
Kolec Çefa/
Me dobsue e zhdavaritë mjegullën e historisë së fiseve tona d.m.th. me hjedhë dritë e me ndriçue historinë e popullit tonë. E vështirë, jo vetëm per mungesën e dokumentave, por edhe per faktin se fiset tona kanë ardhë duke ndërruar mbiemrin familjar nga ndeshtrashat e jetës.
Madje, nder regjistrime mesjetare ka raste kur dy vëllazen mbajnë mbiemra familjarë të ndryshem: Giac Angeli vëlla i Andrea Kabashit; Andrea Angeli detto Abrashi etj. Ose njëri vëlla a degë fisi, mbante mbiemrin sipas profesionit, vëllai tjetër mbiemër fshati nga ka shtegtuar, sidomos herën e mbrame, vëllau tjetër ruante atë të fisit).
Në këtë hulli, unë po kërkoi gjurmët e fisit Bojaxhia, per të dalë me gëzim te dita e paharrueshme 26 gusht 1910, që na dha Nënën e dashurisë, Nënën e shquar Tereze, a mrekullinë hyjnore të kohës moderne, Nënën me gjak shqiptar, nderuar në tërë botën, që solli në vatrën shqiptare çmimin Nobel.
Më kujtohet ajo plakë e moçme: e shkurtër, e thatë, e brishtë, por çuditnisht me vitalitet race: mënçuri praktike, ide krijuese, e forcë të rrallë vullneti zbatues. Virtytet etnike, si pasuri trashiguese shpirtërore, i pasuroi me virtytet teologale, dhe hyri si ndriçim i ri në qenien tonë, në jetën tonë të perditshme, duke ndezur dimensionin shpirtëror tashmë mjaft të ftohur nga diktatura. Ajo hyri si realitet i ngrohtë, jetësor e frymëzues, e duhet të vazhdojë me ne, në historinë tonë, sidomos në këto kohë europiane, sepse Ajo kishte frymëzimin hyjnor në shpirt e “fjalët e jetës së pasosur” ndër buzë!
Në mënyrë panoramike, po hetoi rrënjët e fisit, trungun familjar e frutin më të pjekur të këtij fisi shqiptar, me kombësi, me gjuhë, me karakter!
Rrënjët e fisit
Biografët e Nënë Terezës nuk janë thelluar për fisin e saj, veç permendin në mënyrë evasive hapësirën gjeografike të Bojaxhive tanë, madje nuk njohin çiftin antroponimik Bojaxhia-Bianki. (që Bojaxhia-Bianki janë një fis, këtë e dëshmojnë dokumentat arkivore, edhe korespondenca e familjes Suma, të cilën ma ka pasë dhënë trashiguesi i kësaj korespondence i ndjeri Karlo Suma. Sot korespondenca është te mjekja Terezina Suma).
Ç’lidhje ka ky fis me Abat Pjeter Biankin e kohës së Koncilit të Arbënit, apo me Biankejt e Nenshatit, a Dom Mark Biankin a Imzot Biankin, kryeipeshkvin e Durrësit etj. mbetet për t’u hetuar.
Në fillim të shekullit XVII, në arteret e Shkodrës sonë, po nisë të qarkullojë një gjak i ri energjik kombtar. Fiset tona malore po i afrohen qytetit tonë verior e bashkë me palcin kombtar të lagjeve periferike po i rrasën qytetit, po e zmadhojnë atë, duke shkruar historinë e tij, stoike e të dhimbshme. Shiroka, Ana e Malit, Shtoji, Rëmaji sherbyen si katapulta nga hidheshin në qytet, në fillim, pjestarë familjesh malësore, pastaj familje e fise, duke i dhënë qytetit jetë e gjallëri.
Me këto edhe fisi Bojaxhia, mbiemrin e parë të të cilit, si duket, popullsia e qytetit ia ka ndërruar, duke e emërtuar me emrin e profesionit të fisit, njëpërnjë, si: Kovaçi, Saraçi, Tenexhiu, Qerraxhia etj. Apelativi Bojaxhia, huazim nga turqishtja, e zbuloi veten relativisht vonë në gjuhën shqipe. Kolë Ashta, studiuesi i vëmendshem i leksikut historik të gjuhës shqipe, nuk e gjenë fjalën bojaxhi në shumë vepra mesjetare shqipe. P.sh: nuk del kjo fjalë te Fjalori i Buzukut, as te Fjalori i Pjeter Mazrekut, 1633, as Fjalori i Frang Bardhit, 1635… ndersa te Fjalori i veprës së Bogdanit “Cuneus Propfetarum”, del apelativi bojë. Gjithashtu nuk del as në dokumente të tillë, si: “Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë v.I (1507-1592) përgatitur nga Injac Zamputi, as në “Dokumente të shekujve XVI-XVII, për historinë e Shqipërisë,v.III (1603-1621) përgatitur nga Injac Zamputi.
Çabej, duke studiuar prapashtesën xhi, nder emra vepruesish, si huazime nga turqishtja, thekson se disa emra profesionesh janë bërë nëpër qytete emra familjesh. Në gegërishtën mbarojnë me –a, (bojaxhia), edhe në serbokroatisht, me –a; në toskërishten me –u, (bojaxhiu). (shih: Çabej, Studime gjuhësore, v.III).
Studiuesi më i thelluar, botuesi më i vëllimshem e biobliografi më i njohur, njohësi personalisht i Nënë Terezës, Dr. Dom Lush Gjergji ka shkruar: “Mbi prejardhjen e familjes Bojaxhiu, per fat të keq, nuk kemi burime të shkruara, dokumente historike, por vetëm traditën e gjallë gojore dhe shumë kujtime historike. Një gjë është më se e sigurtë: ishin nga Prizreni. Ja dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Gonxhe Bojaxhiut: “Në familjen tonë gjithmonë ka qenë e gjallë tradita dhe bindja se jemi nga Prizreni… Disa kanë mbetur atje në (Egjypt), të tjerët janë vendosur në Shkodër apo ngjeti, si, p.sh. në Shkup, kurse një pjesë e vogël ka mbetur në Prizren”. Z. Kaçulini, për origjinën tonë, më tha kështu, vazhdon Lazër Bojaxhiu, sipas Dr. Dom Lush Gjergjit, “Bojaxhia ka qenë familje e madhe tregtarësh dhe tregtia e tyne arrinte madje deri në Misir. Një pakicë mbeti në Prizren apo u vendos në vende tjera, si p.sh. Shkup. Edhe pse ishin të shperndarë në vise të ndryshme ata prapëseprapë vazhduen traditën e tyne familjare, fetare e kulturore. Kujtimi për Prizrenin u mbajt gjithmonë i gjallë”.
Dihet me siguri se është fis shqiptar
Me gjuhën e dokumentave ne flasim kështu:
Sipas Regjistrit të pagëzimeve të Imzot Pal Kamsit (rreth vitit 1737) nder familjet katolike që banojshin në qytet, shënohet edhe familja Bianki…edhe Bojaxhia. (Lexuar më parë nga revista jezuite “Perparimi”, shih edhe Gj.Sheldija, “kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës e dioqezat sufragane, f.62. Dr. Nevila Nika në veprën me vlerë “Dioqeza e Shkodrës gjatë shekullit XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore”shënon se, personat e krezmuar në famullinë e Tophanës, më 10 gusht 1789…Anton Bianki. Permendet, tashmë, si nunë (dëshmitare) edhe Luçia Bianki.
Potencialin ekonomik të kësaj familjeje e ka studiuar edhe Dr. Adrian Papajani dhe e ka paraqitur në veprën “Veprimtaria ekonomike e firmave tregtare shkodrane Çoba dhe Bianki (1795-1912). “ Dokumenti i parë, i cili hedh dritë mbi blerjen e pronave tokësore nga familja Bianki është një akt shitjeje që i takon vitit 1773.
Jak Bojaxhiu në këtë vit blenë një kopësht me vlerë 36000 akçesh… Gjatë viteve 1773-1859 brenda një periudhe 87-vjeçare rezulton se familja Bianki ka blerë 14 copë ara dhe 1 kopësht”. Pra, lehtë xjerret perfundimi se gjatë shekullit XVIII ky fis, kjo familje a pjestarë të kësaj familjeje jetojnë e punojnë në Shkodër. Madje zhvillon një veprimtari të gjallë tregtare dhe ka krijuar një pasuri të admirueshme, si pronare tokash, arash, livadhesh, kopështesh, dyqanesh brenda në qytet dhe në fshatrat perreth.
Por pemën gjenealogjike të familjes Bianki (Tab. B) dhe shtrirjen e saj, mendojmë se nuk e ka dhënë të plotë. Në vazhdim të pohimit tonë se fisi Bojaxhia (përkthye në Bianki gjatë veprimtarisë tregtare me vendet e hueja, sikurse edhe familja Zezaj, perkthyer në Negri, etj.), perveç regjistrimit të padyshimtë e të pagabueshëm të Imzot Pal Kamsit, regjistrim i njëkohshëm, kemi edhe të dhëna tjera që e vertetojnë ekzistencën e tyre në Shkodër. U ka ikur syrit të studiuesve një dokument që gjëndet në AQSH, një testament italisht i bërë në Shkodër, më 30 janar 1781 ku: Stefan (Shtjefen) Bojaxhia shëndosh mendërisht, por i rënduar fizikisht u lë me testament pasurinë e tij gruas (pa përmendur emrin) pavarësisht nëse do të rrijë a nuk do të rrijë me fëmijët e mi… si edhe hisen e shtëpisë që është e saja… Fëmijët e mi i lë në duar të vëllaut tim Jakut… Dëshmitarë janë …, Jak Bojaxhia,…, Pjetri i Jak Bojaxhisë, famullitari Dom Françesko Borzi (Borci). Kështu, ky dokument tregon qartë se pema gjenealogjike dhënë për këtë fis, nuk është e plotë, sepse nuk përmendet i vëllai më i madh i Jakut, Shtjefni e linja e tij, si dhe linja tjetër në Tiranë. Sa per Tush Biankin, që shënon Dr. Papajani, martuar me Filipen, shënojmë se Tush e Pjeter është i njëjti emër, i njëjti person.
Studiuesi Stavri Naçi, që më 1956 duke botuar “Testamente të Shkodrës”nga fondi i klerit katolik që gjëndet në AQSH, përmendë disa emra tregtarësh, nder të cilët, më 11 gusht 1798, Anton Bojaxhia, si edhe tregtar që duhet të paguajë taksat doganore, si:…
Jak Bojaxhia, viti 1834-1848.
Nga Regjistri i Kompanisë së Shën Rrokut, të Shirokës, (filluar më 1791, i shkruar italisht, regjistër i panjohur, i pastudiuar, po nxjerrim çka do të na interesonte:
Më 1 gusht 1852, Z. Jak Bianki lë 500 piastra me detyrën me thanë meshë, katër në vit, sipas ndjetit të tij.
Më 1 qershor 1858 Filip e Shtjefen Bianku lënë 500 piastra për shpirtin e së ndjerës nënës sonë Luçia Bianki, lindur me mbiemrin Mesi… Më 18 nëntor 1858 Jak Bianki i ka lënë për shpirtin e tij Kompanisë së Shën Rrokut për me celebrue meshë… Po, më 1870 përmendet Luçia Mesi, Stef Bianki… Kështu pra, si duket kjo familje a këta pjestarë familjeje në këto vite gjëndeshin në Shkodër a Shirokë. (Atëherë Shiroka ishte si lagje e Shkodrës)
Gjurmët e kësaj familjeje në Shirokë, i ka hetuar inxhinier Ndoc Rakaj, prej Shiroke që shkruan se familja Bojaxhia ka banuar në Shirokë të Shkodrës, në lagjen Buza e Gegës.(“Mbas Teje, nr.110, viti 2003). Shtoj: a thue ka lidhje toponimi Buza e Gegës, me emrin e Gegë Bojaxhisë?
