
Nga MARTA SERAFINI
“Corriere della Sera”, 23 nëndor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Janë të njëjtat gra që, si pjesë e pakicës fetare – asaj jazide – janë shitur si skllave, përdhunuar e vrarë nga Isis mbas masakrës së Sinjarit të 2014. Dhimbjet e atyre të rejave i kanë përshkruar të gjitha mediat e botës. Ende sot në hapësirën e shtatë viteve, avokatë të kalibrit të Amal Clooney luftojnë nëpër gjykata me qëllim që t’u njihet atyre statusi I viktimave të gjenocidit. Për ta Evropa u zotua në thirrje, çmime, mbështetje e deklarata. Megjithatë tani, të njëjtat gra kthehen mbrapsht nga kufiri ndërmjet Bjellorusisë e Polonisë.
Ndodhi në ditët e shkuara, kur 430 prej tyre janë kthyer në Kurdistanin iraken mbasi kishin harxhuar të gjithë kursimet e tyre për të marrë udhëtimin. Kishin mbërritur në dyert e Evropës, si mijra të tjerë të ikur irakenë, sirianë e kurdë, mbasi Bjellorusia kishte filluar të jepte viza kujtdo që rrekej të hynte n’Evropë. Një praktikë që Minsku – padit Evropa – sigurisht nuk e ndjek n’emër të së drejtës njerëzore, por që e ka zbatuar për të ushtruar trysni politike mbi Brukselin. Në mes të shkëmbimit të padive gjënden ato, gra të cilave Parlamenti evropian u ka dhënë Çmimin Zaharov në 2016 e që sot nuk kanë para as për të paguar taksinë për t’u kthyer në shtëpi nga aeroporti.
Vajza, ndërmjet të paktave të mbijetuara nga masakrat e Isis, prej të cilave kemi dëgjuar rrëfime rrënqethëse mbasi xhihadistët i kishin liruar kundrejt një shpërblimi, e të cilave shumë Vënde evropiane, me në krye Gjermaninë, u kanë njohur statusin e refugjateve politike. Ku është atëherë kahu i drejtësisë përballë atij muri në Poloni? Ku është fryma e Evropës?
Pak ditë më parë një fëmijë sirian vdiq nga të ftohtit në një pyll, pak kilometra nga kufiri evropian. Sigurisht nuk është rruga e drejtë të pranohen kërcënimet, por as kthimi i kokës nga ana tjetër, ndërsa gratë jazide shohin të mohuar të drejtën e strehimit politik, nuk mund të shpjerë shumë larg Evropën.
“Corriere della Sera”, 23 nëndor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika