Qarqet ekstremiste greke kanë shfaqur hapur ndjenjat e tyre shoviniste në drejtim të Shqipërisë në ndeshjen miqësore mes Greqisë dhe Malit të Zi, para pak ditësh në Athinë. Të enjten e kaluar në stadiumin Karaiskakis të Pireut, gjatë ekzekutimit të himnit grek në tribunën e tifozëve radikalistët grekë të organizatës nacionaliste greke “Vorio Epiri 1914”, kanë shpalosur të ashtuquajturin flamur të Vorio Epirit, cka përbën një provokim të hapur ndaj integritetit territorial të Shqipërisë. Pamjet madje janë shfaqur live edhe nga Televizioni OTE që transmetonte ndeshjen. Flamuri në fjalë është simbol i të ashtuquajturës Republikë Autonome të Vorio Epirit, një entitet jetëshkurtër që u formua në shkurt të 1914 nga grekët në Shqipërinë e Jugut duke përfituar nga pushtimi i përkohshëm që i kishin bërë forcat greke territoreve shqiptare në luftën e parë Ballkanike në vitet 1912-1913.
Si një banderolë me përmbajtje politike dhe për më tepër që cënon ndjenjat e një shteti fqinj shpalosja e tij është rreptësisht e ndaluar në eventet sportive, edhe pse forcat e rendit në Athinë nuk bënë asgjë për ta hequr. Greqia në kërtë rast duket se i shpëton edhe procedimeve nga ana e Uefa-s duke qenë se bëhej fjalë për një ndeshje miqësore, pavarësisht se i ashtuquajturi flamur i Vorio Epirit është një provokim i hapur ndaj shqiptarëve pasi shpreh pretendime territoriale në drejtim të vendit tonë. Si për ironi të fatit, në të njëjtën ditë në Elbasan Arena luhej takimi i përfaqësueseve të 21-vjecarëve, Shqipëri-Greqi ku nuk u shënua asnjë episod me karakter fyes ndaj ekipit grek, që u respektua konform të tëra rregullave, me publikun shqiptar që edhe një herë tregoi qytetarinë që e dallon ndryshe nga qarqe të caktuara në vendet fqinje. (Telesport)