Nikë Pavaci (si më kumton Anton Benusi) ka deklaruar: “Në një darkë festive, në familjen Pavaci, ku janë prezent edhe P. Anton e Pader Mark Harapi, Pader Antoni na ka thanë: “Një vajzë që asht pershkue në katundin tonë dhe sot ndodhet në Indi, mendoj se do të bahet shejtneshë”. Edhe në hipotekë të Shkodrës, siç kumton z. Benusi, figurojnë prona të familjes Bojaxhia, në krye të Pazarit të Vjetër, afer mullirit të Dan Hasanit. Edhe unë ia kam arritur rrugicës Bojaxhijej, tabela për të cilën ka qenë deri vonë. Kjo familje ka patur lidhje me familjen (me origjinë kosovare) e Kolë Margjinit, mësuesit të denjë për t’u nderuar. Madje, meqë “shpija e Bojaxhijejve nuk kishte oborr, si tregon Antoni, Lazri e lente kalin e vet te kjo shpi”.
Familjet Bojaxhia a Bianki u permendën deri tashti si familje tregtare e bamirse dhe me prirje fetare. (Në disa dokumenta, Terezës Bianki i kërkojnë lëmosha, qoftë për kisha, apor të ndryshme dhe Tereza ka filluar të shperndajë pasurinë e vet, si duket edhe nga që nuk kishte trashigimtar).
Më poshtë po japim të dhëna që vërtetojnë se kjo familje ka qenë edhe familje patriotike. Familja Bianku është numëruar si ndër familjet e para (të përmendura) të Shkodrës. Gjatë Lidhjes së Prizrenit mund të shohim interesin e këtij fisi për çështje patriotike, dhe ndihmën e dhenë për çështje kombëtare, sado që ishte në Venedik me filial. Në një letërkëmbim intim Gasper Çoba njofton Stef Biankin, në Venedik, më 1878 se popullsia katolike, nga ana e saj, ka zgjedhur katër vetë për çështjen e Lidhjes së Prizrenit, se “me këto katër të kështenë që janë në komision deri tashti jena fort konden prej sish se kanë ditë me kodhanis punen fort mirë per vend tonë e kastan gjindena rahat e sherbes çmos kurr”. Ejell Çoba i shkruan nga Shkodra më datat 10 e 20 prill 1880: “…Tue kontrastue kishin thanë që keni kollaj me vu, se Filipit Jakut nuk e gjenë kurrgja me i vu (me pague k.ç.) 10 a 12 mijë grosh, edhe Stefës (Biankit, k.ç.), Sums, Parrucs e disa tjerve… Shpiave të para 2000… Stef Biankit, Parucës, Dajës Filip (Biankit k:ç.) vll. Shiroka”, … “ e katër shpijave të para i ka vue 8 mijë pj.(astra), d.m.th. dajs Filip, ty (Stef Biankit), Gjon Sums, Parucs)”…“Mramë erdh Gjoka e Sima prej Tuzit edhe Malcija po del per Ulqin… Na pa gjak s’dona me i lshue”. (Shkodër, 21.IX.1880).
