Tregim nga Keze Kozeta Zylo/
Vetmia përpirëse e detyruar sjellë një mori kujtimesh ose telefonata herë-herë të pazakonta që mund të mos i presësh kurrë në trurin tënd si i koduar me Covidin 19-të aq të mallkuar në gjithë botën. Në këtë vetmi shkrimtari ka penën dhe librin si mikun më të afërt.
Duke rufitur kafenë e mëngjesit që çuditërisht më pëlqen ta shijojë vetëm nën lajmët e krisura pandemike, bie një zile qëzakonisht tingujt e saj në se dëgjohen natën ose dhe në mëngjes herët, më sjellin drithërima për ta kapur telefonin…
E marr në dorë celularin dhe një zë i dobët paksa i ngjirur më duket se më vjen nga një planet tjetër, por që mëafrohet aq shumë sa një hap zogu nëpër telin e ballkonit tim…
-Alo mike, jam Arba, por më tha mami t’ju them se Drita është shumë e sëmurë, është në “Intensive Care” me tubin e frymëmarrjes…Ajo donte t’ju lajmëroja përpara se t’ja vendosnin…
Unë vazhdoja ta dëgjoja dhe asnjë fjalë nuk nxirrja nga goja, zëri im ishte mpiksur si pikë gjaku tek dredhëzat e avullit të kafesë që dukej sikur ngrihej një skulpturë njeriu lidhur ndër zinxhira nga satanai i padukshëm…
-Alo më dëgjon më thoshte Arba dhe vazhdonte me zërin e saj valëngjethës…
-Po doemos të dëgjoj zemër Arba, iu përgjigja dhe gjeta forcën për t’i dhënë kurajo se fundja për atë kurajo më kishte marrë, për të lehtësuar sadopak shpirtin e saj të hidhëruar si helmi i vdekjes. Më vjen shumë shumë keq i thashë, por mendo pozitiv se ajo do të bëhet mirë dhe shumë shpejt do ta marrë vehten, mendo që shumë njerëz kanë shpëtuar mëshumë se kanë ikur.
-Unë ndihem keq dëgjohej zëri i shqetësuar i Arbës se nuk më lenë të shkoj atje, ne spital, ajo po e përjeton vetëm, vetëm pa asnjë tek koka, kurrë s’mund ta mendoja se do ta lija mamin vetëm në ditët e saj më të vështira….
A e beson se vajza ime Rozafa gjithmonë i thoshte: “Nëna, kur të plakesh ti, unë do të shërbej, psh: do të mas temperaturën, tensionin, frymëmarrjen dhe vinte mjetet e doktorit mbi kraharorin e saj të bardhë, aparatin lojë që ajo ia kishte blerë dhuratë për Vitin e Ri. Zot sa kënaqej dhe rinohej kur luanin së bashku!
Unë e dëgjoja Arbën me një tronditje të pazakontë. Ajo kuptonte ndonjë shkëputje të përgjigjeve të mia dhe më tha: – “Ju lutem bëni kujdes për vehten tuaj se kjo flamë të ngjitet si magnet në lekurë dhe personi që e merr se kupton kurrë ashtu si dhe ai që e transemton”.
-Po Rozafa e di e pyeta vazhdova unë?
-Po. I tregova, ishja e detyruar, sepse ajo fliste në telefon me gjyshen disa herë në ditë në “facetime”. Sa kënaqej kur Rozafa i tregonte ndonjë fragment në shqip nga ditari i saj brenda karantinës, por sidomos kur i shkruante në fund tëfragmentit: “Gjyshja ime e dashur, unë lutem që të takohemi sa më parë dhe i vizantonte pëllëmbën e vogël me pesëgishtat e saj dhe brenda dorës vinte: Të dua shumë të shoqëruar anash me një vizatim zemre të kuqe!
Para se të të postoja vidion e Rozafës për emisionin tuaj: “Përshëndetje nga karantina, New York” Rozafa mori aprovimin e gjyshes për ta sjellë pranë jush dhe gëzimi i saj ishte i papërshkrueshëm.
Se mendonte kurrë se ajo do të përfundonte me një temperaturë shumë të lartë dhe bllokim frymëmarrje.
-Oh të lutem më fal, më fal që po e ndërpres se po më telefonojnë nga spitali… Zëri i saj u ndërpre siç ndërpritet dëgjimi i një zëri nga një tornedo, furtunë e zezë që përfshin ç’gjen përpara.
Shqetësimi rritet në maksimum kur je në telefon, sepse gërshëra e pandemisë e pret dhunshëm në mes. Ndihmës infermierja kishte qëlluar shqiptare dhe para se t’i fusnin tubin e frymëmarrjes ajo i kishte thënë që dua të flas me bijën time.
Nga kërkesat shumë të pakta të saj në atë lodhje sfilitëse ishin që të dëgjonte zërin e Rozafës, intepretimin e këngës në vidio për emisionin “Përshëndetje nga karantina, New York” që midis te tjerash dëgjohej:
I ëmbël zëri gjyshes,
Kur ngjarjen ma tregon,
E lehtë dorë e saja,
Mbi krye m’ledhaton.
Por…gjyshja iku në vetminë gëlltitëse, ajo fluturoi lart si një pulëbardhë me pendët e hapura si tastierë ku nëpër ajri vazhdon të dëgjohet melodia e një kanarine të bukur që e donte pafund gjyshen e saj.
(dita e 31-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)
15 Prill, 2020
Staten Island, New York
Ps: Për të ruajtur privatësinë, emrat nuk janë real)