Opinion nga Abdurahim Ashiku, gazetar-Athinë/
E diela 5 korrik 2015 ishte për Greqinë “lojë në kuaj hamshorë”.
“Loja” në “kuaj hamshorë” është një dënim mesjetar, nga më çnjerëzorët. I dënuari vendosej në mes të dy hamshorëve të “tërbuar”me këmbë të lidhura pas yzengjive në anë të hamshorëve. Kuajt trembeshin në mënyrë që secili të shkojë në drejtim të kundër. I dënuari çahesh më dysh…
Greqia midis “PO” dhe “JO” zgjodhi të dytën.
Të nesërmen e konfirmimit të vullnetit të thellë të grekëve “JO”- ja anoi nga “PO”-ja. Ministri i financave dha dorëheqjen. Një pikëpyetje e madhe kjo! Një dorëheqje e “imponuar” siç deklaroi ai nga “Evropa” e cila nuk e pranonte në negociata. Ai kishte deklaruar se “Do të pres dorën përpara se të nënshkruaj marrëveshjen” çka më kthente (si dy pika ujë në një pjatë të cekët) në nëntor të vitit 1961 kur në një vend të vogël të Evropës deklarohej se “Ne do të hamë barë përpara se të shkelim parimet”. Ministri Varufakis tha se Cipras e pranoi dorëheqjen për t’i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjeve, atyre marrëveshjeve që populli grek me mbi 61 për qind të votuesve u tha “JO”.
Tradhti!? Apo pazare të bëra me kohë e të nxjerra në shitje tani?
Gjermania pret propozimet e reja greke…
E hëna 6 korrik në mëngjes ishte shpallur dita e hapjes së bankave dhe e tërheqjes së parave pa kufizim…
Sot qepenat e bankave greke ishin të mbyllura. E përcolla vështrimin mbi qepenat hekur fizarmonikë në të gjithë qendrën e Athinës. Vetëm në godinën qendrore të Bankës Kombëtare Greke në sheshin “Kotsia” para Bashkisë, mund të hyje dhe të bëje pak punë, fare pak, ndonjë marrje pensioni për ata që nuk kishin karta krediti apo thyerje të ndonjë çeku…
Lëvizja brenda qytetit; me trenin elektrik, metro, tram, autobus e trolejbus bëhej falas. “Gojët” e mekanizmave të shtypjes së biletave ishin mbyllur me një gjysmë flete format të bardhë.
Supermarketet, njësitë e mëdha dhe të vogla tregtare, ishin hapur për të përjetuar qetësinë nga klientët.
Dita e parë e pas referendumit në dukje ishte e qetë por në brendësi ishte e turbullt, e mbledhur grusht nga nervozizmi dhe nga pasiguria e njerëzve për të nesërmen.
Greqia po përjeton dramën më të madhe në historinë e saj. Grekët me “JO”-në e tyre u treguan “trima” në një betejë të humbur, në një betejë imagjinare ku “ushtria” greke e “JO”-së ishte vënë përballë “ushtrisë” gjermane të “PO”-së, ku Ciprasi i zhytur në borxhe kombëtare ishte vënë përballë Merkelit, borxhe dhënëses më të madhe Evropiane, përballë “Fajdexhiut Gobsek” deviza e të cilit ka qenë “O paratë, ose mallin e gjënë, ose vdekjen”.
Greqia ishte e “dashura” e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, oborri i pasmë i lulëzuar i tyre. Ata, për interesat e veta strategjike, ushtarake, ekonomike, turistike etj. e lulëzuan atë, e vunë në “kolltukun e mbretëreshës”, në “fronin e përrallave të lashta”.
Paratë vërshonin në hapje rrugësh, ndërtime urash të nivelit botëror që kapërcejnë dete, ndërtime metrosh… në hua pa mbarim për tu tërhequr nëpërmjet një tregu tërësisht të pabarabartë nëpërmjet “shitjes së armëve” duke e bërë Greqinë në “zemër të NATO-s” vendin më të militarizuar evropian për sipërfaqe në kilometra katrore dhe për frymë të popullsisë.
“Fajdexhiu Gobsek” dha për të marrë. Dha NJË për të Marrë DY, madje edhe PESË, sipas parimit kolonial “investo një dollar për të marrë pesë dollarë”.
Dhe ndërsa gjermani punonte për të krijuar mirëqenien e vet dhe të Gjermanisë me punë në dy ndërresa, gjatë ditës greku në tetë orë dy i ndante për kafe, tre për llafe e katër të tjera për mbajtur mos binte në tokë bishti i belit, lopatës apo kazmës”…
Greku u mësua të mos paguante taksë për shtëpinë, për pagën, për tokën, për delen, dhinë, lopën, ullirin, agrumet, vreshtat, drithërat, perimet…
Greku u mësua që të merrte pensionin e babait apo mamasë së vdekur, të merrte dy pensione; për vete dhe për burrin e vdekur…
Greku, me të ardhur masa e “uritur” për punë dhe për para e shqiptarëve emigrantë u shndërrua në “afendiko”…
Greqia dhjetëra milionat që mori nga Evropa për shkollimin, trajtimin, krijimin e hapësirave për emigrantët i përdori për paga e pensione për “minoritarët grekë” dhe për “arumunët grekë” të ardhur nga Shqipëria duke u bërë shembulli i vetëm në botë në ndarjen “raciale” të emigrantëve.
Greqia krijoi precedentin e “marrjes” dhe “mosdhënies” së borxheve, e krijimit të një dinastie të tërë oligarkësh që u ushqyen dhe u majmën në vorbullën e allishverisheve me paratë e Evropës.
Greqia me veprimet dhe mosveprimet e saj është lidhë këmbësh në dy leqe të kuajve hamshorë, në leqen e majtë dhe të djathtë…
Frerët e kuajve hamshorë i ka në dorë Gjermania e Merkelit…
Do t’i lëshojë frerët Merkeli?!
…
Greqia do të jetë e detyruar të shtrëngojë më fort rripin.
“Fajdexhiu Gobsek” është pjesë e “Kome(tragje)disë njerëzore” të ditëve tona…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 6 korrik 2015