Gjurmët e familjes Bojaxhia në Tiranë na i zbulon i pari, persa dimë ne deri sot, Imzot Ambrozio, kryeipeshkev i Durrësit, :“Pashko Gegë Bojaxhiu,… djali i tij Kola ishte zgjedhur nga Imzot Rafael D’Ambroziu në vitin 1864, prokuror personal i tij pranë Qeverisë Otomane të Tiranës dhe per këtë lëshoi edhe prokurën si vijon”: “Në bazë të nenit 9 të Rregullores së re, nënshkruar nga Porta e Lartë, në marrëveshje të plotë me Legatat Europiane në Konstatinopojë misionet kishtare dhe mugadet e huaja kishin të drejtën e një prokurori dhe përkthyesi, nënshtetas otoman. Këta gëzonin të drejtën e nëpunësave konsullorë dhe privilegjet e mbrojtjes kohore. Kolë Pashk Gegë Bojaxhiu ishte nënshtetas i qeverisë otomane dhe katolik i Tiranës, i cili, për sa kohë që do të qëndronte në atë zyrë, gëzonte të drejten e mbrojtjes, perjashtuar nga taksat personale (Bedëllija), moskryerje angarish dhe perjashtim nga shërbimi ushtarak. Këtë prokurë Imzot Rafael D’Ambrozio ia lëshoi Kolë Bojaxhiut, më 28 maj 1864.
Në vitin 1864 emrat e Kolë e Rozë Bojaxhiut shkruhen në regjistrin e Shoqërisë së Përshpirtshme të Kurorës së Artë me këtë motivacion: “Për mirëkryerjen e detyrave martesore. (shih materialet e Imzot D’Ambrozio në Arkiv dhe Dom Mark Dushi, Tirana dhe rrethinat e saj, T. 2005, f. 40-43). “Në gushtin e vitit 1865 Stefan Herceku bleu në Tiranë kopshtin e shtëpisë së Kolë Pashk Gegë Bojaxhisë që ishte afer me kishën katolike të Tiranës”. (D.Mark Dushi, Tirana e rrethina e saj, T. 2005, f. 43).
Atëherë: Familja Bojaxhia-Bianki e fillon jetën e vet të dokumentueme në Shkodër-Shirokë që nga viti 1737. Mendimi i studiuesit Dr. Papajani se:”…familja Bianki (Bojaxhia) ishte me origjinë nga Berati…”, mbështetur te pohimet gojore të një nga pjestaret e fisit Bianki të quajtur Jelena Bianki e cila është martuar me Mikel Çobën”, kërkon studim e vërtetim, se ndoshta kjo i perket periudhës para vitit 1700. Gjithashtu duhet rishikuar edhe pema e dhënë gjenealogjike, mbasi ka pikëpyetëse. Potenciali ekonomik i fisit, mbrenda dhe jashtë vendit, si edhe virtytet e fisit, fetare e kombëtare, tashmë janë bërë të njohura. Lëvizjet e këtij fisi të përmendur nga Shkodra, Tiranë, Prizren, Shkup e ndoshta në ndonjë vend tjetër, duhen parë më hollësisht.
Trungu i fisit
Kolë Bojaxhia, (1873-1918) i nderuari i Shkupit, gëzonte respekt për kontributin burrëror, për patriotizmin e tij, për ndjenjat e tij fetare e shoqërore, burrë i pjekur, bujar pa masë e trim sa ta duesh, i aftë për të dhënë këshilla. Martuar me Dranden besnike, (1889-1972) ai merrej me punën e tij të përditshme, me tregti, (ishte ortak me një shoqëri italiane, si edhe me një tregtar venedikas, bënte tregti me madhëra koloniale, me sasi të mëdha. Puna dhe jeta i ecnin mbarë, pa harruar detyrat e përditshme familjare e shoqërore. Kolë Bojaxhia kishte dy vajza: Agen (Agata) 1905-1974 e Agnes (Anjeze), e cila thirrej Gangje (1910-1997). Kishte edhe një djalë, që, sipas zakonit shqiptar, kishte trashiguar emrin e gjyshit, pra Lazer (1908-1981). Edhe ky, me gjithë të shoqen, merreshin me tregti.
Sipas kujtimeve, Kola ishte patriot i madh, ishte militant për bashkimin e Shqipërisë. Krerë fisesh mblidheshin në shtëpinë e tij e bisedonin punë Shqipërie. Ai ndertoi të parin teater në Shkup.
