa në të ardhmen do të ofrohen edhe si aplikacione për telefonat e mençur.
Materiali gjuhësor i këtyre softuerëve është mbi 300.000 faqe A4. Një kopje e tërë këtij materiali gjuhësor do të shtypet në formën e një Libri të madh të gjuhës shqipe, i cili do të dëshmojë madhështinë e gjuhës shqipe te brezi i ri.
Përfundime
Me një punë të palodhshme shkencore të ngulët e sistematike më se njëzetvjeçare, të kryer me shumë kujdes dhe duke ndjekur parimet më të larta të gjuhësisë kompjuterike, po krijohet pasuria më e madhe gjuhësore e kombit shqiptar, e veçantë për shumëçka, lehtësisht e përdorshme, lehtësisht e përmirësueshme, elektronike, e mbikëqyrur dhe në përparim e zhvillim të vazhdueshëm, e lehtë për t’u shfrytëzuar nga çdo shqiptar dhe nga çdo cep i botës.
Le të mbajmë parasysh çfarë arrihet përmes përdorimit të rregullt të këtyre softuerëve për gjuhën shqipe:
- Ekonomizohet koha e përdoruesit të softuerëve gjatë korrigjimit automatik të gabimeve drejtshkrimore, gjatë kërkimit të shpjegimit të fjalëve, gjatë gjetjes së sinonimeve ose të antonimeve të fjalëve e deri te rregullimi i strukturës sintaksore të fjalisë, që do të mundësohet nga softueri i sintaksës.
- Përvetësohet më lehtë, më shpejt dhe më mirë gjuha shqipe. Koha e nevojitur në të shkuarën për përvetimin e njohurive gjuhësore për shqipen ka qenë shumë e gjatë dhe nuk ka pasur rezultatin e duhur, veçanërisht në cilësi.
- Rritet niveli gjuhësor i shfrytëzuesit gjatë korrigjimit të gabimeve të ndryshme ose gjatë kërkimit të veçorive të ndryshme leksikore e semantike.
- Përmirësohet cilësia e mësimdhënies dhe e mësimnxënies së gjuhës shqipe, duke ndikuar në ngritjen e cilësisë në përvetësimin edhe të lëndëve të tjera mësimore.
- Rritet saktësia gjuhësore e dokumenteve gjithandej, sidomos nëse dihet se aktualisht shumë dokumente lihen pa u korrigjuar dhe përmbajnë mjaft gabime; gjithashtu dhe minimizohet ndikimi i dëmshëm i tyre nëpërmjet përcjelljes së formave të gabuara gjuhësore te të tjerët, duke shmangur mëdyshjet se cilat janë format e drejta e cilat forma të gabuara.
- Zvogëlohen shpenzimet financiare, duke kursyer kohën e autorëve gjatë hartimit të shkresave, si dhe kohën e redaktorëve gjuhësorë, duke lehtësuar dhe administratën shtetërore nga ngarkesa e redaktimeve gjuhësore, veçanërisht nëse mbahet parasysh sasia e madhe e shpenzimeve për redaktime gjuhësore për miliona dokumente pa këto mjete gjuhësore.
- Pakësohen shpenzimet e redaktimeve gjuhësore jo vetëm të administratës shtetërore, por dhe të institucioneve të ndryshme private, veçanërisht të medias së shkruar dhe elektronike.
Për vetë kushtet politike në vite, në Republikën e Shqipërisë, në kohën kur Kosova nuk ka qenë shtet, ka pasur mundësi më të mëdha për ta çuar para gjuhën shqipe, duke kryer studimin e zhvillimit të gjuhës shqipe, të veçorive fonetike, gramatikore, leksikologjike, të dialekteve apo të folmeve të saj në pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë.
Sot edhe Republika e Kosovës, institucionet shtetërore dhe kompanitë private, po merren seriozisht dhe po kontribuojnë përmes këtyre softuerëve në përparimin e gjuhës shqipe, e veçanërisht në digjitalizimin e saj.
Me dëshirën më të mirë për ta çuar përpara punën në fushën e gjuhës shqipe, për të krijuar dhe për të futur në përdorim mjetet digjitale gjuhësore të nivelit bashkëkohor për gjuhën shqipe, i ftojmë të dyja qeveritë që të bashkëpunojnë me përfshirjen e tyre të përbashkët në projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.
Prishtinë, 28 dhjetor 2020
KËSHILLI KOMBËTAR SHKENCOR I PROJEKTIT “GJUHA SHQIPE DHE KOMPJUTERI”:
Prof. dr. Emil Lafe | Prof. asoc. Adelina Çerpja | Prof. asoc. Anila Çepani |
Prof. dr. Shefkije Islamaj | Prof. dr. Enver Hysa | Prof. dr. Mustafa Ibrahimi |
Prof. dr. Ragip Mulaku | Prof. dr. Qemal Murati | Prof. ass. dr. Naim Berisha |