
Washington DC – Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/
I.Midis drejtësisë ndërkombëtare dhe kufizimit të sovranitetit
Themelimi dhe funksionimi i Gjykatës Speciale për Kosovën nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të pasluftës, ndërhyrjes ndërkombëtare, ndërtimit të shtetit dhe debatit të hapur mbi barazinë e shteteve të reja në rendin ndërkombëtar. Kjo gjykatë, që formalisht paraqitet si pjesë e sistemit juridik të Kosovës, në thelb përfaqëson një ndërthurje të qartë të mekanizmave të drejtësisë tranzicionale me mjetet e kontrollit ndërkombëtar mbi një republikë të re dhe të brishtë. Ajo legjitimon kufizimin e sovranitetit të brendshëm dhe përfaqëson një simbol të asaj që quhet supermacia funksionale e organizmave ndërkombëtarë ndaj institucioneve të një shteti që formalisht është i pavarur, por realisht mbetet në një pozitë të varësisë ndërkombëtare të vazhdueshme.
II. Geneza e Gjykatës Speciale – dhunimi i vullnetit politik përmes instrumenteve të presionit
Gjykata Speciale u themelua mbi një bazë të dyfishtë: një raport të diskutueshëm ndërkombëtar dhe një presion të koordinuar diplomatik. Raporti i Dick Martyt i vitit 2011, i miratuar nga Këshilli i Evropës, paraqiti pretendime të rënda për trafik organesh dhe krime të luftës, të cilat nuk kishin kaluar përmes filtrit të një hetimi penal të pavarur. Ky raport u bë mjet politik për të imponuar themelimin e një strukture të posaçme, me qëllim që të zbusë kërkesat për një tribunal ndërkombëtar dhe të kanalizojë drejtësinë në një forum të kontrolluar.
Vendimi për themelimin e kësaj gjykate nuk u mor nga një vullnet i lirë politik i Kuvendit të Kosovës, por nën kërcënimin e izolimit diplomatik, ndërprerjes së ndihmës ndërkombëtare dhe sanksioneve politike. Deputetët që e votuan ndryshimin kushtetues vepruan në një rreth të mbyllur politik dhe nën një ndjenjë shtrëngimi, çka e bën këtë akt një prej kompromisve më të thellë me rendin juridik të brendshëm të Kosovës.
III. Struktura e Gjykatës – drejtësi e huaj nën emrin e ligjit vendor
Dhomat e Specializuara janë strukturuar si një sistem paralel gjyqësor, me përbërje ndërkombëtare të plotë (gjyqtarë, prokurorë, staf administrativ), me seli jashtë Kosovës (në Hagë), dhe me një rregullore të procedurës që ndjek praktikat ndërkombëtare më shumë sesa ato vendore. Kjo strukturë, megjithëse zbatohet mbi bazën e ligjeve të Kosovës, realisht ka statusin e një tribunali të jashtëm të vendosur mbi sistemin juridik të një shteti të pavarur.
Kjo përbën një precedent unik juridik, ku një shtet sovran, në mënyrë të detyruar, vendos që një pjesë e juridiksionit penal të vet të ushtrohet jashtë territorit dhe sistemit të tij institucional. Asambleja e Kosovës nuk ka kompetencë mbi emërimet, llogaridhënien, buxhetin apo përmbajtjen e punës së Gjykatës Speciale. Në thelb, institucionet e Kosovës janë të përjashtuara nga çdo rol efektiv mbi funksionimin e kësaj gjykate, përfshirë edhe çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën politike dhe institucionale të vendit.
IV. Asimetri e drejtësisë: gjykatë monoetnike, juridiksion selektiv
Një kritikë thelbësore ndaj Gjykatës Speciale është karakteri i saj ekskluziv ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kufizimi i saj i drejtpërdrejtë në një periudhë dhe në një palë të vetëm në konfliktin e Kosovës. Sipas mandatit të saj, Gjykata ka kompetencë vetëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht individë të UÇK-së për krime të supozuara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës (1998–2000), duke përjashtuar në mënyrë të plotë hetimin e krimeve të kryera nga forcat serbe dhe strukturat e shtetit serb, të cilat kanë lënë më shumë se 13.000 civilë të vrarë, mbi 20.000 gra të dhunuara dhe rreth 1200 fëmijë të vrarë.