“Një herë, kujton i biri, bashkë me bashkësinë e Shkupit, shkoi në mbledhje në Beograd. Kur u kthye, ishte shumë i sëmurë… vdiq në rrethana të dyshimta”.
Heret i filluan hallet Drande Bojaxhisë: ishte nga Prizreni, me prejardhje nga Bernaj, i shoqi i vdiq i ri, fëmijët qenë të vogjel, ndonëse nga një familje me gjendje të mirë ekonomike, ajo filloi të varfërohej ekonomikisht. Lazri kujton: “Ishte grua e qëndrueshme, aktive, shumë e fortë, e pathyeshme. E butë, e dashur, shumë bujare, zemër për të varfër, shumë e divoçme. Më duket se Ganxhja është shumë e ngjashme me nënën Loke”. Më në fund, më 1934 Drandja vjen e jetoj në Tiranë, bashkë me djalin e saj Lazrin e vajzen e madhe Agen. Më 1937 i shkruan së bijës letër: “E dashur bija ime, mos harro se shkove në Indi për t’u ardhë në ndihmë të vorfenve”. Më 1972, vdiq në Tiranë, pa mundur të shihte bijën e saj të dashur, vdiq me emrin e Gangjes në gojë! Ganxhja nuk u lejua të vinte as te varri i saj!
Lazri “ishte njeri i mirë, i dashur, i përzemërt”. Ndoqi studimet në Austri, zotëronte italisht, frengjisht, gjermanisht, kroatisht. Më 1939 shkoi në Itali, si refugjat politik, aty u martua dhe lindi Agen. Para se të vdiste, i bëri një vizitë Nënë Tereza. Vdiq, më 1981.
Agia studioi për ekonomi. “Në fillim punoi si përkthyese nga serbo-kroatishtja në shqip, si pohonte i vëllai, më vonë u ba spikere e radios. Deri në pension ishte anëtare e korit të Radio Tiranës. Edhe Agia vdiq pa parë as Ganxhen, as Lazrin.
Arrijtëm te fryti më i pjekur i fisit
Nëna Tereze për familjen e vet shprehej kështu: “Kemi qenë një familje tejet e lumtur, me plot gëzime dhe dashuri, me një fëmijëri të qetë”. Në këtë familje të vërtetë e të shëndetshme, lindi më 26 gusht 1910 vajza e Kolë Bojaxhisë që u pagëzua në Katedralën e Shkupit me emrin Agnes (Anjeze) Bojaxhia e njohur me emrin perkdhelës Ganxhe, ndersa, si nunë krezmimi pati Z.Tereza Muzhanin, grua me aftësi të rralla tregtare e bamirëse e madhe. Shkollën fillore e kreu shqip me mësues shkodranin e njohur Engjell Ndocaj. Menjëhërë, ra në sy si nxanëse e mirë, si vajzë e talentuar si veprimtare aktive. Kryesisht, kishte prirje për letërsi dhe këndonte shumë bukur.
Në Shkup kaloi fëmijërinë e parë, e gëzuar në familjen e vet të mirë. Ky fëmijë jo i zakonshëm e zbuloi heret vetveten: në Kishë, prirjet e saja të forta shpirtërore; në shkollë, të dhënat e qarta intelektuale; në mjedisin shoqëror, dëshirën e sinqertë për t’u sherbyer tjerëve. Dallohej si fetare e divoçme, si nxënëse e mirë e si këngëtare e veçantë. Qe e bukur, e talentuar, e shkathtë, e shoqërueshme, bamirëse. Më 1928 e shtangu familjen e vet, kur i tregoi thirrjen e fshehtë për t’u bërë motër e të gjithëve, merziti shoqërinë me lajmin se do të largohej nga Shkupi, e varfëroi veprimtaritë e famullisë së vet. Për çudi, Shkupi e përcolli te stacioni i trenit, i dha një përshëndetje të ngrohtë, të përmallshme, të përlotur: familja me lot ndër sy, shoqëria me mërzi në zemër. Vetëm prifti qe i gëzuem. Shkupi mbeti pa Gangjen, Ajo do të shperthejë hiret e saj të çmueshme shumë larg.
