Dr. Lulzim Nika/
Rrugëtimi ynë dy mijë vjeçar për liri, ishte sa i mundimshëm, tragjik, por edhe i lavdishëm. I mundimshëm, sepse kaluam kalvare të panumërta si popull, tragjik se shpesh ishim në zgrip të ekzistencës e i lavdishëm sepse bijtë më të mirë të kombit, udhëhoqën, luftuan dhe u flijuan për lirinë tonë, të cilën arritëm ta gëzojmë të plotë vetëm në dy dekadat e fundit, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe luftën e UÇK-së.
Por, 20 vjet pas përfundimit, tani si duket lufta për Kosovën, është zhvendosur nga fushëbetejat, në një rrafsh tjetër, jo më pak të rrezikshëm, pra në domenin historik, politik dhe juridik. Dhe kjo betejë ka një emër: Gjykata Speciale. Gjykimi i krerëve të UÇK-së, d.m.th, gjykim i historisë sonë, dështim i politikës sonë dhe një njollë e zezë në drejtësinë ndërkombëtare.
Si u formua Gjykata Speciale dhe nga kush? Në Serbi filloi iniciativa që të njollosej lufta çlirimtare e Kosovës, duke pasur si synim akuzimin e udhëheqësve të UÇK-së dhe këto akuza u fabrikuan dhe u projektuan nga shteti serb, duke mobilizuar të gjithë mekanizmat e vet, kështu serbët kërkonin edhe përkrahjen ndërkombëtare, të fillimisht e morën nga qeveria ruse dhe ajo kineze, dy qeveri me deficit në demokracinë e tyre të brendshme, por që në arenën ndërkombëtare, këto shtete, silleshin armiqësisht kundër Kosovës dhe lirisë se saj. Rusia vazhdoi më tej duke kërkuar përkrahjen e shteteve evropiane për këtë gjykatë.
Hapi tjetër i mirëorganizuar i diplomacisë serbe ishte konstrukti i një akuze që do të trondiste opinionin ndërkombëtar për fakte të paqena.
Dik Marti u gjet për t’u bërë spikeri i akuzave që ishin bërë në zyrën e shërbimit serb në bashkëpunim me rusët dhe ideologët pansllavistë. Ai grup i këshilltarëve të kriminelit S. Millosheviqit, që e këshilloi dhe bëri luftën dhe masakrat më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vënë prapë në veprim, pra ishte iniciativë e tyre kërkesa për themelimin e një gjykate, që nuk e gjen asgjëkundi në histori, për të gjykuar, në këtë rast, Kosovën, pra palën dëmtuar dhe të masakruar, shkaktuar nga brutaliteti i forcave kriminale të shtetit serb. Ky grup këshilltarësh, që frymëzimin e gjenin te intelektualët serbë që përfaqësonin nacionalizmin dhe hegjemonizmin shovinist serb, ani pse e dinin që e kanë humbur Kosovën, prapëseprapë, nuk do të ndalnin angazhimin agresiv dhe denigrues ndaj Kosovës, sepse siç do të deklaronte D.Qosiq: ’’Ne kurrë nuk duhet te heqim dorë nga financimi dhe përkrahja e serbëve për
të drejtën tonë për Kosovën’’. Këshillojnë shtetin serb që të punojë dhe të shpenzojë buxhet për të dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e prezantuar si shtet të dështuar dhe jo funksional. Serbët pasi që bënë projektin për një gjykatë që nga përshkrimi ngjan si një gjykatë e shteteve me diktaturë komuniste, ku fajtori dihet paraprakisht dhe vendimi merret ende pa u zhvilluar vetë gjyqi, pra e tillë është gjykata speciale.
Serbia synonte që akuzat e fabrikuara, përkatësisht gënjeshtrat duhet te jenë aq të tmerrshme kundër luftës së drejtë të UÇK-së, sa të shokonte opinionin ndërkombëtar, dhe, vërtet, ku mund të ketë gënjshtër më të turpshme se të akuzojnë një organizim për liri siç ishte UÇK-ja për “trafikim organesh”. Për këtë, pra ata kërkuan ndihmëmn e aleatëve të tyre ruso-kinezë, perkrahje që edhe e gjetën dhe e kishin gjatë gjithë konflikti ne hapësirën e ish-Jugosllavisë, por për çudi kjo iniciativë e këshilltarëve të Millosheviqit gjeti përkrahje edhe në administratën e presidentit Obama dhe kjo ishte për t’u çuditur, se sa i përket Evropës, nuk do të ishim çuditur fare, kur dihen qëndrimet e mëhershme evropiane në dëm të shqiptarëve, për t’i ushqyer apetitet ruso-sllave në Ballkan. Ata që më së shumti iu gëzuan formimit të Gjykatës Speciale janë qeveria serbe në bashkëpunim me aleatët saj rusët, si dhe lobi serb në Amerikë; këta të fundit përkrahën fuqishëm fushatën e Barak Obamës, ndërkaq si shpërblim morën përkrahjen e tij në politikën denigruese serbe në raport me Kosovën.
Konkludojmë se pas përfundimit të mandatit të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, presioni për ta formuar dhe vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ishte sui generis për drejtësinë ndërkombëtare, meqë qysh në fillim ishte konceptuar si gjykatë që do të ndiqte vetëm pjesëtarët e një kombi, në këtë rast shqiptarët, e si e tillë, paraqet një nonsens juridik, historik dhe politik, sepse është bazuar në paragjykim dhe fajësi a priori të luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës, për liri e pavarësi.