Kjo pabarazi thelbësore e delegjitimon pretendimin për drejtësi ndërkombëtare neutrale dhe tregon se Gjykata Speciale është një mjet juridik me funksion të qartë politik – për të ndarë legjitimitetin e luftës çlirimtare nga individët që supozohet se kanë devijuar nga parimet e saj. Por kjo ndarje është selektive, e njëanshme dhe përjashtuese – për faktin se ajo nuk aplikohet ndaj palës agresore (Serbisë), që përkundrazi nuk ka asnjë strukturë të ngjashme që të përballet me të kaluarën e saj kriminale.
V. Ndikimi i Gjykatës në funksionimin e institucioneve dhe demokracisë
Funksionimi i Gjykatës Speciale ka pasur pasoja të drejtpërdrejta për rendin kushtetues të Kosovës dhe për sistemin politik. Disa nga liderët më të lartë shtetërorë të zgjedhur përmes votës së lirë janë arrestuar dhe gjykohen në Hagë. Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe të tjerë janë pjesë e një procesi që i ka përjashtuar nga jeta institucionale, duke krijuar një boshllëk në përfaqësimin politik dhe krizë të legjitimitetit demokratik.
Ky ndërhyrje e drejtpërdrejtë, ndonëse e arsyetuar juridikisht si ndjekje penale, ka pasoja politike që tejkalojnë fushën juridike. Gjykata është kthyer në një instrument që riorganizon raportet e brendshme të pushtetit dhe sjell një ndërhyrje të pashembullt në sistemin politik përmes mjeteve të drejtësisë. E thënë ndryshe: drejtësia ka prodhuar një vakuum politik dhe institucional, duke e vënë në diskutim aftësinë e shtetit për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe për të ruajtur integritetin e vet institucional.
VI. Sovraniteti i kufizuar përmes drejtësisë së deleguar
Gjykata Speciale është pjesë e një arkitekture më të gjerë të “sovranitetit të mbikëqyrur” në Kosovë. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova u përball me një model ndërkombëtar të mbikëqyrjes kushtetuese përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), EULEX-it dhe më pas me formën më të thellë të ndërhyrjes përmes kësaj gjykate. Në këtë kuptim, Gjykata Speciale është një formë e re e protektoratit ligjor, e zhveshur nga emri, por me pasoja më të thella – pasi ajo vendos standarde juridike që shkojnë përtej konsensusit të brendshëm dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje vendore.
VII. Konkluzion: Drejtësi apo instrument i kontrollit politik ndërkombëtar?
Gjykata Speciale për Kosovën përbën një paradigmë të veçantë të ndërhyrjes ndërkombëtare në një shtet sovran përmes mekanizmave të drejtësisë. Ajo nuk është një domosdoshmëri e vetëinstitucionalizuar për drejtësi, por një mjet i projektuar për të adresuar tensionet ndërkombëtare mbi rolin e Kosovës në luftë dhe pas saj. Ajo e kufizon sovranitetin e brendshëm përmes një modeli të jashtëm dhe i privon institucionet e Kosovës nga një segment kyç i sistemit gjyqësor.
Në vend që të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi të brendshëm të drejtësisë, ajo e ka përjashtuar Kosovën nga kjo mundësi. Për më tepër, drejtësia që ajo përfaqëson, është selektive, jo përfaqësuese për të gjitha viktimat, dhe në fund të fundit – më shumë politike sesa morale.
Nëse drejtësia ndërkombëtare nuk është e barabartë për të gjitha viktimat dhe të gjitha krimet, ajo rrezikon të mos jetë drejtësi fare – por të jetë një instrument i kujdesshëm për kufizimin e shtetësisë dhe vendimmarrjes së një populli që ende lufton për njohje të plotë në arenën ndërkombëtare.