Në tren, gjatë udhëtimit, shkroi poezinë “Lamtumirë”. Kishte qejf të shkruante poezi!
Me petkun e saj të ri, sarin e bardhë, anash blu, me rruzaren në dorë, shkoj në lagjën e të vuajturve.“Çdo të diel unë vizitoj të varfërit e lagjeve të varfëra të Kalkutës. Nuk mund t’u ndihmoj gjë, se nuk kam gjë prej gjëjë, por shkoj për t’i gëzuar”. Dhe shkoj tek ata që kishin uri e etje, tek ata që kishin nevojë për ushqim e strehim, tek ata që donin mjekim e ilaçe. Dhe të vuajturit, të varfërit, të sëmurët, të braktisurit, të zhveshurit, të papërkujdesurit, handikapatët, fëmijët me të meta, iu afruan të pikëlluar e fituan ngushëllim, iu afruan me shpresë e fituan buzëqeshje, iu afruan me lutje e fituan ndihmë, pa kurrfarë dallimi, as feje, as race, as krahine, as gjuhe. Ajo pohonte: “…duke jetuar në harmoni me të gjitha besimet, mund të bëhesh një katolik më i mirë, nji indu më i mirë, një musulman më i mirë … sepse dashunia është universale, i jep lavdi Zotit e i sherben njeriut”.
Citoj: ”Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do të jem, pa dyshim, një shenjëtëreshë e fshehur, do të mungoj vijimisht në parajsë që të shkoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë”. Ajo e dinte se buzëqeshje e saj u lehtësonte dhimbjet, përkdhelja e saj u gëzonte zemrat, fjala e saj u ushqente dëshirat.
Nëna Tereze dhe Shqipëria
Nëna Tereze ishte shqiptare e vërtetë: me gjakun tonë, me gjuhën tonë amtare, me karakter shqiptar. Dhe kjo është aksiomatike. E ka deklaruar vetë shumë e shumë herësh, me zë e me shkrim. “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane…”. Së fundi: në një letër që i dërgon Presidentit, ( dy artikuj për këtë ka shkruar edhe Prof. Shaban Sinani), më 1989 i shkruan: “I dashur Zoti President i vendit tonë të dashur Shqipëri, Pas kaq vitesh…më në fund i miri Zot më dha këtë dhuratë të bukur të vij dhe të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime kanë jetuar këtu… dhe këtu vdiqën. Dhe unë pata mundësinë të vizitoj varret e tyre…
Edhe në bisedën me Presidentin, Nëna shprehet: “Unë jam shqiptare dhe në të njëjtën kohë lidh Shqipërinë me Indinë…”. ..
Sh.Ramiz: Ju e kuptoni mirë gjuhën shqipe.
Nënë Tereza: Sigurisht e kuptoj, po nuk mund të flas.
Vëllait të vet, Lazrit, në Itali i shkruante edhe shqip. Dhe ajo vetë u shpreh: “Shqipërinë nuk e kam harruar, por atje nuk kam me kë të flas shqip”. Referuesi ka pasë fatin të rrijë me Nënë Terezën gjithësaherë ka ardhë ajo në Shkodër, kuptohet, jo vetëm për vetëm me Të, por mbaj mend mirë që ajo e kuptonte gjuhën shqipe, por nuk e fliste. Njëherë e provokova: I fola shqip, ajo u pergjigj anglisht. Edhe Pader Aleksi i foli shqip (“Do të hapim edhe kishën e fretenve”) dhe ajo u pergjigj anglisht. (“ Kishat i hapim na, ju shtini njerëzit mbrendë”).
Shkodra i hyri në qejf, edhe Shkodra e desh e e nderoi me zemër.“Një herë, siç tregon Anton Benusi, vizitoj Bankën e Shtetit Shkodër, aty pau shumë nëpunëse. Njena bante muhabet, tjetra po piqte kafe, një tjetër po thekte rriskën e bukës… Atëherë Nana Tereze, sillet e u thotë: “Më duket se jeni tepër këtu, bani mirë, gjysa me ardhë e me sherbye te shpija jeme”.
E njohur në të tëra gjuhët e botës me emrin Madre Tereze, pritej e percillej pa kufij shtetërorë. Vetëm në atdhe të vet nuk e lejuan të kthejë, qoftë edhe për të vënë një kurorë në varret e nënës e të së motrës. Qeveria shqiptare nuk e njohu, nuk pranou, madje e shau. Edhe kur fitoi çmimin “Nobel”, nuk dërgoi as formalisht një delegacion a një përfaqësues.Vetëm Imzot Nikë Prela, shkodran, ipeshkëv i Prizrenit, shkoi me sekretarin e tij Dr. Dom Lush Gjergji për ta uruar, se kishte lartësuar emrin e atdheut tonë. “Në Oslo, shkruan Dom Lushi, përbënim një familje të vogël shqiptare: Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, vëllai i Nënës Tereze, Lazer Bojaxhiu, bija e tij Age Bojaxhiu dhe unë”. Erdhi në Shqipëri, më 15 gusht 1989 për herë të parë, qëndroi deri 18 gusht. U kthye më 1990, kërkoi të sjellë motrat e veta, por u kundërshtua në emër të ligjit. “Ndërroni ligjin”, pati replikuar. Në dialogun e Nënës me Presidentin, po shkëpusim:
– Shoku Ramiz Alia: “Ne e kishim detyrim ndaj jush si bijë e popullit shqiptar.
Ne nuk japim çmime Nobël”.
– Nënë Tereza: “Ju më jepni një shtëpi!”.
Ktheu më 1991dhe erdhi përsëri, pruni motrat e veta, herën e fundit më 1995.
Në letrën e saj, më 16 gusht 1989 i shkruan: ”Presidentit të vendit tonë të dashur Shqipëri … Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat dhe shpresoj që së bashku do të bëjmë diçka të bukur per Zotin dhe popullin tonë” Dhe Presidenti, iu përgjigj, më 2 shtator 1989: “Të jeni e bindur, se ky shqetësim i juaj për njerëzit e varfër, përbën dhe detyrën humane e patriotike për mijëra e mijëra djem e vajza të popullit tonë, që si mjekë e infermierë si kujdestarë e edukatorë i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”.
Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSSH e dekoroi me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasës I. Në motivacionin e dekorimit nuk ka asnjë motiv fetar, katolik, për të cilin ajo zhvilloi tërë atë veprimtari të paharrueshme, por thjeshtë si “e frymëzuar nga dashuria e pafund për njerëzit… si shpirti i rrallë i sakrificës me ndjenjen e lartë të humanizmit…”. Pastaj: Urdhëri kombëtar “Naim Frashëri” a nuk është pak per një personalitet botëror si Nënë Tereza?
Ndër këto kohë moderne e të emancipuara, shembull më edukues, më bindës, më frymëzues, se te kjo femër e madhe, nuk gjej; gjurmë më të thella, më të skalituna, më të pashlyeshme, se te kjo motër e shquar, nuk shoh; emër më të përhapur, më të ndritshëm, më të vlerësuar se te kjo Nënë e dashur, nuk dëgjoj: Është kontributi katolik në atdhe, kontributi shqiptar në botë.
Nuk gaboi Kardinal Paskaj, kur tha: “S’mund të jetë popull i vogël, ai që ka dhënë një Nënë kaq të madhe, Nënën Tereze”!
Pëgatiti për botim:
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies – Budapest